Fillimi | Libra Falas | Tregime | VDEKJA E MAGJISTARES

VDEKJA E MAGJISTARES

Madhësia: Decrease font Enlarge font

Ne që qëndronim ulur pranë shtratit të së sëmurës ishim të bindur se ajo ishte nata e fundit e plakës Fatkë. Kohë pas kohe i çelte sytë dhe shikonte tavanin dhe fytyrat tona, të cilat i ndriçonte drita e zbehtë e llambës së vajgurit. Fytyrën e kishte të zbehur, buzët të mavijosura.  Frymonte lehtë. Çarçafi i bardhë me të cilin ishte e mbuluar, ngadalë dhe shumë rrallë ngrihej mbi kraharorin e saj në çastet kur merrte frymë lehtë. I biri, më i madhi, Abu Naxhehu, i qëndronte ulur pranë kokës dhe ia miklonte duart të mbetura vetëm asht dhe lëkurë. Ai e mbante kokën të lëshuar teposhtë, prandaj hija ia mbulonte fytyrën. Vetëm flokët e zeza si thëngjilli ia ndriçonte drita dridhëse e llambës.  Abu Naxhehu, djali më i madh i Fatkës, asaj nate të largët, pandërprerë murmuriste diçka në vete. Mu ai, shumë vite para se nëna e tij të binte në shtrat e sëmurë, pati guxim të gjithë fshatarëve t’ua zbulonte të vërtetën se e ëma ishte magjistare e shkathtë. U tregoi se Fatka tërë natën e kalonte duke qëndruar pranë dritares, se bisedonte me xhindet që pastaj, ashtu e lodhur dhe me flokë të shkapërderdhura, të përplasej mbi dysheme. Qysh se ua zbuloi fshatarëve të habitur këtë fshehtësi  , shtëpinë e tyre e vërshuan vizitorë nga të gjitha anët e shkretëtirës. Vinin të kërkonin ilaç për dhembjet dhe magjitë që i mundonin nga magjistarja  Fatkë, emri i së cilës u përhap anembanë shkretëtirës nëpër të cilën rrallë gjatë vitit kalonin karvanët. Ata që më shpesh shëtitnin me devetë e veta nëpër atë hapësirë të pafund shkretinore ishin tregtarët e Mekës, të cilët kur ndodhte të kalonin të hipur mbi devetë e veta të lodhura, mundoheshin të merrnin vesh për të gjitha të rejat që kishin ndodhur nëpër fshatrat ku rëndom ndalshin të kalonin natën dhe të shitnin ndonjë copë basmeje nga Jemeni. Lajmet e reja i merrnin me vete, i shpërndanin nëpër shkretëtirë, i bartnin njësoj si edhe barrën e ngarkuar mbi devetë, i përcillnin prej një fshat në tjetrin, prej oaze në oazë – prej burimit deri në derdhjen e fundit ku degëzoheshin dhe shndërroheshin në lum të tërbuar, të stërmadhuar në krahasim me rrjedhën fillestare. 

            Fatka filloi t’i pranojë ardhacakët dhe hallexhinjtë, të cilët i mundonte ndonjë dhembje apo pagjumësia, gratë që ishin të lidhura nga magji të zeza e nuk mundnin të lindin, fëmijët që pshurreshin edhe më shumë se nga tri herë gjatë natës, burrat që nuk mund ta bënin pa pengesa atë punë që duhet bërë me gratë.  Të gjithë ata, si edhe shumë të tjerë, për çdo ditë, një nga një hynin dhe dilnin mu në atë dhomë të ngushtë ku asaj nate të largët qëndronte e shtrirë magjistarja Fatkë duke pritur vdekjen. U jepte të pinin lëngje të ndryshme të përziera me shurrë breshkash dhe me kullosa që i mblidhte nëpër shkretëtirë. Atyre, për të cilët ajo vet pohonte se magjia u është futur në thelb të shpirtit, u jepte pluhur të bardhë të bluar prej dhëmbëve të gjarpërinjve. Fatka thoshte se ai pluhur i largon nga shpirti dhe trupi i njeriut të gjitha dhembjet dhe magjitë. Helmi me helm nxirret, thoshte ajo. Në të vërtet askush dhe asnjëherë nuk zbuloi përbërjen e saktë të ilaçeve të saj, mirëpo, ishte më se e vërtetë se ato lëngje në ngjyrë të ndryshme dhe pluhuri i bardhë, si mielli, i shëronin të gjitha sëmundjet. Anembanë shkretëtirës flitej se nuk ka sëmundje dhe dhembje që nuk mund ta shëronte magjistarja Fatkë dhe kundër së cilës ajo nuk kishte ilaç të përshtatshëm. Shumë vite pas vdekjes së saj, Abu Naxhehun e takova në Fahami dhe gjatë biseduam për atë natë të largët kur vdiq e ëma. Nuk ia arrita ta nxis të më rrëfente diç më shumë për nënën e vet dhe për të gjitha ato që ndodhnin në shtëpinë e tyre viteve të fundit, mirëpo më në fund pranoi se në një dhomë nëna e tij kishte ruajtur një qyp të mbushur me gjarpërinj të ngordhur, të cilët për çdo ditë i kishte lagur me tëmbël deveje që të mos qelbeshin. Abu Naxhehu ishte plakur dhe rraskapitur kur e takova pas shumë vitesh të vdekjes së nënës së tij dhe menjëherë hetova se nuk e kishte aspak të lehtë t’i rikujtonte kohët e dikurshme edhe pse unë i vardisesha të m’i sqaronte disa ndodhi. U ndamë sikur asgjë të mos na lidhte mes veti, nuk zbulova asgjë të re për atë se ku kishte jetuar pas vdekjes së nënës së vet dhe ku i kalonte ato vite të pleqërisë. Më tregoi vetëm atë se gjithmonë, në xhepin e majtë të xhybes i ruan tespihet, të cilat dikur moti i takonin nënës së tij, magjistares Fatkë.

            Djali i mesëm i magjistares, Samali, qëndronte ulur nga ana e majtë e vëllait të vet më të madh, Abu Naxhehut. Heshtte dhe i shtrëngonte shuplakat mes këmbëve thuajse kishte të ftohtë. Lere që nuk ishte ftohtë, por ajo ishte një natë verore nga ato të cilat e vjellin nxehtësinë, të cilën kishin gëlltitur gjatë ditës. Samali aspak nuk e çonte kokën të shikonte nga e sëmura. Qëndronte i heshtur dhe i ngurosur. Kohë pas kohe shikonte nga tavani ku qëndronin varur plot penj shumëngjyrësh, lecka laramane në formë të mindilit dhe të lidhura në nyje. Mbi shtratin e së sëmurës, të varura për dërrasat e tavanit, qëndronin pezull disa lëkura të thara gjarpri me gjatësi të ndryshme dhe tri dallëndyshe, kuptohet të ngordhura dhe të lidhura për bishti me nga një pe të kuq. Dallëndyshet lëvareshin mu mbi fytyrën e Fatkës dhe më bëhej se do të çelnin gojën dhe me sqepat e mprehtë do ta kafshonin mu në ballë. Samali nuk i vërente për herë të parë të gjitha ato lecka, lëkura e dallëndyshe që mbulonin tavanin e dhomës së nënës së tij, mirëpo për herë të parë asaj nate të largët e kaploi një frikë e çuditshme. Thjeshtë, frikësohej nga ato lecka laramane të lidhura me nyje të shumta ku nëna e tij ruante dhëmbët e gjarpërinjve dhe copat e eshtrave të deveve të therura për Kurban Bajram apo të ngordhura nga uria në mes të shkretëtirës. Samali, djali i mesëm i magjistares Fatkë, atë ditë kur vëllai i tij më i madh u tregoi fshatarëve se nëna e tyre ishte magjistare, mori devenë e vet dhe tri ditë e tri net me radhë brodhi nëpër shkretëtirë si i çmendur duke mos ditur se cila ishte ajo fuqi magjike e cila nuk e lejonte të kthehej në fshat, të kalonte pragun e shtëpisë ku kishte lindur dhe ku e priste e mallëngjyer dhe e brengosur e ëma.  Natën e katërt, u drejtua kah kasollja e vet, e çeli derën dhe përnjëherë dëgjoi disa klithje të cilat vinin nga dhoma ku flinte nëna e tij. U afrua pranë derës së dhomës së ngushtë dhe pa nënën e vet, aso kohe të re dhe të bukur, si qëndronte shtrirë mbi dysheme e zhveshur cullak, me flokë të shkapërderdhura, me sytë të zgurdulluar dhe me fytyrë të zbehur si të ishte e vdekur. Në kraharor shtrëngonte me duar një breshkë shkretinore ndërsa nga goja i rridhnin jargë të bardha. Nëna e tij ofkëllonte dhembshëm me shikim të shtangur nga tavani. Ajo natë e largët mbeti në imagjinatën e Samalit si leckë e rëndomtë që nuk shkëputet nga mbëmendja, si gjurmë të cilën nuk mundnin ta shlyenin as ngjarjet e mëvonshme e as mund ta mbulonte pluhuri i kohës. Mbeti pra ajo ngjarje si kufi që i shkaktonte marramendje, si një perde e amshuar e cila papritur lëshohej në vetëdijen e tij sa t’ia rikujtonte ato çaste trishtuese. Mu atë ngjarje ai ma rrëfeu kur ashtu të plakur dhe të rraskapitur, shumë vite pas vdekjes së nënës së tij e takova rastësisht në Iskenderun, të ulur pranë bregut të detit, me një kullosë të tharë të shtrënguar mes dhëmbëve. Pranoi se për shkak të asaj ngjarjeje, të cilën e përjetoi natën e katërt pas shëtitjeve nëpër shkretëtirë, nuk ia arriti kurrë të gjente strehimoren e qetësisë shpirtërore dhe ajo ngjarje gjithmonë i ringjallej në kujtesën e tij thuajse tërë jetën asgjë tjetër nuk kishte përjetuar. “Atë natë kuptova shumë gjëra dhe ndodhi diçka e çuditshme me mua! Nga ajo natë vetveten e përjetoja vetëm si një magji të gabuar të saj!” – më rrëfente Samali i ulur buzë detit të valëzuar. Nata ed katërt, pas shëtitjes nëpër shkretëtirë, në kujtesën e tij mbeti enigmë e pazgjidhur, të cilën mundohej ta zbërthente gjatë tërë jetës, por nuk ia doli dot të kuptonte ç’domethënie kishte e tërë ajo që kishte parë, ç’dhembje e kishin shtrënguar nënën e tij që e detyronin të përvidhej mbi dysheme si gjarpri në zjarr. Ashtu më tha në Iskenderun ku e takova shumë rastësisht pasi kishin kaluar vite të tëra nga vdekja e nënës së tij dhe nga ajo ngjarje për të cilën më fliste. Vështirë se do ta njihja sikur të mos më lajmërohej: ishte i veshur me një kapotë të vjetër e të leckosur, flokët i kishte lëshuar të gjata dhe i kishte të palara. Kishte lëshuar edhe mjekrën, njësoj të papastër dhe me plotë thërrmija buke. Samali i gjorë nuk kuptoi kurrë kush e shtyu asaj nate të largët, në ato orë të vona, të hynte në dhomën e nënës së vet ku ajo qëndronte e shtrirë mbi dysheme e zverdhur dhe e ngurosur. Më rrëfente si i kishte mbyllur sytë nga trishtimi, si ishte afruar pranë nënës së vet dhe kishte filluar ta ledhatonte. Atë çast, kishte jehuar në dhomën e ngushtë një zë i thellë, nga i cili Samali ishte shtangur. “Jashtë..., ikë mos m’u afro!” “Jo, jam i bindur se ai nuk ishte zëri i nënës sime! Ajo as që i lëvizi buzët e shtangura dhe të zbehta e lere më të mund të bërtiste me atë zë trishtues!” – më rrëfente Samali, pranë bregut të detit duke kafshuar me dhëmbë një kullos të tharë. “Pastaj u ngrita në këmbë, e përplasa derën pas vetes dhe hyra në dhomën ku flinin vëllezërit e mi, ai më i madhi Abu Naxhehu, dhe më i vogli Sufjani! Nuk e di a të kujtohen ato të dy?!” – më pyeti ai duke shikuar valët e detit. “Asgjë nuk dëgjove?” – kishte pyetur vëllain me të vogël, Sufjanin kur ishte shtrirë pranë tij. Vëllai e kishte shikuar, por asgjë nuk i ishte përgjigjur. “Të lutem më thuaj a dëgjove ndonjë thirrje apo piskamë para se të hyja unë në dhomë?” – e kishte pyetur sërish. “Lemë të fle! A nuk je duke parë se sa e qetë është nata!?” – i kishte thënë Sufjani dhe sërish i ishte dorëzuar gjumit. Samali e kishte kaluar tërë natën pa vënë gjumë në sy. Të nesërmen, para se të lindte dielli kishte dalë në oborr. “U ula pranë pragut të derës dhe pas një kohe hetova se duart e dikujt m’i ledhatonin flokët. Kur ktheva kokën pashë nënën time. U çova në këmbë dhe iu hodha në qafë. Ia dhashë të qarit me të madhe pa e ditur pse qaja!” – më rrëfente ai duke mos e kthyer aspak shikimin nga unë. “Biri im i dashur, as që je i vetëdijshëm se sa më brengos ardhmëria juaj! Do të vijnë aso kohësh të mbushura plotë mosbesim dhe kur nuk do të ketë më mëkate të cilat nuk do i bëjnë njerëzit, por më nuk do ketë mëkatarë!” – i kishte thënë e ëma duke dënesur së bashku me Samalin. “Që të dy nuk e dinim pse qanim! Ndoshta i dënesnim kohët mëkatare që do vinin!” – më tha i biri i magjistares Fatkë, Samali, të cilin rastësisht e takova në Iskenderun, shumë vite pas vdekjes së saj, atëherë kur më kisha harruar shumëçka nga e kaluara ime e le më fytyrën e tij.

            Sufjani rrinte i ulur me shpinë të kthyer nga unë. Hija e tij binte mbi çarçafin e bardhë me të cilin ishte e mbuluar e sëmura dhe ajo hije mbulonte çarçafin deri te kraharori i Fatkës.  Më bënte përshtypje hija e madhe dhe e deformuar e kokës së tij. Fytyrën nuk mund t’ia shihja, jo vetëm për shkak se rrezet e zbehta të llambës i binin mbi shpinë, por edhe shkaku i shuplakave të dorës me të cilat shtrëngonte fytyrën. Bërrylat i kishte mbështetur mbi gjunjët e bashkuar.  Ashtu i palëvizshëm i ngjante një truproje  të ulur pranë pronarit të vet. Aspak nuk lëvizte dhe më bëhej se nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte. I gjori Sufjan, sa më dhimbsej asaj nate derisa qëndronte ulur pranë shtratit të së sëmurës. Asokohe, ishte ende i ri. Lindi shumë vite pas asaj vere kur vëllai i tij, Abu Naxhehu, doli mes fshatit dhe para fshatarëve të grumbulluar bërtiti me sa zë që kishte: “Njerëz, nëna ime është magjistare! Shtëpia jonë është vend i shenjtë, aty jetojnë shpirtrat e gjithë të vdekurve dhe të atyre që nuk kanë lindur ende! Ejani, ajo do t’ju rrëfej për kopshtet përrallore të parajsës, për dhembjen njerëzore dhe për thellësitë e tmerrshme të xhehenemit!” Sufjanin të gjithë e  njihnin si djalë të heshtur, i cili kurrë nuk bëhej i treti aty ku ishin dy veta. Pothuajse nuk bëhej as i dyti. Shoqërohej vetëm me hijen e vet dhe bisedonte me vetveten. Po të mbetej pa hijen, nuk do kishte me kënd të shëtiste nëpër shkretëtirë dhe nuk do kishte me kënd të bisedonte. Tre muaj pas lindjes filloi të hajë bukë të nxehtë dhe hurma si të ishte i rritur. Si foshnje gjashtëmujore filloi të vrapojë nëpër shkretëtirë ku gjuante zhapinj. Disa pohonin se e kishin parë duke luajtur me gjarpërinj dhe se aspak nuk frikohej kur ato rrëshqanorë të ftohtë i futeshin nën këmishë dhe i rrëshqisnin nëpër trup. Si fëmijë një vjeçar, një natë hyni në dhomën ku flinte me nënën e vet dhe kur u shtri pranë saj, i tha: “Nënë, kurrë nuk do të pyes se si është e mundur të kem lindur aq vite pas vdekjes së babait nëse më thua pse nuk ke aspak dashuri dhe mëshirë ndaj meje, pse kurrë nuk më ledhatove si fëmijë tëndin?!” Asaj nate e ëma e kishte përqafuar si kurrë më parë dhe i kishte thënë:”Biri im, keqardhje dhe mëshirë meritojnë vetëm ata njerëz të cilët jetojnë në kope të cilës i prinë ndonjë i paaftë dhe zemërkeq!” Prej asaj nate Sufjani kishte kaluar të flinte në dhomën ku flinin dy vëllezërit e tij më të mëdhenj dhe kurrë më nuk ishte brengosur për ato thashetheme që fliteshin për të nëpër fshat. Disa thonin se ai është i biri i ndonjë xhindi dhje se nëna e tij, magjistarja Fatkë, deri sa ishte foshnje nuk i kishte dhënë të pinte qumësht të nënës, por shurrë breshkash. Vitet e rinisë, Sufjani i kaloi duke kullotur kopenë me dhenë nëpër shkretëtirë. Flitej se askush nuk ka mundur ta takonte me kopenë. Tridhjetë vjet pas vdekjes së nënës së tij dhe njëzet vjet pas vdekjes së Sufjanit, djali i tij, apo më saktë thënë i nipi i magjistares Fatkë, Adini i ri, rastësisht do të gjendet mes një turme qytetarësh në një qytet të largët dhe të panjohur dhe pe e ditur as vet pse vepron ashtu, filloi të bërtasë zëshëm: “ Këto janë kohë kur ka shumë të atillë që urrejnë dhe gënjejnë, por pak të urtë, të ndershëm dhe besnikë!” Më vonë, kur në një dhomë të errët e të ngushtë, tri veta të uniformuar do ta marrin në hetime dhe do ta pyesin ç’ka dashur të thoshte me ato fjalë dhe si kishte qëlluar bash asaj dite të vinte në qytetin e tyre, duke dashur që me dhunë ta detyronin të pranonte se mu ai ishte prijës i atyre trazirave, Adini para se të përplasej mbi dysheme i alivanosur nga goditjet e rënda dhe mundimet fizike, belbëzoi si i pashpirt: “Kush i zhbimëzon rrënjët e veta është i vdekur para se të vdes! Më vjen mirë që mua m’u dha rasti të shijoj shijen e gjakut tim për hir të rrënjëve nga të cilat kam mbirë, që ushqehen me ujë nga burimet më të pastra të krenarisë dhe bujarisë! Nuk pendohem për gabimet e pabëra!”

            Para se të binte ne shtrat e sëmurë, kur hetoi se trupi i ishte rraskapitur, Fatka plakë deshi të takohej me të birin e sajë më të vogle, Sufjanin që t’ia zbulonte disa fshehtësi për të cilat vetëm ajo dinte. Por, Sufjani kurrë nuk i afrohej. Një ditë, derisa kulloste bagëtinë, vërejti nënën e vet në largësi. U fsheh në një gropë që e kishin gërryer bishat shkretinore dhe nuk lëshoi zë e as që u lajmërua derisa Fatka e thërriste. “Vetmia është më e lehtë se sa shokët e pabesë! Heshtja është më madhështore se sa llomotitja e të pavërtetave!” – kishte murmuritur Fatka duke qëndruar ulur mbi zallin e nxehtë, disa hapa larg vendit ku ishte strukur i biri, të cilit asaj dite dëshironte t’ia zbulojë disa fshehtësira, t’i rrëfente pse i ruante gjarpërinjtë e ngordhur në qyp dhe pse i lagte për çdo ditë me qumësht deveje. Donte t’i rrëfente edhe për ardhacakët e dikurshëm nga disa vise të largëta të Ballkanit, se magjitë që i bënte kishin të bënin me mallin e të parëve të saj të kthehen atje nga i kishte tërbuar sunduesi anadollak. Disa muaj më vonë, Fatkën e shtrënguan dhembjet dhe kurrë më nuk u ngrit nga shtrati. Tri javë qëndroi shtrirë pa lëshuar zë. Djemtë e saj e kalonin natën pranë shtratit të nënës së sëmurë, ndërsa ditën, derisa dy shkonin, njëri me kopenë e dhenve, tjetri të mblidhte hurma, i treti kujdesej për të sëmurën. Ditën a parë pranë saj mbeti Abu Naxhehu. E ngriti në duar, ia krehu flokët, ia pastroi trupin me një leckë të lagur dhe e ushqeu. Kur u kthyen në mbrëmje Samali dhe Sufjani, nëna e tyre qëndronte shtrirë symbyllur. “Së shpejti do t’i dorëzohet gjumit të amshuar, prandaj duhet të kujdesemi që sa më e bukur e sa më lehtë të ndahet nga kjo jetë!” – u tha Abu Naxhehu vëllezërve të vet, kur ata u ulën pranë shtratit të së sëmurës. Tri javë me radhë, tërë natën e kalonin pranë shtratit të saj, në dhomën e ngushtë në tavanin e së cilës qëndronin varur shumë penj, lecka dhe lëkura gjarpërinjsh. Tri dallëndyshet e ngordhura, të cilat qëndronin varur mu mbi fytyrën e Fatkës, i ndriçonte drita e zbehtë e llambës dhe sytë e tyre u ngjanin rruazave shumëngjyrëshe.

            Shpesh shkoja edhe unë sa t’u bëja shoqëri në orët e vona të natës. Ulesha pranë shtratit të Fatkës dhe sodisja fytyrën e saj të zbehur si dhe brengën që kishte shtrënguar djemtë e saj. Kohë pas kohe çohesha në këmbë dhe shëtisja nëpër dhomën në të cilën zvarritej qetësia. Shikoja tre vëllezërit të ulur njëri pranë tjetrit, mirëpo në fytyrat e tyre nuk vërehej as dhembje as pikëllim, sikur qëndronin pranë ndonjë njeriu të panjohur, i cili çdo çast mund të zhdukej e të mos ekzistojë, por asgjë të mos ndryshonte në jetën e tyre. U ngjanin fëmijëve të mitur që qëndrojnë ulur para vëllait apo motrës së porsalindur duke mos kuptuar se para tyre qëndronte një njeri i gjallë, e jo një lodër enigmatike e rëndomtë. Edhe natën e fundit të jetës së nënës së tyre e kalova pranë Abu Naxhehut, Sufjanit dhe Samalit. Kurrë nuk u tregova se shpeshherë, në orët e vona të natës, kur paraqitej hëna në qiellin e kaltër përplot me yje, dilja jashtë, qëndroja para kasolles sime dhe shikoja nga dritarja e ngushtë e dhomës së magjistares Fatkë. Shpeshherë afrohesha pranë dritares nga me orë të tëra shikoja nënën e tyre si i përziente lëngjet nga të cilat bënte ilaçra të ndryshme. Një natë e pash t’i puthte dallëndyshet e ngordhura; pastaj mori disa lecka, i lidhi në nyje dhe gëlltiti një copë lëkure të tharë gjarpri. Atë natë kurrë nuk do e harroj, sepse filloi të fryjë një erë e fortë nëpër shkretëtirë dhe pluhuri e mbuloi qiellin. Me vrap u nisa nga kasolle ime, i frikësuar nga ajo shtrëngatë e papritur. Kërcëlluan kapakët e dritares së dhomës së Fatkës dhe e pashë kokën e saj në dritare. Flokët ia valonte era ndërsa nga sytë e saj rrezatonte një dritë verbuese si vetëtima. Pastaj dëgjova një piskamë shurdhuese. Oh, çfarë trishtimi më kaploi asaj nate. Edhe sot e kësaj dite habitem se si i përballova atij trishtimi që përjetova pasi hyra në kasollen time...

            Kur hyra në dhomë, u ula në krevat. Papritur dikush e hapi derën. Në dhomën time hynë dy të panjohur. Ai më i riu çalonte ndërsa mjekroshi ishte me një sy.  Imzot, sa u tmerrova kur i pashë të hynin në dhomën time. As që lëviza nga vendi derisa më afroheshin. Sigurisht janë udhëtarë të largët, të cilët kanë humbur rrugën dhe duan t’i shpëtojnë kësaj shtrëngate të papritur. Filluan të më dridhen gjymtyrët. Pse frikohem, pyesja vetveten, këta duhet të jenë tregtarë të Damaskut, të cilët shkojnë në Makë të blejnë hurma dhe basma Jemeni. Kot mundohesha ta ngushëlloja veten. Mjekroshi me një sy m’u afrua pranë. Imzot sa u trishtova kur vërejta gropëzën në syrin e tij e cila pandërprerë lotonte. U ul pranë meje dhe më tha: “E shoh që je bë gati! Ke bërë mirë që na ke pritur dhe mund të nisemi menjëherë!” “Ju kam pritur!? Ku..., pse...!?”  As që pata kohë të vija në vete e lere më të sqaroja çka ishte duke ndodhur. Ndërsa ata dy as që kishin ndër mend të më përgjigjeshin apo çkadoqoft të më shpjegonin. Ai më i riu i cili çalonte me këmbët e djathtë më kapi për supesh dhe më zvarriti në oborr. Aty pash devetë e tyre si mbllaçitnin nofullat. Ishin të ngarkuara me bohçe dhe rrangalle të tjera. Ende pa kuptuara se çka po ndodhte më hipën mbi deve. Nuk bëzajta as nuk bëra ndonjë lëvizje kundërshtuese, thuajse isha bindur se nuk mund të ndërmerrja asgjë që do të më shpëtonte nga ata dy të panjohur. U nisëm nëpër shkretëtirë. Trupin ma kaploi një molisja. Çdo gjë ndodhi si në ëndërr; luhatesha i ulur mbi deve, ndërsa ata dy ecin njëri pranë tjetrit dhe diçka pëshpëritnin mes veti. Nuk më kujtohet sa kohë udhëtuam nëpër shkretëtirë. Ndoshta tërë natën, apo shumë net të bashkangjitura në një. Sigurisht kaluam rrugë të gjatë derisa erdhëm në rrëzë të një kodrine mbi të cilën fluturonin disa zogj të çuditshëm. Vërsuleshin mbi ne ndërsa unë as që kisha fuqi të mbrohesha. Isha i rraskapitur nga ai udhëtim i gjatë. Devetë e lodhura i ngjiteshin kodrinës duke luhatur qafat e gjata. Kur erdhëm në majë të kodrinës më kaploi një pikëllim; nga të gjitha anët mbisundonte heshtje dhe shtrihej shkretëtira e pafund. Lëvarej në hapësirë një heshtje trishtuese të cilën kohë pas kohe e shpartallonte krakëllima trishtuese e shpendëve grabitës që silleshin mbi kokat tona duke pritur se do bëheshim viktima të tyre. U ulëm në majë të kodrinës. Ai me një sy m’u afrua dhe më dha të pija ujë. Posa i laga buzët me atë ujë kundërmues, ma kaploi kokën një zukamë marramendëse. Imzot, çfarë lodhjeje ndjeja derisa shikoja atë zbrazëtirë që na rrethonte nga të gjitha anët. Në çastin kur bëhesha gati t’ dorëzohesha gjumit, në largësi u dëgjua një piskamë rrëqethëse. Nëpër shkretëtirë u përhap britma trishtuese e një gruaje. Ai zë shurdhues zhdukej diku larg në horizont , ku shkretëtira puçitej me qiellin përplot me yje. Gruaja e panjohur, të cilën as që mund ta vëreja, më vonë filloi të këndojë. Nuk kaloi shumë kohë dhe në fund të kodrinës vërejta një deve mbi të cilën qëndronte ulur magjistarja Fatkë e veshur me një xhybe të zezë. Deveja e saj ecte drejt nesh – ngjitej kodrinës përpjetë. “Më në fund arriti Fatka, mbretëresha jonë, zotëruesja e gjitha magjive!” – belbëzoi ai që çalonte. “O, zëri yt dehës, bukuria e vetme në këtë zbrazëtirë dhe heshtje trishtuese, mirë se na erdhe!” – klithi mjekroshi me një sy duke iu gëzuar ardhjes së Fatkës. U drejtua nga magjistarja dhe i ndihmoi të zbresë nga deveja. Me flokë të shkapërderdhura dhe me xhyben lecka-lecka, ajo i ngjante një kufome, e cila sërish është ngritur nga varri. “Edhe ti paske ardhur në kodrinën e sekreteve tona?! Do t’u tregosh djemve të mi për bukurit qe ke parë këtu?” – m’u drejtua. U ul pranë meje. As që i pengonte deveja e saj, e cila pandërprerë ia lëpinte flokët. Filloi t’i ledhatojë faqet e mia me duart e ftohta si akulli. Nga ledhatimet e duarve te saja më kaploi një molisje. U shtriva në prehrin e saj dhe më bëhej se në çdo çast do të më merret fryma dhe do ngulfatem. “Shiko mirë nga të gjitha anët dhe do të vëresh se në majë nuk ka asgjë pos krakëllimës së zogjve grabitës, heshtjes trishtuese dhe vetmisë!” – më tha Fatka. Deveja e saj tërë kohës ia lëpinte flokët dhe fytyrën. “Në u mësuam të urrejmë sepse të gjithë na urrenin! Besomë, o ti magjistare që i shëron njerëzit nga magjitë e zeza, neve na i veshën ato veti kundër të cilave gjithmonë kemi luftuar me gjak e me shpirt që  ti zhveshim nga vetvetja. Por nejse, më në fund kuptuam se pakurrizorët e ftohtë në mesin tonë, të cilët fshihen nën zallin e nxehtë të pushtetmbajtësve të huaje , një ditë do të dalin në sipërfaqe duke mos mundur të durojnë helmin që bartin me vete!” – belbëzoja duke mos ditur pse i thosha ato fjalë. Ndjeja nevojë të bërtisja. Atë edhe do e bëja sikur atë çast të mos ndodhte diçka e papritur dhe trishtuese: deveja me të cilën erdhi Fatka në majë të kodrinës  çoi kokën nga qielli dhe me dhëmbët të nxjerr jashtë lëshoi një zë rrëqethës, zë nga i cili bubulloi e tërë shkretëtira. Shpendët të cilët fluturonin  mbi kokat tona, nga frika, u ngjitën lart në qiell dhe u ngjanin pikave lëvizëse. Fatka u ngrit në këmbë dhe e kapi devenë për qafe që ta qetësonte. Deveja nuk i nënshtrohej urdhrit të pronares së vet e cila mëkot mundohej ta bindte. Vrapuan nga deveja edhe dy të panjohurit që më prunë në majë të kodrinës. Deveja e Fatkës sa vinte, gjithnjë e më shumë shqetësohej. Filloi t’i ngre lart këmbët e përparme. Sa u trishtova kur deveja e kafshoi Fatkën e rraskapitur; ia nguli dhëmbët e mprehtë në krahë dhe u lëshua kodrinës teposhtë. Zëri trishtues i Fatkës jehonte nëpër hapësirë. Edhe kukama ime u përhap nëpër shkretëtirë, por nuk kishte njeri i cili do të mund të më ndihmonte. Dy burrat e panjohur vrapuan nga ana e kundërt e kodrinës e pas tyre ia dhanë vrapin edhe devetë e tyre. Shpendët filluan të lëshohen teposhtë dhe pas pak çasteve, pendlat e tyre mbuluan majën e kodrinës ku unë qëndroja shtrirë. Krakëllinin duke fluturuar mbi trupin tim. Shikoja pluhurin në largësi, të cilin e çonte deveja e cila zvarriste Fatkën. Dënesja në heshtje duke mos pasur fuqi të mbrohem nga ata shpendë të mëdhenj e të shumtë që më vërsuleshin. Mbulova fytyrën me duar dhe rashë barkazi. Papritur filloi të fryjë një erë lehtë. Ajo puhizë, dalëngadalë u shndërrua në shtrëngatë dhe shpendët e tërbuar filloi t’i përplaste anembanë majës, mbi shkëmbinjtë e mprehtë. Kur pushoi ajo furtunë, vërejta se nga të gjitha anët e majës së lartë qëndronin shtrirë shumë shpendë të përgjakur. Nuk më kujtohet sa kohë qëndrova në majë të asaj kodrine ku nga të gjitha anët më shoqëronte heshtja dhe trishtimi, por e di se filloi të përhapej një erë e keqe nga shpendët të cilët kishin nisur të krimben...

  Të nesërmen, menjëherë pas asaj nate të tmerrshme, kur e takova Sufjanin, e pyeta se a kishte dëgjuar piskama dhe thirrje natën e mëparshme. Më shikoi i habitur dhe kurrsesi nuk më besonte përderisa i betohesha se natën e mëparshme kishte fryrë erë e fuqishme, se dy të panjohur erdhën në kasollen time dhe më çuan në majën e një kodrine ku më vonë erdhi nëna e tij, magjistarja Fatkë.

            Fatka qëndronte shtrirë në krevat asaj nate të largët dhe vetëm kohë pas kohe i çelte sytë, shikonte nga tavani dhe lehtë frymonte. Sa dëshiroja ta pyesja se a ishte me të vërtet ajo që erdhi në majë të kodrinës me devenë e vet apo ndonjë xhind që kishte huazuar fytyrën dhe pamjen e saj. Shumë vite më vonë, kur edhe mbi mua u përplas mosha e pleqërisë, në një rrugicë të errët dhe të ngushtë të Damaskut, takova një grua për të cilën isha i bindur se ishte magjistarja Fatkë. Nëse nuk ishte Fatka atëherë me siguri duhej të ishte shëmbëllimi i saj. Nuk para guxim t’i afrohesha dhe ta pyesja se a ishte me të vërtetë magjistarja e cila para shumë vitesh kishte vdekur.

            Deri sa qëndronim ulur pranë krevatit të së sëmurës, asaj nate të largët, Sufjani ma shtrëngoi dorën dhe më pëshpëriti: “Shiko!” – duke treguar me kokë nga fytyra e nënës së vet. U shtanga! Fytyra e Fatkës filloi të ndriçojë! Nëpër dhomë shkëlqeu një dritë verbuese. Leckat, lëkurat e gjarpërinjve, tri dallëndyshet e ngordhura dhe penjtë e varur në tavanin e dhomës së ngushtë filluan të luhaten. Magjistarja e hapi gojën. Dy dhëmbët e përparmë, të vetmit që i kishin ngelur në nofullën e epërme të gojës, i ishin skuqur si prushi. Nga goja e saj dilte avull të cilit i vinte një erë e keqe. Ne qëndronim të shtangur dhe të frikësuar. Asnjëri nuk kishte guxim të ngrihej në këmbë apo të ndërmerrte diçka. Pastaj e sëmura ngriti kokën, u drejtua ngadalë dhe u ul. Drita verbuese që ndriçonte nga fytyra e saj më së pari ndriçoi fytyrën e djalit të saj më të madh, të Abu Naxhehut, pastaj kokën e Samalit, atë të Sufjanit dhe më në fund, kur e drejtoi shikimin nga unë isha i detyruar t’i mbyllja sytë, sepse shikimin ma mbuloi një perde e zezë. Më kaploi një marramendje. “Tregonju fshatarëve se kjo verë do të jetë me shira, por e varfër! Të gjithë lumenjtë do të thahen! Pikat e shiut do të avullohen para se të bien mbi koren e tokës! Dhentë do të ushqehen me qengjat e vet dhe do të pëlcasin të ngira me mish e gjak! Gratë do të lindin fëmijë me stomak të hapur!” Zëri që i shqiptonte ato fjalë nuk ishte ai i Fatkës. Isha i bindur se aspak nuk i ngjante zërit të saj. Më bëhej se ato fjalë dilnin nga thellësia e murnajave të kasolles. Magjistarja Fatkë u përplas mbi krevat si e kositur. Drita verbuese që ndriçonte nga fytyra e saj u zhduk. Iu zbehën faqet, iu mavijosën buzët, frymoi rëndë dhe i lëshoi duart t’i lëvareshin anëve të krevatit. “Vdiq!” – belbëzoi Abu Naxhehu. “Më në fund i tradhtoi magjitë e veta!” – murmuriti Samali. Vetëm unë dhe Sufjani nuk thamë asnjë fjalë. Edhe më vonë, shumë vite pas kësaj ngjarjeje, mundohesha të zbërtheja pse djemtë e saj asaj nate nuk thanë asgjë tjetër, por ato dy-tri fjalë të rëndomta, të cilat nuk ishin të përafërta për të shprehur dhimbjen dhe pikëllimin për vdekjen e nënës së tyre. Shumë vite pas vdekjes së Fatkës, kur e takova Sufjanin e plakur e luta të më rrëfente për disa imsira të cilat mbetën fshehtësi e përhershme në vetëdijen time, por ai vetëm buzëqeshi, nxori nga xhepi i xhybes një papirus të vjetër në të cilin shkruante: “Njerëzit janë magjistarë të paaftë që të kuptojnë magjinë e jetës!” Po, ai takim me Sufjanin pasoi shumë vite pas vdekjes së nënës së tij, pas asaj nate kur kufomën e Fatkës e nxorëm në oborr, morëm veglat e nevojshme dhe u nisëm drejt varrezave të fshatit që ta varrosnim. “Duhet ta mbulojmë me dhe sa më shpejt!” – tha Abu Naxhehu derisa rrëmihnim varrin. Para se të agojë, kufomën e së ndjerës e lëshuam në varrin e thellë. Hodhëm pak dhe me dorë mbi kufomën e saj, mandej morëm lopatat dhe shpejt e shpejt mbuluam Fatkën në shtëpinë e saj të përjetshme.

            Edhe sot e kësaj dite qëndrojnë dy gurët e bardhë nga mermeri, të cilët i vendosa mbi varrin e saj disa ditë pasi vdiq.  Menjëherë pas varrimit, djemtë e Fatkës u larguan nga fshati. U nisën në drejtim të panjohur pa më thënë lamtumirën dhe pa më treguar se ku do të shtegtonin. Disa ditë më vonë, hyra në dhomën e Fatkës. Posa hapërova brenda, u dëgjuan disa pëshpëritje. Tri dallëndyshet, të lidhura me nga një pe të kuq për bishti me të cilin ishin varur për tavani, i lëvizën flatrat dhe flatruan jashtë. Nëpër dhomë filluan të zvarriten plotë gjarpërinj të cilët çonin kokën përpjetë dhe i hanin lëkurat e veta të thara, të cilat magjistarja i kishte mbledhur nëpër shkretëtirë deri sa ishte gjallë. Pastaj dhoma u mbush përplot me tym; leckat e shumta të lidhura në nyje dhe penjtë shumëngjyrësh filluan të digjen pa lëshuar flakë. Ato shndërroheshin në hi dhe tym. Dola jashtë i trishtuar nga ajo pamje.

            Pas disa viteve edhe unë e braktisa fshatin. I kalova shumë vite duke pritur para kasolles sime të vinte ndonjë udhëtar që ka kaluar nëpër fshatin tim të dikurshëm ku jetonte Fatka. Edhe sot e kësaj dite qëndroj shpesh herë ulur para shtëpisë së tanishme dhe me padurim pres karvanët duke shpresuar se udhëtarët e lodhur do të më rrëfejnë për fshatin tim të dikurshëm dhe se a i përballin ende kohës dy gurët e mermertë që me dorën time i vendosa mbi varrin e magjistares. Disa të panjohur më tregonin se edhe tani, në orët e vonshme të natës, nga shtëpia e Fatkës vijnë disa klithje trishtuese nga të cilat tërë fshati trishtohet dhe prandaj karvanët nuk i afrohen kurrë. Ka erdhe të atillë që mundohen të më bindin se murnajet e shtëpisë se magjistares kolliten gjatë natës si fëmijë të ftohur dhe lëshojnë thirrje të zëshme. Askujt nuk i kam treguar se magjistaren Fatkë, shumë vite pas vdekjes së saj e kam takuar në një rrugicë të ngushtë të Damaskut, sepse e di se askush nuk do të më besojë. Njerëzit edhe ashtu janë aq mosbesues sa që askush nuk mundet t’i bind as për sendet që qartë shihen. Kur ndonjëri më thotë se shtëpia e Fatkës tani është mbushur përplot me minj të mëdhenj, të cilët brejnë njëri tjetrin, unë vetëm buzëqeshi, sepse e di se ata minj janë të dërguarit e magjistares dhe se nëpërmjet tyre, Fatka tallet me njerëzit. Magjistarja e gjithëfuqishme, asaj nate të largët, derisa ne qëndronim pranë shtratit të saj, as dha shpirt as u nda nga kjo botë, por e bëri magjinë e fundit, magjinë më të vështirë në jetën e saj, të cilën kurrë më parë nuk e kishte provuar, magjinë e vetme që i kishte mbetur për ta bërë.

Komente (3 dërguar):

lule më 20 December, 2008 01:18:36
avatar
me vjen mir qe permes internetit mund te shkarkojm libra kaq te mir e faleminderoj shum shkrimtarin.
Gent më 27 December, 2008 02:52:34
avatar
Uroj shkrimtarin per çmimin e fundit "Rexhai Surroi" te marr ne Kosove. I deshiroj jete te gjate dhe suksese ne pune dhe shendet
Lumja më 29 December, 2010 10:01:43
avatar
ju pershendes dhe ju pergezoj per keto vepra madheshtore.

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Votoni këtë tekst
4.85
Tjera nga Tregime
Previous
Djaloshi që mblidhte pendë
Edhe sot në atë fshat flitet për djaloshin e bukur dhe të heshtur. Thonë se mburrej me bukurinë e vet po aq sa edhe dashuronte vetminë. Ata që e mbanin mend, me plot dëshirë presin t’i pyesësh për të. “Ja e shihni atë shtëpi të vendosur në mes të asaj lulishteje?! ...
Robi
Engjëllushja ime, i thoja, trupin ma brejnë varrë të egra. Pastaj ngrija këmishën që ta shehte njollën e zezë, e cila dita-ditës zgjerohej mbi kraharor. Në vend që t’i zgjatte duart dhe të ledhatonte varrët nga të cilat pikonte gjak i nxirë, ajo ma stërpikte lëkurën me pështymë dallëndysheje. Me kraharor të zbuluar gjunjëzohej pranë kokës sime....
Lulehëna
Të thuash se është lule që nuk u ngjan të tjerave, nuk mjafton. Të thuash se është lule mbi gjithë lulet e tjera, ndoshta bën gabim, sepse kush është ai që i njeh të gjitha llojet e luleve. Do të duket sikur pohon se ndonjë njeri është mbi të gjithë të tjerët me bukurinë apo mençurinë e vet duke mos mbajtur llogari se edhe e bukura, si të gjitha veçoritë e tjera, është diçka që nuk ka shëmbëlltyrë e me ndihmën e të cilit do të konstatohej e përsosura, kulmorja, ajo që do të mund ta bartte emërtimin - bukuri mbi të gjithë të tjerat...
Shtëpia në fund të fshatit
Shtëpinë në fund të fshatit e rrethonte një avlli e lartë dhe kullosa. Porta e lartë prej druri, vite me radhë qëndronte e kyçur me një zinxhir të ndryshkur. Vetëm zhapinjtë ishin ata që përbiroheshin nëpër vrimat e avllisë apo të çarat e dërrasave të portës dhe hynin e dilnin nga oborri i asaj shtëpie, që moti, të braktisur dhe të mallkuar nga të gjithë fshatarët....
VDEKJA E MAGJISTARES
Ne që qëndronim ulur pranë shtratit të së sëmurës ishim të bindur se ajo ishte nata e fundit e plakës Fatkë. Kohë pas kohe i çelte sytë dhe shikonte tavanin dhe fytyrat tona, të cilat i ndriçonte drita e zbehtë e llambës së vajgurit. Fytyrën e kishte të zbehur, buzët të mavijosura. Frymonte lehtë. Çarçafi i bardhë me të cilin ishte e mbuluar, ngadalë dhe shumë rrallë ngrihej mbi kraharorin e saj në çastet kur merrte frymë lehtë. ...
SHTATË KROJET
Nëse niseni ndonjëherë për në Haleb dhe shkoni rrugës që lidh këtë qytet me vendbanimin Rehanlë, mos e lini pa vizituar Shtatë Krojet. Sidomos nëse udhëtimi juaj përputhet me ditën e Shëngjergjit. Që të mos shëtisni andej-këndej dhe që të mos lodheni duke pyetur kalimtarët e rastit, të cilët pyetja se ku ndodhen Shtatë Krojet edhe mund t’i bezdisë - me çka fare nuk shprehin mosdurimin ndaj të panjohurve dhe ardhacakëve të huaj, por frikën se vizitorët e shpeshtë mund t’i dëmtojnë këto gurra me bukuri përrallore dhe me ca tipare të veçanta, të cilat njerëzit e kësaj ane i mbajnë si shenjtëri më të larta që përcaktojnë fatin dhe jetën e tyre - do të mundohem t’jua përshkruaj vendin ku ndodhen, që të mund të gjeni pa bredhur dhe pyetur njeri për këtë vend i cili qëmoti është bërë i dëgjuar anë e mbanë botës. ...
PESHKU EKSTASIS
E di se pak janë ata që kanë pasur rastin të shohin ndonjë peshk Ekstasis nga vetë shkaku se këta peshq janë aq të rrallë sa që mund të numërohen në gishtat e një dore. Prandaj do të mundohem ta përshkruaj sa më hollësisht. Peshqit Ekstasis jetojnë në kushte të veçanta; në ujë plotësisht të pastër, që do të thotë nëpër ata lumenj shtratin e të cilëve nuk e ka prekur asgjë tjetër pos dorës së natyrës. Nuk durojnë as ndotësirën më të vogël e lëre më ato papastërtitë e shumta që kohëve të fundit i hasim nëpër lumenjt....
DITA E SHËNGJERGJIT
Ndodhitë e çuditshme ia nisën në mes të dimrit, atë natë kur ia filloi të reshurit e borës, e cila për pak kohë i mbuloi rrugët dhe pullazet e shtëpive të fshatit. Gjatë tërë natës nuk u dëgjua asnjë lehje qensh e as vaji i fëmijëve. Në mëngjes, gjelat nuk kënduan si rëndom, thuajse kishin gabuar kohën apo kishin harruar këngën e tyre. ...
ODA E BURRAVE
Sikur të doja ta vë veten në rolin e tregimtarit mendjemadh, këtë rrëfim do ta nisja me përshkrimin e rrugës përplot kthesa që shpie drejt fshatit. Pra do të duhej të bëja një ritregim të gjërave që lehtë mund t’i paramendon pa ua treguar njeri, do merresha me shpjegime nga ato të mërzitshmet që i praktikojnë shkrimtarët kur përshkruajnë ndodhi të ndryshme që u kanë rastisur aty këtu në thellësitë e kohës së kaluar dhe në hapësira të ndryshme, duke menduar se rrëfimi i tyre do të zgjojë kureshtjen tuaj, apo edhe duke gënjyer vetveten dhe të tjerët me zbukurime të ndryshme të dala nga punëtoria e palodhshme e imagjinatës, gjë që më së miri i shpalos të vërtetën se shpeshherë ata përshkruajnë të kaluarën për shkak se ajo, e kaluara, krahasuar me të tashmen, lejon ta stolissh me gënjeshtra aq të mëdha të cilat fillojnë të tingëllojnë bindshëm edhe për vetë trilluesin e tyre....
Next