Fillimi | Analiza | Të ndarë s’ke ku e çon - të tërë s’ke si e mbron

Të ndarë s’ke ku e çon - të tërë s’ke si e mbron

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Maqedonia është si prodhim i konservuar dhe i ndjeshëm nga ndryshimet e paparashikueshme të temperaturave politike të Ballkanit, e që duhet ruajtur në frigorifer. Dhe që nga mëvetësimi i tij, ky shtet ndodhet i ngrirë në frigoriferin e bashkësisë ndërkombëtare. Veçanërisht në atë të administratës amerikane, e cila bënë çmos që frigoriferi të mos mbetet pa rrymë elektrike, që "prodhimi" të mos shkrihet, të mos derdhet e të lagë, ta çojë drejt kalbjes, tërë këtë pjesë të Ballkanit.

 Shkruan: Kim MEHMETI

Maqedonia është si prodhim i konservuar dhe i ndjeshëm nga ndryshimet e paparashikueshme të temperaturave politike të Ballkanit, e që duhet ruajtur në frigorifer. Dhe që nga mëvetësimi i tij, ky shtet ndodhet i ngrirë në frigoriferin e bashkësisë ndërkombëtare. Veçanërisht në atë të administratës amerikane, e cila bënë çmos që frigoriferi të mos mbetet pa rrymë elektrike, që "prodhimi" të mos shkrihet, të mos derdhet e të lagë, ta çojë drejt kalbjes, tërë këtë pjesë të Ballkanit. Por, që nga viti 2006, Maqedonia sërish ka filluar të shkrihet, të tregojë shenja skadimi afati për përdorim dhe as të huajt nuk e kanë të lehtë ta kuptojnë se ku qëndron gabimi: te mirëmbajtësit e frigoriferit, apo te materiali i ngrirë. E mbase problemi nuk është as te mjeshtrit që kontrollojnë temperaturën e duhur për të mbrojtur mallin nga prishja, as te materiali, por te paketimi i gabuar shtetëror i Maqedonisë. Paketim që i ka hije një shteti ku edhe prodhimet bujqësore nuk mund të depërtojnë në tregun perëndimor, vetëm pse janë të ambalazhuara jashtë standardeve evropiane.

Maqedonia shpeshherë është përballur me defektet e rendit të saj shtetëror. Ajo dhjetë vite jetoi me iluzionin e Kushtetutës së vitit 1991, kur të shumtë ishin ata që thoshin se ajo Kushtetutë nxitë mosmarrëveshje ndëretnike, por të gjithë bëheshin të shurdhur. Dhe ajo shurdhëri, e solli Maqedoninë deri te konflikti i vitit 2001. Maqedonia u përball me defektet e veta kushtetuese dhe ligjore edhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, të cilat i lejonin mandatarit të shkelë mbi vullnetin shumicë të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe kur shumica thoshin se duhet rihapur "kapaku" i Kushtetutës, se duhet të bëhet një "ripaketim" i ri i rendit shtetëror, që do të pranonte realitetin e organizimit partiak në baza etnike, sërish të gjithë u bënë të shurdhër. Kështu që Gruevskit iu lejua të vazhdonte ta sundonte shtetin shumetnik, sipas standardeve njëetnike. Maqedonia pra vazhdoi t‘i ikë përballjes me realitetin se fatin e saj e përcaktojnë dy etnitë numerikisht më të mëdha - ata që veten e quajnë maqedonas etnik dhe shqiptarët - dhe u zhyt edhe më thellë në vetëgënjim, se nuk janë banorët ata që përcaktojnë përkatësinë etnike dhe fetare të fshatit, po kryqi ortodoks mbi kodrinën ku ndodhen fshatrat shqiptarë, është ai që cakton fenë e shtetit.

Maqedonia i mbijetoi suksesshëm të gjitha mangësitë e deritanishme të organizimit shtetëror, vetëm shkaku i rrethanave ballkanike. Rrethana të cilat ishin në favor të krijimit të një shteti të cilin ta ndash, s‘ke ku e çon, e të tërë, s‘ke si e mbron. Rrethana të cilat ngritën një kreaturë shtetërore, ku edhe do ndërtohej demokraturë, e jo rend demokratik, jo shoqëri që do i përshtatej realitetit shumetnik. Do ndërtohej një shtet i mbetur në mjegullnajën e ëndrrave të etnitetit maqedonas. Dhe në atë mjegullnajë, e humbën rrugën e vet edhe partitë shqiptare, të cilat nga joshja të jenë pjesë e pushtetit, nuk vërejtën se dikush ua merrte shqiptarëve shtetin që u takonte edhe atyre. Kur e vërejtën këtë, Gruevski e kishte lexuar drejt etshmërinë e tyre për pushtet. Andaj edhe bëri të mundshmen: pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, duke mos përfillur vullnetin politik të shqiptarëve, ai u hodhi shqiptarëve farën e grindjes, duke ua ndarë partive të tyre "hisen e qenit" - ashtin e përfitimeve personale për një grusht partiakësh shqiptarë. Këtë farë grindjeje, ai e mbjell edhe sot, edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit. Edhe atë duke e bërë të njëjtën, por pak më ndryshe: duke i ftuar në bisedime për përfshirjen në qeveri edhe partinë fituese shqiptare - BDI-në e Ali Ahmetit, edhe atë humbëse - PDSH-në. Pra, duke anashkaluar të vërtetën se populli shqiptar kishte vendosur se cilit koncepti politik i besonte, duke ua bërë shqiptarëve të këtushëm më të dukshme atë që është dashur ta shihnin vite më parë: se ata nuk kanë problem vetëm me shpirtngushtësinë antishqiptare të Gruevskit, por edhe me partitë e tyre, të cilat nuk kanë koncept të qartë për ardhmërinë e popullit që përfaqësojnë, e as për shtetin, parti të cilat nuk shohin më larg se kabinetet ministrore, që nuk vërejnë se ky rend kushtetues, votën shqiptare, edhe më tej do e lë në duart e mandatarit. Se ky rend shtetëror, u mundëson qarqeve politike të etnitetit maqedonas të blejnë kohë, të mohojnë realitetin se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Realitet të cilin shqiptarët e këtushëm mbase edhe nuk arritën ta dëshmojnë ashtu siç duhet. Sepse, në vend që partitë shqiptare ta përballnin Gruevskin me rrezikun e Parlamentit Shqiptar në Komunën e Çairit, nëse nuk e pranon vullnetin politik shqiptar, ato u radhitën para derës së mandatarit, duke pritur që ai t‘i lajmëronte se cila nga ato është më e "përshtatshme" për sundimin e tij të ardhshëm katërvjeçar.

Duke biseduar për përfshirjen në koalicionin qeveritar me partinë fituese dhe me atë humbëse të zgjedhjeve, mandatari Gruevski do të arrijë dy qëllime: të lërë përshtypje përpara ndërkombëtarëve se angazhohet për pajtim mes faktorëve politik shqiptarë, e brenda në Maqedoni, të vazhdojë ta ushqejë dhe ta thellojë konfliktin deri në armiqësi mes shqiptarëve. Pra, ai ngulë këmbë në relativizmin e votës shqiptare, edhe atë duke i bashkuar partitë shqiptare nën flamurin e tij partiak. Mbase shkaku se e din se ky shtet ende nuk ka flamur shtetëror që do i bashkonte të gjithë. Se ky shtet ende nuk ka as zgjidhje kushtetuese dhe ligjore që do i mbronte shqiptarët nga majorizimi etnik, zgjidhje që do ia pamundësonin Gruevskit të sillet ndaj partive shqiptare si ai që u ndanë lëmoshë romëve të vegjël, tek Ura e Gurit mbi lumin Vardar.

Mbase edhe asgjë më shumë se lëmosha, nuk u takon atyre që presin pas derës së mandatarit, që me çdo kusht të bëhen pjesë e qeverisë. Më në fund, lëmosha i takon lypësit, e jo atij që di të marrë atë që është pronë e tij, jo atij që di si ta materializojë vullnetin e popullit që përfaqëson. Lëmosha nuk i takon atij që di të dëshmojë se Maqedonia edhe mund ta zgjidhë problemin që ka me grekët, mundë të bëhet edhe anëtare e të gjitha strukturave euroatlantike, por kurrë nuk do bëhet shtet i qëndrueshëm nëse mbetet me rend shtetëror të papranueshëm për shqiptarët. Se Maqedonia nuk mund pafundësisht të qëndrojë e ngrirë në frigoriferin ndërkombëtar, se një ditë edhe ashtu e ngrirë, ajo mund të bëhet e papërdorshme për qytetarët e saj.

Nuk ka dyshim se edhe në katërvjeçarin e ardhshëm, Maqedonia do të ketë qeverinë e saj me Gruevskin në krye. Pa dyshim se së shpejti, do përfundojnë edhe bisedimet e tij sekrete me udhëheqësit e partive shqiptare. Por, mbetet i dyshimtë veprimi i mëtejmë politik i shqiptarëve të këtushëm. Si dhe ajo sa ata e kanë kuptuar se do duhet të ndryshojnë diçka në sjelljen e tyre politike. Se ndoshta do duhet më zëshëm të kërkojnë forma të tjera të organizimit të tyre në këtë shtet, të kërkojnë zgjidhje kushtetuese dhe ligjore që do t‘ia mundësojnë kësaj popullate atë që kanë maqedonasit etnik: vetë të vendosin kriteret e përcaktimit partiak. E kur të ndodhë kjo, shqiptarët e këtushëm do e shohin se grindjet ndërpartiake u vijnë edhe shkaku se tjetërkush ua përcakton orientuesin më elementarë të vullnetit politik, se tjetërkush ua përcakton sjelljen politike, si dhe kriteret themelore të statusit të tyre politik. Vetëm pasi të ndodhin këto ndryshime kushtetuese, ndërkombëtarët do mund ta nxjerrin Maqedoninë nga frigoriferi ku ndodhet sot. Përndryshe, edhe ashtu e ngrirë ajo do fillojë të humbë lëndën e sajë të parë. Do fillojë të zhbëhet dhe nga ajo të mbetet vetëm paqeti i jashtëm, pa pasur asgjë brenda. E nëse ndodh kjo, ky shtet nuk do vlejë më as i paketuar copa-copa, as si tërësi. Por vetëm si dëshmi se Ballkani ishte dhe ka mbetur hapësirë ku bëjnë gjumë ëndërruesit shpirtngushtë etnik, e të cilët nuk e kanë kuptuar se fytyra e fjetur, i ka po ato rrudha si edhe kur është e zgjuar.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
Next