Fillimi | Analiza | Lot dhe djersë

Lot dhe djersë

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Atë ditë kur njerëzit do bëhen të pandjeshëm ndaj fatit të vetë, kur askush askujt nuk do i besojë, kur nuk do ketë vlerë as ndershmëria, as cilido virtyt boshtor i njerëzimit, pra nga dita kur një popull bëhet i pandjeshëm ndaj asaj se kush ia përcakton fatin dhe kush vendos në emër të tij, kur përfaqësuesit e zgjedhur të populli do i nënshtrohen vetëm frikës dhe interesit personal, fillon edhe degradimi i plotë i një shoqërie

Shkruan: Kim Mehmeti

 

 Atë ditë kur njerëzit do bëhen të pandjeshëm ndaj fatit të vetë, kur askush askujt nuk do i besojë, kur nuk do ketë vlerë as ndershmëria, as cilido virtyt boshtor i njerëzimit, pra nga dita kur një popull bëhet i pandjeshëm ndaj asaj se kush ia përcakton fatin dhe kush vendos në emër të tij, kur përfaqësuesit e zgjedhur të populli do i nënshtrohen vetëm frikës dhe interesit personal, fillon edhe degradimi i plotë i një shoqërie. Vallë kanë ardhur shqiptarët e Maqedonisë deri në atë shkallë sa të jenë të pandjeshëm ndaj fatit të vetë, sa fare mos e kenë të rëndësishme se kush e përcakton rrugën  e tyre kolektive drejtë të ardhmes, të mos e kenë të rëndësishme se kush janë ata që ia korrigjojnë të kaluarën, që ia përbuzin vlerat e vetme që ka, si për shembull fitoren e luftës të vitit 2001, që ia përziejnë listën e atdhetarëve dhe spiunëve me qëllim që hutesa të jetë e plotë dhe hapësira për të manipuluar me ndjenjat e tyre e paskajshme? Mbase përgjigjen e këtyre pyetjeve do duhet ta japin zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të cilat do mbahen në muajin qershor. Zgjedhje kur shqiptarët e këtushëm nuk do votojnë vetëm për përfaqësuesit e tyre në institucionin më të lartë shtetërorë, por do e vizatojnë edhe portretin e kulturës së tyre kolektive politike, di japin prova  sa e kanë kuptuar se mes aktivitetit të mirëfilltë partiak dhe “rrugaçërisë” partiak, qëndroj një hendek i thellë, i cili në fillim mbushet me fatkeqësi personale, e pastaj aty rrokullisen të gjithë ata që janë bërë se nuk e kanë vërejtur këtë hendek me kohë.


  Gjykuar nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2006, e në të cilat realisht nuk dolën më shumë se tridhjetë përqindë të votuesve shqiptarë (të dhënat zyrtare dëshmojnë për mbi 40%, ku janë përfshi edhe votat e vjedhura) del se shqiptarët e Maqedonisë janë bë të pandjeshëm ndaj asaj se kush i udhëheq dhe kush e përcakton fatin e tyre kolektiv. Kjo pandjeshmëri u dëshmua edhe pas formimit të koalicionit qeveritarë të udhëhequr  nga VMRO-DPMNE –ja maqedonase, kur mandatari Gruevski e mohoi vullnetin shumicë politikë të shqiptarëve të këtushëm dhe në qeveri morri Partinë Demokratike Shqiptare. Pra, kjo pandjeshmëri u dëshmua kur shqiptarët,  në vend që të bënin çmos për të mbrojtur më të shenjtë që kanë – votën e vetë – u zhytën në zënkat perverse se cila parti e etnitetit maqedonas na qenka më proshqiptare. Me çka, PDSH-së,  e cila kurrë nuk i ka fituar zgjedhjet parlamentare tek popullata shqiptare, iu mundësua për së dyti herë të bëhet përfaqësuese e popullit të vet në qeveri. Pra, ia doli që për herë të dytë, grindjen brendashqiptare dhe zbulimin e ”tradhtarëve” dhe “spiunëve” shqiptarë , ta përdorë si mbulesë për veprimin e vet jo korrekt ndaj popullatës së këtushëm shqiptare, këto zbulime “atdhetare” t’i shpallë si arritje dhe vlerë më të lartë demokratike.   

 Përqindja e vogël e shqiptarëve qo dolën të votonin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, mund të ketë vetëm tre shpjegime të logjikshme: ose ata nuk u besojnë partive të veta, ose kanë frikë t’u drejtohen kutive të votimit, ose shkaku i bindjes se duke votuar për listat partiake, ata në të vërtetë u mundësojnë partizanëve më të dëgjueshëm partiak të marrin “pension” etnik.  Mbase ky interesim kaq i vogël i shqiptarëve të këtushëm për të votuar, ka edhe domethënie pozitive dhe fletë mirë për votuesit e këtushëm shqiptarë: ata e kanë kuptuar se duke votuar të propozuarit e partive,në të vërtetë mbështesin edhe individ të cilëve nëse ua hekë emblemën partiake, e sheh se janë bërë politikanë ende pa u bërë njerëz. Apo, e kanë kuptuar se ta mbështesësh të paaftin që të bëhet ministër, e rrugaçin deputet, nuk është vetëm gabim, por edhe mëkat ndaj vetvetes. 


 Vallë do shtohet përqindja e votuesve shqiptarë në zgjedhjet parlamentare të qershorit, apo do vazhdojë edhe më tej rënia e numrit të atyre që do u drejtohen kutive të votimin? Mbase kjo do varet nga e partitë e këtushme shqiptare, nga ajo sa ato e kanë marrë porosinë e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, sa do tregojnë respekt elementarë ndaj popullit të vet, sa do e mbrojnë atë nga qarqet politike, të cilat argument demokratik kanë frikësimin e popullatës. Pra, partitë e këtushme shqiptare nuk do e kenë vështirë t’i kompletojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentarë, por si ta bindin popullin të del masovikisht në zgjedhje. E këtë do duhet ta bëjnë kandidatët e ardhshëm që do mbrojnë interesat e popullit në parlamentin republikan. Ata të cilët qysh tani kanë vërshuar selitë e partive shqiptare  në Tetovë dhe ofrojnë e bëjnë çmos që të përfshihen në listat e kandidatëve të mundshëm për përbërjen e ardhshme parlamentare. Gjë që dëshmon se profesioni i deputetit bëhet gjithnjë e më tërheqës për aktivist partiak. Mbase shkaku se të jesh deputet, do të thotë të mos posedosh asnjë vlerë më shumë, përpos ta kesh të lëvizshëm gishtin tregues të dorës për të shtypur butonin për votim. Si dhe herë pas here, të thuash ndonjë fjalë “patriotike” për atë se sa të arsyeshme janë kërkesat e shqiptarëve të këtushëm, e sa të paarsyeshëm janë ata që pengojnë realizimin e tyre.   

 Si do që të jetë,  këto zgjedhje parlamentare në Maqedoni do jenë shumë më interesante se ato të vitit 2006. Jo shkaku se kryetari i PDSH-së ato i paralajmëroi si “kasaphanë” ku kjo parti do e therë “capin e ardhur te dera” (lexo: BDI-në) , por për arsye sa ato mbahen në një shtet me qytetarë të hutuar. Pra, në një shtet thuajse virtual, ku maqedonasit etnik janë humbur në mjegullën e problemeve etnike që kanë, e shqiptarët në shoqërinë e tyre, e cila ngutshëm kriminalizohet. E në një shtet të tillë nuk janë të besueshme as anketat, as disponimi i qytetarëve, por vetëm vullneti i Zotit. E vullnetin e tij njerëzit kurrë nuk mund ta dinë.

 Sa u përket anketave dhe disponimit politik të shqiptarëve të këtushëm, ato thonë se në bllokun politik shqiptarë, këto zgjedhje bindshëm do i fitojë BDI-ja e Ali Ahmetit. Pra, sa i përket fituesit, nuk duhen të priten befasi. Të papriturat duhet të ndodhin në garën për “vendin e dytë”, e cila do zhvillohet mes BDSH-së së Bardhyl Mahmutit dhe PDSH-së. Ka të atillë që thonë se këto zgjedhje do shënojnë fillimin e defaktorizimit përfundimtarë politik të PDSH-së, se në këto zgjedhje, kjo parti do duhet më në fund të paguaj llogarinë për “diktaturën demokratike” që dy herë me radhë ua imponoi shqiptarëve të këtushëm, e nga e cila përfitoi VMRO-DPMNE-ja maqedonase. Siç ka edhe të atillë që thonë se nuk është pa ardhmëri një parti që arriti të mbijetojë edhe me në krye njeriun i cili ndodhet në listën e zezë amerikanë. Por, çka do që të thonë vëzhguesit e rrjedhave politike në shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, mbetet e vërteta se nëse këto zgjedhje do jenë të lira dhe demokratike, nëse do shtohet përqindja e shqiptarëve që do dalin të votojnë, ato do shënojnë  ardhjen e partisë së re shqiptare në parlamentin republikan - ardhjen e BDSH-së.

Por si deri më tani, fati politik i shqiptarëve të këtushëm nuk do varet gjithaq nga numri i partive të tyre parlamentare.  As edhe nga numri i deputeteve qe do flasin shqip nga foltorja e parlamentit. E ardhmja e shqiptarëve të Maqedonisë do varet nga ajo sa votuesi shqiptarë e ka kuptuar se me votën e vet ai nuk bënë vetëm zgjedhjen e përfaqësuesit, por e dëshmon edhe pjekurinë e vet politike. Se duke votuar për listat partiake, ai dëshmon sa e ka kuptuar se baras me mjeshtërinë të jesh i zgjedhur, qëndron edhe mjeshtëria të dish të zgjedhësh, të bësh zgjedhjen e duhur. Ai që nuk e ka kuptuar se këto dy mjeshtri shkojnë bashkë, kurrë nuk do arrijë ta kuptojë se fjalimet e politikanëve janë të shkruar me lot për fatin e popullit, por kopshti i mirëqenies së të zgjedhurve të popullit, ujitet me djersën e votuesit.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
image
ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT
 Kim Mehmeti  Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e ...
image
Populli i ushqen, liderët i mjelin
Sa u përket të këqijave që të vijnë nga njerëzit, ka të atilla që jetën ta bëjnë rrënojë dhe të këqija, të cilat thuajse e ...
image
Mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm
Kim Mehmeti Shumica e politikanëve shqiptarë janë nga ata që mësojnë ngadalë, por gabojnë dhe pasurohen ngutshëm. E kjo është veçori e njerëzve që mbahen të ...
image
Тë kapur në peshizkën e Gruevskit
Kim MEHMETI Më pyesin pse nuk shkruaj më shpesh si dikur, pse jam heshtur. Unë u them: Vallë nuk e shihni se fjalët kanë humbur çdo ...
image
Biri im!
Kim MEHMETI Libri i Zija Çelës, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, më ra në dorë posa doli nga shtypi. Por, e kam lexuar shumë vonë. Ai ...
image
KISHA KU DO VARROSET TOLERANCA NDËRETNIKE E NDËRRELIGJIOZE
Kim MEHMETI Fshehurazi dhe pa e ditur njeri, në Kalanë dardane të Shkupit u ngrit konstruksioni bartës prej metali i një kishe ortodokse. Pas reagimit të ...
Next