Fillimi | Intervista | "Shqipëritë" e Kim Mehmetit

"Shqipëritë" e Kim Mehmetit

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

I njohur si një njeri që nuk ka qime në gjuhë, Kim Mehmeti ka nisur të quajë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë në një emër “Shqipëritë tona”, pasi që, sipas tij, problemet mbarëshqiptare janë probleme të cilisdo nga këto tri Shqipëritë.

Ai për popullin shqiptar mendon se është një popull që kurrë nuk është ledhatuar nga të tjerët, dhe pikërisht për këtë fakt, shqiptarët kanë harruar ta ledhatojnë edhe vetveten. Dhe tashmë, duke u bazuar në këtë, Kimi ka shpjeguar edhe se si shqiptarët filluan t’i gjasojnë një populli që nuk e çmon të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e vdekur

Zëri: Shqipëritë tona. Ky është një emërtim i juaji për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Na bën të ndihemi më shqiptarë nëse rrumbullakohemi nën këtë emërtim?

Kim Mehmeti: Kjo duhet të na bëjë më të vetëdijshëm. Përkatësia etnike nuk është ndjesi, por mendësi e vetëtëdije për atë që je dhe asaj që i takon. E ne duhet të jetojmë me vetëdijen se edhe kur jetojmë në më shumë “shtëpi”, duhet të kemi synime të përbashkëta, duhet të keqen ta luftojmë së bashku dhe të mirën ta kremtojmë bashkërisht.

Pra, duhet të fillojmë të mendojmë “shqip”, që më lehtë të kuptojmë se problemet e cilësdo “Shqipërie” tonën, janë probleme mbarëshqiptare, se nga të arrirat e cilësdo “Shqipërie” tonë, përfiton shqiptaria. Ky është parakusht që t’i bashkojmë kokat, e që pastaj ta kemi më të qartë se si do ia bëjmë me tokat shqiptare. Ne nëse nuk fillojmë të mendojmë “shqip”, nuk do ia dalim të merremi vesh edhe kur e flasim të njëjtën gjuhë.

Zëri: Po këto tri Shqipëritë tona u shitën nga udhëheqësit, edhe ky një mendim i juaji. Por nëse shesin politikanët pse duhet të jetë kjo përgjumje popullore?

Kim Mehmeti: Nuk jam kundër shitjes së asaj që duhet shitur, por jam kundër mënyrës si shitet prona publike, e që tregon se si popull jemi të papërgjegjshëm ndaj saj, apo se na intereson vetëm ai oborri ynë, e lagjen e konsiderojmë si diçka që nuk na përket neve. Duhet ngadalë të mësohemi ndaj publikes, të jemi të përgjegjshëm po aq sa edhe ndaj “tonës”, sepse edhe ajo është e jona. Duhet të dalim nga mentaliteti se mjafton dikush të mos e prekë dhomën ku bëjmë gjumë, e sa i përket të përbashkëtës, me të pushteti të bëjë çka të dojë.

Nuk duhet të mbetemi peng i mentalitetit se frutat e mia janë vetëm ato që i vjel nga kopshti para shtëpisë sime, por të ndërtojmë vetëdije se askush s’mund të sillet ndaj parkut të qytetit thuajse ai i takon vetëm atij që është bërë i pari i “kasabës”. Këtë vetëdije tonë më së shumti e keqpërdorin elitat që sundojnë e të cilat nxjerrin në treg pronën publike duke e shitur atë me shpërfilljen e njëjtë me të cilën nipi shet atë që ka trashëguar nga gjyshërit. Prona publike duhet të privatizohet në aso mënyrë që pronari i saj- populli – të dijë si dhe pse ajo e ndërron pronarin.

Zëri: Mos iu shkoftë mendja ta shesin edhe gjuhën e simbolet. Një lutje e juaja. Por në Kosovë u prekëm edhe në këtë pikë. Të dhemb ky fakt?

Kim Mehmeti: Më shumë se dhembje ndjej çudi kur shoh me çfarë lehtësie ngandonjëherë rrënojmë atë që kanë ndërtuar paraardhësit tanë, për të filluar çdo gjë nga e para. Kjo lehtësi na ka bërë që shumëçka ta kemi të “përkohshme”, që një gjeneratë të rritet me flamurin kuqezi, e tjetra me atë që ka hartën e Kosovës. Kjo na bën që edhe përmendorja pranë të cilës gjyshi i sotëm i nxjerr nipat e mbesat, të mos jetë ajo e njëjta pranë së cilës kanë shëtitur prindërit e tyre përderisa kanë qenë fëmijë.

Ne shpeshherë lëmë përshtypje se jemi nga ata që pa e rrënuar atë që është ndërtuar, nuk na shkon murimi, se mund të ndërtojmë vetëm atë që vetë kemi projektuar, por jo edhe të mbindërtojmë ngrehinat e projektuesve të mëparshëm. Andaj, shumëçka e jona duket njështresore, si e përkohshme, gjithmonë e re.

Gjuha është materie e gjallë, ajo gjithmonë “bymehet”, atë çdo gjeneratë e pasuron me diçka, por askush nuk mund të marrë kazmën e çdo gjë ta fillojë nga themelet edhe atë vetëm pse mendon se ajo që u takon të gjithëve edhe lejon që çdokush të vendosë për të.

Zëri: Dasmat e njerëzve të thjeshtë dhe vdekjet e njerëzve të mëdhenj po vazhdojnë të përcillen nën flamurin kombëtar. Kështu iku edhe Ali Podrimja. Një injorancë ndaj simboleve të shtetit të ri apo një dashuri më e thellë për simbolet kombëtare?

Kim Mehmeti: Të gjitha vuajtjet e veta Kosova, si dhe mbarë shqiptaria, i lotoi me flamurin kombëtar. Edhe datat festive kjo shqiptari i kremtoi me atë flamur. Flamujt nuk janë vetëm një copë pëlhure, por ato janë rrëfim i ngritje-rënieve të një populli. Andaj, ky flamuri i ri i Kosovës, asnjëherë nuk do mund të qëndrojë dhe nuk duhet të qëndrojë më lart se ai kombëtar.

Flamurin kombëtar e qëndisën shekujt, e këtë shtetërorin të Kosovës e vizatuan aq shpejt si të ishte emblemë e ndonjë klubi sportiv. Këtë populli e ndjen, andaj feston e loton me flamurin në të cilin janë shtresuar të gjitha lotëderdhjet gjatë shekujve dhe të gjitha kremtet e popullit shqiptar.

Zëri: Shqipëritë, Shqipëria, shqiptarët…, sikur rritemi kur përmendim këto emërtime. Por në anën tjetër kur zhgënjehemi nga një mik, pothuaj të gjithë thonë “mos paq punë me shqiptarë” . Si mund të jemi kaq të mirë e kaq të këqij në të njëjtën kohë?

Kim Mehmeti: Jemi si gjithë të tjerët, popull që ka individ nga të gjitha sojet që e përbëjnë gjininë njerëzore. Pastaj ne jemi popull të cilin kurrë nuk e kanë ledhatuar të tjerët, e kështu mbase edhe kemi harruar ta ledhatojmë vetveten. Kështu që ne në njëfarë mënyre filluam nga pak të ngjajmë në popull që nuk e çmon të gjallin e vlefshëm që ka pranë, por vetëm heroin e vdekur.

U bëmë vajtues të mirë të atyre që na braktisin përgjithmonë, e të pakujdesshëm ndaj vlerave që i kemi përkohësisht. E tëra kjo ndërlidhet me mosbesimin ndaj vetvetes, nga prirja që me çdo kusht dhe pa asnjë kriter, të bëhemi si të tjerët, të tjetërsojmë në vetvete edhe në atë pa të cilën kurrë më nuk do mund të jemi atë që kemi qenë.

Zëri: Nuk ka pothuaj asnjë gazetar shqiptar që kur ka intervistuar ndonjë të huaj e që nuk i ka bërë pyetjen “Çfarë mendoni për shqiptarët”, pse na duhen lajkat e të tjerëve?

Kim Mehmeti: Mbase për shkak se ende nuk e kemi ndërtuar mendimin për vetveten. Apo ndoshta shkaku se nuk kemi gjetur pasqyrën tonë ku do shohim se si dukemi, e tani na intereson se ç’pamje kemi në pasqyrat e huaja. Ne nuk duhet gjithaq të lodhemi me atë çka mendojnë të tjerët për ne, por çka mendojmë ne për vetveten. E pastaj, duke kompletuar portretin tonë të atillë siç është, të ndërtojmë edhe standarde vlerësuese si për të peshuar vetveten ashtu edhe të tjerët.

Ne ngandonjëherë vuajmë të bëhemi të shkathët si hebrenjtë e punëtorë të disiplinuar si gjermanët, por duke harruar se para së gjithash duhet të jemi të moralshëm, fisnikë, besnikë, të ndeshëm dhe të përkushtuar siç kanë qenë gjithmonë shqiptarët. Edhe që të jesh sa më i përafërt me të tjerët, duhet së pari të jesh vetvetja.

Zëri: A është kjo një shenjë se nëse lartësohemi nga të tjerët ( duke i shtyrë të na lartësojnë) kemi grada më shumë?

Kim Mehmeti: Nuk është e panatyrshme që individi, apo një grup të ndjejë nevojë të jetë i pëlqyer dhe i vlerësuar nga të tjerët. Por edhe ky pëlqim dhe vlerësim që dëshiron të të vijë nga të huajt, është proporcional me atë sa t’i je i kënaqur me atë që ke dhe atë që je. Shpeshherë ne dukemi si ai që nuk e pëlqen vetveten. Që është i pakënaqur me vetveten, e që pret ta pëlqejnë të tjerët dhe të huajt të jenë të kënaqur me të.

Intervisët për gazetën "Zëri", Kosovë


Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
2.00
Tjera nga Intervista
Previous
image
Intervista/ Kim Mehmeti patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Intervista “START 19+1” - Nga: Artan Dokuzi / Eno Shkëmbi Në intervistën “Start 19+1” vjen Kim Mehmeti, publicisti dhe shkrimtari i njohur shqiptar nga Maqedonia. E ...
image
"Shqipëritë" e Kim Mehmetit
I njohur si një njeri që nuk ka qime në gjuhë, Kim Mehmeti ka nisur të quajë Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë në një emër “Shqipëritë ...
image
Kim Mehmeti: Na shpallin "masha" të Cërvenkovskit, ata që janë dorë e zgjatur e Gruevskit!
Kim Mehmeti, shkrimtari shqiptar nga Maqedonia në një intervistë ekskluzive për shqiptarja.com, jep një panoramë sipas mendimit të tij për shqiptarët e Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, ...
image
Kim Mehmeti: Të gjithë ne jemi “kriminelë kujdestarë”!
Kështu siç sillet policia, çdo shtëpi tonën mund ta shpall “çerdhe terroriste islamike”, e të sjell aty dëshmitë që i mungojnë për të na shpallur ...
image
Kim Mehmeti: Qeveria e Gruevskit është "Qeveri fashizoide"
  Analisti dhe publicisti  Kim Mehmeti në intervistën dhënë për Lajm Kosovë, në lidhje me incidentet e fundit në Maqedoni ka fajësuar shërbimin sekret serb që ...
image
Kim Mehmeti: Nëse vazhdon kësaj rruge Maqedonia do të zhbëhet
Përndryshe, këtë shtet asgjë nuk do mund ta shpëtojë. Jo pse nga dita në ditë shtohet frustrimi i shqiptarëve të këtushëm, por ngaqë nga dita në ditë rritet numri i maqedonasve që mendojnë se forca e tyre është proporcionale me lartësinë e përmendoret që ua ndërton qeveria e Gruevskit, i cili assesi ta lexojë drejtë heshtjen e sotme të shqiptarëve të këtushëm, heshtje që nuk është e barabartë me dëgjueshmërinë e shqiptarëve që i ka në qeveri, thotë Kim Mehmeti. Më poshtë e keni intervistën e plotë të shkrimtarit dhe publicistit të njohur shqiptarë Kim Mehmeti....
image
Marrëdhëniet ndëretnike - problem madhor
Problemi më madhor i Maqedonisë janë marrëdhëniet ndëretnike… Maqedonia ndërtohet sipas formulave të ish-Jugosllavisë, ku kemi marrëdhënie të mira mes elitave politike multi-etnike, mirëpo poshtë ...
image
Kim Mehmeti: Fëmijëria ime si “katundar” përballë zorraxhinjve të Shkupit
Njeriu vetëm si i mitur e sheh botën dhe e përjeton atë të atillë siç është. Më vonë, çdo gjë nga pakë është manipulim, përshtatje, çdo gjë është nga pakë orvatje të jesh i pranuar nga të tjerët, të jesh i tillë siç duan të të shohin ata që të duan, e jo ai që je. Duke qenë fëmijëria forma më burimore e përjetimit të jetës, duke qenë fëmijëria përjetimi më njerëzorë i kësaj bote, ajo mbetet edhe pjesa më e freskët, më e vlefshme e jetës sonë, e të cilën gjithmonë e kujtojmë me mall dhe duam t’i rikthehemi, gjë që është e pamundur.... Kim Mehmeti, ka këtë koncept për fëmijërinë në përgjithësi...Por ditët e fëmijërisë së tij janë mjaft të veçanta, përjetimet po ashtu. Edhe kjo intervistë e ciklit të gjatë me rrëfime shkrimtarësh nga fëmijëria e tyre...është një intervistë e rrallë, jo aq për faktet, sa për këndvështrimet interesante dhe stilin e rrallë të të rrëfyerit. Le ta ndjekim... ...
image
Po të mos isha shkrimtar, do të isha i pasur!
  Prej sot gazeta “Lajm” do të fillojë rubrikën e rregullt “Çka do të isha, po të mos isha...”. Personalitete të njohura të jetës politike, kulturore, ...
image
Kim Mehmeti: Si e mbaj mend Shqipërinë e vitit 1991 dhe pse m'u dhimbs më 1997
Intervistoi gazetarja Fatmira Nikolli Kimi na rrëfehet ngadalë. Ka një botë të tërë në vetvete e kujtime pa fund. Nis të kujtohet për fëmijërinë kur kënaqej ...
image
Pushteti sillet si vjedhësi që bërtet: kapeni hajdutin!
“Politikani që vlerë dhe forcë të vetmen ka emblemën partiake dhe atë të institucionit që drejton, i ngjanë derrit që majmet në baltën e ngrohtë politike, e ku ushqehet me krimbat e shtetit që kalbet. Qeveria e Gruevskit është e përbërë nga qeveritarë shqiptarë e maqedonas, shumica e të cilëve vështirë se kanë guxuar të ëndërrojnë ndonjëherë se do bëhen plak katundi, e jo më drejtues shteti”, thotë shkrimtari Kim Mehmeti në një intervistë ekskluzive për gazetën “Koha e Re”...
image
Viti 2011 për shqiptarët do të jetë më i keq se viti 2010
Edhe gjatë vitit 2010 Kim Mehmeti me kolumnat e tij të rregullta u veçua ndër kronikët më të mirë të aktualitetit shqiptar jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon. Prandaj mendojmë se kemi bërë zgjedhjen e qëlluar të personit i cili në fund të vitit 2010 mund të flasë për atë se çka mund të na presë vitin e ardhshëm....
image
Mirupafshim deri në provokimin e radhës...
Më ndihmon intuitae shkrimtarit dhe nuk dua të merrem me komentimin e asaj që ndodh. Dua të paralajmëroj atë që do të ndodhë". Me këto fjalë shprehet shkrimtari Kim Mehmeti për publicistikën e përmbledhur në librin e tij "Farë e bimës së keqe", promovuar dje në Tiranë e botuar nga "Toena". Në këtë intervistë, përveç një përshkrimi të veprës, autori i një sërë librash flet edhe për problemet që shqetësojnë shqiptarët në shtetin fqinj, por tregon edhe për karakterin "profetik" të shkrimeve të tij. Si një zë që del hapur kundër ofendimit të shqiptarëve, Mehmeti tregon pozicionin e vet edhe si shkrimtar që shkruan edhe në shqip, edhe në maqedonisht, shpreh lodhjen që ndjejnë qytetarët në pritje që maqedonasit të sqarojnë dilemat e tyre. Teksa komenton lëvizjet politike, sipas tij të gabuara të partisë shqiptare në Maqedoni, BDI, për sa i përket "Enciklopedisë filmike" të sapobotuar dhe cilësimit në të të Bekim Fehmiut si maqedonas, Mehmeti thotë se "një popull që vjedh, është i mjerë".....
image
Kim Mehmeti: Maqedonia po na shpall luftë hapur
Në enciklopedinë maqedonase thuhet se shqiptarët janë ardhacakë dhe si të tillë, ne duhet të çlirohemi nga ata. Ky botim fton në luftë. Duhet t'iu djegësh akademinë, duhet t'u thuash të mos luajnë me zjarr, se do të digjen. Ata po na provokojnë, dhe kjo do të thotë që na konsiderojnë si armiq, dhe ne duhet të sillemi si armiq. Në mos tjetër, iu duhet treguar vendi". ...
image
Kim Mehmeti: Nuk na ndodh asgjë e pamerituar
Kim Mehmeti është nga ata intelektualë shqiptarë që interesat kombëtare i artikulon me ndjeshmëri jo nacionale, por me shprehitë e familjes së tij, gjuhës dhe kulturës. Sa për Ballkanin, pse ai është sot temë ekzotike për intelektualët e tjerë dhe për atë vetë, si dhe një “Piter Pan i vështirë” për evropianët një ditë më parë në festivalin ndërkombëtar të poezisë, Mehmeti zbulon jo vetëm kompleksin e sotëm për këtë temë, por dhe prirjet për ta çmitizuar këtë debat. Ekskluzivisht për “standard”, Kim Mehmeti rrëfen pse duhet të kemi jetë të brendshme kombëtare, sidomos kulturore. ...
Next