Biografia

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si romansier, tregimtar, eseist, polemizues, publicistë dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Është një ndër themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Evropian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturorë në Shkup.
Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.
Tani punon si përgjegjës i zyrës së TV Top-Channel në Shkup.
Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. Kim Mehmeti është rrëfimtarë i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjeshtë ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejtë thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori.
Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë tjera
Përmbledhje me tregime:
- “Pluhuri që mbin” (Flaka e vëllazërimit, Shkup,1986.)
- “Dënesje” (Rilindja, Prishtinë, 1988.)
- “Bolero” (Rilindja, Prishtinë, 1991.)
- “Fati” ( Flaka e vëllazërimit, Shkup,1992.)
- “Fati i Fatushes” (FI-GA, Tetovë, 1994.)
- “Vdekja e magjistares” (Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1994.)
- “Mbledhësit e luleve të vyshkura” ( FI-GA, Tetovë, 1995.)
- “Lulehëna” (Dukagjini, Pejë, 1997.)
- “Fshati pa varreza” (Dukagjini, Pejë, 2000.)
- “Shtëpia në fund të fshatit” (Toena, Tiranë, 2006.)
- „Në xhepin e jelekut të gjyshes” (Toena, Tiranë, 2007)
Romane:
- “Shtatë net dënesje” ( Rilindja, Prishtinë, 1990.)
- “Fshati i fëmijëve të mallkuar” (Dukagjini, Pejë, 1998.)
- “Atje dhe dikur” (Dukagjini, Pejë, 2002.)
- “Ritet e Nishanes” (Dukagjini, Pejë, 2004.)
- “Vitet e urithit” (Toena, Tiranë, 2008, “Koha”, Prishtinë, 2008)
- “Kulla dykatëshe” (Koha, Prishtinë, 2009)
Libra me ese dhe tekste publicistike:
- “Kështu ecën njeriu” (Toena, Titanë, 2007, Logos-A, Shkup, 2008)
- “Prej kalit të bardhë deri te rrugaçëria partiake” (Logos – A, Shkup, 2007)
- “Fara e bimës së keqe” (Toena, Tiranë, 2008)
Vepra të botuara në gjuhë të huaja:
- “Das Haus am Ende des Dorfes” (Zeitgenössische Erzählungen aus Mazedonien, Drava Verlag, Klagenfurt, 2001.)
- “Das Dorf der verfluchten Kinder” (Drava Verlag, Klagenfurt, 2002.)
- “Nishane” ( në gjuhën bullgare Sofje, 2008)
Përkthime:
Nga më shumë përkthimet që ka bërë Kim Mehmeti nga gjuha shqipe në atë maqedonase dhe anasjelltas, vlen të veçohet përkthimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” në gjuhën Maqedonase, i botuar nga SH.B: FI-GA, Tetovë në vitin 1994 dhe nga SHB “Logos-A” Shkup, në vitin 2008.
Shpërblime:
- Çmimin kombëtarë për vepër më të mirë në prozë në vitin 1994 për përmbledhjen me tregime “Fati i Fatushes” - Tiranë, 1994.
- Tregimi “Peshku ekstasis” është zgjedhur ndër 10 më të mirët në Evropë në konkursin për prozë të shkurtër në Arnsberg Gjermani, në vitin 1994.
- Çmimin kombëtarë “Rexhai Surroi” për roman më të mirë të vitit, “Vitet e urithit” – 2008 Prishtinë.
