Back

Kim Mehmeti: Si e mbaj mend Shqipërinë e vitit 1991 dhe pse m'u dhimbs më 1997

Intervistoi gazetarja Fatmira Nikolli 

Kimi na rrëfehet ngadalë. Ka një botë të tërë në vetvete e kujtime pa fund. Nis të kujtohet për fëmijërinë kur kënaqej se do shkonte në Shkup, e flet më tej për ditët e sotme, kur mezi pret të ikë nga Shkupi i deshqiptarizuar! Në këtë intervistë të gjatë, ai sjell në vëmendje momente te ndryshme të jetës së vet, Shqipërinë që s’e njihte para 1990-ës, më tej Shqipërinë e vitit 1991, atë të 1997-ës, e po ashtu atë të sotmen, ku blu-roza ia humb asaj kuqezinë! Nuk lëmë jashtë vëmendjes as letërsinë e Mehmetit, por gjithashtu publicistikën, këto të dyja e dyzojnë Kimin. Ai jep mesazhe politike, por edhe i duke se ia çjerr asaj maskën kur thotë se politika ka ngjyrë kombëtare atë të euros e ideal paranë… 


 Sa ka ndryshuar të jetuarit në Shkup, që nga fëmijëria juaj e deri tani? 


Kam lindur në një fshat në hyrje të Shkupit. Aty kam kaluar fëmijërinë, rininë dhe ende jetoj aty edhe pse kam shtëpi edhe në një lagje nga më të bukurat të qytetit, por e cila me asgjë nuk mund ta zëvendësoj paralagjen pranë lumit Treska ku kam lindur. Dikur shkuarjet në Shkup ishin ditë festive për ne si fëmijë, e tani festa më fillon kur dal nga ky qytet, kur më mbaron orari i punës dhe mund t’i kthehem qetësisë së fshatit, lumit dhe kodrinës ku shpesh dal e shëtis. Mbase asnjëherë në mua nuk u hesht nervi i katundarit, ndjesia për hapësirë, për natyrën. Pastaj Shkupi sot është i shfytyruar, është një qytet ku ke ndjenjën se atë e rregullojnë fëmijë me probleme mentale, të cilët çka shohin në ëndërr, duan ta ndërtojnë nëpër sheshet e tij. Për shembull, qendra e tij e dikurshme përplot gjelbërim dhe e bukur, tani ngjan me një “diznilend” qesharak, është një hapësirë ku janë ngritur me dhjetëra përmendore gjigante, në mesin e të cilave edhe ajo e Aleksandërit të Madh, e lartë mbi 50 metra, e të cilën për ta parë si duket, duhet të fluturosh me diçka mbi të, apo të ngjitesh në Kalanë e Shkupit ku Gruevski ka ndërtuar një kishë. Kështu që Shkupi ngadalë shndërrohet në qytet – Përmendore, qytet ku vetëm shpendët janë fitimtarë: kanë më shumë vende ku të ndalen e t’i stolisin përmendoret me glasa. Dhe për fat të keq, ne shqiptarët e lejuam që ky qytet të deshqiptarizohet, që kjo qendër e rëndësishme shqiptare t’i humb të gjitha shenjat njohëse të shqiptarisë, e tani të ketë vetëm emblemën e ëndrrës së madhe të popullit maqedonas, elitat e të cilit ende janë në gjurmim të paraardhësve të tyre. Dhe në këtë gjurmim të sipër mund të ndodh që një ditë të shpallen pasardhës të ilirëve, me çka do duhet t’i rrënojnë përmendoret që ndërtojnë sot, për t’i ngritur ato të zbulimit të tyre të ri. 


Si është raporti yt personal me realitetin atje dhe raporti yt si shkrimtar me atë që po ndodh. Kemi parasysh se si publicist jeni ne ‘konflikt’ me atë që ndodh e si shkrimtar prej ngjarjeve ushqeni letërsinë? 


Jam kujdesur që politika e ditës të mos jetë brumë për letërsinë time, ngaqë e di se ai është brumë helmues, që të bënë të shkruash pamflete politike e jo të bësh art. Mbase edhe ia kam arritur që të mos banojnë në të njëjtën shtëpi krijues e publicist në mua, gjë të cilën të tjerët mund ta vlerësojnë. Është e vërtet, si publicist jam në konflikt me realitetin këtu, por si krijues jam në harmoni të plotë me botën krijuese që ndërtoj. E pranoj: nuk është e lehtë të jetosh i dyzuar, por jo edhe e pamundur. Deri sa nuk dëmtojnë njëri-tjetrin, unë ndjehem mirë si vrojtues e vlerësues i rrjedhave shoqërore në shoqëritë shqiptare dhe nga ana tjetër, si ndërtues i botës sime krijuese. Publicisti në mua është ai që nuk don të heshtë kur duhet thënë qartë mendimi, e shkrimtari në mua është ai që don t’i mbetet besnik boshtit të identitetit tim të vërtet që jam. Pra, unë jam vetëm krijues. Publicisti në mua është ai që bënë detyrën qytetare që i bie në hise ta bëjë, ai thotë atë që mendon se duan ta thonë shqiptarët e mi në Maqedoni, por askush nuk ua ofron mikrofonin apo askush nuk bënë intervista me ta. Do ishte mëkat që të mos e përdorja mundësinë që më jepet, e të mos e them atë që shumë të tjerë do e thoshin mbase edhe më mire se unë, por nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë. 


Sa arrin të depërtojë letërsia juaj ne Maqedoninë e disa etnive? 


Rrethanat jetësore më çuan që qysh në fëmijëri t’i mësoja gjuhët e sllavëve të jugut. Unë shkruaj edhe në gjuhën maqedonase dhe në atë që sot është ndarë në katër gjuhë e që quhet gjuhë kroate, serbe, boshnjake e malazeze. Shumë nga veprat e mia edhe janë botuar në këto gjuhë si dhe në disa gjuhë tjera. Çdo shkrimtari i mjafton gjuha e tij amtare dhe vepra e mirë gjen rrugën që të bëhet pjesë e bibliotekave tjera nacionale. Por, ngaqë kam pasur mundësinë që të shkruaj në gjuhët që përmenda, dikur në rini, kur kisha më shumë kohë e më shumë entuziazëm, shumë vepra i përktheja e i botoja në ato gjuhë. Tani nuk kam as kohën e duhur, as entuziazmin e dikurshëm, andaj më mjafton t’i shkruaj e t’i botoj në gjuhën amtare. Tani më shumë më lumturon ajo se librat e mi qarkullojnë në tërë hapësirat shqiptare. Në Maqedoninë shumëgjuhësore ende nuk njihet sa duhet gjuha e njerëzores, andaj edhe është e tepërt të presësh që këtu të vlerësohet diçka që nuk ka shenjën etnike maqedonase. Por kjo mua nuk më pengon. Përpos veprave të mia, unë kam përkthyer në gjuhën maqedonase edhe disa vepra nga letërsia shqiptare si dhe “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Doja që këtë libër të rëndësishëm të kulturës dhe traditës sonë t’ua ofroj për lexim bashkështetasve të mi maqedonas, që të shohin se populli im ka njohur rend të definuar shoqëror edhe në kohët kur të tjerët janë prirë vetëm nga instinkti i mbijetesës. Pastaj doja që këtë kanun aq të shtrembëruar nga propaganda antishqiptare e Beogradit, të kenë mundësi ta lexojnë ata që duan ta dinë të vërtetën. Përkthimin e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” ia kisha vënë për qëllim vetvetes që në rini dhe për përkthimin e tij kam investuar plot tre vite. Me këtë përkthim mburrem po aq sa me cilindo libër timin. 


Përse jeni vendosur gjithmonë në një krah opozitar mbi atë që ndodh në Maqedoni? 


Unë kam miq mes politikanëve, unë e çmoj këtë veprimtari, kam përkrahur koncepte politike, duke besuar se mund të bëhet ndonjë e mirë për të gjithë popullin tim, por kur kam vërejtur se gjërat devijojnë, kur kam parë se çdo gjë është gënjeshtër, jam tërhequr. Pastaj, gjithmonë jam kujdesur që mos t’i personalizoj gjërat, që të mos më prijnë pakënaqësitë personale, por ato që kanë të bëjnë me popullin tim. Unë e di se është lehtë t’i gënjesh të tjerët, por asnjëherë nuk e kam kuptuar se si njeriu mund ta gënjej vetveten, si do kisha mundur vetëm hir ndonjë interesi personal ta bind vetveten se në një Maqedoni, ku çdo gjë varet po aq sa edhe nga maqedonasit etnik, të lejosh që fati yt të varet nga vullneti i elitave politike maqedonase. Unë nuk përbuz popuj, por për mua është përbuzëse të lejosh që një grusht popull të të nënshtrojë, për mua është e turpshme që ne si shqiptarë, që përbëjmë tridhjetë për qind të popullatës së Maqedonisë, të qajmë e të ankohemi se diçka nuk na japin maqedonasit. Dhe jam pyetur shpesh se si është e mundur diçka e tillë dhe kam ardhur vetëm deri te një përgjigje logjike: se politikanët tanë nuk mendojnë fare për popullin, se ata popullin e përdorin si shkallë për t’u ngjitur drejtë pasurisë personale, se vuajnë të dalin nëpër TV ekrane e gazeta. E mua kjo nuk më nevojitet, ngaqë jam më i pasur seç kam pretenduar, jam më prezent nëpër media seç dëshiroj, andaj si mundet të mos bëjë të vetmen që më mbetet: të them hapur se politikanët shqiptarë kudo që janë, kanë vetëm një ideal – atë të parave, se ata njohin vetëm një ngjyrë kombëtare – atë të euros. Në këtë jam aq i bindur aq sa mua më kap e vjella kur i dëgjoj politikanët tanë të flasin për të mirën e popullit. Të merremi vesh, unë nuk jam engjëll. Shpesh e them: askush nuk i do paratë dhe gratë më shumë se unë. Por është urtësi mbi gjitha urtësitë tjera, ta bindësh veten se të takojnë vetëm paratë e fituara me djersë dhe ta dish se gratë që sheh rrugëve kanë burrat e tyre e nuk të presin ty. Duke e kuptuar këtë qysh si i ri, unë kam dal në kurbet që të fitoj e të ndërtoj shtëpinë time. Qysh si i ri e kuptova se pavarësia materiale t’i mundëson gjitha pavarësitë tjera. Andaj ne kemi politikanë të varfër, që duan ngutshëm të pasurohen, ne kemi elita tjera, që gjithashtu duan sa më shpejt t’i arrijnë të gjitha begatitë materiale dhe kështu janë të detyruar t’u nënshtrohen qarqeve që të mundësojnë pasurim të ngutshëm. Andaj edhe përballemi me absurdin, që sa më i madh është numri i atyre që pohojnë se punojnë për të mirën e këtij populli, ky popull e ka gjithnjë e më keq. Shpesh them: neve na u bënë prijës edhe ata që nuk kanë pretenduar të bëhen as drejtues kooperativash bujqësore, për fatin e popullit tonë vendosin edhe njerëz që as familjarët e tyre nuk do e kishin lënë fatin e vet në duart e tyre. 


Shqipëria ka qenë përherë për ty një lloj ëndrre drejt së cilës rendje pa fund. Më intereson të di fillimin e kësaj ëndrre? Si e përjetove? Cilat qenë vizitat e para? 


Shqipëria ishte ëndrra e gjithë neve që jetonim nga kjo anë e kufirit. Ajo ishte boshti edhe i gjitha ëndrrave të mia. Dua të pranoj hapur: kur filloi të bie socializmi, më bëhej se një gjë e tillë është e pamundur të ndodhë në Shqipëri. Herë-herë më bëhej se kurrë nuk do e shoh Tiranën, se kurrë nuk do kaloj përtej maleve që i shihja nga Struga apo Ohri. Erdha në Shqipëri në vitin 1991, kur këtu çdo gjë për mua ishte irracionale, e paimagjinueshme, mbase shkaku se mëmëdheun e paramendonim si një parajsë në të cilën jetonte pjesa e lumtur e popullit tonë. Dhe e pranoj: gjatë vizitës së parë kam qëndruar një javë në Shqipëri dhe tërë kohën ndjeja dhembje për popullin tim që kishte jetuar në mëmëdhe. Assesi nuk mundesha ta pranoja se për shumëçka, dilte se ne matanë kufirit kishim pasur fat. Në mos më shumë, shkaku se unë u rrita me pasaportën në xhep dhe sa herë që më kujtohej, i ngjitesha trenit e shkoja në Trieste apo Stamboll ku blija gardërobën e duhur, e kthehesha në Shkup. Kjo ishte pjesa e dhembshme e ëndrrës sime për mëmëdheun, kur pash Shqipërinë të zhytur në një varfëri që nuk e kisha parë deri më atëherë as në botën arabe që e kisha shëtitur. Kur u takova me shkrimtarët që kisha ëndërruar ti shoh, kur pashë se në çfarë varfërie ata jetonin, çdo gjë më ngjante në diçka joreale. E tëra ajo për mua ishte shumë e dhembshme, por ëndërruesit e mirë nuk lejojnë asgjë t’ua lëndojë ëndrrën: më besoni, që atëherë e dija se mëmëdheu do shkojë përpara. Hera e dytë kur kam ndjerë po të njëjtën dhembje, ka qenë gjatë ngjarjeve të vitit 1997. Sa do që nuk e besoni, ndjehesha si fëmija para të cilit e dhunojnë nënën tij, nënën me të cilën ai është mburrur. Unë nuk them se e kam pasur më rëndë se ata që e vuanin drejtpërdrejt atë që ndodhte këtu, por ua them sinqerisht se ka diçka që ma ka borxh Shqipëria: jam katundar dhe kurrë nuk kam lejuar të më rrjedhin lot përpara gruas dhe fëmijëve. Por kjo ka ndodhur një ditë të vitit 1997, kur nga ekrani televiziv dëgjoja një mjeke si i luste shqiptarët të mos vriten mes veti. 


Herë-herë duket se ka ndryshuar rendja mbas kësaj ëndrre…Përse? 


Njeriu rend pas ëndrrës përderisa atë nuk e ka bërë jetë. Tani unë jetojë në gjitha “Shqipëritë” tona. Kur nisem për në Tiranë, nisem si ai që shkon në kryeqytetin e vet, nisem si ai fëmija që dikur nisej për në Shkup. Pastaj unë ndjehem krijues i mëmëdheut tim, këtu botohen librat e mi, punoj për “Top-Channelin”, jam pjesë e jetës së këtushme dhe e çdo hapësire tjetër shqiptare. Andaj s’kam më çka të ëndërroj. Atë që ëndërroja tani e jetoj. Më në fund tani jam në moshë kur ëndrrat pakësohen, njësoj siç zvogëlohet edhe entuziazmi. 


Si ndryshoi raporti yt me Shqipërinë? Përse u bëre kritik? 


Raporti im me Shqipërinë tani është më i plotë. Unë nuk jam kritik ndaj Shqipërisë, por ndaj garniturave të këtushme politike të cilat mëmëdheut tim ia harxhojnë të sotmen, e ia ngatërrojnë hapin drejt të ardhmes duke u marr me grindje të pakuptimta. Jam kritik ndaj elitave të këtushme politike të papërgjegjshme ndaj popullit tim që jeton në mëmëdhe dhe pjesës tjetër që jeton jashtë kufijve. Nuk mund të mos e them se ata që ndajnë Shqipërinë në “rozë” e “blu”, ia shlyejnë asaj “kuq e zinë” me të cilën krenohet shqiptaria. Kolegët maqedonas, nga dy here në ditë më thonë: nëse ju shqiptarët e këtushëm ankoheni se ne jemi shkak i grindjeve tuaja ndërpartiake, atëherë ç’dreq i mallkuar i pengon bashkëkombësit tu në Shqipëri që të merren vesh mes veti? Kuptohet, mua më vjen inat e nuk ua them atë që di: se partiakët e shtetit tim amë, nuk grinden për të mirën e popullit, por çdo gjë masin me thellësinë e xhepit të vet. Më vjen inat atyre t’ua pranoj atë që di: se partiakët e mëmëdheut tim, Shqipërinë e konsiderojnë si pronë të tyre, se ata më parë do lejonin të shkatërrohet shteti se sa dikush t’ua merr pushtetin apo të mos i lejojë të vijnë në pushtet. Dhe shpesh ndjehem keq kur shoh se zgjedhjet parlamentare në Maqedoni marrin fund dy orë pasi mbyllet kutia e fundit e votimit, e në Shqipëri, numërimi zgjat me vite. E di, kjo ndodh shkaku se në Shqipëri u privatizua edhe populli, shkaku se partitë e atjeshme, si edhe të gjitha tjerat në hapësirat shqiptare, janë si kompani private të kryepronarit që atë drejton dhe të aksionarëve tjerë që nxjerrin përfitime. 


Si e sheh identitetin e shqiptarëve në Ballkan? 


“Kuq e zia” shqiptare kurrë nuk ka qenë kaq e dukshme në Ballkan e në botë sa sot. Por, gjithashtu ngjyrat tona etnie kurrë nuk u kanë penguar të tjerëve aq sa sot. Andaj edhe ndodhin absurde të hapen tema për çështjen e identitetit, të gjuhës. Ne duhet ta dimë se në të gjitha kohët ka pasur mes nesh budallenj që mendojnë se çështja e identitetit është punë sezonale, se identiteti korrigjohet e ribëhet varësisht nga dëshira e ndonjë grupi budallenjsh, që duan të kenë shtetin dhe fjalorin e vet. Identiteti shqiptar është definuar si një dhe gjithëpërfshirës për të gjithë që bukës i thonë bukë e ujit ujë, qysh në kohën e Rilindjes. Por duhet ditur: ka njerëz që ende jetojnë në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe ka “rilindës” të vonuar që janë të gatshëm të heqin dorë edhe nga emri i nënës së tyre vetëm që mbiemri t’u mbetet i shënuar në librat e historisë. E ata nuk e dinë se në librat e historisë ka më shumë emra idiotësh që i kanë bërë keq vetvetes e njerëzimit, se sa emra të atyre që e kanë ndritur popullin e vet dhe botën me veprat e tyre. 


Një nga ngjarjet më të bujshme në Shkup është ardhja e statujës gjigante të Aleksandrit të madh. Ajo qe e ndarë në pjesë, ndërkohë vetë origjina e tij pretendohet herë e plotë e herë në pjesë nga disa shtete…. 


Maqedonia është shtet që i ngjan një are të arnuar nga pjesët e mbetura të shteteve fqinje. Këtu çdo gjë duket e ndarë në pjesë, njësoj siç është e pjesshme edhe historia e popullit maqedonas. Mua më vjen keq për bashkështetasit e mi maqedonas, të cilëve elitat politike ua ndërrojnë historinë çdo katër vite. Por, më shumë më dhimbset vetvetja kur shoh se edhe ne shqiptarët e këtushëm mbetëm peng i krizës së identitetit që kanë maqedonasit, se edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë të tjerët shërojnë komplekset e veta, e ndërtojnë përmendore të larta deri në qiell, duke menduar se ashtu do dëshmojnë se edhe qielli edhe toka e këtyre hapësirave ka vetëm shenjën e etnitetit maqedonas. E di se toka e qielli nuk kanë përkatësi etnike, njësoj siç e di se është pafalshme për elitat tona të këtushme politike shqiptare, që lejuan një Gruevski të tallet me ta dhe nga paratë e shqiptarëve ta ndërtojë të kaluarën maqedonase. Këtyre që janë sot shokë Gruesvkit, kurrë nuk do u falet ky mëkat që i bënë popullit të vet. 
Aleksandri është i Shqipërisë, i Greqisë apo i Maqedonisë? Pse vrapojnë ballkanasit pas miteve? 
Në Ballkan vlen parimi: pas vdekjes së ndonjë njeriu të vyeshëm të gjithë shpallen dajallarë të tij. Dhe duke mos qenë të gjithë kushërinj të parë, për shembull të Aleksandërit të Madh apo të Skënderbeut, ballkanasit fillojnë të gjurmojnë rrënjët familjare të tyre, duke arritur deri te Hava dhe Ademi, vetëm që të dëshmojnë se ata janë të gjakut të tyre. Me çka, ballkanasit ndërlidhin “gjakun me tokën”, me çka gjithmonë jetojnë në puset e thella të së kaluarës ku mbisundon errësira. E në errësirë gjërat edhe të fanitjen, të trishtojnë të bëjnë t’i shohësh të deformuara. Por gjithashtu, errësira të mundëson që të tjerët mos të të shohin qartë, andaj edhe popujt e Ballkanit duan të mbeten në baltën e puseve mitike, ngaqë ashtu vetëgënjehen se e kaluara është e saktë e sotmja gabim që ua kanë bërë të tjerët. Popujt e Ballkanit të gjithë njësoj ndjehen të dëmtuar nga e kaluara, por nga ana tjetër e adhurojnë të kaluarën dhe më besnik i janë asaj se sa të sotmes e të ardhmes. E kjo është veti e kolektiviteteve që asgjë nuk kanë përjetuar natyrshëm, që çdo gjë është zhvilluar mes ëndërritjeve dhe të mundshmes. 


Së fundmi jeni angazhuar edhe më shumë në çështjen kombëtare. Përkujtimi i përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e bëri më të qarte. A jeni ju për Shqipëri etnike? 


Unë nuk e di si bashkohen tokat, por e di se para së gjithash duhet bashkuar njerëzit. Tokën vetë Zoti e ka lidhur mes veti, ajo u takon atyre që ecin mbi të, atyre që ushqehen nga dheu i saj. Njerëzit janë ata që duhet bashkuar dhe nga ky kënd shikuar, unë jam për bashkim të shqiptarëve. Jo tani, po ka vite që e përsëris se shqiptarët duhet të veprojnë bashkërisht drejtë qëllimeve që nuk janë kundër të tjerëve, që janë shumë pro-evropiane, që çojnë drejt arritjes së cakut të përbashkët. Nëse është kombëtarizëm të duash popullin tënd, e mos i urresh të tjerët, atëherë unë që nga lindja kam qenë i tillë. Nëse është kombëtarizëm të veprosh individualisht, por gjithmonë duke ndihmuar edhe arritjet kolektive, atëherë unë gjithmonë kam qenë e do mbetem i tillë. Për mua Shqipëri është çdo kund ku jam unë, e ku tymon oxhaku i familjes sime. Ne si shqiptarë mund edhe të pranojmë të jetojmë në më shumë “shtëpi” të Ballkanit, por duke mos lejuar që dikush të dëmtojë “kopshtin” tonë të përbashkët dhe duke mos mundur askush të pengojë komunikimin tonë si një popull i njëjtë, kudo që jeton. Andaj, më është e çuditshme, ta zëmë, si mundet Kosova e Shqipëria të mos kenë sistem të unifikuar arsimor, juridik etj. Apo si mundet fëmijët tanë të mos mësojnë nga i njëjti libër i historisë, letërsisë, si mundet të mos kemi abetaren e përbashkët. Ja këto janë sferat ku unë hapur, duke ua kumtuar këtë edhe maqedonasve, jam angazhuar e do angazhohem.


Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan? 


Mendoj se në Ballkan ende nuk ka marr fund vizatimi i hartave shtetërore. Gjithashtu jam i bindur se ka ardhur koha për një bashkëveprim mes shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Edhe atë jo për të vizatuar harta të reja, por për të thënë hapur se në Ballkan nuk mund të ketë ri-vizatim hartash pa u pyetur shqiptarët. Më në fund, në këtë Ballkan shumëçka nuk varet nga ne dhe nëse dikush mendon se zgjidhje do jetë ri-vizatimi i hartave të reja shtetërore, ne s’kemi pse i ikim dhe nuk do mund t’i ikim kësaj mundësie. Do mjaftojë të jemi të qartë e të themi se pranojmë çdo logjikë, nëse ajo vlen për të gjithë. Për shembull, nëse do pranohej korrigjimi i hartave të Ballkanit sipas logjik&e