Back

Kush e kërcenon Kim Mehmetin?!

Pas një sërë kërcënimesh të ndyra, publicisti Kim Mehmeti është duke menduar për të lënë Maqedoninë. “Nuk i frikësohem askujt, por më frikëson ngulfatja e së vërtetës”, thotë ai

ANILA DISHA                                                                               

Shkup, 12 nëntor – I kërcënuar, kësaj here më rëndë se herët e tjera, publicisti Kim Mehmeti është duke menduar për të lëshuar Maqedoninë së bashku me familjen, por jo edhe shkrimin. Edhe pse kërcënimet e vazhdueshme i ka mbajtur të fshehta, ai nuk e mohon një gjë të tillë dhe pranon se në mënyrë intensive dhe të poshtër, persona të panjohur e kanë kërcënuar në mënyrë direkte atë dhe familjen e tij. “Nuk është hera e parë që mua më kërcënojnë, jam mësuar dhe këto kërcënime. Nuk më frikësojnë kërcënimet që më bëhen mua, sa më frikëson ajo se dikush do ta ngulfasë të vërtetën. Nuk flas për të vërtetën time, por flas për disa të vërteta”, thotë Mehmeti, duke shtuar se në një shoqëri si kjo që jetojmë sot, në këtë situatë, ai ka një obligim, si t’i shpëtoj fëmijët e tij në rrethana kur nuk ka nevojë për flijime më të mëdha. Mehmeti sqaron se ai nuk ikën nga kërcënimet, pasi me ato është mësuar, por nga ajo se njeriu e ndjen veten gjithnjë e më ngushtë. Ndërkaq, Mehmeti nuk e di se nga kush i kanë ardhur ato kërcënime dhe nuk dëshiron që nga kjo të bëhet ndonjë rast, pasi, siç thotë ai, shqiptarët kanë halle më të mëdha se Kim Mehmeti. “Nuk e di, nuk dua të merrem me supozime, nuk dyshoj tek asnjëri, pasi po të dyshosh duhet të merresh me supozime. Mendoj se nuk kam bërë asgjë me ndonjë tendencë që të shtoj të keqen e shqiptarëve. Jam munduar që të jap kontributin tim”, thotë ai, duke theksuar se as që i intereson që të gjejë kërcënuesit. I vetëdijshëm për shtetin ku jeton, Mehmeti thotë se këtu s’ke dhe kujt ti ankohesh, sepse siç thotë ai, aty ku eventualisht mund ta paraqesësh rastin, aty edhe mund të të fusin në lojë. “Aty rrjedh edhe pasiguria, sepse edhe nuk e di se kush çfarë qëllimesh ka. Nuk ndjej ndonjë shqetësim të veçantë pos atyre shqetësimeve njerëzore që njeriut ia prishin ditën, ia prishin disponimin, e çojnë të mendojnë se ku të çon kjo”, thotë Mehmeti duke pranuar se kërcënimet e bëra kohëve të fundit kanë qenë më të rrepta dhe më direkte. “Mua ma thyen edhe derën, por kurrë nuk kanë qenë kërcënimet kaq intensive, kaq të poshtra”, thotë ai, duke shtuar se ai është këtu dhe secili mund ta takojë kur të dojë.

Edhe pse po mendon që të largohet nga Maqedonia, Kim Mehmeti, shkrimin nuk do ta lë kurrë. “Do të mundohem që gjithmonë ta them atë që di. Ai që mendon të ma mbyllë gojën nuk do t’ia dalë dot. Gojën nuk do ta mbyll sat ë jem gjallë. Unë jam mësuar me kërcënimet, jam lëkur trashë”, thotë ai. Ndërkaq, publicisti Mehmeti është duke hulumtuar vendin se ku do të shkojë, në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër, por siç thotë ai, gjithsesi  kudo që të shkoj do të shkoj me familjen, pasi në fund të fundit ajo është më e rëndësishmja.

 (Gazeta Lajm)