Back

Lundrues në detin pa brigje

      Ne shqiptarët kemi shumë lundruese që bredhin nëpër detin e ambicieve tona kolektive, por vetëm tri janë ato që përcaktojnë se në cilin breg do arrijmë. E  para dhe më e vjetra, është anija e mëmëdheut Shqipëri, për të cilën shpesh ke përshtypjen se njëri e mirëmban e tre të tjerë e dëmtojnë, që të ketë nga t’i hyjë uji edhe atë vetëm pse nuk janë kapitenë të saj. Pra, vetëm pse nuk e kujtojnë se çdo anije ka vetëm një drejtues. E dyta është Kosova, e cila i ngjanë një akullthyeseje që duhet të hapë rrugë për vetveten, por njëkohësisht duke u kujdesur të mos e dëmtojnë nëndetëset e shumta që qarkullojnë nën sipërfaqen nga ajo lundron. Lundruesja e tretë, e nga e cila askush nuk pret diçka të veçantë, por që mund të ndikojë në shpejtësinë e lundrimit të dy të parave, është barka e vogël e shqiptarëve të Maqedonisë, e cila nëpër detin e ambicieve tona kolektive bredhë si me qenë në duart e kapitenit të dehur. Të tri këto lundruese që shkojnë në drejtime të ndryshme, por duke i gënjyer udhëtarët sa janë nisur drejt cakut të njëjtë, nuk kanë asgjë të përbashkët e bile edhe komunikimi mes tyre është i penguar nga zhurmues të ndryshëm partiak. Ajo që ato i bënë të ngjashme, është përshtypja se lundrojnë si të marra pengë nga “kusarët”, andaj edhe rrinë sa më larg brigjeve ku i pret populli. Kështu që ky popull, edhe pas dy dekadash demokracie, ende nuk e dinë se vallë ato duan ta çajnë rrugë drejtë një caku të njëjtë, apo çdo gjë e kanë lënë në duart e baticave dhe zbaticave të detit.

      Kur bëhet fjalë për shqiptarët e Maqedonisë, tani më nuk ka dyshim se që nga viti 2006, lundrën e tyre e drejton Gruevski, i cili ia doli t’i shpartallojë partitë e këtushme shqiptare. Kështu që përfundimisht, duhet pranuar se shqiptarët e këtushëm me asgjë nuk marrin pjesë në vendimmarrjet shtetërore, se ata kanë disa ministra të punësuar te Guevski dhe disa nëpunës shtetërorë që duhet t’i realizojnë “njëqind hapat” e VMRO-DPMNE –së, e që Maqedoninë e çojnë drejtë një shteti me dy shoqëri të ndara në vija etnike: atë ku ndërtohen ura, shkolla, banesa sociale, përmendore, kisha… të etnitetit  maqedonas dhe në shoqërinë shqiptare ku nuk ndërtohet thuajse asgjë dhe e cila nga dita në ditë, gjithnjë e më shumë kriminalizohet. Me çka, shqiptarët e këtushëm e prunë punën deri aty sa ndaj tyre të ndjenë “keqardhje” edhe maqedonasit etnik të vetëdijshëm se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni, e të cilët hapur shtrojnë pyetjen: ku janë partitë shqiptare t’i kundërvihen Gruevskit dhe vallë ato janë të vetëdijshëm se çka është duke u ndodhur. Pyetjes së tyre ata ia shtojnë edhe dilemën: mos vallë Maqedonia ende ndërtohet sipas parimit se vetëm shqiptarët e komprometuar janë të dobishëm për këtë shtet dhe se kjo u përshtatet edhe partive shqiptare. E që në mënyrë indirekte donë të thonë se partitë e këtushme shqiptare janë në duart e elitave të komprometuara dhe të kontrolluara nga qarqe policore. Kuptohet, maqedonasit që shtrojnë këtë pyetje, nuk janë gjithaq të brengosur për fatin e shqiptarëve, por e dinë se politika e Gruevskit Maqedoninë e shndërron në kufomë të cilës ka filluar t’i vijë era e kalbjes.

      Konstatimet e publicistëve dhe opozitarëve të këtushëm maqedonas se BDI-ja është duke i vrarë fëmijët e  saj – Marrëveshjen e Ohrit dhe vlerat e UÇK-së – nga partia e Ali Ahmetit nuk marrin thuajse asnjë përgjigje. Dhe heshtja e tyre shpjegon çdo gjë. Mbase ata ngushëllohen me bindjen se këto kritika vijnë nga qarqet (pro)maqedonase (duke harruar se vetë janë ne koalicion  me VMRO-DPMNE-në që frymon antishqiptarçe) e që kanë për qëllim ta çojnë BDI-në ta ndihmojë LSDM-në opozitare në betejën e saja me VMRO-DPMNE-në. Me çka e mbivlerësojnë veten duke mos parë se me ardhjen në pushtet, BDI-ja vetëm e çoi  më tej atë që e kishte filluar PDSH-ja gjatë ardhjes së saj në qeveri në vitin 2006, e kur Gruevski tregoi qartë se shqiptarët i konsideron vetëm si vasal të dëgjueshëm me të cilët do bëjë tregti nga më primitivet: do u jep pushtetarëve shqiptarë aq privilegje sa ata të mos kenë sy e fytyrë të ankohen dhe të mos kenë rrugë tjetër përpos popullin ta heshtin me premtime të kota.

      Sikur të ishte ndryshe, sikur kritikat të ishin të paargumentuara, përfaqësuesit e BDI-së nuk do e kishin vështirë ato t’i demantonin. Do mjaftonte, për shembull, të tregonin sa godina shkollore janë ndërtuar dhe pse pushteti qendror i ka lënë pas dore vendbanimet e banuara nga shqiptarët, me çka i çon drejtë dështimit edhe disa udhëheqës të aftë komunal shqiptarë. Pra, do mjaftonte të shpjegonin pse 93 për qind e kapitalit shtetërorë është në duart e ministrave të VMRO-DPMNE-së, e vetëm 7 për qind në drejtim të ministrave shqiptarë. Apo, do u shpjegonin votuesve të tyre pse ka fonde për t’i stolisur urat mbi Vardar me përmendoret e heronjve maqedonas, e nuk paska mjete për të ndërtuar shkolla dhe ura nëpër vendbanimet shqiptare, pse nuk ka mjete për mirëmbajtjen e Muzeut të Alfabetit në Manastir, e paska mjete për të rinovuar rrethojën e urës Goce Dellçev ku do qëndrojnë “Luanët” e Gruevskit. Apo, pse ka bursa shtetërore për të studiuar jashtë shtetit maqedonasit etnik e nuk ka për shqiptarët, pse shkollat e mesme në gjuhën maqedonase në Shkup nuk janë më larg se 200 metra nga njëra tjetra  (për ata që nuk besojnë, ja një shembull: në lagjen Karposh të Shkup, në një hark hapësinorë jo më të madh se 200 metra ndodhen tri shkolla të mesme në gjuhën maqedonase – Nikolla Karev, Zdravko Cvetkovski dhe Dame Gruev), e gjimnazistët shqiptarë të Shkupi duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të arritur te shkolla e tyre. Për të arritur te gjimnazi, drejtuesit e të cilit thonë atë që nuk do e thoshin as pastruesit e saj: se shkolla e tyre nuk ka nevojë për godinën e vjetër në lagjen Nerez të Shkupit.

      Ka shumë “pse” që e valëzojnë detin e ambicieve kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë. Këto “pse” tani për tani mbeten pa “sepse-në” e duhur dhe i gëlltit heshtja e politikanëve dhe shurdhëria e popullit, shurdhëria e shkaktuar nga premtimet e kota. Heshtje dhe shurdhëri që të dy palët i bënë të mos shohin se janë katandisur rrugës që të çon deri në majën nga shqiptarët e këtushëm mbase do e shohin se nuk kanë më për kë të votojnë. Me çka shqiptarët e këtushëm do e kuptojnë se kanë ardhur deri aty sa pjekurinë e vetë politike do mund ta dëshmojnë vetëm duke i lënë të zbrazëta kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Gjë që nuk do ishte zgjidhje e keqe e që do e linte parlamentin republikan pa përfaqësuesit shqiptarë, me çka Gruevski më në fund do e kuptonte se ka mbetur pa Maqedoni. Mbase kjo është mundësia e fundit që u ka mbetur shqiptarëve të këtushëm që të shpëtojnë nderin e tyre politik dhe të pengojnë fundosjen e lundrës së tyre në detin pa brigje. Pra, të dëshmojnë se e kanë kuptuar sa të kota janë akuzat drejtuar kapitenëve të paaftë dhe sa e kotë është të pyesësh kush e drejton anijen, nëse në ndërkohë nuk e pyet veten sa gozhda ke vënë për mirëmbajtjen e saj. Vetëm ata që shtrojnë këtë pyetje e dinë si përfundon lundrimi i anijes së lënë ta drejtojnë ata që nuk dinë t’i lexojnë hartat politike.