Fillimi | Libra Falas | Tregime | Lulehëna

Lulehëna

Madhësia: Decrease font Enlarge font
Të thuash se është lule që nuk u ngjan të tjerave, nuk mjafton. Të thuash se është lule mbi gjithë lulet e tjera, ndoshta bën gabim, sepse kush është ai që i njeh të gjitha llojet e luleve. Do të duket sikur pohon se ndonjë njeri është mbi të gjithë të tjerët me bukurinë apo mençurinë e vet duke mos mbajtur llogari se edhe e bukura, si të gjitha veçoritë e tjera, është diçka që nuk ka shëmbëlltyrë e me ndihmën e të cilit do të konstatohej e përsosura, kulmorja, ajo që do të mund ta bartte emërtimin - bukuri mbi të gjithë të tjerat. Sikur të thuash se është lule që meriton njëherë t’i marrësh erë që pastaj pa brenga t’i dorëzohesh vdekjes, prapë nuk është ndonjë vlerësim i qëlluar sepse nganjëherë ia vlen të vdesësh edhe për gjëra më të imta sesa për diçka aq të rrallë siç është Lulehëna. Apo e kundërta, një thënie e tillë për ndonjërin mund të ketë edhe domethënien e zhvlerësimit të jetës. Vallë pse t’ua mohoj të drejtën atyre, që flijojnë jetën edhe për gjëra të shëmtuara, kur jeta e tyre është prona e vetme që kanë. Dhe të mos e zgjas: shkurt, kurrë si në këtë rast nuk jam ballafaquar me pamundësinë që të mos mundem ta përshkruaj atë që qartë më valëvitet para shikimit, atë bukuri joshëse që e kam në imagjinatë. Pra, kurrsesi nuk më jepet të portretizoj me fjalë, ato petale madhështore dhe atë erëmim të këndshëm që edhe tani më deh me aromën e vet. Për herë të parë kam filluar të bindem se e bukura nuk përshkruhet, por vetëm mund të përjetohet si ndjenjë që të josh e të mrekullon, të deh e të çmend dhe të lë të pagojë. Në të vërtetë ajo tallet me ty, të lejon ta shikosh, bile edhe ta prekësh, por, kurrsesi, kurrsesi nuk të lë të bëhesh pronar i saj që do të mund ta riprodhonte sa herë që të ketë nevojë për të. E bukura ndoshta është fantazmë, një gënjim i madh si edhe vet jeta jonë. Por ajo ekziston. Ja, këtë më së miri e dëshmon Lulehëna të cilën do të tentoj ta përshkruaj edhe pse jam i bindur se i jam rrekur një pune që do të përfundojë pa sukses, si edhe shumë të tjera deri tani.Ndjehem keq pse nuk kam zgjidhje tjetër pos të përdor fjalë standarde dhe fraza që njeriu i thotë kur sheh edhe një mace të bukur. Pra, nga pamundësia që të shpik ndonjë shenjë apo klithje të veçantë që do t’ua mundësonte të imagjinonit bukurinë e papërshkrueshme të Lulehënës, po ia filloj me atë se është lule që të mahnit, apo si do të kishte thënë ndonjë poet me aftësi mesatare, si të miat - që të deh dhe verbëron me bukurinë e vet. Them me aftësi mesatare sepse vetëm e bukura kurrë nuk të verbëron,  por i ringjall të gjitha shqisat dhe ndjenjat dhe tërë trupin e shndërron në një sy të madh. Era e saj të fundos në një delirium marramendës dhe nëse nuk kafshon ndonjë ftua apo mollë të thartë nuk mund të dalësh nga ajo mpirje apo dehje e këndshme, e cila sa të trishton me aromën magjepsëse po aq edhe të detyron t’i dorëzohesh dhe të dëshirosh që kurrë të mos shpëtosh nga ajo gjendje rrëqethëse. Kam pyetur shumë veta pse erëmimi i kësaj luleje ka atë forcë që të lë të shtangur dhe, atëherë nuk dëshiron asgjë tjetër përpos robërinë e përjetshme në kthetrat e atij ledhatimi madhështor, nga rrjedh ajo ndjenjë se erëmimi i saj të gëlltit dhe ta imponon dëshirën që të zhdukesh, të shndërrohesh në një nga nuancat e asaj ere që nuk mund të përshkruhet. Era e Lulehanës mund të përkufizohet vetëm si erërim që i ngërthen në vete të gjitha erërat më të bukura të luleve që ekzistojnë në botë duke shtuar edhe erën e saj të veçantë që nuk e zotëron asnjë lule, nëse nuk i përfshijmë ato të panjohurat që zbukurojnë perandorinë e parajsës hyjnore ku është e pamundur të hapërojë njeriu përderisa jeton në këtë botë. Kam dëgjuar shumë shpjegime lidhur me erëmimin e saj mpirës. Një haxhi në Mekë me këmbëngulje më bindte se bëhet fjalë për një nga shumë fenomenet e natyrës me të cilat ajo njeriut i dëshmon vogëlsinë e tij në këtë botë dhe në botët e tjera që nuk i njohim, apo edhe një sprovë se e bukura nuk ekziston. Se ajo është vetëm një trill me të cilin njeriu dëshiron ta lehtësojë barrën trishtuese të ëndrrës së quajtur jetë. Pastaj bënte krahasim me ujin e burimit Zemzem, i cili njëkohësisht ta shuan edhe etjen edhe urinë duke e shpjeguar si lëng, i cili është i përbërë nga të gjitha materiet që ushqejnë trupin e njeriut. Dhe ndoshta kishte të drejtë sepse kjo lule përpos disa vetive që e bëjnë madhështore në krahasim me të gjitha lulet që kam parë dhe që i kam shfletuar nëpër enciklopeditë, në shikim të parë i ngjan çdo luleje, që na bën të bindemi se e bukura e plotë, ndoshta është vetëm gjendje e tendosur e bukurisë. E gjithë kjo mund të shpjegohet edhe me bukurinë e gruas, e cila u ngjan plot të tjerave me bukuri mesatare. Kjo lule për nga forca e vet dehëse ka shumë ngjashmëri me lulet dhe barërat e ndryshme me veti të ngjashme apo nga të cilat përpunohen lëngje dehëse që njerëzit i gëlltisin me qëllim që monotoninë e jetës ta stolisin me deliriume marramendëse, të cilët, lëre që nuk të shpëtojnë prej barrës së saj të rëndë nga e cila dëshiron të çlirohesh, por të shpien në zbrazëtira edhe më të lodhshme. Lulja që më mahniti me një të parë nuk është pra, nga grupi i morfiumeve e as ndonjë nga ato helmueset që me bukurinë e vet të ndjellin t’u afrohesh që pastaj të të dhurojnë vdekjen. Lulehëna, siç quhet kjo bukuri e rrallë, ka veti të shumta, disa nga të cilat vetëm mund të supozohen sepse asnjeri nuk i ka provuar. Thonë se ai që do të arrijë të bëjë kurorë prej lulehënave dhe shtatë ditë atë do ta bartë mbi kokë, do t’i shijojë të gjitha bukuritë e kësaj jete dhe kurrë nuk do të vdesë. AI fatlum që do të jetojë shtatë ditë i dehur nga era mpirëse e kësaj luleje, ditën e shtatë fillon të tretet, shndërrohet në pluhur të cilin e bart era dhe e shtreson nëpër vendet ku ai ka lotuar. Një ndër arsyet pse askush nuk e ka përjetuar shtatëditëshin mpirës dhe nuk ia ka arritur të stoliset me kurorën e thurur nga Lulehënat është edhe vetia e saj që posa vyshket, tretet si diçka që nuk ka ekzistuar fare. Pra, posa petalet e saj fillojnë të humbin freskinë, ia nis procesi i çuditshëm, i cili nga çasti në çast pahetueshëm zvogëlon madhësinë e tyre që, më në fund mos të mbetet asgjë pos një njolle në stofin e palltos, nëse e keni pasur të vendosur në xhepin e palltos suaj. Nuk ekziston mundësia që atë ta shihni të tharë në ndonjë herbarium, siç është e mundur me të gjitha lulet e tjera. Thonë se edhe sikur ndonjëri t’ia arrinte të ruante freskinë e saj, nuk do të mund të durojë shtatë ditë erëmimin mpirës, i cili të deh menjëherë pasi t’i marrish erë. Lulehëna shpreh enigmën e së bukurës. Ndoshta edhe vetë enigmën e jetës edhe pse ata që e kultivojnë gjithmonë shpresojnë se do t’ia arrijnë ta kuptojnë porosinë sekrete që ajo ua kumton njerëzve në gjuhën e vet. Atyre që e kultivojnë këtë lule, njeriu nuk ka pse t’ua ketë zilinë; ai që njëherë i ka marrë erë Lulehënës bëhet përjetë i varur nga ajo dhe tërë jetën nuk ka Zot që mund ta detyrojë të merret me diçka tjetër pos me kujdesin që Lulehënën ta mbjellë me kohë, të kënaqet duke parë si i hap petalet e kaltërta me nga tri pika të verdha në mes dhe, të dehet nga freskia e puhizës së lehtë të mesnatës, e cila shpërndan nëpër horizont erëmimin e saj.Kultivimi i Lulehënës paraqet një proces sa të çuditshëm po aq edhe të lodhshëm. Të paktë janë ata që ia arrijnë me sukses ta mbjellin dhe t’i gëzohen lulëzimit të saj. Edhe ata që dinë sesi kultivohet dhe kanë farën e saj, nuk do të thotë se do t’ia arrijnë që në kopshtin e vet t’u lulëzojë Lulehëna. Për kultivimin e saj nuk ka asnjë vlerë besimi se ata që kanë lindur në pranverë kanë dorë të mbarë, as edhe kujdesi i veçantë që është i domosdoshëm për mbjelljen dhe mirëmbajtjen e saj. Lulehënën mund ta mbjellin vetëm meshkujt që kanë lindur si vëlla i shtatë nga të njëjtit prindër dhe babai i të cilëve ka qenë vëlla i shtatë, më i vogli në familjen e vet. Apo femrat që e kanë përsosur mjeshtërinë të flenë me burra, por të mbeten virgjëresha. Vetë kjo rrethanë e bën Lulehënën të rrallë. Aq të rrallë sa janë edhe vet njerëzit që plotësojnë këtë kusht, i cili gjithnjë e më shumë bëhet i paplotësueshëm. Veçanë­risht kur dihet se viteve të fundit ka rënë pjellsh­mëria e grave dhe ka gjithnjë e më pak femra që dinë si të mbrojnë virgjërinë dhe ta ruajnë për atë natë kur do ta ledhatojnë duart që ia përzënë gjumin nga sytë, që e detyrojnë të djersitet e lodhur nga fanitjet se ai trup dhe ajo ngrohtësi e dëshiruar është aty pranë tyre, se e puthin buzët që kanë erëmimin e vetë jetës. Më në fund edhe nëse gjenden njerëz që i plotësojnë këto kushte, një pjesë e tyre as që kanë dëgjuar për Lulehënën, ndërsa të tjerët i frikohen bukurisë së saj.Këtë lule e kam parë një natë maji te kopshti botanik i Zejnubes. Dhe nëse u çon ndonjëherë rruga në Damask pyetni ku banon Zejnubja, ndoshta do të keni fatin edhe ju të shijoni erën, e cila të ndihmon të braktisësh frikën nga jeta dhe vdekja. Por ua bëj me dije se Zejnubja është vajzë ters, e cila përpos që në kopshtin e vet botanik kultivon lule dhe kullosa nga më të rrallat, mund t’ju vërë kushte të ndryshme për t’ua plotësuar dëshirën. Sa net pa gjumë ia dhurova asaj, sa e sa herë më linte të vuaja vetëm pse ishte e bindur se nuk e meritoja dashurinë e saj. Apo pse mendonte se edhe dashuria është vetëm dhembje, diçka që dëshmohet nëpërmjet dhembjes dhe vuajtjeve shpirtërore. Ja, nga një vajzë e tillë çdo gjë mund të pritet. Bile edhe ftesë lutëse që ta vizitosh mu atëherë kur je i bindur se të ka harruar, siç ndodhi me mua asaj nate maji kur për herë të parë më lejoi të shëtis nëpër kopshtin e saj dhe më detyroi tërë natën të qëndroj cullak në mes të luleve dhe kullosave. Ma ledhatonte trupin me frymëmarrjen e vet të thellë dhe me një lëng që ndriçonte nga rrezet e hënës. Të nesërmen u zgjova i rraskapitur, sikur të më kishin gërvishtur qindra mace apo thuajse ndonjë fuqi sekrete kishte thithur nga trupi im tërë freskinë dhe dëshirën për të jetuar. Zejnube, Zejnube..., e thirra disa herë, por ajo nuk dha zë. Dhe vazhdova rrugën drejt Medinës duke mos ditur pse që prej asaj nate Zejnubeja pandërprerë belbëzonte se i dhimbsem, se është lodhur duke më pritur. Më tha se Lulehënat i kishte mbjellë vetëm që të më detyronte ta vizitoja kopshtin e saj, duke e ditur se më joshin gjërat e rralla dhe veçanërisht bukuria që nuk mund të krahasohej me asgjë tjetër. Po, nëse u shpie rruga në Damask kërkojeni Zejnuben, por mos i thoni se kush u ka rrëfyer për kopshtin e saj botanik dhe Lulehënën sepse ajo ngushëllohet me atë se unë kam vdekur, se do të mbetet virgjëreshë tërë jetën, gjë që do t’ia mundësojë gjithmonë kultivimin e luleve dhe se do t’ia arrijë të bartë shtatë ditë kurorën e thurur nga Lulehënat madhështore. Nëse ia përmendni emrin tim ajo do t’ia krisë vajit. Mos e bëni të qajë të mjerën sepse edhe ashtu lotderdhja e ka lodhur dhe molisur, se edhe kështu ajo më pret t’i kthehem si pluhur, i cili do të zhytet në thellësinë e syve të saj të përlotur dhe do t’ia ringjallë kujtimet për netët që i kaluam në kopshtin e saj botanik. Nëse merr vesh se unë u kam rrëfyer për Lulehënën dhe kopshtin e saj, do ta sforcojë bindjen që kishte gjithmonë për mua: se jam i poshtër dhe tradhtar, i cili të bukurën e keqpërdor dhe pastaj e hedh si leckë. E di që ajo tani vuan sepse edhe unë vuaja përderisa ajo net me radhë edhe në ëndërr më vinte e mërrolur, me flokët e lëshuara qëllimisht mbi fytyrë që të mos ia shoh faqet. Me plot naze shëtiste në periferinë e ëndrrave të mia, e gatshme që të ikë posa të vërejë se sërish do t’i vardisem që të më dhurojë një puthje. Për besë, Zejnubja as në ëndërr nuk më lejoi t’ia them të gjitha, t’i tregoja pa frikë sesa e doja dhe se në çdo çast mendoja për të, i mpirë nga ato shtëllunga resh në thellësinë e syve të saj. Pse moj Zejnube nuk më beson fare, e pyesja posa hapëronte në ëndrrën time, ashtu si bëja shpeshherë kur shëtisnim nëpër kopshtin e saj botanik duke u frikuar se mos shkelte mbi Lulehënat e porsaçelura. Qeshej, thuajse dëshironte të më kumtojnte se që moti e kishte kuptuar se unë isha një burrë i poshtër, i cili pasi njëherë do ta fuste në dorë, do t’ia kthente shpinën dhe do të fillonte t’i vardisej ndonjë tjetre, me të njëjtë këmbëngulje si edhe asaj të mëparshmes. Aq më shumë dëshironte të më bindte se atë kopsht e kultivonte vetëm për mua, mirëpo asnjëherë nuk i kisha dhënë prova se e meritoja dhe se do të kujdesesha për lulet e saja të rralla që nuk mund t’i shihje as në kopshtet sedefiane të Halepit. Zejnube, për besë, nuk kam dashur dhe nuk do të dua asnjerën më shumë se ty, vetëm nëse m’i dhuron ato sy ku kullosin yjet qiellore dhe ku shuajnë etjen kalorësit e ëndrrave të mia, vetëm nëse një natë më lejon të fle pranë Lulehënave të çelura, përbetohesha i lodhur nga pritja që të më përqafonte. Po, Zejnuben edhe kur e ëndërroja nuk më afrohej afër; qëndronte mu në skaj të horizontit ndriçues, e gatshme që, me një hap të bërë pas, ta braktisë ëndrrën time. Unë mundohesha ta gënjej që të më afrohej, i premtoja freski pranverore, pluhur yjesh, pështymë dallëndysheje, i thoja se do ta ndihmoja të tërhiqja zvarrë çarçafin nëpër livadhet buzë Eufratit që të mbledhë pika vese. Çka nuk i premtoja, por në asnjë nga ëndrrat e mia nuk arrita ta bind të më dhurojë në mos më shumë, një puthje të vetme. Apo ta shpaloste fytyrën nga ato flokë të gjata që ledhatonin faqet, të cilat më takonin mua. Më kujtohet edhe ajo kohë kur Zejnubeja më lodhi. Ajo i lodhi edhe ëndrrat e mia. Fillova t’i ëndërroj gjërat mbrapshtë. Dhe më kujtohet se një ditë maji, në mua diçka thellësisht ishte hidhëruar me Zejnuben dhe që nuk lejonte mashtrime të mëtejshme. Orvatjet e mia që të rikujtoja ato buzë nga të cilat rridhte nektar, atë shtat të hollë, i cili me titërrimat e veta të padukshme më shtangte në vend, u ngjanin orvatjeve që më bënë t’ia ndërroj drejtimin dhembjes së kokës. Thjesht, unë ende e doja Zejnuben, por ëndrrat dhe kujtesa ime nuk e pranonin në dhomat e veta. Përnjëherë nuk më kujtohej as fytyra e saj, as sytë, as flokët, ato aleate të Zejnubes që më pengonin t’ia shihja faqet, të cilat gjithsesi duhej t’i puthja unë. Nuk më vinte keq pse ëndrrat e mia përzunë një banore të tyren, e as pse tani më yjet nuk shuanin etjen në thellësinë e syve të saj. Bile i jepja të drejtë pse më konsideronte të pabesë dhe mashkull, i cili çdo burim të ardhshëm e konsideronte më të freskët se ai i mëparshmi. Zejnubja më hidhëroi për shkak se në çastin kur ëndrrat e mia pushonin nga lodhja që ua shkaktoi, më ftoi sa më shpejt ta vizitoja. Ftesa e saj bëri rrëmujë në kështjellën e përditshmërisë sime. Dhe u nisa. Më priti në hyrje të Damaskut. Vrapuam drejt kopshtit të saj ku, ende pa ardhur në vete, më dehu era e Lulehënave. Asaj nate ajo më zhveshi cullak dhe më bëri magji nga më marramendëset nën ndikimin e të cilave jam edhe sot e kësaj dite. Mu lavdërua se ia kishte arritur në kopshtin e vet të rriste Lulehënën, se tani më lehtë i përballonte netët pa mua dhe se sikur të doja, mundesha të mos kthehem kurrë. Prej tani, më tha, të bukurën dhe të dashurën e përjetoj krejtësisht ndryshe nga të tjerët. Dhe pohonte se kishte mbetur virgjëreshë edhe pas aq netësh që kishte kaluar me të tjerët duke më pritur. Si e tillë tani mund të kultivonte Lulehënën, e cila për mua ka lidhshmëri shumëfishe me Zejnuben dhe prandaj nuk mundem t’u rrëfej për njërën e të mos përmend tjetrën. Por ju përqendrohuni në përshkrimin e Lulehënës sepse e gjithë kjo që ka të bëjë me Zejnuben është pjesë e intimes sime që më deh njësoj si edhe lulja që po provoj ta përshkruaj.Lulehëna nuk prodhon farë të veten si çdo bimë tjetër që ekziston mbi tokë. Ajo ka zanafillën nga një lule tjetër, shumë e pranishme nëpër kopshtet e atyre që duan që hapësirën ku jetojnë ta kenë të zbukuruar me gjelbërim dhe lule, mirëpo që nuk kanë as kohë e as duan për së tepërmi të lodhen për mirëmbajtjen e tyre. Për të mbjellë Lulehënën duhet të kesh farë Xhunxhuleje, farë nga ajo lule e mirënjohur me petale të verdha apo të kuqërremta që rritet çdokund dhe nuk kërkon as shumë ujë, as tokë të posaçme. Por, kot nëse farën e xhunxhules e mbuloni me dhe’; sërish do të mbijë lulja që keni mbjellur e jo Lulehëna. Pra, nevojitet që farën e tharë të xhunxhules ta futni në vezë të fëllënzës. Ju thashë, punë e lodhshme dhe thuajse e pamundshme është kultivimi i Lulehënës. Sepse duhet të gjeni vezë të mjaftueshme të fëllënzës, t’i ktheni kujdesshëm nga njëra anë, t’ua zbrazni të bardhën dhe farën e tharë të xhunxhules, kujdesshëm ta vendosni mbi të kuqen e vezës, e cila mbetet në lëvozhgë. Vezën e këtillë me farën brenda duhet dy javët e para të majit ta mbani në ndonjë vend të errët. Vetëm natën duhet ta nxirrni jashtë dhe ta vini mbi pullaz që të ushqehet me rreze hëne. Ditën e katërmbëdhjetë, fara e xhunxhules fillon të lëshojë rrënjë në të kuqen e vezës dhe atëherë ka ardhur koha kur duhet mbjellur fara. Apo, faza kur arrijnë vështirësitë e tjera sepse Lulehënën nuk mund ta mbillni kudoqoftë, si shumicën e luleve të tjera. Vendi ku duhen mbuluar vezët në të cilat, si të thuash, ka filluar të bulëzojë fara e xhunxhules kërkon përgatitje të veçantë. Më së pari, duhet të gjeni një pllakë guri aq të madhe sa dëshironi të mbillni Lulehëna. Sipërfaqja e kësaj pllake duhet të mbulohet me glasa dallëndysheje me një trashësi sa shuplaka e dorës. Mjeshtri e veçantë është të mblidhni aq glasa dallëndysheje sepse nuk u vlejnë ato që mund t’i gjeni nëpër foletë e tyre të braktisura apo nëpër rrugë. Duhet me një çarçaf të mblidhni glasat që ato i lëshojnë derisa janë në fluturim. Ata të rrallët që kultivojnë apo kanë kultivuar këtë lule më kanë rrëfyer se vite të tëra kanë harxhuar duke shëtitur nëpër vendet ku fluturojnë tufa dallëndyshesh, duke shtrirë çarçafë mbi livadhe dhe fusha, që të mund të kthehen gjatë ditës në shtëpi vetëm me një grusht glasash aq të rëndësishme. Por nejse, ta zëmë se edhe ky mundim shpërblehet dhe ia vlen njeriu të harxhojë disa vite që të përfundojë jetën si një ndër kultivuesit e rrallë të Lulehënës.Pra, pasi mbulohet pllaka e gurit me glasat e thara të dallëndyshes, radhiten vezët e përmendura larg njëra-tjetrës sa një shuplakë. Mbulohen mirë dhe dy javë me radhë duhet ujitur mu në mesnatë. Edhe atë jo me ujë të rëndomtë, por me vesë. Vesën,  kultivuesit e kësaj luleje, e mbledhin duke zvarritur një çarçaf të mëndafshtë nëpër livadhe dhe kodrina dhe pastaj e shtrydhin në ndonjë enë që të grumbullojnë ujë të kristaltë për të ushqyer këtë lule hyjnore të cilën po e ujite me ujë të rëndomtë mos prit të mbijë e lëre më të rritet dhe të çelë me petalet që të mahnitin me bukurinë përrallore. Pra, pas ujitjes dyjavore mu në mesnatë, edhe atë duke filluar që nga nata kur hëna arrin madhësinë e plotë, derisa merr formën e draprit të hollë në qiell, Lulehëna fillon ngadalë të nxjerrë kokën mbi glasat e dallën­dyshes, të cilat ndërkohë kanë marrë një ngjyrë të zverdhur që disa e shpjegojnë si pasojë e shpëlarjes me ujin vesorë dhe me disa të tjerë si thithja e rrezeve të hënës. Lulehëna kur nxjerr një kokërr sa të misrit, e cila dy-tri ditë qëndron njësoj. Pastaj plas dhe nga brendia e saj paraqiten disa fletëza të kaltërta si të fluturës. Katër janë petalet e saj që vërehen menjëherë posa të bulëzojë. Pastaj paraqiten pesë të tjera paksa më të vogla dhe në mes një si sqep i verdhë dallëndysheje me ca vija diskrete të kuqe. Dhe pastaj ndodh ajo më madhështorja: Lulehëna me natë të tëra lëviz thuajse është gjallesë e jo bimë me rrënjë të njoma. Dy-tri ditë zgjat ajo lëvizje kur në të vërtetë rrënjët e saj shtrihen mbi pllakën e gurit. Kështu, ajo ia arrin që me rrënjë të thithë edhe ushqim, edhe freski. Dhe kur bishti i lules arrin dhjetëra centimetra gjatësi, aty pranë rrënjëve rriten dy gjethe shumë më të mëdha se vetë lulja e çelur. Përafërsisht sa dy shuplaka të mëdha burri. Gjethet zgjaten mbi lulen dhe gjatë tërë ditës asaj i bëjnë hije, e mbrojnë nga rrezet e diellit dhe shiu si edhe nga insektet që mund të ndalen mbi petalet e saja. Natën lëshohen teposhtë si dy muskuj të lodhur dhe e mbulojnë tërë sipërfaqen ku rriten Lulehënat. Pas shtatë ditëve petalet e lules fillojnë të treten. Pahetueshëm dhe me të shpejtë më së pari zhduken petalet e mesme pastaj ato anësoret, dhe më në fund bishti i saj. Gjethet me një ngjyrë të portokalltë mbeten mbi glasat e dallën­dysheve. Ato zhduken më në fund, asaj nate kur nën glasat e dallëndysheve fillojnë të lëvizin rrënjët e Lulehënave thuajse janë krimba që gllabërojnë njëri-tjetrin. Kur përfundon ajo lëvizje, gjethet shndërrohen në një lëng të kuqërremtë, i cili rrëshqet mbi sipërfaqen e pllakës nga e cila tani më janë tretur edhe rrënjët edhe glasat e dallëndysheve. Kjo ngjyrë e kuqërremtë mbetet e përjetshme mbi pllakën e gurit dhe nuk ka mundësi të fshihet. U thashë se shumë pak njerëz kanë mundur ta kultivojnë këtë lule dhe se gjithnjë e më të paktë janë ata që kanë durim të merren me këtë punë të lodhshme. Për të, për herë të parë, dëgjova në Damask kur e njoftova Zejnuben, e cila çdo natë më vinte e rraskapitur dhe si e dehur. Një natë ajo më çoi në kopshtin e vet ku kishte mbjellë dhjetëra rrënjë Lulehëne dhe që nga ajo natë ende jam i dehur. Kurrë nuk e kuptova se vallë më dehu bukuria e Lulehënës, ajo e Zejnubes apo që të dyja së bashku. Më vonë shpeshherë gjatë majit, në orët e hershme të mëngjesit i ndihmoja Zejnubes të zvarrisë një çarçaf të gjatë dhe të gjerë, i cili thithte pikat e vesës të cilin pastaj e shtrydhte në një enë prej bakri dhe e ruante për ujitjen e Lulehënave të veta. Prandaj ua përsëris, nëse u shpie rruga në Damask mund ta kërkoni Zejnuben. Nuk do të humbni asgjë nëse e lutni t’ju lejojë ta vizitoni kopshtin e saj botanik. Por kurrë, kurrë mos i tregoni kush u ka rrëfyer për Lulehënën. Le të ngushëllohet se jam i vdekur dhe se ia vlen të mbetet e virgjër dhe e pastër, si Lulehënat me bukurinë e të cilave ajo tërë jetën bënte gara. Zejnubja Lulehënat i kultivonte vetëm që t’u dëshmonte të gjithëve se edhe në atë kopsht me erë mpirëse dhe bukuri përrallore sytë e saj mbeten burim ku shuanin etjen kalorësit e ëndrrave të mia.

Komente (1 dërguar):

dren më 13 May, 2010 05:58:16
avatar
a ka poezi te bukura per femij si magjija e krijimit e shum te tjera ej edhe mos harro kush ke le te shkrun poezi te bukura

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
3.67
Tjera nga Tregime
Previous
Djaloshi që mblidhte pendë
Edhe sot në atë fshat flitet për djaloshin e bukur dhe të heshtur. Thonë se mburrej me bukurinë e vet po aq sa edhe dashuronte vetminë. Ata që e mbanin mend, me plot dëshirë presin t’i pyesësh për të. “Ja e shihni atë shtëpi të vendosur në mes të asaj lulishteje?! ...
Robi
Engjëllushja ime, i thoja, trupin ma brejnë varrë të egra. Pastaj ngrija këmishën që ta shehte njollën e zezë, e cila dita-ditës zgjerohej mbi kraharor. Në vend që t’i zgjatte duart dhe të ledhatonte varrët nga të cilat pikonte gjak i nxirë, ajo ma stërpikte lëkurën me pështymë dallëndysheje. Me kraharor të zbuluar gjunjëzohej pranë kokës sime....
Lulehëna
Të thuash se është lule që nuk u ngjan të tjerave, nuk mjafton. Të thuash se është lule mbi gjithë lulet e tjera, ndoshta bën gabim, sepse kush është ai që i njeh të gjitha llojet e luleve. Do të duket sikur pohon se ndonjë njeri është mbi të gjithë të tjerët me bukurinë apo mençurinë e vet duke mos mbajtur llogari se edhe e bukura, si të gjitha veçoritë e tjera, është diçka që nuk ka shëmbëlltyrë e me ndihmën e të cilit do të konstatohej e përsosura, kulmorja, ajo që do të mund ta bartte emërtimin - bukuri mbi të gjithë të tjerat...
Shtëpia në fund të fshatit
Shtëpinë në fund të fshatit e rrethonte një avlli e lartë dhe kullosa. Porta e lartë prej druri, vite me radhë qëndronte e kyçur me një zinxhir të ndryshkur. Vetëm zhapinjtë ishin ata që përbiroheshin nëpër vrimat e avllisë apo të çarat e dërrasave të portës dhe hynin e dilnin nga oborri i asaj shtëpie, që moti, të braktisur dhe të mallkuar nga të gjithë fshatarët....
VDEKJA E MAGJISTARES
Ne që qëndronim ulur pranë shtratit të së sëmurës ishim të bindur se ajo ishte nata e fundit e plakës Fatkë. Kohë pas kohe i çelte sytë dhe shikonte tavanin dhe fytyrat tona, të cilat i ndriçonte drita e zbehtë e llambës së vajgurit. Fytyrën e kishte të zbehur, buzët të mavijosura. Frymonte lehtë. Çarçafi i bardhë me të cilin ishte e mbuluar, ngadalë dhe shumë rrallë ngrihej mbi kraharorin e saj në çastet kur merrte frymë lehtë. ...
SHTATË KROJET
Nëse niseni ndonjëherë për në Haleb dhe shkoni rrugës që lidh këtë qytet me vendbanimin Rehanlë, mos e lini pa vizituar Shtatë Krojet. Sidomos nëse udhëtimi juaj përputhet me ditën e Shëngjergjit. Që të mos shëtisni andej-këndej dhe që të mos lodheni duke pyetur kalimtarët e rastit, të cilët pyetja se ku ndodhen Shtatë Krojet edhe mund t’i bezdisë - me çka fare nuk shprehin mosdurimin ndaj të panjohurve dhe ardhacakëve të huaj, por frikën se vizitorët e shpeshtë mund t’i dëmtojnë këto gurra me bukuri përrallore dhe me ca tipare të veçanta, të cilat njerëzit e kësaj ane i mbajnë si shenjtëri më të larta që përcaktojnë fatin dhe jetën e tyre - do të mundohem t’jua përshkruaj vendin ku ndodhen, që të mund të gjeni pa bredhur dhe pyetur njeri për këtë vend i cili qëmoti është bërë i dëgjuar anë e mbanë botës. ...
PESHKU EKSTASIS
E di se pak janë ata që kanë pasur rastin të shohin ndonjë peshk Ekstasis nga vetë shkaku se këta peshq janë aq të rrallë sa që mund të numërohen në gishtat e një dore. Prandaj do të mundohem ta përshkruaj sa më hollësisht. Peshqit Ekstasis jetojnë në kushte të veçanta; në ujë plotësisht të pastër, që do të thotë nëpër ata lumenj shtratin e të cilëve nuk e ka prekur asgjë tjetër pos dorës së natyrës. Nuk durojnë as ndotësirën më të vogël e lëre më ato papastërtitë e shumta që kohëve të fundit i hasim nëpër lumenjt....
DITA E SHËNGJERGJIT
Ndodhitë e çuditshme ia nisën në mes të dimrit, atë natë kur ia filloi të reshurit e borës, e cila për pak kohë i mbuloi rrugët dhe pullazet e shtëpive të fshatit. Gjatë tërë natës nuk u dëgjua asnjë lehje qensh e as vaji i fëmijëve. Në mëngjes, gjelat nuk kënduan si rëndom, thuajse kishin gabuar kohën apo kishin harruar këngën e tyre. ...
ODA E BURRAVE
Sikur të doja ta vë veten në rolin e tregimtarit mendjemadh, këtë rrëfim do ta nisja me përshkrimin e rrugës përplot kthesa që shpie drejt fshatit. Pra do të duhej të bëja një ritregim të gjërave që lehtë mund t’i paramendon pa ua treguar njeri, do merresha me shpjegime nga ato të mërzitshmet që i praktikojnë shkrimtarët kur përshkruajnë ndodhi të ndryshme që u kanë rastisur aty këtu në thellësitë e kohës së kaluar dhe në hapësira të ndryshme, duke menduar se rrëfimi i tyre do të zgjojë kureshtjen tuaj, apo edhe duke gënjyer vetveten dhe të tjerët me zbukurime të ndryshme të dala nga punëtoria e palodhshme e imagjinatës, gjë që më së miri i shpalos të vërtetën se shpeshherë ata përshkruajnë të kaluarën për shkak se ajo, e kaluara, krahasuar me të tashmen, lejon ta stolissh me gënjeshtra aq të mëdha të cilat fillojnë të tingëllojnë bindshëm edhe për vetë trilluesin e tyre....
Next