Fillimi | Analiza | Baraspesha e marrëzise politike

Baraspesha e marrëzise politike

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, në Maqedoni u zhbë një "traditë" demokratike, e cila mbase ishte një nga shtyllat kryesore që mbanin baraspeshën e besimit të ndërsjellë shqiptaro-maqedonas: votuesit e etnitetit maqedonas të vendosnin se cila parti e tyre do jetë bartëse e koalicionit qeveritarë, ndërsa vota e shqiptarëve të përcaktojë partinë e tyre fituese që do bashkëqeveriste me Maqedoninë

Shkruan: Kim MEHMETI

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, në Maqedoni u zhbë një "traditë" demokratike, e cila mbase ishte një nga shtyllat kryesore që mbanin baraspeshën e besimit të ndërsjellë shqiptaro-maqedonas: votuesit e etnitetit maqedonas të vendosnin se cila parti e tyre do jetë bartëse e koalicionit qeveritarë, ndërsa vota e shqiptarëve të përcaktojë partinë e tyre fituese që do bashkëqeveriste me Maqedoninë. Kjo "traditë" demokratike u mundësonte shqiptarëve të besojnë se edhe ata vendosnin kush do qeverisë me shtetin ku jetonin. Ky rregull i pashkruar për mënyrën e qeverisjes së Maqedonisë, ishte shpërfillur vetëm njëherë më parë – pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1998, kur partner shqiptarë i qeverisë së VMRO-DPMNE-së, u bë PDSH-ja, që kishte më pak parlamentarë se sa Partia për Prosperitet Demokratik. Ky rregull i "ballkanokracisë" maqedonase, përfundimisht u prish pas zgjedhjeve parlamentare të pesë gushtit të vitit 2006. Dhe nuk u prish atëherë kur PDSH-ja u bë pjesë e qeverisë, por në çastin kur partitë shqiptare lejuan që të diskutohej se cila nga ato duhet të bëhet pjesë e qeverisë së Gruevskit. Pra, u prish që nga çasti kur PDSH-ja doli në mbështetje të qëndrimit se partia fituese maqedonase – e jo votuesit shqiptarë - është ajo që duhet të përcaktojë partinë shqiptare të koalicionit qeveritarë.

Dhe kështu pra ndodhi që partia e cila kurrë nuk i kishte fituar zgjedhjet në bllokun politikë shqiptarë – PDSH-ja – të bëhej pjesë e koalicionit qeveritarë për herë të dytë. I pyetur "cili është shpjegimi" i tij për "ankesat e BDI-së, se më formimin e qeverisë aktuale nuk është respektuar vullneti politik i shqiptarëve", Arben Xhaferi ndër të tjerat do të thotë: "Kërkesat e tyre nuk kanë bazë as kushtetuese as demokratike. Në kushtetutën e Maqedonisë, ashtu si në kushtetutat e të gjitha vendeve demokratike mënyra se si duhet të formohen koalicionet qeveritare është në duart e partisë që ka fituar më së shumti vota...". Gazetari në vend që ta pyes më tej se vallë kjo do të thotë se Arbër Xhaferi do pajtohej edhe me qeveri njëetnike të Maqedonisë, gjë që ia lejonte mandatarit edhe kushtetuta edhe parimet demokratike, shkon me tej dhe pyet Arbër Xhaferin se a "mendon" ai " se duhet të gjendet ndonjë zgjidhje juridike në të ardhmen për formën e pjesëmarrjes së partive shqiptare në qeveri". Lidhur me këtë, Xhaferi sërish tregohet mbrojtës i flaktë i kushtetutës dhe parimeve demokratike dhe thotë: "Ligjet në botë ndërtohen në bazë të disa standardeve që mund të përgjithësohen dhe që mund të vlejnë për të gjitha shoqëritë dhe qytetarët kudo në botë. Këto standarde për nga natyra janë universale. Shqiptarët nuk mund të përjashtojnë veten nga ky parim, prandaj nuk kanë nevojë të shpikin modalitete specifike sipas tekeve të individëve apo të partive politike..." Nga del se shtetet nxjerrin ligje që vlejnë për të gjithë botën, se edhe parimi i Badinterit - si standardë që rrallëkund ekzistonte në botë - na qenka standard jouniversal, dhe si i tillë i dëmshëm për shqiptarët, se në një Maqedoni ku asgjë nuk është normale përpos "kreaturës" anormale të shtetit, qenkan të vlefshëm standardet e demokracisë klasike. Apo, ndoshta tërthorazi, Arbër Xhaferi donte të thotë atë që e thoshin qarqet që ishin kundër Marrëveshjes së Ohrit: se Gruevski ka marrë PDSH-në në koalicionin qeveritar me kusht që kjo parti shqiptare ta ndihmojë VMRO-DPMNE-në që ta zhbëj parimin e Badinterit.

Se Gruevski dhe PDSH-ja kanë për qëllim zhbërjen e parimit të Badinterit, u bë më e qartë kohë më parë, kur u bë e ditur se kjo qeveri ka ndër mend të ndryshojë ligjin zgjedhorë. Se përbërja e ardhshme parlamentare do ketë 133 parlamentarë. Pra, 13 më shumë seç ka sot, e nga të cilët 10 do jenë vende të garantuara për etnitetet numerikisht më të vogla që jetojnë në Maqedoni. Propozim mbase edhe i habitshëm, i ardhur nga një antishqiptarë i "diplomuar" siç është Gruevski, a i cili papritur tregohet i kujdesshëm për etnitet tjera, duke dashur ato t'i mbrojë nga shqiptarët. Por, nëse njeriu e analizon siç duhet këtë propozim të Gruevskit, menjëherë do përballet me atë që ia shtonë rejtingun te një pjesë e popullatës së etnitetit maqedonas: te këmbëngulja e tij ta çoj Maqedoninë aty ku ishte para konfliktit të 2002, dhe shqiptarët t’i barazojë me "pakicat tjera etnike". Pra, ky propozim ka për qëllim që parimi i Badinterit në të ardhmen të mos varet nga parlamentarët shqiptarë, por nga ato të etniteteve tjera, të cilët, duke mos pasur kapacitet politikë, thuajse gjithmonë do përkrahin më të fortin – mandatarin. Dhe kështu Gruevski donë të arrijë dy qëllime: përpara botës të tregohet si mbrojtës i të drejtave të "pakicave etnike", e brenda në shtëpi të arrijë atë që ëndërron – njëherë e përgjithmonë të shpëtojë nga bllokimi i ligjeve nga pala shqiptare.

Sa u përket shqiptarëve, mbase atyre nuk u nevojitet shumë njohuri politike që ta kuptojnë lojën. Ndërkaq, faktori ndërkombëtarë duhet ta kuptojë se Gruevski me këtë propozim ka edhe një qëllim të fshehur: që t’i lodh shqiptarët me marrëveshje të ndryshme të cilat kurrë nuk do zbatohen. Duke harruar në ndërkohë se shqiptarët – por kuptohet, jo edhe PDSH-ja- do jenë të detyruar të ndërmarrin hapin përfundimtarë që të shpëtojnë nga këto manipulime të pafundme të Gruevskit: të bllokojnë hapur anëtarësimin e një shteti të këtillë me përlot intriga politike në NATO dhe në UE. Sepse, më në fund, vallë ç’dobi do kenë shqiptarët nga anëtarësimi i Maqedonisë në këto institucione ndërkombëtare, nëse do duhet të jetojnë në shtet i cili edhe më tej do ndërtohet sipas parimit të "popullit shtetformues" – etnitetit maqedonas - dhe "pakicave tjera" ku të gjithë do jenë të barabartë mes veti, por jo edhe me etnitetin maqedonas.

Kur flitet për faktorin ndërkombëtarë, e vërtetë është se të huajt nuk e komentuan, e as e kundërshtuan të drejtë e mandatarit Gruevski që të bëjë koalicion qeveritar duke shkelur mbi vullnetin politik të shumicës shqiptare në Maqedoni. Kjo mbase e shtoi hutesën tek shqiptarët e këtushëm. Ky qëndrim i ndërkombëtarëve, i çoi shqiptarët të pyesnin veten si ishte e mundur në një shtet ku vlente parimi i Badinterit, qeveria të mos përfillte vullnetin politik të shumicës shqiptare. Por, ata që shtronin këtë pyetje, e kishin të kotë që prisnin përgjigje. Andaj edhe i nënshtroheshin logjikës së shëndosh politike, e cila thoshte se ndërkombëtarët këtë e bënë ndoshta duke e ditur se gjatë qeverisjes së LSDM-së me BDI-në, dukshëm ishte zbehur vullneti politikë te pjesa dërmuese e etnitetit maqedonas për të ndërtuar shtet të përbashkët me shqiptarët. Dhe kjo, si pasojë e ndjenjës së tyre se Ali Ahmeti bënte ç’të donte në qeverinë e Crvenkovskit. Ndërkombëtarët mbase donin që në këtë mënyrë ta rikthenin entuziazmin shtetformues të një pjese e popullatës maqedonas, e që e kishte humbur shkaku i ndjenjës se BDI-ja e "shqiptarizonte" shtetin.

Por, ndërkombëtarët gjithsesi që nuk prisnin që përkrahja e tyre dhënë Gruevskit, të merrte përmasat e injorimit të plotë të vullnetit politik të shqiptarëve të këtushëm. Ata nuk prisnin që PDSH-ja të tregohet aq mospërfillëse dhe arrogante ndaj popullatës të cilën pretendonte se e përfaqësonte. Kështu që ata nuk dinin si të ndalonin vrapin e Gruevskit që të dëshmohej përpara etnitetit maqedonas si "vojvodë" që do ia laj hakun Ali Ahmetit për 2001. Dhe se do shkojë më tej se kaq: do tentoj ta zhbëjë edhe parimin e Badinterit. Mbase tani ndërkombëtarët do e kuptojnë se në Maqedoni çdo gjë mund të ndryshojë, por mbetet i njëjtë antishqiptarizmi i VMRO-DPMNE-së dhe roli "vasal" i PDSH-së ndaj partisë së Gruevskit. Dhe nëse në 2001 ndërkombëtarët shpresonin se nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit kishin baraspeshuar mirë ëndrrat etnike diametralisht të kundërta të etnitetit maqedonas dhe atij shqiptarë për ndërtimin e Maqedonisë, siç duket ata së shpejti do përballen edhe me obligimin të venë baraspeshë edhe mes marrëzisë politike të mandatarit Gruevski dhe ndihmësve të tij shqiptarë të PDSH-së. Gjë për të cilën edhe ata mbajnë pjesën e fajit, dhe që siç duket shumë shpejtë do e kuptojnë se Maqedonia nuk do mund të shpëtojë edhe pa një "Marrëveshje historike" shqiptaro - maqedonase. Në të kundërtën, ku shtet edhe mund të shkoj edhe në NATO edhe në UE, por njësoj të kalbet nga brenda sikur të ishte anëtare e "UBSH-së" ("Unionit të Banane Shteteve").


(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë) 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next