Fillimi | Analiza | Ngjyrat etnike të botës

Ngjyrat etnike të botës

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

 

Shkruan:Kim MEHMETI

Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti maqedonase ajo do bëjë koalicion qeveritar, ata do të mbeten vajtues dhe lypës të përhershëm, nëse nuk i detyrojnë partitë e veta të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj qeveritarëve maqedonas dhe ndaj këtij shteti

Pa marrë parasysh se kush do i fitojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, dielli do të vazhdojë të lindë e të perëndojë sikur të mos kishte ndodhur asgjë e re në këtë gjithësi. Aq ia bën diellit nëse këto zgjedhje do i fitojë VMRO-ja e Gruevskit, me çka do të vazhdojë kalbja e brendshme e Maqedonisë. Aq më pak për diellin e gjithësinë kanë rëndësi përmendoret e Gruevskit, që ngarkojnë këtë tokë dhe me peshën e çmendurisë nacionalromantike të ndërtuesve, ato e zgjerojnë plasaritjen e truallit ndëretnik të këtij shteti. Me sa duket, këto zgjedhje nuk do të ndryshojnë asgjë edhe sa i përket mendësisë politike vasale të partive të këtushme shqiptare. Ç’është e vërteta, për shqiptarët e Maqedonisë, pesë qershori do të jetë ditë pushimi, ditë kur ata do të përqendrohen në zgjedhjet e tyre parlamentare, ditë kur do të mund të çlirohen nga ethet e orëve të kaluara përpara ekraneve që direkt transmetonin turpin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri dhe numërimin e votave për Bashën e Ramën. Numërim i cili mbase do të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në mëmëdhe. Apo nëse nuk zgjat deri në vitin 2013, atëherë vendimi se kush do të bëhet kryebashkiak i Tiranës, do të dihet pasi të kenë përfunduar zgjedhjet në Maqedoni dhe pasi këtu të jenë kompletuar të gjitha institucionet shtetërore. Edhe atë ngaqë në Maqedoni shumëçka nuk ecën mbarë, por rezultati i zgjedhjeve dihet dy orë pas mbylljes së kutisë së fundit të votimit. Dhe këtu politikanët e mësuan leksionin e parë të demokracisë: të përballin edhe humbjen dhe të kenë kurajë fituesit t’ia urojnë fitoren.

Kur jemi te zgjedhjet vendore në Shqipëri dhe te tifozët shqiptarë nga Maqedonia, e të cilët ende janë në ethe se vallë do të fitojë kandidati i “tyre” Basha, ato zgjedhje treguan diçka shumë pozitive: shqiptarët e këtushëm gjithnjë e më shumë e ndiejnë kryeqytet të tyre Tiranën, se sa Shkupin. Për këtë ndjenjë të tyre, të sforcuar tre viteve të fundit, merita të veçanta kanë Gruevski dhe Ali Ahmeti, të cilët Shkupin e stolisën ashtu sa ai t’i çojë ata të pyesin veten: Vallë është ky qytet edhe i yni apo vetëm i “branitellave”? Vallë ky është qyteti që me shekuj ka qenë edhe kryeqendër e shqiptarisë!? Dhe nga ky këndë shikuar, nëse Maqedoninë edhe më tej do e drejtojë sunduesi Gruevski i ndihmuar nga Ahmeti, duhet pritur një lidhshmëri edhe më e madhe e shqiptarëve të këtushëm me mëmëdheun, e madje edhe një ardhmëri ku ata do të shkojnë në mitingje parazgjedhore nëpër qytetet e Shqipërisë, e jo në vendbanimet e tyre. Me çka do të fillojë integrimi i Ballkanit brenda vetvetes dhe shqiptarët dalëngadalë do përfundojnë parapërgatitjet për t’u bërë banorë të Evropës pa kufij.

Por, sido që të jetë, qytetarëve të Maqedonisë duhet thënë hapur se në zgjedhjet parlamentare të qershorit, ata do të duhet të votojnë o për, o kundër shtetit që do të ketë vija të qarta ndarëse etnike. Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti maqedonase ajo do bëjë koalicion qeveritar, ata do të mbeten vajtues dhe lypës të përhershëm, nëse nuk i detyrojnë partitë e veta të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj qeveritarëve maqedonas dhe ndaj këtij shteti. Apo, nëse nuk bëjnë të duhurën që të dalin nga pozita e vasalit, në relacion me forcat politike maqedonase që do qeverisin Maqedoninë. E për të dalë nga kjo pozitë, partitë shqiptare, do të duhet t’i thonë hapur e qartë partnerit maqedonas, se ato nuk pranojnë të bëhen pjesë e koalicioneve qeveritare nëse Maqedonia nuk është e gatshme të bëjë një rirregullim të rendit të saj kushtetues. Një rirregullim që nga themeli do i përcaktojë elementet që një popull e bëjnë të barabartë me tjetrin edhe atë duke filluar që nga ndarja e buxhetit në mënyrë të barabartë, e deri te ndarja proporcionale e posteve më të larta shtetërore.

Shqiptarëve të Maqedonisë duhet thënë hapur se atyre u ndodhi më e keqja e mundshme qysh para shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare: u copëtuan në aq parti sa do të ishin shumë edhe për popullin kinez. Dhe kur u ndodhi kjo e keqe, ata tani duhet të vendosin se do përkrahin BDI-në, e cila bën politikë socialiste në shekullin e rrjedhave globale, apo për partitë e tjera që pohojnë se e kanë kuptuar si dilet nga kthetrat e mendësisë vasale. Pra shqiptarët do të mund të votojnë edhe për PDSH-në, që është si lule parajse përderisa shijon helmin e të qenët parti opozitare, e shndërrohet në bimë mishngrënëse, posa merr në duar atë pak pushtet që ia jep pala maqedonase, e të cilin e ushtron mbi shqiptarët e këtushëm. Shqiptarët pra do të mund të votojnë edhe për dy partitë e “shpresës” së tyre, edhe atë për DR-në e Imer Selmanit dhe RDK-në e Rufi Osmanit, të cilat si forca të reja politike mund të kenë mësuar diçka nga gabimet e BDI-së dhe PDSH-së, nga gabimet e këtyre dy partive që dallojnë mes veti për nga agresiviteti i praktikimit të qeverisjes, por me asgjë nuk dallojnë për nga përmbajtja e të qenët shërbëtor i përulur i partisë maqedonase që kryeson koalicionin qeveritar.

Përpos këtyre formacioneve partiake, në këto zgjedhje parlamentare, shqiptarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të dëshmojnë edhe vetëdijen e tyre që shkon përtej koncepteve politike, e që ka të bëjë me qëndrimin e tyre njerëzor ndaj ruajtjes së individëve që simbolizojnë diçka të lavdishme nga e kaluara e afërt e tyre. Pra shqiptarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të votojnë edhe për Xhezair Shaqirin e BDSH-së, apo të ashtuquajturin Komandant Hoxhën. Dhe vota e dhënë për të do i mundësojë atij t’i kthehet vendlindjes dhe familjes së tij, e të mos bredhë maleve të shqiptarisë, vetëm pse ky shtet do t’u marrë hakun të gjithë atyre që ishin emblemë njohëse e konfliktit të 2001-shit dhe që nuk u lejuan “branitellave” të pinin çajin e fitores në Haraçinë.

Pra, nuk ka dyshim se Toka do të sillet rreth Diellit pa marrë para sysh se cila nga partitë e Maqedonisë do i fitojë zgjedhjet parlamentare të qershorit. Nëse ato i fiton sërish Gruevski, kjo më së paku duhet t’i shqetësojë shqiptarët e këtushëm, ngaqë fitorja e tij do të jetë shumë e dëmshme për bashkështetasit e tyre maqedonas, e jo për të ardhmen e tyre. Do të jetë e dëmshme ngaqë ai do e ngulfasë këtë shtet nën peshën e përmendoreve që tregojnë atë që thonë mohuesit e identitetit etnik maqedonas: se ky popull nuk e di as ditëlindjen e vet, as prindërit e tij të vërtetë. Shqiptarët duhet të përqendrohen në zgjidhjen e enigmës si të veprojnë tutje nëse edhe më tej do të mbeten nën sundimin e VMRO-DPMNE-së dhe asistentes së saj, BDI-së. Këtë duhet bërë, ngaqë roli i BDI-së në atë qeveri do të jetë ai i deritanishmi, posaçërisht nëse Ali Ahmeti nuk ia del të shpëtojë nga përqafimi ngulfatës i Gruevskit. Dhe mbase kurrë nuk do ia dalë të shpëtojë nga ky përqafim, sepse ai investoi aq shumë në ndërtimin e përmendoreve e kishave të Gruevskit, sa tani duhet durueshëm të presë që Gruveski t’ia plotësojë kërkesën duke vënë nëpër qoshet e sheshit të Shkupit edhe përmendoret e personaliteteve shqiptare. Me çka do mundohet t’ia kthejë Ali Ahmetin të pakthyeshmen: nderin e humbur politik. E sa për nderin e kthyer nëpërmjet përmendoreve të personaliteteve shqiptare, duhet thënë se të gjitha ato do të plotësojnë kushtin që vuri Gruevski – të mos irritojnë palën maqedonase. Kështu që edhe emrat e tyre do të jenë aq “neutral” saqë një i huaj të mos mund të bëjë dallimin e tyre etnik. Që do të thotë, në atë shesh do të qëndrojë madhërishëm përmendorja e “Branitellave”, e ndërtuar edhe me paratë e shqiptarëve, por jo edhe ajo e “Çlirimtarëve” shqiptarë të rënë gjatë konfliktit të 2001-shit. Ç’është e vërteta, çlirimtarëve shqiptarë u janë ngritur lapidarë në shumë vendbanime shqiptare, por me paratë e banorëve të fshatrave që pësuan nga “branitellat”. Gjë që tregon një të vërtetë të dhimbshme: shqiptarët e këtushëm paguajnë tatim të dyfishtë - njërin për përmendoret e Gruevskit, e tjetrin për ato që i viziton Ali Ahmeti sa herë që ndien mungesën e pikëve politike. Dhe kjo ndodh për shkak se askujt nuk iu kujtua që në qendër të Shkupit të ngrejë lapidarin e mençurisë së qytetarëve të Maqedonisë, që nuk lejuan të bëhet një kasaphanë ndëretnike e Ballkanit, apo pse për Gruevskin është e papranueshme që në qendër të Shkupit të ketë një përmendore që do të ngrihet për nder të të gjitha viktimave, të rënëve gjatë konfliktit të 2001-shit. Kjo pra ndodh ngaqë Gruevski jo vetëm të gjallët, por edhe të vdekurit, i vlerëson në bazë të ngjyrave etnike. Dhe kjo ndodh ngaqë për budallenjtë politikë, bota ka aq ngjyra sa edhe emblema e tyre etnike.

 



Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next