Fillimi | Analiza | Rreziku nga maunat pa frena

Rreziku nga maunat pa frena

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Shoqëritë ku gazetaria është gojë e politikës ditore e gazetarët janë argatë të pushtetmbajtësve, janë shoqëri ku është zhdukur kufiri që ndanë të vërtetat që karakterizojnë gazetarin nga gënjeshtrat që janë shenjë njohëse e politikës. Dhe në ato shoqëri gazetaria është në kthetrat e politikës dhe është mjegull që pengon popullin të sheh nga ecin hijet e politikanëve.

Shkruan: Kim Mehmeti

 

            Shoqëritë ku gazetaria është gojë e politikës ditore e gazetarët janë argatë të pushtetmbajtësve, janë shoqëri ku është zhdukur kufiri që ndanë të vërtetat që karakterizojnë gazetarin nga gënjeshtrat që janë shenjë njohëse e politikës. Dhe në ato shoqëri gazetaria është në kthetrat e politikës dhe është mjegull që pengon popullin të sheh nga ecin hijet e politikanëve. Mbase duke e ndje shtrëngimin e kthetrave politike dhe ato të pushtetmbajtësve, gazetarët e Maqedonisë dolën këto ditë rrugëve të Shkupit, që të protestojnë kundër “burgosjes” së fjalës së lirë. Dhe ata thanë se nuk duan të jenë as shërbëtorë të politikanëve e as pronë e biznesmenëve që mendojnë se duke financuar madiat kanë blerë edhe shpirtin e gazetarëve. Por, ata nuk shkuan më tej të tregojnë se kush duhet t’i  shpëtojë nga kjo “robëri” e dyfishtë. Robëri e cila në thelb shpjegon atë që mbase gazetarët e këtushëm nuk duan ta pranojnë: forcën dhe zgjuarsinë e qarqeve pushtetmbajtëse dhe inferioritetin dhe joprofesionalizmin e një pjese të gazetarisë së këtushme. Si edhe atë se Maqedonia e sotme është në mbyllje të dy fazave që i kaloi Serbia e viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë të shekullit të kaluar: fazën e parë kur gazetarët e lartësojnë “prijësin” dhe e dehin popullin me nacionalromatizëm dhe, atë të dytën, kur prijësi i përdor mediat si kalë në betejat që çojnë drejtë humbjes kolektive.

           

                 

                   Andaj, shikuar nën sipërfaqen e asaj që i mundon gazetarët e Maqedonisë, do shohësh se sa u përket gazetarëve të mediave në gjuhën maqedonase, ata me duart e veta i farkuan grilat e burgut mediatik ku i ka mbyllur Gruevski dhe partia e tij në pushtet, VMRO-DPMNE-ja. Në të vërtet, gazetarët e këtushëm maqedonas, të dehur nga fitorja e Gruevskit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, të mahnitur nga vendosmëria e tij që të mos përfill “terroristët” e Ali Ahmetit, pa marrë parasysh vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, pra të dehur nga “trimëria” e Gruevskit t’ua merr hakun shqiptarëve për luftën e 2001, gazetarët maqedonas atë e pritën  sikur t’u kishte ardhur në Shkup personalisht Aleksandri i Madh i hupur mbi Bukefallin e tij. Nga kjo mahnitje dhe nga mrekullia që ua ofroi Gruevski, shumica e gazetarëve maqedonas nuk pan as atë që do ta shihte edhe një gjysmë i verbër: se nga një politikani i keq dhe demokrat i shtirur, mund të lindë vetëm një diktator qesharak i hipur mbi gomar, siç është sot Gruevski.

 

 

Duke u ndje përnjëherë aq i madh sa e bënë mediat maqedonase dhe aq i dashur për popullit i cili ia shpërbleu antishqiptarin me rejting të lartë politik dhe me fitoren absolute në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2008, Gruevski bëri atë që mund të pritej nga një politikanë që më shumë i beson ëndrrës se realitetit. Në fillim ai e barazoi të mirën e partisë së vetë me atë të shtetit dhe thuajse ia doli Maqedoninë ta bëjë pronë të VMRO-DPMNE-së. Pastaj i bëri mediat zëdhënëse të qeverisë së tij dhe vazhdoi më tej t’i ndërlidh pushtetin dhe kishën ortodokse, si dy dikastere të të njëjtit institucion që e ndërton dhe përkujdeset për shtetin. Dhe duke mos pasur me çka ta begatoj të sotmen e popullit të vet, Gruevski filloi ta pasurojë të kaluarën e maqedonasve. Kështu që u nisë shtigjeve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke gërryer sa më thellë në varret antike nga nxirrte eshtrat e heroizmit të popullit të vet dhe njëkohësisht duke shndërruar në skelet pa mish të sotmen e Maqedonisë. Edhe atë gjithmonë i shoqëruar nga priftërinjtë ortodoksë të cilët barazonin vullnetin e Zotit me atë të prijësit. Si dhe bënin bekimin e parave të mbledhura nga taksapaguesit mysliman që përdoreshin për ngritjen e kryqeve dhe kishave ortodokse.

 

 

Ecja e Gruevskit rrugëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e bëri Maqedoninë me shumëçka t’i ngjajë Serbisë së kohëve të Millosheviqit. Pra, e çoi shtetin drejtë përmendoreve të larta që do stolisin qendrën e Shkupit dhe ndoshta do groposin të ardhmen e këtij shtetit. Kështu që këto ditë ai shpalosi planin e madhërishëm dhe numrin e përmendoreve që do e madhërojnë të kaluarën e popullit maqedonas, një të kaluar e cila pa dyshim ka barkë aq të madh sa mund të gëlltit cilindo hero të Ballkanit. Pra, Gruevski shpalosi se sheshi i Shkupit në të ardhmen do bartë mbi vete Aleksandërin e Madh, e ura e gurit do ketë nga të dy brigjet kalorësit e mëvonshëm të historisë maqedonase, Goce Dellçevin dhe Dame Gruevin. Dhe duke i vënë përmendoret e tyre nga të dy anët e Vardarit, mbase Gruevski donë t’i shënojë kufijtë e Shkupit, i cili, me këto përmendore,  mund edhe ta fillojë fazën e “bejrutizimit” të vet. Gjë që mund ta çoj partinë e Ali Ahmetit në pushtet më në fund të pyes veten sot atë që pa dyshim do mund ta pyesnin gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve të këtushëm: ç’rolë patën, çka bënë dhe ku ishin pushtetarët e BDI-së në kohën kur Gruevski Maqedoninë e mbuloi me kryqe, kisha ortodokse dhe me ciriliken sllave. Mbase këto janë pyetjet e munguara që sot duhet t’ia shtrojnë BDI-së gazetarët e këtushëm shqiptarë përpara se të dalin të protestojnë kundër dhunës politike që bëhet mbi ta. Dhunë e cila mbase do përfundojë  atëherë kur rrugëve të Maqedonisë, njësoj si dikur nëpër Serbinë e Milloshevqit, do shëtisin mauna pa frena. Të cilët shumë rastësisht do të përplasen me makinat e gjithë atyre që thonë se Gruevski i ndërton vetvetes përmendore mbi mjerimin e popullit të vet dhe mbi themelet e inferioritetit të partive të këtushme shqiptare. Dhe mbase kur të dalin rrugëve të Maqedonisë këto mauna pa frena, Ali Ahmeti do e kuptojë se mëkat politik nuk është vetëm ai kur bënë keq, por edhe kur nuk bënë asgjë ta pengosh të keqen e paralajmëruar. Dhe se mëkat nuk është vetëm mbajtja e Albin Kurtit pesë orë në zyrat e policisë maqedonase, por mëkat mbi gjitha mëkatet është kur bëhesh se nuk kupton se qëndrimi i këtillë i policisë së shtetit ku je bashkëqeveritar ka vetëm një shpjegim: u përcjellë porosi shqiptarëve të këtushëm të kenë kujdes me cilin bashkëkombës të tyre kontaktojnë. Apo t’u thotë shqiptarëve të këtushëm: miqtë që nuk i duam ne maqedonasit, ju s’keni pse i pranoni në shtëpitë tuaja.

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë

 

Komente (1 dërguar):

Paqsori më 14 May, 2009 12:05:04
avatar
Kim Mehmeti - elitë publicistike e shqiptarëve të këtushëm – çuditërisht sa zbëhet, ende e mban një fije shprese se politikani A.Ahmeti mund të përmendet nga kllapia që e ka zënë. E merre me mend se sa këtë punë e kanë të shkoqur njerzit që s’u kanë haberin punëve të këtilla.
A.Ahmeti është fyell pa vrima përse ti fishkëllesh këngë kot së koti.
Mos llafosni kot por kësaj pune një herë e mirë e me fjalë të prera qitnjani rrënjët në diell.
BDI-ja me gjithë zhganin e vet, sikundër edhe e gjithë struktura politike shqiptare në Maqedoni është në black out politik; fjalë të kripura e sheqerosura nuk pasqyrojnë e as si ngushëllim nuk shërbejnë, përvecse deformojnë perceptimin e gjërave ashtu sic s’janë. Vec flaja me e drejtpërdrejtë, më e sinqertë, më e qartë, mund të lozi daullen e shpëtimit. Dhe ju gazetarë e publicistë këtë nuk e denjoni ta bëni sado që jeni nga të thirrurit.
"Mbajme te drejten e mospublikimit te komenteve qe bien ndesh me normat etike, komenti do te publikohet pas aprovimit nga administratori".

Dërgoni komentin comment

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Votoni këtë tekst
0