Back

I mungon mbiemri

Shkruan: Kim Mehmeti

Tani, kur mbyllen kopertinat e një viti kalendarik, edhe Maqedonia e bënë barazimin e të arrirave dhe dështimeve politike dhe ekonomike. Pra, zgjedhë “ilustrimin” që do qëndrojë në ballinën e vitit 2007, e që do shpjegojë përmbajtjen e brendisë njëvjeçare. Pa dyshim se ky ilustrim do jetë shumëngjyrësh, do ngërthejë në vetvete ambiciet e etnitetit maqedonas që të definojë tiparet e veta etnike, që ia kontestojnë të tjerët, si dhe ambiciet e shqiptarëve të këtushëm që shteti të mbrojë shenjat e portretit të tyre kolektiv, që qartë të shihet shqiponja e zezë dykrenore, e vënë mbi të kuqen e flamurit kombëtarë. Pra, ilustrimi në ballinën e përmbajtjes së vitit 2007, do mund të jetë një përzierje e teknikave “portretuese” të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur formoheshin popujt dhe shtetet, dhe ato bashkëkohore, që nuk u kushtojnë rëndësi emocioneve individuale e kolektive, por përqendrohen në konfiguracionin global të ngjyrave që derdhen në njëra tjetrën.

Edhe vitin që do lëmë pas, Maqedonia e jetoi si shtet të cilit i kontestohet emri dhe si shoqëri ku ka shumë marrëveshje ndërpartiake e ndëretnike, por zbatohen vetëm  mosmarrëveshjet mes shqiptarëve dhe atyre që e emëruan veten maqedonas. Andaj, ky shtet më shumë i ngjanë një tempulli ku dy popujt numerikisht më të mëdhenj, belbëzojnë dëshirat e veta për të ardhmen, se sa një shoqërie që ka forcë dhe vullnet politik të përballet me realitetin e vet shumetnik. Pra, Maqedonia ishte dhe mbeti shtet i ëndrrave të kundërta shqiptaro-maqedonase për të ardhmen, e të cilat jo rrallëherë, janë aq të largëta si të ardhura nga dy planetë që nuk kanë komunikim mes veti. Kështu, përderisa maqedonasit etnik, edhe vitin 2007, e harxhuan duke u munduar të sforcojnë boshtin e tyre etnik, shqiptarët mbetën të ngulfatur nga zënkat ndërpartiake. Andaj edhe nuk arritën asgjë më shumë se sa t’ia mundësojnë kryeministrit aktual, Gruveskit lirshëm të shtiret se është duke e mësuar gjuhën shqipe dhe përkrahë PDSH-në, e shkelë BDI-në, a në të vërtetë, të tallet me kërkesat e shqiptarëve të këtushëm. Apo, t’i lë shqiptarët që edhe këtë vit ta radhisin në shtatëmbëdhjetë vjetorin e orvatjeve të tyre, që hap pas hapi, të arrijnë aty ku fshihet ajo që u takon. E të cilën nuk mund ta gjejnë edhe pas kaq vitesh  shkaku se kanë politikanë, të cilët, nëse do duhej t’i paguanin premtimet e kota, nuk do ishin pasanikët e sotëm, por lypsarë të ulur te Ura e Gurit në Shkup.


Maqedonia e 2007, edhe nuk dallon gjithaq nga ajo e vitit të mëvetësimit të saj. Jo vetëm pse ende vuan nga mosmarrëveshjet ndëretnik, por shkaku se njësoj si edhe në vitin kur u shpall si shtet i pavarur, edhe në vitin që lëmë pas, mbeti shtet të cilin shumë fqinjë e ndjenë si një “kreaturë” që ka kulm, por jo edhe themele. E konsiderojnë si shtet me emër të vjedhur, me gjuhë zyrtare të huazuar dhe histori të arnuar nga copëzat e historive të popujve fqinjë. Andaj, disa fqinjëve të saj, Maqedonia u duket si një shoqëri që ka të kaluar të dyshimtë, të sotme të mjegullt, e të ardhme të kushtëzuar nga shumëçka që është duke ndodhur, e do ndodh në këtë Ballkan. E kjo i çon që ndaj këtij shteti të sillen si pronari që ka hekë dorë nga prona e vet, por i ruan  “tapitë” që dëshmojnë pronësinë, e të cilat një ditë edhe do mund të jenë të nevojshme.


Cili është qëndrimi i shqiptarëve të këtushëm lidhur me këmbëngulësin e grekëve të bëhen “kumbar” të shtetit dhe t’ia ndërrojnë emrin Maqedonisë ku jetojnë edhe trashëgimtarët e ilirëve? Ç’mendim kanë shqiptarët e këtushëm lidhur me orvatjet e  kishës serbe që edhe tempujt e Kishës Ortodokse Maqedonase të tymosen me temjanin serb? Si i përjetojnë shqiptarët e këtushëm pohimet e qarqeve politike e shkencore bullgare, se maqedonasit etnik, janë fëmijë bullgarë, i cili në çastin e ikjes nga shtëpia e përbashkët etnike, ka harruar të merr me vete fjalorin e gjuhës amtare dhe kështu e ka deformuar gjuhën bullgare? Mbase, këto janë pyetje të cilat nuk u shkuan gjithaq ndër mend përfaqësuesve politik shqiptarë as në vitin 2007. Me çka edhe mbetën jashtë lojës që përcakton pozitën e Maqedonisë ndaj fqinjëve dhe në këtë Ballkan. Apo, u lejuan qarqeve politike të etnitetit maqedonas të sillen si pronari që nuk i pyet qiraxhinjtë kur i rregullon ballinat e jashtme të shtëpisë. Dëshmuan se nuk e dinë se ballinat e ndërtesës, me shumëçka shpjegojnë brendinë e shtëpisë, si edhe atë se kush janë ata që kanë zënë vend në Odën e Burrave të kullës së  përbashkët.

Bisedimet greko-maqedonase, lidhur me emrin e Maqedonisë, e shënuan edhe vitin 2007 që e lëmë pas. Gjatë këtij viti, ato bisedime u intensifikuan, ashtu siç i ka hije mosmarrëveshjes që trashet e koklavitet shtatëmbëdhjetë vite me radhë. Aq vite sa do mjaftonin që edhe shqiptari i shurdhër të dëgjonte se emrin e shtetit e vendosin maqedonasit etnik dhe grekët fqinjë, se në këto bisedime mungon zëri i tretë – ai i shqiptarëve të këtushëm. Pa të cilin zë edhe mund të vendoset emri i ardhshëm i Maqedonisë, por jo edhe mbiemri i ardhmërisë së këtij shteti. Andaj, edhe do mund të ndodh që maqedonasit etnik t’i plotësojnë kërkesat e fqinjëve, mund të ndodh që shteti të ketë emër që do e pranojnë edhe grekët, por Maqedonia të mbetet pa mbiemër. Apo, Maqedonia të përballet me të vërtetën e dhembshme se, duke u marrë vetëm me mbrojtjen e të kaluarës së etnitetit maqedonas, duke mos përfillur mendimin e të tjerëve lidhur me emrin dhe mbiemrin e shtetit, ajo rëndë e dëmtoi të ardhmen e të gjithë qytetarëve të vet. Të përballet me të vërtetën se edhe viti 2007, njësoj si edhe gjashtëmbëdhjetë të mëparshmit, ka shenjë njohëse mospasjen vullnet dhe guxim politikë  të merret me atë që është vendimtare për ardhmërinë e sajë, e që nuk ka të bëjë me fqinjët: daljen nga mosmarrëveshjet shqiptaro-maqedonase

Tani kur mbyllen kaptinat e vitit 2007, edhe Maqedonia numëron sukseset dhe dështimet e veta. Pra, edhe Maqedonia orvatet të gjejë shenjën njohëse të vitit që po e lëmë pas. Vlerësuar realisht, ky shtet do e ketë rëndë që vitin 2007 ta shënojë me ndonjë sukses, që do e bëjë të dallueshëm nga vitet e mëparshme. Kjo do u ndodh edhe partive shqiptare, të cilat gjithashtu do bëjnë rekapitullimin e veprimit të tyre njëvjeçar. Veprim i cili do vlerësohet me atë se si janë shfrytëzuar rrethanat e ndërthurura gjatë një periudhe kohore, si është përdorur potenciali partiak, sa kanë qenë ato këmbëngulëse gjatë udhëtimit drejt cakut të dëshiruar.  

Sa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, viti 2007 ishte i ngjashëm me shumë vite të mëparshëm, me vitet të cilët jo vetëm që nuk sollën asnjë të mirë, por varrosën shumëçka nga  ajo që ishte realizuar në vitet e mëparshme. Pra, edhe ky vit do radhitet pranë atyre që shqiptarët i ecën duke shkuar një hap përpara, e tre mbrapa. Vitin 2007, shqiptarët e këtushëm do e mbajnë mend si vit që dëmtoi rëndë dhe thuajse e varrosi Marrëveshjen  e Ohrit, që ngushtoi fluturimin e shqiponjës dykrenore, që gjakosi fshatin Brodec të Malësisë së Tetovës. Ky vit i çoi deputet shqiptarë të rrehen mes veti. Rrahje e cila u ndihmoi shqiptarëve të këtushëm të kuptojnë se në politikë vlen një rregull: politikani që edhe pas katër viteve vazhdon të shesë të njëjtat gënjeshtra, që edhe pas tetë viteve mbetet po ai budalla si në fillim të karrierës së vet, ai kurrë nuk do bëjë asnjë të mirë për tjerët, por shumë të mira për vetveten. Pra, viti 2007 për shqiptarët e Maqedonisë do shënojë shtatëmbëdhjetë vjetorin e një rrugëtimi të lodhshëm politik të udhëhequr edhe nga politikanë që kanë çmim të lartë, por nuk kanë vlerë. Andaj, shqiptarët e këtushëm nuk do e kenë vështirë të përcaktojnë ilustrimin që do e stolis ballinën e përmbajtjes njëvjeçare të veprimit të tyre politik: aty duhet të qëndrojë një rrugë përplot gjurmë, të cilat nuk tregojnë kahen e udhëtimit. Gjurmë të bëra nga zvarritja e popullit të lodhur nga premtimet e kota, dhe nga vrapimi i politikanëve drejtë sofrës së vetëkënaqësive. Si të tilla, ato gjurmë do jenë të deformuara, do u ngjajnë atyre të gomarit që vrapon përpara kalit, sepse barrën ia mbanë deveja e durueshme dygungëshe. .

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)