Shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, ka fituar çmimin vjetor për letërsi, që e ndan Grupi "Koha". Por në ceremoninë e mbajtur për herë të parë, nuk është dhënë çmimi për shkrimin më të mirë në gazetari, pasi që nuk janë përmbushur kriteret e përcaktuara nga juria profesionale.
Me rastin e pranimit të këtij çmimi, Mehmeti është shprehur mirënjohës për dhënien e këtij çmimi, duke pohuar se ka qenë njëri prej nxënësve të Rexhai Surroit dhe se e kujton atë me pietet. Grupi "Koha" e ka krijuar këtë çmim për të nderuar figurën e gazetarit, shkrimtarit dhe diplomatit të njohur kosovar, Rexhai Surroi në 20 vjetorin e vdekjes. Gjatë ceremonisë është prezantuar edhe një dokumentar kushtuar figurës së Rexhai Surroit.
KTV(Kohavision)
http://www.kohavision.net/index.php?option=com_content&task=view&id=15143&Itemid=40
____________________________________________________________________________
Kim Mehmeti ngadhënjeu mbi Fatos Kongolin dhe Ben Blushin
Arben VESELAJ
Kompania mediale “Koha”, të hënën në Prishtinë, çmimin për romanin më të mirë shqiptar “Rexhai Surroi” ia dha shkrimtarit dhe publicistit nga Shkupi, Kim Mehmeti, për romanin e tij “Vitet e urithit”. Juria, e përbërë nga Sabri Hamiti, Eqrem Basha dhe Bardh Rugova, e shpërbleu si më të mirin romanin e Mehmetit, në mesin e më se 50 romaneve të tjerë, mes tyre edhe shkrimtarë të njohur, si: Fatos Kongoli, Ben Blushi, Agim Gjakova, Diana Çuli, Petrit Palushi etj.
Duke e arsyetuar vendimin e jurisë për romanin “Vitet e urithit”, Eqrem Basha tha se romani i Kim Mehmetit është shquar mes romaneve të tjerë në këtë konkurrencë, siç u shpreh, për magjinë e rrëfimit, shkathtësinë dhe koloritetin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romanesk, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik.
Duke e falënderuar kompaninë “Koha” për çmimin e dhënë, shkrimtari i shpërblyer, Kim Mehmeti, tha me këtë rast se ish-shtëpia botuese “Rilindja” kishte qenë shkollë për të.
“Po të mos ishte ‘Rilindja’, unë ndoshta nuk do t’i isha kthyer shkrimit të letërsisë në gjuhën amtare”, tha ai.
Përderisa çmimi letrar iu dha Kim Mehmetit, çmimi për gazetari, që ishte paraparë të jepej në këtë ceremoni, nuk i ka takuar askujt.
Zenun Çelaj, redaktor në gazetën “Zëri”, i cili e ka kryesuar jurinë për çmimin e gazetarisë (bashkë me Kelmend Hapçiun dhe Naser Miftarin), tha se juria kishte marrë në shqyrtim 34 shkrime të ndryshme, të botuara në gazetat e vendit, por, sipas tij, “asnjëri nga ta nuk ishte shkallën e vlerave të duhura”.
Në ceremoninë e dhënies së këtij shpërblimi, drejtoresha e kompanisë “Koha”, Flaka Surroi, tha se ka qenë kujtimi dhe dashuria për Rexhai Surroin ajo që e ka shtyrë atë si drejtuese e kompanisë ta krijojë këtë çmim për gazetari dhe letërsi.
“Ky shpërblim do të na mbijetojë, për shkak se jeton në ne nderimi dhe respekti që kemi ndaj Rexhai Surroit dhe brezit të tij, për të mirat që na i sollën ata. Po të mos kishin qenë pjesëtarët e atij brezi, vështirë do të kishim pasur këto shkolla, spitale, universitete, filarmoni e teatër; vështirë do të kishim pasur kaq gazeta e televizione; vështirë mbase do ta kishim edhe gjuhën shqipe”, tha Flaka Surroi.
Shpërblimi për çmim letrar për romanin më të mirë “Rexhai Surroi” është 3 mijë euro, ndërkaq ai që ishte paraparë të jepej për gazetari – 1 mijë euro.
Në këtë ceremoni, përveç dhënies së çmimit për romanin më të mirë të vitit, u shënua edhe përvjetori i 20-të i vdekjes së Rexhai Surroit. Me këtë rast, u shfaq një film dokumentar, si dhe u promovua ribotimi i veprës letrare të Rexhai Surroit.
Gazeta Lajm,edicioni i Kosovës dhe i Maqedonis