Analisti Kim Mehmeti sqaron se tërë sistemi politiko-juridik në këtë vend korrespondon me rezultatet e këtij operacioni. Nga shifrat që do të dalin nga ky proces varen edhe të drejtat që komunitetet mund t’i shfrytëzojnë në nivel shtetëror dhe lokal.
“Në kushtetutën e Maqedonisë nuk përmenden shqiptarët. Ne jemi 20%-shi dhe derisa është kështu që numrat ta caktojnë faktin e një entie, normalisht ai operacion do të jetë më tepër politik se sa teknik. Mendoj se Maqedonisë nuk i nevojitet ligj i ri për regjistrim, por i nevojitet një mendësi e re politike dhe një guxim politik i cili më në fund do të bëjë atë që të çlirohemi nga ajo që njëri të rrisë numrin e vet e të zvogëlojë numrin e tjetrit”, shprehet Mehmeti.
Analisti Kim Mehmeti ka komentuar edhe qëndrimin e partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, parti kjo e cila konteston numrin e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas kësaj partie në regjistrimin e vitit 2002 në Maqedoni janë regjistruar rreth 120 mijë shqiptarë më tepër. VMRO-DPMNE pretendon se numri i shqiptarëve në këtë vend me 2 milion banorë është 20 % dhe jo 25 siç tregojnë shifrat zyrtare nga regjistrimi i fundit i para 10 viteve.
“Në gjenezën e vet VMRO-ja është parti anti-shqiptare dhe si e tillë ajo do të kishte dashur që në Maqedoni të mos ketë asnjë shqiptar. Ajo mendësi shkaktoi edhe ndërprerjen e regjistrimit”, shton Mehmeti.
Analistët shqiptarë thonë se do të ishte absurde të pretendohet një përqindje më e ulët e shqiptarëve në krahasim me regjistrimin e vitit 2002. Ata flasin për rritje të vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Maqedoni.
Teksti u shkëput nga ueb faqja : http://top-channel.tv/artikull.php?id=220741