Fillimi | Analiza | POPULLI I PARTISË

POPULLI I PARTISË

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre.

Shkruan: Kim Memeti

Gjatë dy dekadave të kaluara të demokratizimit të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm dëshmuan dy gjëra: se janë popull i partive e jo etnitet që ka partitë e veta dhe, se nuk ia dolën të përcaktojnë kufirin që ndan interesin partiak nga ai kolektiv. Me çka, pahetueshëm u futën në një “neokomunizëm” vulgar, balta e të cilit gjithnjë e më shumë thellohet e ku ata ndihen çdoherë e më të ngulfatur. Gjë që u mundësoi partive shqiptare në pushtet që çdo gjë të mundur ta vënë në shërbim të tyre dhe interesin partiak ta barazojnë me atë kolektiv. Kështu që sot shqiptarët e Maqedonisë kanë disa institucione kulturore e arsimore, të cilat janë bërë si degë e partisë që vjen në pushtet, kanë përfaqësues e drejtues të lartë shtetërorë, por të cilët interes parësor kanë atë të partisë, e jo të kolektivitetit në emër të të cilit sigurojnë mirëqenien e tyre.

Edhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe pas formimit të qeverisë së re, u pa edhe më qartë se partitë e këtushme kanë popullin e vet, por populli nuk ka parti. Këtë më së miri e dëshmojnë ngjarjet e muajve të fundit, si për shembull, protesta e prindërve që nuk mund t’i regjistronin fëmijët e tyre në shkollën “Vëllazërimi” në lagjen “Nerez” të Shkupit, e të cilët hoqën dorë nga revolta e tyre në çastin kur mbase partia shqiptare në pushtet u dha sinjal se duhej të tërhiqeshin. Gjë që shpalos të vërtetën e dhembshme se pushtetarët shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar se kur bëhet fjalë për deshqiptarizimin e Shkupit, partitë maqedonase – të armiqësuara mes veti - veprojnë si me qenë një e vetme. Gjë që gjithashtu dëshmon se partia shqiptare në pushtet e kontrollon popullin, e jo populli atë, se ajo nuk zbaton vullnetin e popullit, por popullit ia imponon vullnetin e vet partiak. Kështu që vendimi për mosregjistrimin e nxënësve shqiptarë në këtë shkollë, i sjellë nga kryetari komunal nga radhët e opozitës maqedonase, me asgjë nuk u kundërshtua nga qeveria e Gruevskit dhe u realizua me ndihmën e pushtetarëve shqiptarë.

Pa dyshim se edhe kjo ngjarje tregon se shqiptarët e Maqedonisë nuk ia dolën të çlirohen nga frika ndaj partisë në pushtet. Mbase edhe me të drejtë, sepse edhe sot, njësoj si dikur në sistemin socialist, partia është ajo që të punëson e të largon nga puna, ajo të lë të kalbesh i pafajshëm në burg nëse nuk je anëtar i saj, ajo ushtron mbi ty zbatimin e ligjit që nuk e përfillin aktivistët e saj, ajo të bën ministër edhe kur kurrë nuk ke ëndërruar se do bëhesh diçka më shumë se drejtues i ndonjë kooperative bujqësore. Pra ajo rikultivon vetëdijen e deridjeshme komuniste se për të qenë i suksesshëm nuk duhet të luftosh për aftësim të vetvetes dhe mbindërtim të vlerave vetjake, por mjafton të mbetesh i dëgjueshëm dhe shërbëtor i përkulur i “mëmave” parti. Me çka shqiptarët e Maqedonisë edhe gjatë kohë do të ndërtojnë demokraci me mentalitetet e prindërve të deridjeshëm që rriteshin me këshillat të mos e irritosh prijësin partiak dhe të mos i kundërvihen pushtetmbajtësit.

Andaj mund të thuhet se qëmoti ka kaluar koha kur mangësitë e veta, shqiptarët e Maqedonisë i mbulonin me arsyetimet se hasnin në mosmarrëveshje nga pala maqedonase. Ata sot duhet ta pranojnë se problemi më i madh i tyre është frika ndaj partive që kanë, si dhe të përballen me të vërtetën se votojnë për “sekte” partiake që interesin e popullit e barazojnë me mirëqenien e elitave partiake, “sekte” të cilat qëllim të vetëm kanë punësimin e tyre si ministra apo drejtues të institucioneve publike, “sekte” të cilat që mos ta prishin “bashkëpunimin e mirë” me partnerin maqedonas, nuk shohin edhe atë që u ndodh përpara hundës. Si për shembull, kremtimin e 20-vjetorit të mëvetësimit të Maqedonisë, që ngjante thuajse në këtë shtet nuk ka asnjë shqiptar të gjallë.

Kush nuk u beson vlerësimeve të lartpërmendura, le të dalë publikisht e le të tregojë se cili individ është punësuar në ndonjë institucion publik pa pëlqimin e partisë. Le të dalë të tregojë se ku qëndron dallimi mes socializmit të dikurshëm që i ndëshkonte të padëgjueshmit, përfshi edhe familjarët e tyre, nga kjo që ndodh sot kur ndëshkimi i pret të gjithë ata që janë të afërt me kritikuesit e partisë shqiptare në pushtet. Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre.

Shqiptarët e Maqedonisë, të cilët në zgjedhjet e fundit votuan ashtu siç vlerësuan se është më mirë për ta, në të vërtetë treguan se jo votuesi partinë, por partia e zgjedh votuesin e vet. E këtë e arrin sa nëpërmjet “shpërblimeve” po aq edhe nëpërmjet ndëshkimit. Aq më shumë, shumica e votuesve shqiptarë, që sot vajtojnë po aq pikëllueshëm sa edhe para zgjedhjeve, vetëm dëshmojnë sa nuk e kanë kuptuar se para se të zgjedhësh dikë të të përfaqësojë, duhet ta dish se cila është zgjidhja më e mirë për ty. E sa u përket zgjedhjeve e zgjidhjeve, populli i këtushëm shqiptar votoi për atë që maqedonasit të sundojnë e shqiptarët të ndihmojnë, edhe atë duke e kontrolluar vetëm popullin e vet e jo tërë shtetin. Andaj, ata s’kanë arsye pse të ankohen, njësoj siç ka shumë arsye partia shqiptare në pushtet që të konsiderojë se është duke ecur rrugës së duhur. Me çka edhe gjatë kohë ky popull nuk do ia dalë të shohë se çdo kund në botën demokratike qeveritë përbëhen nga partitë fituese, por askund në atë botë shteti nuk është vetëm në duart e pushtetmbajtësve, se askund në atë botë partitë nuk kontrollojnë atë që nuk u bie në hise. Pra edhe gjatë kohë ky popull nuk do të ketë guxim të përballet me të vërtetën se njëzet vitet e kaluara janë të mbushura përplot me premtime të kota, me dëshpërime, me luhatje si të shkohet më tej, ku bën pjesë edhe referendumi i harruar për autonomi të plotë territoriale, politike e kulturore.

Ka shumë elemente që dëshmojnë se shqiptarët e sotëm të Maqedonisë jetojnë në një neokomunizëm nga më primitivët dhe se ata janë në shërbim të partisë në pushtet e jo ajo në shërbim të tyre. Në shërbim të saj janë institucionet arsimore, kulturore..., ku kultivohet vetëdija e të nënshtruarit, si e atyre që sot shajnë partitë nëpër “odat e burrave”, por jo edhe publikisht. Në të vërtetë, ka diçka që nuk duhet mohuar e që shpesh e përmendin pushtetarët shqiptarë: sot ka më shumë policë shqiptarë se kurdoherë më parë, sot ka më shumë administratorë e drejtues shqiptarë të institucioneve publike se sa dikur në socializëm. Por ka diçka që këta të shumtit e sotëm dhe të paktit e dikurshëm, i bënë të njëjtë: kryesisht janë në shërbim të partisë në pushtet, e jo zbatues të vullnetit të popullit. Andaj edhe mënyra e veprimit është pothuajse e njëjtë: rezultatet e partisë shqiptare në pushtet janë proporcionale me dënesjen kolektive të shqiptarëve të këtushëm. Duke qenë të tilla, partitë e sotme “komuniste” të popullit shqiptar të Maqedonisë, ndihen edhe më të fuqishme dhe më mospërfillëse ndaj çdo mendimi kritik. Dhe ndihen të tilla, sepse e dinë që ky popull nuk ka ku shkon më larg se sa në “oborrin” e tyre. E në ndërkohë, Gruevski as që lodhet çka mendojnë shqiptarët që nuk e duan, ngaqë e ka kuptuar se “populli” janë shokët e tij që ka në qeveri. E ka kuptuar se sa herë që të ketë ndonjë mosmarrëveshje me shqiptarët, atë do ia zgjidhin “komisaret” e partisë shqiptare në qeverinë e tij. Ai e ka kuptuar se shumica e shqiptarëve të këtushëm, assesi ta shohin se aty ku vendos partia që nuk vepron sipas vullnetit të popullit, por popullit ia imponon vullnetin e vet, nuk mund të flitet për demokraci, por për sundim të sekteve që hanë nga grazhdi i popullit, por flenë në shtratin e sunduesit. Me çka politikanëve të tillë, nga dita në ditë, shteti u duket më i mirë, e populli që përfaqësojnë shumë kërkues. Dhe pushtetarët e tillë fillojnë të sillen si marinarët e anijes që bënë lundrimin e saj të fundit: grabisin nga ajo çka u bie ndër duar, që të kenë diçka si kujtim nga kohët kur ata kanë qenë drejtues të lundrueses.



Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.71
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next