Back

Kim Mehmeti: Piktori është prodhim i tri dekadave të shkuara, që në Shqipëri prodhuan shumë pleh, grindje dhe ligësi politike

Nga Kim Mehmeti

Piktori shkoi në Bruksel siç shkojnë gjithë të vetëpëlqyerit, siç shkojnë ata që politikën e kanë kuptuar si diçka që të bënë të dukesh më i madh seç je.

Piktori shkoi në Bruksel si ai që nuk ka hallin e popullit dhe vendit që përfaqëson, por vetveten dhe fatin e vet politik.

Piktori shkoi në Bruksel i bindur se e edhe atje ndërtohet karrierë politike me batuta dhe me gënjeshtra, dhe duke besuar se Brukseli kishte nevojë për një zbavitës të oborrit.

Piktori besonte se edhe të huajt, njësoj si ne, vonë do e kuptojnë se ai dinte të sundoj por jo edhe të ndërtojë shtet dhe se, më të rëndësishme e kishte hapjen e ekspozitave të veta sesa çeljen e rrugëve drejtë të ardhmes më të mirë për vendin e popullin e vet.

Dhe kuptohet, duke e gënjyer vetveten se është duke e shalëruar kalin e bardhë të politikës rajonale e madje edhe evropiane, ai e detyroi Brukselin në mënyrë më vulgare t’i tregonte se ishte vetëm një hero mbi gomar.

Por në gjithë këtë rrëfim ka diçka që është tragjike për shqiptarinë e për Shqipërinë, e jo për Piktorin: ai me sjelljen e vet të cirkuzantit, Shqipërisë ia harxhoi tetë vite.

Dhe e bëri shtet i cili sot nuk e vuan vetëm hallin pse si të tillë nuk e do Evropa, po pse nuk e duan as të rinjtë shqiptarë, që e braktisin për të mos u kthyer kurrë më.

Pra me destruktivitetin e vet politik, ai e defaktorizoi shqiptarinë në përgjithësi dhe i kënaqi ata që e dëshirojnë ngecjen ton.

Po pra, në gjithë këtë rrëfim ka diçka që duhet t’i përshkruhet Piktorit si ‘merita’ më madhore: me sjelljen e vet vasale ndaj Beogradit, ai shqiptarinë e pru thuajse aty ku ishte në kohën e Titos, kur edhe marrëveshjet tona brendakombëtare, duhej t’i verifikonte Beogradi.

Sidoqoftë duhet pranuar edhe të vërtetën se Piktori është prodhim i tri dekadave të shkuara, e që u emëruan si demokratike, tri dekada gjatë të cilave në Shqipëri u prodhua shumë pleh, grindje dhe ligësi politike.

Pastaj, ajo periudhë prodhoi edhe një armatë njerëzish që e shijuan grazhdin e shtetit dhe që u bindën se politike është biznesi më fitimprurës, ku i fiton të gjitha pa investuar asgjë dhe pa rrezikuar asgjë.

Shqipëria gjatë këtyre tri dekadave të shkuara prodhoi një armatë njerëzish që besojnë se partia ty ta shton vlerën, e jo ti partisë.

Andaj sot Shqipëria e ka të vështirë të çlirohet nga ata që besojnë se ajo ende u ka borxh, nga ata që politikëbërjen e kuptojnë si veprimtari ku sa me të dëgjueshme e më të zbrazur e ke kokën, aq më të mbushur do e kesh xhepin.

E plehu si dhe ligësia politike kurrë nuk është prodhuar aq shumë sa gjatë shtatë viteve të shkuara sa Shqipërinë e sundon ‘Rilindja’ e Piktorit.Pra Piktori dhe ‘Rilindja’ e tij lanë pas vetes grumbuj plehrash si dhe shumë ligësi politike. Dhe dihet, mbi grumbujt e plehut kurrë nuk mbijnë lule, por vetëm thera.

Dhe nuk është e qartë nëse partitë e reja që po themelohen kohëve të fundit kanë mbirë mbi ndonjë plehërishte të ‘Rilindjes’, por sado njeriu të jetë i prirë që t’u besojë liderëve të tyre kur thonë se nuk janë mercenarë të Piktorit, nuk mund ta shmang pyetjen e logjikshme: ç’është ajo që i çon këta njerëz që falas ta ndihmojnë Piktorin si dhe, sa ligësi duhet të kesh në vetvete që në këto kohë të bësh një veprim të atillë që e dëmton Shqipërinë?! (Kim Mehmeti)