Fillimi | Analiza | Dolën sepse nuk kishin ku të hynin

Dolën sepse nuk kishin ku të hynin

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Edhe në politikë, si në çdo udhëtim tjetër jetësor, të sigurta janë vetëm rrugët që kanë dalje, të cilat mund t‘i përshkosh edhe pa e ditur se ku të shpien, por vetëm nëse je i sigurt se nuk të çojnë në humbëtirë. Ajo që e dallon rrugëtimin e politikanëve nga ai i të vdekshmëve të rëndomtë, është vetëdija se udhëtimi i tyre i gabuar nuk është i dëmshëm vetëm për ata vetë, por edhe për zgjedhësit e tyre, e ngandonjëherë, edhe për mbarë një popull

Shkruan:Kim Mehmeti

Edhe në politikë, si në çdo udhëtim tjetër jetësor, të sigurta janë vetëm rrugët që kanë dalje, të cilat mund t‘i përshkosh edhe pa e ditur se ku të shpien, por vetëm nëse je i sigurt se nuk të çojnë në humbëtirë. Ajo që e dallon rrugëtimin e politikanëve nga ai i të vdekshmëve të rëndomtë, është vetëdija se udhëtimi i tyre i gabuar nuk është i dëmshëm vetëm për ata vetë, por edhe për zgjedhësit e tyre, e ngandonjëherë, edhe për mbarë një popull. Andaj atyre nuk u mjafton të gjejnë rrugë që kanë dalje sa për të shpëtuar kokën krerët partiakë, por udhë që populli do mund t‘i braktisë, por pa baltosur dinjitetin e vet politik.

Mbase këtë nuk e kanë ditur kurrë kryesuesit e PDSH-së, të cilët para disa ditëve e bënë publik vendimin e tyre që të braktisin koalicionin aktual qeveritar të Maqedonisë, të udhëhequr nga Nikolla Gruevski. Pra, dolën nga qeveria në kohën kur nuk kishin ku të hynin më thellë se aq sa ishin zhytur, kur e panë se ngado që të shkonin, mbrapa u ecte mëkati që ua bënë votuesve të këtushëm shqiptarë. E mëkati nuk ishte as i vogël, as nga ato që harrohen e falen lehtë. Ai kishte të bënte me të vërtetën se Partia Demokratike Shqiptare, edhe pse nuk kishte legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm, e përdori tërë forcën e vet partiake që sa më shumë të thellojë grindjen politike brendashqiptare dhe të bëhej pjesë e qeverisë së Gruevskit. Pjesë e qeverisë së mandatarit, i cili me kohë kishte paralajmëruar se kurrë nuk do bënte koalicion qeveritar me "terroristët" e Ali Ahmetit, sado që ata të kishin mbështetjen e popullit. Pra, PDSH-ja iu bë krah mandatarit, i cili mburrej me mospërfilljen e vullnetit politik shumicë të shqiptarëve të këtushëm, dhe aq më shumë e riktheu majorizimin etnik në Maqedoni.

Nuk ka dyshim se kryesuesit e PDSH-së nuk e bënë këtë mëkat pa vetëdije. Padyshim se ata besonin se pas hyrjes në qeveri, do arrijnë ta mbulojnë këtë veprim kundër popullit të tyre, duke blerë deputetë të BDI-së. Dhe si "tregtarë" të njohur që ishin, qysh në muajt e parë të bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në, ata shpallën "tender" publik për blerje të deputetëve. Por, arritën të përvetësonin vetëm dy deputetë nga grupi parlamentar i BDI-së: Fadil Sulejmanin dhe Abdulhadi Vejselin. Por që nuk i mjaftoi PDSH-së të bëhej parti me shumicë deputetësh shqiptarë, por mjaftoi të shihej se deputetët shqiptarë nuk shiteshin aq lehtë sa e kishin parallogaritur krerët e kësaj partie.

Duke parë se tregtia me deputetë kishte ngecur, a nga ana tjetër Gruevskit i kishin premtuar se do t‘ia siguronin legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm, ata tentuan që legjitimitetin e munguar ta mbulonin me përkrahjen që do t‘ia jepte qeverisë së Maqedonisë Prishtina dhe Tiranën zyrtare. Kështu që drejtuan shikimin nga Kosova e Shqipëria, i ndërmendën të gjitha miqësitë dhe lidhjet e tyre të vjetra e të reja dhe filluan "sezonin" e vizitave të shpeshta qeveritare në Prishtinë e Tiranë. Me çka donin të heshtnin opinionin e këtushëm shqiptar që mbronte parimin se, përpos votuesit të këtushëm shqiptar, askush tjetër nuk mund të vendosë se cila parti e tyre do bëhet pjesë e qeverisë.

Por, edhe kjo "lojë" nuk kishte si mos përfundonte ashtu siç përfundoi: mbase Tirana dhe Prishtina zyrtare e kuptuan se dikush donte t‘i bënte pjesë të mëkatit të vet, andaj edhe u sollën sipas parimit se vëllai është vëlla, por edhe ai nuk ta huazon jorganin, kur e sheh se me të mbulohesh edhe kur i ke këmbët e pista.

Përderisa krerët e PDSH-së mundoheshin ta mbulonin disi atë që disa e quajtën edhe tradhti kombëtare, rritej popullariteti i Gruevskit te maqedonasit etnikë, sepse arriti të dëshmohej si politikan që ua mori hakun shqiptarëve të këtushëm për 2001. Ndërkohë, Kryeministri i Maqedonisë u bë mysafir i shpeshtë i manifestimeve që organizonte PDSH, nga i përshëndeste shqiptarët duke belbëzuar edhe shqip. Mbase donte të bëhej Skënderbe më i madh se sa nipërit e kryetrimit shqiptar. Apo, kështu donte t‘ia lante borxhin kryetarit aktual të PDSH-së, i cili qëmoti kishte marrë lëvdata si një nga "vojvodët" më të shquar të Maqedonisë demokratike (emërtim për trimat e etnitetit maqedonas gjatë pushtimit turk). Diku në mes të këtij bashkëveprimi vëllazëror të PDSH-së dhe VMRO-DMPNE-së, mbeti shija e hidhët e përbuzjes që u bëhej shqiptarëve të këtushëm. Si dhe grindjet ndërpartiake shqiptare, që ishin qëllimi i vetëm i Gruevskit. Me çka PDSH-ja mori legjitimitetin e Gruevskit që të sundojë me shqiptarët e këtushëm, e të mbajë lidhjet ekskluzive me Tiranën e Prishtinën zyrtare, por jo legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm. Dhe si të gjitha lojërat e ngjashme, edhe kjo lojë e pistë, do përfundojë ashtu siç përfundoi: edhe kundër dëshirës së vet, Gruevski duhej ta kthente kokën nga Ali Ahmeti e ta kuptonte se pa mbështetjen tij, ai nuk do ishte Kryeministri i Maqedonisë, por vetëm i maqedonasve etnikë.

Mbase gabimin e bërë, Gruevski e kuptoi më herët se sa kryesuesit e PDSH-së mëkatin që kishin bërë. Pra, ai e kuptoi se kishte mbetur peng i dëshirës së tij të flaktë, t‘i dënonte shqiptarët për 2001, para se krerët e PDSJH-së ta shihnin se ishin bërë rob i ambicieve të papërmbajtura që, me çdo kusht të bëheshin pjesë e qeverisë. Duke e parë se ëndrrat dhe inatet e tij personale e dëmtonin gjithë shtetin, Gruevski pranoi dialogun me Ali Ahmetin dhe arriti me kryesuesin e BDI-së të ashtuquajturën Marrëveshje të Majit të vitit 2007, e cila kishte për qëllim të përshpejtonte realizimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2002. Pra, ndodhi që partia opozitare shqiptare - BDI - të jetë më efikase se PDSH-ja në qeveri. Kjo e irritoi PDSH-në, andaj edhe krerët e kësaj partie, e jo elitat politike maqedonase, kërkonin që Gruevski të heqë dorë nga Marrëveshja e Majit. Pra, krerët e PDSH-së, kanoseshin se do ta braktisnin qeverinë, nëse Gruevski do përmbushte kërkesat e shqiptarëve të dala nga kjo Marrëveshje, e ku përfshihej edhe sjellja e ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, si dhe ai për statusin e viktimave të konfliktit të vitit 2001 dhe për luftëtarët e UÇK-së.

Gruevski u mundua të notojë mes asaj që ishte marrë vesh me Ali Ahmetin dhe kërkesave të PDSH-së që të hiqte dorë nga Marrëveshja e Majit, dhe në fund u mbyt në pamundësinë të mbante stabile një qeveri që nuk kishte legjitimitetin e shqiptarëve të këtushëm. Dhe duke u mbytur në valët e lumit të papjekurisë së vetë politike dhe të një antishqiptarizmi të theksuar, ai s‘kishte si mos ta kuptonte se PDDSH-ja nuk ishte anija shpëtimtare që ndershëm mbante flamurin shqiptar. Andaj edhe kërkonte mënyra si të shpëtonte nga kjo mbytje dhe nuk mund të gjente asnjë shpëtim tjetër përpos zgjedhjeve të parakohshme. Nga ana tjetër, zgjedhjet e parakohshme, për PDSH-në janë baras me vetëvrasjen politike. Sepse popullariteti i saj te shqiptarët e Maqedonisë kishte rënë aq ngutshëm teposhtë, sa bie edhe çdo gjë që rrokulliset nga majat e Sharrit deri në qendër të Tetovës. Kështu që Gruevskit nuk i mbetej rrugë tjetër, përpos ta detyronte PDSH-në të largohet nga koalicioni qeveritar. Pra ai mund të bënte të vetmen që i mbetej: ta largonte PDSH-në nga qeveria dhe ta binte shtetin përpara aktit të kryer për zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Duke e kuptuar se më Gruevski nuk kishte nevojë për "argatllëkun" e tyre, krerët e PDSH-së bënë të mundshmen: ngutazi përpiluan listën e kërkesave shqiptare, duke dashur kështu të zhvishnin veshjen e ngushtë të "vojvodëve", e të stoliseshin me përkrenaren e Skënderbeut. Pra, donin të aktronin se braktisnin qeverinë nga shkaku i mosplotësimit të kërkesave shqiptare, e të mos shihej se Gruevski thuajse i kishte dëbuar nga qeveria si të harxhuar. Pra, të mos shihej se në atë qeveri kishin hyrë pa asnjë platformë kërkesash shqiptare dhe pa shpjeguar se cili ishte ai qëllimi i tyre aq i lartë atdhetar, që i çoi të bëheshin krah i qarqeve politike antishqiptare maqedonase.

Si do që të jetë dhe pa marrë parasysh arsyet që e çuan PDSH-në të braktisë qeverinë e Gruevskit, mbetet e vërteta se ngandonjëherë është lehtë të hysh e vështirë të dalësh, e ngandonjëherë mund të dalësh, po s‘ke ky të hysh. PDSH-së i kanë ndodhur të dyja fatkeqësitë përnjëherë. E që mos u ndodhë kjo edhe shqiptarëve të Maqedonisë, ata do duhet në ndërkohë të rikujtojnë se gjatë kësaj bashkëqeverisjeje mes VMRO-DPMNE-së me PDSH-në, ndodhi rrahja e turpshme mes parlamentarëve shqiptarë, se parimin e Badinterit (votimi i dyfishtë i ligjeve - edhe me votat shumicës së jomaqedonasve) u realizua me vlleh të trilluar, e me pëlqim të PDSH-së, se krerët e PDSH-së i përbuznin udhëheqësit e UÇK-së, duke i quajtur vrasës, se ndodhi aksioni policor në Brodec, ku u vranë gjashtë shqiptarë e dhjetëra të tjerë u keqtrajtuan dhe u burgosën, e të cilin aksion policor Partia Demokratike Shqiptare e cilësoi si shumë të suksesshëm. Pra, deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme, shqiptarët e Maqedonisë do duhet të rikujtojnë shumëçka që do t‘u ndihmojë ta kuptojnë, se edhe këto dy vite të kaluara, si shumë herë më parë, lirë ua shitën partnerëve të tyre politikë të etnitetit maqedonas.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)

 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next