Fillimi | Analiza | Lumi i derdhur

Lumi i derdhur

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

U thanë thuajse të gjitha lidhur me zgjedhjet skandaloze dhe tragjike të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Politikanë e analistë, nga hapësira mbarëshqiptare dhe nga Maqedonia, dënuan dhunën, u treguan shqiptarëve të Maqedonisë se dhuna nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë. E shqiptarët e Maqedonisë i dëgjuan të gjitha.

Shkruan: Kim Mehmeti

U thanë thuajse të gjitha lidhur me zgjedhjet skandaloze dhe tragjike të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Politikanë e analistë, nga hapësira mbarëshqiptare dhe nga Maqedonia, dënuan dhunën, u treguan shqiptarëve të Maqedonisë se dhuna nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë. E shqiptarët e Maqedonisë i dëgjuan të gjitha. Në të vërtetë, ata prej moti e kanë kuptuar se këshillat vëllazërore duhet t‘i pranosh si kurim me ilaçet me mbishkrimin: "Mos i merr pa lexuar udhëzimin", e ato të palës etnike maqedonase si barna që ta zbusin dhembjen e barkut, por ta trullosin kokën dhe ta pamundësojnë vozitjen politike. Kështu që shqiptarët e Maqedonisë u gjetën mes ligjëruesve të etnisë maqedonase, që me përbuzje shpjegonin arsyet e dhunës që ndodhi në vendbanimet shqiptare dhe analizave e vlerësimeve politike, kryesisht nga Tirana, të ngjashme me diagnozat e mjekut, i cili ta cakton ilaçin, duke dëgjuar rrëfimin tënd për sëmundje nëpërmjet telefonit.

U thanë të gjitha lidhur me të dielën e përgjakur parazgjedhore në Maqedoni, por askush nuk tha se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë më të dhunshëm se cilido popull tjetër në Ballkan, se të tillë siç janë, ata i bënë një rendi shtetëror ku bashkëjetojnë dy shoqëri paralele: ajo e etnisë maqedonase dhe ajo shqiptare. Askush nuk tha se institucionet e këtij shteti janë mur që i ndan e nuk i bashkon qytetarët e Maqedonisë, mur që është ngritur ashtu, që ta mbrojë shtetin nga qytetarët shqiptarë, e jo shqiptarin e këtushëm ta ndihmojë e ta mbrojë edhe nga dhuna shtetërore. Mbase edhe kjo është ajo që nuk e kuptuan me kohë partitë e këtushme politike shqiptare dhe andaj arritën të "shqiptarizojnë" Parlamentin republikan dhe qeverinë me deputetë e ministra shqiptarë, por jo edhe institucionet shtetërore. Këto parti harruan se më mirë është të mos kesh zëvendësministër të policisë, e të kesh pesë shefa profesionistë shqiptarë të dikastereve të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët do mbrojnë popullin nga skenarët antishqiptarë; se më mirë është të mos kesh asnjë ministër, por administratën shtetërore ta kesh të mbushur me ekspertë shqiptarë jopartiakë, e të cilët, në mos më shumë, me kohë do parandalojnë padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve. Dhe mbase këtë nuk e bënë, sepse në çdo lagje ku banojnë shqiptarët e Maqedonisë ka nga dy-tre kandidatë që i kanë të gatshme çantat dhe parfumet për t‘u bërë zëvendëskryeministra e ministra, e profesionistët që nuk kanë "diploma" partiake, presin të marrin viza "Shengen" e të braktisin këtë gropë të thellë të primitivizmit politik.

Gjatë votimit më një qershor, shqiptarët u përgjakën. Por jo pse kanë prirje ndaj dhunës, por pse nuk arritën me kohë të matnin largësinë që ndante ëndrrën e tyre për një Maqedoni të qytetarëve të barabartë, nga ajo e etnitetit maqedonas, që nuk duan ta ndajnë shtetin me askënd. Dhe duke qenë të tillë, maqedonasit ia dhanë Gruevskit të gjitha votat antishqiptare, që ai të jetë sa më i fortë dhe të mos varet nga partitë shqiptare. Pra, i dhanë mbi gjashtëdhjetë deputetë, aq sa të frikohen disa analistë shqiptarë, të cilët u ngutën të propozonin që të dyja partitë shqiptare të bëheshin pjesë e qeverisë. Duke harruar kështu se ka edhe një zgjidhje, e cila mundet t‘i dëshmojë Gruevskit se sa më i fortë bëhet te maqedonasit etnikë, aq më shumë dobësohet si Kryeministër i shtetit. Kjo zgjidhje do ia bënte me dije Gruevskit se nëse ai nuk ka nevojë për shqiptarët, atëherë edhe shqiptarët nuk kanë pse të merren me qeverinë tij. Pra, askush nuk propozoi mundësinë që asnjë parti shqiptare të mos pranojë të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE antishqiptare. Askush nuk u tha shqiptarëve të Maqedonisë: dilni masivisht në rivotim dhe përkrahni ata që i urren Gruevski, që t‘i dëshmoni se forca shqiptare nuk varet nga dëshirat e mandatarëve, por nga realiteti se pa shqiptarët Maqedonia mund të mbetet vetëm ëndërr e parealizueshme e etnitetit maqedonas. Askush pra nuk u propozoi shqiptarëve të këtushëm që nga partia e tyre fituese në këto zgjedhje të kërkonin që ajo të shihte mundësinë e ngritjes së institucioneve të duhura paralele, pa të cilat nuk mund të shkojë përpara kjo Maqedoni e dy ëndrrave etnike diametralisht të kundërta.

Analistët dhe njohësit e rrjedhave politike në Maqedoni nga Tirana e Prishtina, me të drejtë u përqendruan në dhunën që ndodhi të dielën, kur u vra një i ri shqiptar dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. U mbajtën leksione liderëve të këtushëm partiakë, mbajtën lidhje telefonike me të "dyja palët", disa nga ata, pa i ftuar njeri, u ngarkuan me misionarë të pajtonin Ahmetin me kryetarin e PDSH-së. Disa të tjerë provuan të barazonin viktimën me dhunuesin. Nuk ishin të paktë as ata që u sollën si ai që ngutazi vjen të shohë lumin e derdhur, e ndërkohë, pa të pyetur se ku ka qenë shtrati i lumit, t‘i cakton vendet ku duhet të ndërtosh urë të re. Kështu që ti kot e ke që i shpjegon se nuk e ka fajin lumi, por shtrati, se Maqedonia është lumë politik i degëzuar, se shtrati nëpër të cilin rrjedh realiteti politik i etnitetit që veten e quan maqedonas, është i mbrojtur nga institucionet shtetërore, e ai nga rrjedh realiteti shoqëror shqiptar është i lënë në duart e më të dhunshmit.

E diela e 1 qershorit ishte ditë kur u derdh lumi politik i shqiptarëve të Maqedonisë. Kur ata duhej të shihni se shtratin e veprimit të tyre politik institucionet shtetërore e kishin mbushur me shumë mbeturina, që e pengonin rrjedhën të shkonte më tej. Se tani ka ardhur koha që ai shtrat ose të pastrohet, ose të vazhdojë mbytja e tyre e ngadaltë në një shtet, i cili bëri çmos që ata edhe demokracinë ta përjetojnë si një diktaturë më të errët njëpartiake. Pra, të dielën, shqiptarët e Maqedonisë, qartë mund të shihnin se dy partitë e tyre më të mëdha politike, qëndrojnë në brigje që nuk i lidh asnjë urë: PDSH-ja e mbetur peng e bindjes se ajo nuk varet nga vullneti politik i shqiptarëve, por nga forca e partnerit strategjik maqedonas-VMRO-DOMNE-së, dhe BDI-ja besnike e bindjes se vetëm shqiptarët janë ata që përcaktojnë fatin e partive të këtushme shqiptare. Ky besim u tregua i rrezikshëm në këtë Maqedoni me sistem dystandardësh, në këtë shtet, i cili edhe kur ecën drejt Brukselit, kokën e ka të kthyer nga Beogradi dhe Moska.

1 qershori i përgjakur është edhe një datë tragjike që do shënojë kalendarin e shqiptarëve të Maqedonisë, një nga ato datat që nuk i mungojnë thuajse asnjë viti nga shtatëmbëdhjetë vitet e kaluar, sa ky shtet është i pavarur dhe sovran. Atë ditë i braktisën selitë e partive të këtushme shqiptare edhe ekspertët amerikanë, edhe analistët nga Tirana, që kishin ardhur të ndihmonin punëdhënësit e tyre. Dhe ata e kryen ndershëm punën e tyre. U treguan punëdhënësve të tyre që më të mirë se ata nuk kishte, u shpjeguan që të mos mërziteshin edhe kur populli i fishkëllen nëpër mitingje. Dhe i lanë këtu të tillë, siç i gjetën: të pavetëdijshëm se është e lehtë të huazosh ekspertë amerikanë e analistë që dinë të të lavdërojnë, por s‘ke ku huazon popullin që duhet të të votojë.

Pra, pas 1 qershorit shkuan të gjithë. Këtu mbetën vetëm vëzhguesit që do vlerësojnë rivotimin nëpër vendbanimet shqiptare, këtu mbetën edhe votuesit shqiptarë, të cilët mbase e kanë kuptuar se në këtë rivotim ata do duhet t‘i përgjigjen Gruevskit ashtu siç e meriton: duke dalë masivisht në votime dhe duke dëshmuar se e kanë kuptuar lojën që ai u përgatiti dhe po ua gatuan. Në Maqedoni mbetën edhe politikanët shqiptarë vendorë, disa nga të cilët të verbëruar për të ardhur me çdo kusht në pushtet, mendojnë se i takojnë popullit që nuk i meriton. E kjo mund t‘u ndodhë vetëm atyre që nuk e kanë kuptuar se njeriut nuk ia prish gjumin ajo që të tjerët dinë për të, por gjërat që ai i fsheh në vetvete, dhe ka frikë mos dalin në shesh. 1 qershori ishte dita kur e tëra doli në shesh. Kur u pa hapur se Gruevski ka vetëm një përparësi ndaj shqiptarëve të këtushëm: etjen e disa politikanëve vendorë, që me çdo kusht të bëhen pjesë e pushtetit, pjesë e një qeverie që nuk të lejon të të takojë edhe shteti.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
Next