Fillimi | Analiza | Republika e Tanushës

Republika e Tanushës

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Pra, që nga viti 2001, Tanusha u bë metaforë e një të kaluar plotë mosmarrëveshje shqiptaro-maqedonase, u bë kufi që ndan periudhën e para konfliktit, nga vitet e shpresës së madhe se Marrëveshja e Ohrit do ishte çelësi i munguar i harmonisë ndëretnike. Dhe si i tillë, ky fshat sot pasqyron gërshetimin e një të kaluar të hidhur me një të sotme shumë të largët nga ajo që shpresonin shqiptarët e këtushëm

Shkruan: Kim Mehmeti

 

 

            Në veri, rreth 50 kilometra larg Shkupit, aty ku malet e larta shënojnë kufirin që ndanë “shqipërinë” e Maqedonisë këndej, me Kosovën e matanë maleve, ndodhet fshati Tanushë. Nga malet ku janë shpërndarë mëhallët e këtij fshati, shihen qartë vendbanimet e Kosovës, por jo edhe kryeqendra e Maqedonisë. Mbase shkaku i kësaj, po të mos ndodhte konflikti i 2001, Shkupi kurrë nuk do e dinte se ekzistonte edhe ky fshat me banorët e tij, ky fshat ku u dëgjuan krismat e para që do shënonin fillimin e një konflikti të armatosur mes kryengritësve shqiptarë dhe forcave policore e ushtarake të Maqedonisë. Ai që i pari e paralajmëroi Maqedoninë se ndodhej në prag të luftës, ishte Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandat Hoxha, i riu i lindur e i rritur në këtë fshat, ai që paraprakisht kishte paguar çmimin e atdhetarisë duke luftuar për çlirimin e Kosovës, e që atë vit kumtoi se kishte lindur UÇK-ja e shqiptarëve të Maqedonisë. Me çka, këtë fshat e shënoi me guximin e shqiptarëve të këtushëm t’i  kundërvihen një regjimi që tallej me kërkesat e drejta të tyre dhe gjithashtu, fshatin e vet, e shënoi edhe me urrejtjen e maqedonasve etnik, për të cilët, Tanusha mori përmasat e metaforës që do simbolizonte rrënimin e  besimit të tyre gënjeshtarë se Maqedonia ishte vetëm pronë e  tyre.

 

          Pra, që nga viti 2001, Tanusha  u bë metaforë e një të kaluar plotë mosmarrëveshje shqiptaro-maqedonase, u bë kufi që ndan periudhën e para konfliktit, nga vitet e shpresës së madhe se Marrëveshja e Ohrit do ishte çelësi i munguar i harmonisë ndëretnike. Dhe si i tillë, ky fshat sot pasqyron gërshetimin e një të kaluar të hidhur me një të sotme shumë të largët nga ajo që shpresonin shqiptarët e këtushëm. Si i tillë, ky fshat sot paguan “mëkatin” e krismave të para të vitit 2001 dhe pasqyron qartë dy “maqedonitë” brenda një shteti, e që u ndërtuan pas Marrëveshjes së Ohrit: atë që maqedonasit etnik e ndërtojnë për vetveten dhe tjetrën, të cilën e ndërtojnë po të njëjtit maqedonas etnik të VMRO-DPMNE-së, për të jetuar në të shqiptarët dhe që nuk ndryshon thuajse me asgjë nga ajo e parakonfliktit. Pra, Tanusha e sotme pasqyron Maqedoninë e dy standardeve: atë që kujdeset për çdo fshat ku ka edhe një banorë të vetëm me përkatësi etnike maqedonase dhe Maqedoninë e cila sikur të mundej, të gjitha vendbanimet shqiptare do i linte si Tanushën – të mos jetojnë as “atje” as “këtu”, të zhdukeshin në heshtje.

 

            Tanusha sot ndodhet aty ku ka qenë me shekuj. Dhe i ngjanë një fshati të harruar, apo qëllimisht të heshtur nga të gjithë. Ka vite që në këtë fshat nuk hyn as policia, e as çkadoqoftë tjetër që do dëshmonte se dikush kujdeset për banorët e këtushëm. Kështu që, Tanusha i ngjanë një republikë ne vete, një “zone të lirë”, ku nuk hyjnë as të mirat, as të këqijat e shtetit të cilit i takon. Kushtet e të jetuarit në këtë fshat janë të njëjta si ato të para konfliktit. Tanushën e sotme, nga ajo e para vitit 2001, e dallon vetëm përmendorja e dëshmorëve të rënë gjatë konfliktit, e cila përmendore ndodhet në hyrje të fshatit dhe thuajse bënë roje mbi qetësinë e plogësht që është pllakosur mbi fshat. Qetësi e cila mbase i ngërthen në vetvete të gjitha të pathënat e banorëve të këtij fshati, të cilët as që pyesin më se pse mbetën të harruar edhe nga pushtetarët shqiptarë dhe mos vallë edhe ata, njësoj si pushtetarët e VMRO-DPMNE-së, duan që ky fshat – si shenjë e ndërmendjes së një të kaluare –  të zhduket nga harta e kujtesës. 

 

Numri i shtëpive të këtij fshati është po ai i dikurshmi, vetëm se nga dita në ditë, pakësohen numri i oxhaqeve të shtëpive nga të cilët del tym. Ata pakë banorë që ende nuk dorëzohen dhe që jetojnë në këtë fshat, nuk janë të prirë të flasin për vetveten. Ata nuk duan më as të ankohen. U janë dorëzuar rregullave të “republikës” së tyre, ku nuk vlejnë as ligjet e Maqedonisë, as ato të Kosovës, por vetëm ato të mbijetesës. Pra, u janë dorëzuar rregullave që të mundësojnë të mbijetosh në malet e këtij Ballkan edhe atëherë kur mbetesh si i askujt, kur je i harruar nga të gjithë.

 

Në Tanushë ndodhet edhe shtëpia ku jeton Komandant Hoxha, pa dyshim figura më emblematike e ish UÇK-së së Maqedonisë, pas asaj të Ali Ahmetit. Dhe ka vite që ai, së bashku me banorët tjerët të këtij fshati, pret që Maqedonia të bëhet shtet i ëndrrave të tij rinore, shtet siç e kishin ëndërruar bashkëluftëtarët e tij që kurrë nuk do plaken, e emrat e të cilëve mbeten të shënuar në përmendoren në hyrje të fshatit. Komandant Hoxha, për dallim nga banorët tjerë, flet shumë, ai ka çka të rrëfejë për të kaluarën dhe të sotmen e vet. Dhe në rrëfimin e tij për të kaluarën, e që ndërthuret nga shpresa e atyre që besonin se janë ndërtuesit e ardhmërisë së popullit të vet, njësoj si edhe në tregimin e tij për të sotmen e pashpresë, për këtë të sotme që atë dhe bashkëfshatarët e tij i ka bërë rob të një shteti që i ikë ballafaqimit me realitetin e vet shumetnik, nuk ka as vetëmburrje as akuzë, por vetëm shpalosje të një vetie shqiptare që shpejtë të shpallë hero dhe shumë më shpjet të harron. Andaj, kur dëgjon rrëfimin për të shkuarën e tij dhe për të sotmen me të cilën përballet, nuk arrin ta kuptosh se vallë kush e dëmtoi më shumë ëndrrën e atyre që në vitin 2001 morën armët në duar – elitat e shkathëta politike maqedonase, apo përfaqësuesit e paaftë të partive shqiptare, e të cilët as sot nuk ia dalin ta kuptojnë se forca politike e Gruevskit është proporcionale me paaftësinë e pushtetarëve shqiptarë.

 

Tanusha e sotme e jeton izolimin e vetë nga bota përreth dhe i numëron ditët e harresës shqiptare. Edhe si të tillë, të harruar nga të gjithë, banorët e Tanushës nuk pyesin gjithaq se çka do ndodh me Maqedoninë e dëshpërimit të tyre, por si do bëhet puna me “bllacat” në Kosovë dhe si do përfundojnë grindjet ndërpartiake në Tiranë. Me çka, sikur duan të gjejnë shpjegim për atë si është e mundur që shqiptari të mbetet i askujt edhe atëherë kur nga të gjitha anë kufizohet me “shqipëritë” e veta. Ku ta dish, ndoshta kjo ndodh shkaku se kemi shumë “shqipëri”, por asnjëra nga ato nuk funksionon si shtet i mirëfilltë. Apo pse nuk e kemi kuptuar se burri mund të ketë jetë të lumtur me më shumë dashnore, por jo edhe me shumë nëna.

Komente (2 dërguar):

Albo më 15 December, 2009 01:04:15
avatar
Nje shkrim me te vertet i qelluar. Pena juaj me ka bere te mendohem shpesh dhe te kuptopj te vertete e hidhur me ne shqiptareve. Me pelqen se ju shkruani per Shqipetaret e Maqedonise, por pena juaj nuk vendos kufij dhe thote gjera te mireqena per te gjithe shqiptaret. Do vecoja ne kete shkrim vetem kete shprehje qe thote shume me shume sesa mund te fliste kushdo tjeter!
"Ku ta dish, ndoshta kjo ndodh shkaku se kemi shumë “shqipëri”, por asnjëra nga ato nuk funksionon si shtet i mirëfilltë. Apo pse nuk e kemi kuptuar se burri mund të ketë jetë të lumtur me më shumë dashnore, por jo edhe me shumë nëna".
extremi më 16 December, 2009 01:37:55
avatar
I RESPEKTUARI ZOTERI KIM MEHMETI
nuk pres qe te publikohet kjo qe shkruaj ne faqen tuaj, shkruaj ndoshta ne munges te shprehjes se indinjates me dike qe aq shum vlersuar me par ato jan "komandantet"
nuk mendoj se tanusha esht tash tem e dites, jo pse nuk me intereson
sepse dhe vet kam qen pjestar i uck-se qe nga fillimi, por esht nje qeshtje qeter zotri i nderuar, nuk esht koha te shkruajm histori sepse ende ska perfunduar kapitulli i saj.
deri sa sod i ter kombi esht ne meshiren e intelektualve ju merreni me te "komandantet", kurse realiteti esht ajo qe na ndodh derisa ne jemi teper te zen me egzagjerimin e ngjarjeve irelevante per historin ton.
kete e them me plot vetdije zoteri sepse i njoh personalisht aktoret e tanushes qe filluan luften, beso se ju personalisht me shum keni kontibuar per ceshtjen kombtare se ato qe kan marr armet ne tanush,
esht e vertet qe kemi luftuar, por jo per ideale kombtare sic mendojn shumica e popullates.
ishte vetem nje blic eufori qe na dergoi ne luft dhe pa vetdijen ton u gjendem ne situat kur kombi idealet ose flamuri
ishin ne plan te 5 ose 6
e tera qe na nbante ne luft ishte situata e krijuar ne rreth me njerez qe ndanim mendime te njejta por kurr nuk i thonim mes vete ZHGENJIMI.
dhe nuk kemi dezertuar vetem per arsye
te shokeve dhe lidhshmerin qe krijuam per njeri qetrin ku ajo shpyrterorja vlen me shum se materialja ku emocionet tona komunikonin vetem me an te shiqimit
kur jeta qe sod aq e cmojm ishte vetem ceshtje ORE. por nje ore zgjaste sa nje DIT, dhe nje dit sa nje VIT,kurse realiteti ishte i absorbuar nga shfaqa e ngadalsuar...
une isha vetem ushtar zoteri mehmeti dhe nese mendon se isha frigacam te them se gabohesh sepse isha ushtari me i dalluar ne tog, edhe sod flitet ne sllupcan per trimerin time.
dhe sod jam i vetdijshem se kam perfituar pervoj lufte te madhe , por c'me duhet ajo kur kam humbur gjejen me te shtrejt qe kam pasur ndonjehere e ajo eshte KRENARIJA KOMBTARE.
"Mbajme te drejten e mospublikimit te komenteve qe bien ndesh me normat etike, komenti do te publikohet pas aprovimit nga administratori".

Dërgoni komentin comment

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Votoni këtë tekst
4.33