Back

ÇKA I TAKON SUNDUESIT, NUK I BIE NË HISE VASALIT

 Kim Mehmeti 

Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore e mirë dhe grupi i dytë, që është dukshëm më i madh, e të cilët nuk e kanë kuptuar se po të hyri në gjak, politika të verbëron e të bënë shërbëtor të dëgjueshëm të saj. Përpos këtyre, ka edhe një grup politikanësh, që janë më të rrezikshëm se gjithë të tjerët: ata që i janë rikthyer grazhdit të pushtetit, pasi njëherë e kanë humbur atë, e të cilët ngjajnë në narkomanë që rishtas u janë kthyer narkotikëve, narkomanë të cilëve sa më shumë u shpjegon për dëmin që ia bëjnë vetvetes dhe familjes që i takojnë, ata aq më besnik i bëhen drogës. Sa i përket kallaballëkut të politikanëve shqiptarë të Maqedonisë, pjesa më e madhe e tyre e kanë shijuar begatinë e sofrës së pushtetit, andaj kot e ke t’u flasësh për koncepte e programe politike, ngaqë kanë vetëm një synim: të shijojnë edhe njëherë privilegjet e humbura. Me çka, shqiptarët e këtushëm erdhën në pozitë që partitë e tyre të ngjajnë në hotel, ku nuk dihet kush hyn e kush del, por saktësisht dihet se kush përfiton nga bujtina ku bëjnë gjumë shpresat e kësaj popullate, shpresat se një ditë do jenë të përfaqësuar nga politikanë që nuk janë fukarenj as materialisht, as mendërisht.

Kur bëhet fjalë për partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, sa herë që shpallen zgjedhjet parlamentare, ato u drejtohen votuesve shqiptarë, por duke e ditur se fati i tyre i mëtejmë do varet nga partia maqedonase që do i fitojë zgjedhjet. Kështu që del se edhe kur votojnë për partitë e tyre, shqiptarët e këtushëm, në mënyrë indirekte, mbështesin ndonjë koncept politik maqedonas. Siç ndodhi gjatë tre viteve të fundit me BDI-ja e Ali Ahmetit, e cila e përkrahur masovikisht nga shqiptarët e këtushëm në të gjitha zgjedhjet parlamentare të paskonfliktit të vitit 2001, u bë shërbëtore e VMRO-DPMNE-së. Me çka filloi ta ecë pjesën e rrugës së zhbërjes së saj dhe mbase, nga një lëvizje gjithëpopullore, do përfundojë në një parti me një autobus përkrahësish. Dhe kjo do i ndodh ngaqë  kryesuesit e BDI-së, që u rikthyer në qeverinë e VMRO-DPMNE-së pas dy viteve të kaluara në opozitë, ishin molisur nga etja për të pirë lëngun e lezetshëm që ta ofron sunduesi për të qenë vasal i dëgjueshëm i tij.  Pra, kjo u ndodhi shkaku se aq ishin verbëruan nga privilegjet dhe përfitimet personale, sa nuk e panë se besimi që morën nga populli, bartte në vetvete dëshirën kolektive të shqiptarëve të këtushëm për të pasur një parti më ndryshe se ato të mëparshmet dhe një përfaqësim më dinjitoz nëpër institucionet më të larta të shtetit.

Por, mbase shqiptarët e Maqedonisë ende sillen rreth boshtit të pamundësisë së tyre ta kuptojnë se nuk u mungojnë parti politike, por vullnet dhe gatishmëri për ta ndërtuar “Shqipërinë” e tyre në Maqedoni. Si dhe vullnet dhe gatishmëri t’i detyrojnë partitë e tyre të mos jenë të varura vetëm nga vullneti politik maqedonas, por edhe nga ai i popullit që i voton. Dhe duke qenë shqiptarët e këtushëm të uritur për parti, e jo për politika që do jenë përcaktuese për të ardhmen e Maqedonisë, edhe BDI-ja e tyre u bë si gjitha simotrat e saja të mëparshme, e mbase edhe pak më e keqe se ato. Me çka shqiptarët e këtushëm, pas konfliktit të 2001, u bënë më të begatë edhe me një parti,  por mbetën njësoj të varfër sa u përket politikave që do çonin përpara aspiratat kolektive të këtij populli. Pra, u begatuan edhe me një garniturë kryesuesish partiak, që u treguan aq servil ndaj palës qeverisëse maqedonase, sa ua tejkaluan edhe  komunistëve të dikurshëm shqiptarë, të cilët e kalonin jetën të përkulur përpara komiteteve qendrore. Apo thënë ndryshe, shqiptarëve të këtushëm u ndodhi e papritura: të dështojnë politikisht atëherë kur kishin besuar se nuk mund të dështonin ata që simbolizonin guximin dhe trimërinë e tyre.

Nëse është i saktë konstatimi se BDI-ja e tre viteve të fundit në qeverinë e Gruevskit, do mbetet simbol i servilizmin politik të shqiptarëve të këtushëm, atëherë imponohet pyetja si ishte e mundur që kjo t’i ndodhte partisë së dal nga lufta e 2001. Njësoj siç imponohet pyetja se me ç’ka ia doli Gruevski që t’i çojë kryesuesit e BDI-së t’i harronin interesat e popullit që i votoi, e të silleshin si aktivist shqiptarë të VMRO-DPMNE-së. Por, mbase këto pyetje do mbeten pa përgjigje edhe gjatë kohë. Dhe ai që do u përgjigjet këtyre pyetjeve, do meritojë t’i ndërtohet përmendore në qendër të Shkupit, aty pranë dhjetëra të tjerave që i ka ngritur Gruevski, e të cilat nëse hiçgjë tjetër, përgjithmonë do shënojnë dështimet politike të Ali Ahmetit.  Por, nëse përgjigja e këtyre pyetjeve do mbeten tani për tani enigmatike, ka diçka që e zbërthen mendësinë vasale dhe të të nënshtruarit, e mbi të cilën mbështeten kryesuesit e BDI-së. Kjo mendësi zbërthehet edhe nëpërmjet deklaratave të tanishme parazgjedhore të Ali Ahmetit, se partia e tij do e respektojë vullnetin politikë shumicë të popullit maqedonas dhe se do hyjë në koalicion qeverisës me cilëndo parti maqedonase që do i fitojë zgjedhjet parlamentare. Me çka ai tërthorazi e shpalosë betimin e dhënë Gruevskit për besnikëri të përhershme, por njëkohësisht, e lë të hapur derën për koalicion qeveritarë edhe me LSDM-në e tanishme opozitare, nëse ajo do i fitonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjë që gjithashtu tregon se Ali Ahmeti  nuk e ka kuptuar se jo çdo vullnet politik i maqedonasve është i pranueshëm për shqiptarët e këtushëm, se legjitimiteti i marrë nga populli nuk mund të përdoret që t’i shërbesh vullnetit politik antishqiptarë maqedonas, siç është ai që e voton Gruevskin.  Pra, bëhet fjalë për mendësi politike që nuk e ka të qartë atë që duhet ta dijë çdo fillestarë me ambicie politike: se nëse vullneti politik i një populli është destruktiv – siç ishte për shembull vullneti popullor serb që mbështeste Millosheviqin, nëse ai vullnet ushqehet me urrejtjen ndaj popullit tënd, atëherë jo që atë nuk duhet ta mbështesësh, por atë vullnet politik duhet ta luftosh me të gjitha mjetet.

Duke e kuptuar legjitimitetin e marr nga populli si mundësi të bësh koalicione qeverisëse me cilëndo parti maqedonase, Ali Ahmeti bëri atë që nuk e prisnin shqiptarët e këtushëm: iu bë krahë vullnetit politik antishqiptarë maqedonas të përfaqësuar nga VMRO-ja e Gruevskit.  Me çka edhe e bëri vullnetin politik shqiptarë mbulesë për politikën antiperëndimore e antishqiptare të Gruevskit. Dhe me çka BDI-ja që tani mund të shpallet si një orvatje e kotë e shqiptarëve të këtushëm për të pasur një parti ndryshe nga ato të mëparshmet dhe parti të mirëfilltë politike.

Mbase edhe vetë Ali Ahmeti e ka kuptuar se partia e tij mbeti një mundësi mëkot e harxhuar e shqiptarëve të Maqedonisë, parti e cila nga dita në ditë e humb besimin e shqiptarëve të këtushëm, andaj kohëve të fundit iu përkushtua misionit shumë fisnik, që rreth BDI-së vet t’i grumbullojë partitë e vogla të torbeshëve dhe boshnjakëve. Apo, u mundua që të realizonte “bashkim – vëllazërimin” demokratik, duke besuar se kështu BDI-në do e bënte të fortë sa LSDM-ja e VMRO-DPMNE-ja maqedonase, që marrin edhe votat e etniteteve jomaqedonase. Me çka ai dëshmoi sa nuk e njeh realitetin politik në Maqedoni dhe se nuk e dinë se jo çdokush mund të ketë atë që i takon vetëm sunduesit: vasalët e vet. Apo, nuk e ka kuptuar se i dobëti kurrë nuk bëhet vasal i vasalit.

Si do që të jetë, sa u përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ende pa dalë të votojnë, shqiptarët e këtushëm duhet të pajtohen me humbjen e dy vendeve parlamentare.  Edhe atë vetëm shkaku se Ali Ahmetit pranoi që barazimi i numrit të votuesve mes njësive zgjedhore ku banojnë shqiptarët, të bëhet  ashtu që vendbanimet e “torbeshëve” nga njësia zgjedhore numër gjashtë, të kalonin në njësinë zgjedhore numër pesë. Me çka Ali Ahmeti deshi të realizonte misionin kombëtare që sadopak t’i shqiptarizonte boshnjakët e torbeshët, por duke harruar ëndrrën e shqiptarëve të këtushëm për “Shqipërinë” e tyre në Maqedoni. Gjë që të çon të besosh se nëse BDI-ja në këto zgjedhje parlamentare do fitojë më shumë se dhjetë deputet, kjo do ishte fitore e madhe e kësaj partie dhe dështim edhe më i madh i shqiptarëve të këtushëm. Edhe atë shkaku se duke mbështetur BDI-në, shqiptarët e këtushëm do i japin legjitimitet një partie që haptazi pranon se e mbështet cilindo vullnet politik të popullit maqedonas, përfshi edhe atë që qëndron pas antishqiptarisë së Gruevski. Pra, do i japin legjitimitet një BDI-je që pohon se do i gjunjëzohet cilitdo vullnet politik shumicë të popullit maqedonas, një BDI-je që nuk e sheh se duke iu gjunjëzuar vullnetit politik që solli në pushtet Gruevskin, ia vuri gjunjët në fyt vullnetit politik shqiptar.