Fillimi | Intervista | Mosnjohja nga Maqedonia - absurde

Mosnjohja nga Maqedonia - absurde

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

“Nëse ka shtet në Ballkan në interes të të cilit pavarësia e Kosovës është po aq e rëndësishme sa edhe vetë e atij shteti, ajo është Maqedonia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti Kim Mehmeti.

 

Fatmir Bujupi

“Nëse ka shtet në Ballkan në interes të të cilit pavarësia e Kosovës është po aq e rëndësishme sa edhe vetë e atij shteti, ajo është Maqedonia”, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti Kim Mehmeti.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, kohëve të fundit, ka pasur paralajmërime se Maqedonia shumë shpejt, siç është thënë, do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kjo ende nuk ka ndodhur. Sipas jush, kur mund të pritet njohja e Kosovës nga ana e Maqedonisë?

KIM MEHMETI
Mendoj se kur bëhet fjalë për mosnjohjen e Kosovës nga ana e Maqedonisë, mund të thuhet që ajo është absurde, sepse nëse ka shtet në Ballkan në interes të të cilit pavarësia e Kosovës është po aq e rëndësishme sa edhe vetë e atij shteti, ajo është Maqedonia.

Në mos tjetër, Maqedonia ka 30 për qind shqiptarë dhe ëndrra e pavarësisë së Kosovës ka qenë edhe ëndërr e këtyre shqiptarëve. Dhe, të kundërshtosh ëndrrën e këtyre apo të prolongosh pranimin e asaj ëndrre, do të thotë të mos punosh për stabilitetin e shtetit tënd.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e quajtët këtë absurde. Ka zëra që thonë se në shtyrjen e vendimit për njohjen e Kosovës, mund të ketë ndikuar edhe Serbia. A pajtoheni me këtë vlerësim?

KIM MEHMETI
Po edhe sikur të mos ketë ndikuar, kjo është politikë absolutisht pro serbe, sepse i shkon në dorë vetëm Serbisë. Sikur Maqedonia të kishte 30 për qind serbë në përbërjen e saj, me siguri se deri tani edhe do të destabilizohej. Mirëpo, nga ana tjetër, kjo mosnjohja e Kosovës flet edhe për qëndrimin e qarqeve etnike-politike të vendosjes këtu në Maqedoni.

Kjo flet për qëndrimin e tyre deri në 30 për qind të popullatës së vet që kanë. Unë shpesh e përsëris se çështja e njohjes së Kosovës nga ana e Maqedonisë, ka të bëjë me atë se sa e kemi potencën e shqiptarëve këtu, sa potencë politike posedojmë ne dhe cili faktor jemi ne në Maqedoni, edhe del që potenca jonë politike është barazi me zero.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, sa është ndikimi i partive shqiptare në Maqedoni, qofshin ato në qeveri apo në opozitë, në marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës?

KIM MEHMETI
Jo vetëm në marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës, por në gjithçka pozita e partive politike shqiptare në Maqedoni është ajo pozita e vasalit, i cili vetëm zbaton politikën që e bën partia pushtetmbajtëse maqedonase.

Rasti i Kosovës më së miri shpalos forcën politike të partive shqiptare të këtushme apo më së miri tregon se partitë shqiptare këtu kanë vetëm një qëllim, të bëhen pjesë e pushtetit pa asnjë kusht, duke pranuar edhe rolin e vasalit, i cili nuk ka kurrfarë ndikimi. Sikur të ishte ndryshe, nuk do të mund të ndodhte ky absurd që Maqedonia të mos e njohë Kosovën thuajse edhe pas një viti.

Bile, nëse i krahasoni relacionet, do të shihni se Mali i Zi është shumë më korrekt ndaj Kosovës, sesa Maqedonia. Dhe, përsëri mund të themi se është situatë absurde kur këtu kemi 30 për qind shqiptarë. Kjo flet edhe për diçka tjetër, që partitë shqiptare kur janë në opozitë, kërkojnë pranimin e Kosovës dhe janë shumë pro shqiptare, e kanë gojën plot kosovari, shqiptari, e porsa vijnë në pushtet, ato bëhen vetëm mbulesë e qarqeve maqedonase pushtetmbajtëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Maqedonisë thotë se vendimi për njohjen e Kosovës do të merret duke marrë për bazë interesat shtetërore dhe kombëtare të Maqedonisë. Si e shpjegoni ju këtë thënie?

KIM MEHMETI
Po del që interesi i Maqedonisë nuk është që të jenë të kënaqur edhe 30 për qind të qytetarëve të saj, sepse sikur të ishte ai interesi i këtij shteti, ai do ta pranonte Kosovën si shtet të pavarur ende pa e shpallur ajo pavarësinë, e jo sot; aq më shumë kur Maqedonia edhe në tregtinë ekonomike, në sferën e bashkëpunimit, e shitblerjes, Kosovën e ka treg të vetin dhe e shfrytëzon sikur të ishte kopshti i saj.

Të gjitha këto flasin se interesi i atyre që e thonë atë, nuk është stabiliteti i Maqedonisë, por mund të jetë ndonjë tjetër; ndonjë tjetër që mbase ne shqiptarët edhe nuk e kuptojmë më mirë apo ndoshta edhe neve shqiptarëve të Maqedonisë na dërgohet ndonjë porosi, të cilën ne nuk dimë ta shpalosim dhe nuk dimë ta kuptojmë se ç’domethënie ka ajo.

Komente (1 dërguar):

feti më 25 May, 2009 10:05:10
avatar
nuk eshte ceshtje e leht per maqedonine qe te njoh kosoven ngase ajo nuk mund te clirohet krejtesisht nga perkatesia e dikurshme qe kishte me serbet(kjo eshte periudhe e vitit 1313-1371 ne kohen e Car Dushanite.) nuk mund te konsolidohet me kosoven maqedonia pershkak te car Borisit( me kryeqytet Beratin)ngase kjo e kaluar eshte depertuar ne esencen nacionale. Tjeter: maqedonia nuk mund ta pranoje aq leht kosoven sepse ketu behet fjale pert shtet shqiptare dhe fanatizmin shqiptar per shtetformesi.kete e them kushtimisht sepse na etjen e shqiprise etmnike ua mveshim dhe maqedonasve(te ashtuquajtur ose maqedhonasit me gjuhe slave-nje fis ilir i shkaperderdhur ne balkan dhge qe posedon nje hiostori identike me tonen dhe qe nhuk din kuj periudhe ti takoje). kjo dhe shume te tjera. Po, nejse kim ti nuik me n jeh mua kurse une shume te ndjek ty.niseda me Cuculovskin ka qene hit ketre nuk e di a e ke te incizuar. Ate e kisha mentor per temen posdiplomatike. Ai mi hangri shume vite derisa magistrova ne moshen 57 vjrcare. Tung
.)
"Mbajme te drejten e mospublikimit te komenteve qe bien ndesh me normat etike, komenti do te publikohet pas aprovimit nga administratori".

Dërgoni komentin comment

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Votoni këtë tekst
3.67