Back

Rruga e Bashkimit

Të premten, më 18 maj pas Tiranës dhe Prishtinës, një tjetër kryeqendër shqiptare nderoi themeluesin e Top Medias, Dritan Hoxha. Një rrugë në qytetin e Tetovës në Maqedoni, nga e premtja që kaloi e në vazhdim do të mbajë emrin e Tanit, rruga “Dritan Hoxha” ose “Rruga e Bashkimit”. 

Themi “Rruga e Bashkimit” sepse emri i Dritan Hoxhës bashkon shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në gjithë Europën e përmatanë Atlantikut nëpërmjet krijesës së tij, Top Medias, e vecanërisht Top Channel, i cili sic thotë analisti shqiptar në Shkup, Kim Mehmeti është krenaria e gjithë shqiptarëve në Maqedoni. 

Emërtimi i rrugës me emrin e themeluesit të Top Medias ishte një nismë e Komunës së Tetovës, e hedhur në votim në Këshillin e Komunës ku u miratua me votat e të gjithë këshilltarëve. Në ceremoninë e përurimit të rrugës morën pjesë Presidentja Vjollca Hoxha dhe drejtues të tjerë të lartë të Top Medias.

Sa të bashkuar ndjehen shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve? Çfarë i shqetëson ata në 100 vjetorin e shtetit shqiptar? Këtyre dhe shumë pyetje të tjera, u rrek t’u japë përgjigje emisioni Shqip në Top Channel, që këtë të hënë zbriti në Tetovë, marrë shkas nga ceremonia e emërtimit të rrugës “Dritan Hoxha”. 

Të ftuar ishin publicistët, Daut Gumeni e Kim Mehmeti, historiani Pëllumb Xhufi, deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca dhe kreu i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti. 

Kreu i Komunës tregoi disa detaje, se si lindi si ide e si u materializua emërtimit i rrugës, që nga miratimi në Këshillin Bashkiak, e deri tek zbulimi i pllakës në ceremoni nga kryetari i komunës, Sadi Bexheti dhe Presidentja e Top Medias, Vjollca Hoxha.

Zoti Bexheti tha se propozimi u miratua me votat unanime të Këshillit të Komunës sepse Dritan Hoxha është emri që bashkoi shpirtërisht të gjithë shqiptarët.

Për historianin Pëllumb Xhufi i ka dhënë shqiptarëve një ofiçinë të përpunimit të mendimit politik dhe ekonomik: Dritan Hoxha i ka dhënë shumë gjëra shoqërisë shqiptare, i ka dhënë një ofiçinë të madhe të përpunimit të mendimit politik dhe ekonomik. Top Channel ka qenë në pararojë duke marrë pozicionet në oponencë me të keqen, sidomos kur ajo është në pushtet. Ajo që i jam mirënjohës është profesioni, në mënyrë origjinale televizioni u shndërrua në pikë referimi për të gjithë shqiptarët. 

Për analistin shqiptar të Maqedonisë, Kim Mehmeti Dritan Hoxhës është një parantezë e së ardhmes:  Figura e Tanit na frymëzon për të ardhmen, një emblemë për shqiptarët në Maqedoni që mburren me Top Channel. Duhet të shohim se si mendojnë kokat tona në një piedestal të përbashkët, jo copa-copa, jo të ndara. Tani krijoi standardet e mediave shqiptare, bashkoi kokat shqiptare, ecte para kohës. Duhet të mësohemi të identifikohemi me vlerat tona, këto janë më të rëndësishme. Unë mburrem që jam pjesë e këtij projekti. 

Për publicistin Daut Gumeni Dritan Hoxha është njeriu që kapërceu kufijtë, një njeri që thyen barrierat, njeriu që bashkoi shqiptarët. 

Por sa të bashkuar janë shqiptarët në këtë 100 vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar? Si po i kundërpërgjigjen ata “agresionit” politik dhe ekonomik të fqinjëve apo popullsive të tjera në Ballkan? 

Për të ftuarit, ajo që ka penalizuar historikisht e po vazhdon të penalizojë bashkimin e shqiptarëve, është politika. Politika në Tiranë, Prishtinë, Shkup e kudo e cila sipas tyre, më parë shikon pushtetin e masandaj shtetbërjen, politika që nuk ka ditur, (ose s’ka dashur) të menaxhojë situatat në favor të shqiptarëve./TCH