Back

“Shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur”

Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin Kim Mehmeti

“Këto zgjedhje do jenë mundësia e fundit për Maqedoninë që ajo të dëshmojë se e ka kuptuar se çdokush që mendon se Maqedonia mund të ndërtohet mbi baza të “pronarit” të shtetit  – etnitetit maqedonas, dhe “qiraxhiut” në të – shqiptarëve të këtushëm, në të vërtetë vetëm e ushqen krimbin i cili e brenë brendinë e këtij shteti dhe i kalb institucionet e tij”. Kështu është shprehur dje në në një intervistë për gazetën “Tema” publicisti i njohur nga Shkupi, Kim Mehmeti. Vetëm disa orë pas shpërndarjes së parlamentit të Maqedonisë, Mehmeti ka kërkuar që partitë shqiptare të tregojnë pjekurinë që të mos shkaktojnë përçarje dhe t’i kthejnë zgjedhjet në festë. “Këto zgjedhje të parakohshme, të cilat shqiptarëve ua mundësoi  Ali Ahmeti me BDI-në e tij (si mundësi të korrigjohet padrejtësia që ua bëri shqiptarëve të këtushëm Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006) janë ndoshta mundësia e fundit që shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur me të cilin manipulojnë partitë e tyre politike, por qytetarë që dinë të përcaktojnë dhe zgjedhin fatin e vet politik”, shprehet Mehmeti. Ndërsa dështimin e negociatave me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë, Mehmeti i konsideron se, po aq sa Maqedonia, edhe Athina zyrtare është e lidhur me prangat e së kaluarës së vet të errët gjatë së cilës dëboi dhe asimiloi shqiptarë e maqedonas etnik. “Andaj, Greqia nuk ka problem me emrin e Maqedonisë, por me të kaluarën dhe të sotmen e vetë asimiluese ndaj popujve tjerë”, shprehet Mehmeti.

Tema:Parlamenti i Maqedonisë u shpërnda, duke e çuar vendin, thuajse në mënyrë të papritur, drejt zgjedhjeve të parakohshme A mund të jenë këto zgjidhje apo janë vetëm zgjedhje?

Mehmeti: Pas shpërbërjes së parlamentit republikan dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, Maqedonisë i jepen dy mundësi: E para, të korrigjojë gabimin e kryeministrit Gruevski, i cili mohoi vullnetin shumicës së shqiptarëve dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006, në vend të partisë së Ali Ahmetit, BDI-së, në koalicionin qeveritar përfshiu vëllezërit e “gjakut” – PDSH-në. Dhe e dyta, këto zgjedhje të parakohshme, kanë përmasat edukuese për politikanët e etnitetit maqedonas: ua bën me dije se nuk mund të ketë qeveri stabile nëse mohohet vullneti politik i shumicës së shqiptarëve të këtushëm. Këto zgjedhje ndoshta janë edhe mundësia e fundit për Maqedoninë, që ajo të bëjë zgjidhjen e duhur lidhur me ardhmërinë e saj, e t’i shpallë të vdekura kohët kur mund të manipulohej me votën shpotare. Pra, të ndërpriten orvatjet perverse politike – të ringjallura gjatë dy viteve të fundit të sundimit të VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së – që shqiptarët e këtushëm t’i kthejnë në kohërat socialiste të Rrahman Morinës, kur qyrqet sllave ishin ato që e dinin se cilët mund të jenë përfaqësues të denjë të shqiptarëve. Këto zgjedhje do jenë mundësia e fundit për Maqedoninë që ajo të dëshmojë se e ka kuptuar se çdokush që mendon se Maqedonia mund të ndërtohet mbi baza të “pronarit” të shtetit  – etnitetit maqedonas, dhe “qiraxhiut” në të – shqiptarëve të këtushëm, në të vërtetë vetëm e ushqen krimbin i cili e bren brendinë e këtij shteti dhe i kalb institucionet e tij. Andaj, këto zgjedhje, ose do jenë fundi i një periudhe kur shqiptarët ishin fajtorë kujdestarë për gjitha të këqijat që ndodhnin në shoqëri, ose filli i federalizmit të Maqedonisë. Pra, do jenë fund i një procesi, nëse do i sjellin Maqedonisë forca politike të cilat do kenë guxim dhe vullnet politik ta përmbyllin Marrëveshjen e Ohrit dhe atë ta kompletojnë edhe me disa “nene” më tepër – si për shembull atë se qeveria duhet të përbëhet nga dy partitë që kanë fituar zgjedhjet tek etniteti maqedonas dhe ai shqiptar, se në këtë shtet nuk është e mundur edhe kryetari i shtetit edhe i kuvendit edhe ai i qeverisë të jenë vetëm maqedonas etnik. Këto zgjedhje pra, nuk duhet të ofrojnë vetëm përbërje të re parlamentare, por edhe kompletim të dosjes se si të zgjidhen njëherë e përgjithmonë mosmarrëveshjet maqedono- shqiptare. Nëse nuk ndodh kjo, nëse mandatari i ardhshëm do i dërgojë sinjalet që i çoi Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 – se shqiptarët mund të votojnë kë të duan, por mandatari i zgjedh shqiptarët që do ulen nëpër kolltuqet qeveritare – atëherë ky do jetë sinjal për shpotarët e këtushëm ata të nisin ndërtimin e godinës së re të parlamentit të pjesës së tyre federative, do jetë sinjal se ky shtet nuk mund të funksionojë si unitar, por vetëm si një federatë dyetnike. 

Tema: A mund dhe a duhet të ketë një koalicion mes partive shqiptare në këto zgjedhje?

Mehmeti: Koalicionet ndërpartiake janë veprim legjitim i partive politike. Por, për shqiptarët e Maqedonisë, nuk është gjithaq me rëndësi koalicionimi mes partive të tyre, por ato do arrijnë të mos përçajnë popullin, të shmangin dhunën e cila i çon shqiptarët e këtushëm që zgjedhjet t’i ndjejnë si diçka trishtuese e jo si festë demokratike. Pra, partitë shqiptare do duhet të heqin dorë nga “muskujt” partiak dhe rrugaçëria – si veprim i tyre më frytdhënës “politik” – e të përqendrohen në programet e tyre dhe ofertën politike që do e shpalosin përpara popullit. Jam i bindur se shqiptarët e Maqedonisë, në këto zgjedhje, nuk do votojnë vetëm për partitë, por do dëshmojnë kulturën e tyre politike. Këto zgjedhje parlamentare do jenë vendimtare mes asaj se, vallë shqiptarët edhe më tej do përkrahin “diktaturën demokratike” që e promovoi dhe e tabloi PDSH-ja, apo shumëpartizmin, i cili ata që mendojnë ndryshe politikisht nuk i armiqëson aq sa në zgjedhjet e mëparshme kur përkrahësit e partive kundërshtare silleshin mes veti si armiq të përbetuar, të gatshëm edhe për spastrim fizik të “bindjeve” politike. Andaj, partitë e këtushme shqiptare duhet njëherë përgjithmonë të kuptojnë se deri tani shqiptarët e këtushëm kurrë nuk kanë votuar të lirshëm, gjë që e dëshmon edhe mosdalja e tyre masive në zgjedhje e fundit parlamentare të viti 2006. Andaj përqindja e daljes së tyre në këto zgjedhje, do dëshmojë sa ata ndjehen të lirë të bëjnë zgjedhjen që duan, e sa të kërcënuar nga rrugaçëria e veprimit partiak, e cila  nuk mbështetet në numrin e votuesve, por në mjeshtërinë dhe forcën fizike të numëruesve të votave. Në “muskujt” partiak që nuk e lejojnë votuesin të zgjedhë, por dëshiron sa më i vogël të jetë numri i atyre që do drejtohen drejtë kutizave të votimit, e kështu të zmadhohen mundësitë për t’i mbushur kutitë e  votimit. Këto zgjedhje ose do e shlyejnë njollën e turpit nga zgjedhjet e kaluara në mjediset shqiptare ku kishte plotë parregullsitë dhe dhunë, ose do e dëshmojnë të kundërtën – se shqiptarët e këtushëm janë kapur fortë nga “diktatura demokratike” dhe kanë lejuar që ata të jenë pronë e partive, e jo partitë pronë e tyre. Pra këto zgjedhje të parakohshme, e të cilat shqiptarëve ua mundësoi  Ali Ahmeti me BDI-në e tij (si mundësi të korrigjohet padrejtësia që ua bëri shpotarëve të këtushëm Gruevski pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006) janë ndoshta mundësia e fundit që shqiptarët e Maqedonisë të dëshmojnë se nuk janë një numër i heshtur me të cilin manipulojnë partitë e tyre politike, por qytetarë që dinë të përcaktojnë dhe zgjedhin fatin e vet politik.  

Tema: Zgjedhjet duket se janë pasojë e drejtëpërdrejtë e mosftesës në NATO, e cila erdhi pas dështimit të negociatave me Greqinë për emrin e Maqedonisë. Si mendoni, negociatat për emrin janë pamundësi apo pazotësi e politikës në Maqedoni?  

Mehmeti: Maqedonia vuan nga një sëmundje e cila trupin etnik e kaplon ngadalë e pahetueshëm,  por për të cilën nuk ka ilaç që e shëron ngutshëm: nacionalromantizmi i vonuar i etnitetit maqedonas: maqedonasit etnik shpeshherë ngjajnë në “serb të vonuar”, elitat e këtij etniteti u treguan të papjekura për ta përballur popullin e tyre me të vërtetën se sforcohen si etnitet në kohë të internetit, se kanë shumë dilema lidhur me të kaluarën e tyre, gjë që ua mjegullon të ardhmen. Elitat etnike maqedonase, ngjajnë si një fëmijë që e dinë lagjen ku ka lindur, por jo edhe atë se cilët i ka prindër të ligjshëm. Kështu që,  popullin e vet e futën në mjegullën e paqartësisë se, vallë janë nipër të sllavëve të jugut, apo të maqedonasve antik. Kjo dilemë, ata i bënë të jetojnë krizën e identitetit, e cila nuk i lë të shohin drejtë, të vërejnë se nuk është gjithaq faji te ata që këtij populli ia mohojnë të kaluarën, gjuhën, kishën ortodokse, por te vet ky etnitetit, i cili lë përshtypjen se dinë të arnojë veshjen e vet etnike, por nuk dinë si ta mbajë, se nuk dinë ku ta mbështetë të ardhmen e vet: në të kaluarën antike, në atë sllave, apo në një përzierje të shumëçkahit që ka të bëjë edhe me popujt fqinjë, e që është “majë” nga e cila ngjizen popujt në formim. Problemi i emrit të Maqedonisë, është më i thellë dhe më i ndërlikuar se sa duket nëse e shikon sipërfaqësisht. Ata që kontestojnë emrin e këtij shteti si dhe gjuhën, historinë dhe kishën e etnitetit maqedonas, në të vërtetë duan të arrijnë shpërbërjen e këtij shteti. Sipas mendimit tim, ata nuk e dëshirojnë këtë gjithaq shkaku i maqedonasve etnik, sa shkaku i shqiptarëve të këtushëm. Ata i frikëson faktorizimi i shqiptarëve të Maqedonisë dhe këtë shtet, gjithnjë e më shumë  e ndjejnë si “republikën e tretë” shqiptare. Andaj edhe është e rëndësishme këtë ta kuptojnë shqiptarët e këtushëm dhe të pranojnë se duhet ndihmuar në formimin e një populli të ri në këtë Ballkan, në ruajtjen e identitetit maqedonas. Por kuptohet, kjo nuk varet nga shqiptarët. Kjo ka të bëjë vetëm me potencialin e këtij populli për të mbrojtur vetveten nga asimilimi nga popujt e ngjashëm,  siç janë bullgarët e serbet. Kjo pra  varet nga ajo se sa maqedonasit etnik do e kuptojnë se boshti i tyre kurrizor etnik mund të forcohet vetëm në një bashkëjetesë me shqiptarët, vetëm nëse arrijnë ta kuptojnë se e ardhmja e tyre  varet nga ajo sa do lidhin një “aleancë” me shqiptarët, e jo nga ajo se sa ndokush ua pranon gjuhën, historinë dhe kishën ortodokse.

Tani për tani, elitat politike të etnitetit maqedonas, luhaten mes hamendësimeve se vallë është i mundur shtet i përbashkët me shqiptarët, apo  mos vallë më mirë u del me kohë të shpartallohet ky shtet dhe secili të merr aq sa mundet.  Andaj problemi parësor i Maqedonisë nuk janë marrëdhëniet ndëretnike, por luhatja e elitave të etnitetit maqedonas lidhur me të ardhmen e popullit të tyre. Aq më shumë, mendoj se tek etniteti maqedonas rritet përqindja e atyre që mendojnë se një ditë doemos do ndodh ndarja e Maqedonisë mes shqiptarëve dhe maqedonasve etnikë, andaj mbështesin bindjen se më mirë ajo të ndodh një ditë e më parë, se sa kur shqiptarët të “zaptojnë” edhe hapësira tjera. Problemi i politikanëve të etnitet maqedonas është ai se, ato merren me probleme të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke dashur ato t’i zgjidhin me metoda të shekullit të njëzetenjë. Pra, ata nuk e kuptojnë se përparësia e shqiptarëve nuk qëndron aty ku gabimisht e shohin ata – se pas tyre qëndruakan gjitha forcat e botës – por në të vërtetën se populli shqiptar u përshtatet rrjedhave globale, se “bashkimin” e vet e sheh në Evropën e Bashkuar, në një Ballkan pa kufij. Ndërsa elitat politike maqedonase, shpëtimin e shohin në mbylljen nga të tjerët.  Nga kjo krijohet përshtypja se elitat e etnitetit maqedonas nuk kanë potencial të përballen me zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me krizën e identitetit, e merren me probleme ndëretnike.  Krijohet përshtypje pra, se etniteti maqedonas nuk ka potencialë e duhur politik të shfrytëzojë momentet e duhura për t’u bërë pjesë e institucioneve euroatlantike.

Kuptohet, kërkesa greke për ndryshimin e emrit të shtetit, është absurde. Vetoja e Greqisë që të mos anëtarësohet Maqedonia në NATO me këtë emër, është një paradoks që shpalos atë që dihet prej moti: se po aq sa Maqedonia, edhe Athina zyrtare është e lidhur me prangat e së kaluarës së vet të errët gjatë së cilës dëboi dhe asimiloi shqiptarë e maqedonas etnik. Andaj, Greqia nuk ka problem me emrin e Maqedonisë, por me të kaluarën dhe të sotmen e vetë asimiluese ndaj popujve tjerë. Pastaj, Greqia ishte mësuar të mbajë monopolin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në këto hapësira, andaj tani, sado që deklaron ndryshe, ajo e përjeton dhembshëm anëtarësimin e çdo shteti të këtushëm në këto organizata ndërkombëtare. Mendoj se tani ajo bënë të pamundurën që të mbetet atë që ishte: rojtare e kësaj pjese të Ballkanit. Dhe për ta arritur këtë, ajo do përdorë edhe emrin e Maqedonisë, edhe Kosovën. Nuk duhet harruar se Athina zyrtare do bëjë çmos të mbetet lumi ku derdhen të gjitha përroskat e lumenjve kulturorë nga e kaluara ballkanike. Andaj, atë e trishton dhe e bënë të sillet në mënyrë irracionale dhe perverse edhe një Maqedoni, për të cilën është qesharake të thuhet se ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, të thuash se ky popull na paska potencialë të rrezikojë kulturën dhe integritetin grekë. Por, këto janë paradokset ballkanike, këto janë lojërat e këtyre hapësirave, të cilat lojëra  edhe nuk janë atë që i sheh , por atë që fshehin pas vetes. Problemi greko – maqedonas lidhur me emrin e Maqedonisë, nuk ka të bëjë gjithaq me atë se si do quhet shteti, por si do quhet populli që tani veten e quan maqedonas. Pra, Athinës zyrtare nuk i pengon gjithaq emërtimi i shtetit, por emërtimi i një populli. Sepse, me emërtimin e një populli si  maqedonas, Athina humbë monopolin mbi një pjese të së kaluarës së këtyre trojeve. Andaj ky problem nuk do zgjidhet edhe gjatë në kohë, sa nga shkaku i naivitetit të elitave të këtushme të etnitetit maqedonas, po aq edhe shkaku i një qëndrimi shpirtngushtë nacionalist grek. Kështu që edhe shqiptarët e këtushëm do mbeten peng i problemeve që etniteti maqedonas ka me vetveten dhe popujt fqinj.

Botuar ne gazeten “Tema”