Back

Muzeu i dështimeve

Shlruan: Kim MEHMETI

Këtë përshtypje njeriu mund ta ketë shkaku se mjaftojnë vetëm dymbëdhjetë muaj që të realizohet e tëra ajo që kanë arritur shqiptarët e këtushëm për dy dekada me radhë. Përfshi këtu edhe arritjet që Ali Ahmeti i numëron në çdo intervistë të tij, duke dashur kështu të tregojë sa i mirë është Gruevski, e sa jo mirënjohës jemi ne që e kritikojmë qeverinë e tanishme. Dhe që të jemi të drejtë, e të mos japim argumente shtesë që dikush të mendojë se nuk e respektojmë punën e bërë, se nuk i çmojmë përpjekjet e BDI-së që të mbrojë të kaluarën e famshme të popullit ton, nga të arrirat e dy dekadave të kaluara, do veçojmë ngritjen e përmendores së Skënderbeut në Shkup (për dallim nga përmendoret e Gruevskit, të financuara nga buxheti i shtetit, ajo e Skënderbeut u ndërtua me vetë kontributin e shqiptarëve të këtushëm dhe nuk do ngrihej kurrë pa angazhimin e kryetarit të komunës “Çair”, Izet Mexhitit), hapjen e  Muzeut të Lirisë (edhe ai në komunën “Çair” të Shkupit, i vendosur në një shtëpi të marrë me qira, e cila do mund të ndërtohej me më pakë para seç kushton dera hyrëse e cilit do muze të VMRO-DPMNE-së), renovimi shumë herë i paralajmëruar i Muzeut të Alfabetit në Manastir, i cili assesi të hapet për vizitorët. Pra, që të jemi të drejtë ndaj BDI-së në pushtet, duhet pranuar se janë shënuar përvjetorët e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit, edhe atë me parat e shtetit (harxhime që nuk arrijnë as pagën e kryeredaktorit të “Enciklopedisë maqedonase” që ofendoi tërë popullin shqiptar). Gjithashtu, duhet pranuar se BDI-ja ka punuar në drejtim të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore dhe publike, kështu që vetëm në vitin që do përfundojë, janë punësuar 900 shqiptarë, por edhe 9000 maqedonas etnik, me çka, në vend që të rritet, përqindja e nëpunësve shtetëror shqiptarë, zvogëlohet. Dhe gjithashtu, duhet nënvizuar, se shqiptarët e sotëm, për dallim nga ata të para dy dekadave, kanë fakultete në gjuhën shqipe thuajse në çdo qytet ku ata banojnë dhe, nuk ka faj BDI-ja pse ato fakultete hapen pas dy dekadash, tani kur cili do pronar i universiteteve private të themelon fakultet në cilën gjuhë të duash dhe në cilin qytet të kesh nevojë, por vetëm nëse ke para të paguash arsimimin.

Por, kaq sa për të qenë të drejtë ndaj BDI-së së Ali Ahmetit. Tani diçka që mbase do dëshmojë se ne që  gjatë dy dekadave të kaluara vlerësonim të bërat e të pabërat e partive, nuk jemi as avdellenj, e as të verbër e të shurdhër, të cilët nuk shohin atë që është bërë, që nuk kuptojnë atë që e thonë përfaqësuesit shqiptarë në pushtet. Pra, tani diçka për Muzeun e dështimeve kolektive të shqiptarëve të këtushëm, muze i cili ndoshta do ishte më i begati që do e kishte ky popull, e ku pa dyshim, do zënë vend edhe shkrimet tona. Siç do qëndrojnë në atë muze edhe gjitha përpëlitjet e PPD-së gjatë dy mandateve sa ishte në qeveritë e Maqedonisë, së bashku me  “atdhetarinë” e pashembullt të PDSH-së gjatë bashkëqeverisjes së sajë të parë me VMRO-DPMNE-në,  kur kryesuesit e kësaj partie i gëzonin përfitimet personale, e populli e vajtonte humbjen kolektive. Pra, aty do jenë “eksponatet” që do ua dëshmojë gjeneratave të ardhshme gjitha dështimet politike të shqiptarëve të këtushëm deri në vitin 2001, kujtimin e të cilit vit do e ruaj  Muzeu i Lirisë.

Në Muzeun e dështimeve kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë, do zë vend të merituar  edhe dekada e paskonfliktit. Kuptohet, në vitrinat që do shënojnë dekadën e dytë të dështimeve shqiptare, si eksponat më mbresëlënës do jetë ai i vitit 2006, ku pas zgjedhjeve të atëhershme parlamentare, Arbër Xhaferi për herë të fundit na dëshmoi se ç’është demokracia dhe bëri çmos që PDSH-ja e tij të shkel mbi vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm dhe të bëhet pjesë e qeverisë së Gruevskit. Pastaj, në vazhdën e eksponateve që do dëshmojnë dështimet e dekadës së pas konfliktit të 2001, do vijnë ato të kohës kur vasal i Gruevskit u bë BDI-ja, e cila ka legjitimitet të përfaqësojë popullin, por nga dita në ditë, e humb kredibilitetin të thirret në emër të shqiptarëve. Dhe, në mesin e eksponateve të epokës së bashkëqeverisjes së BDI-së me VMRO-DPMNE-së, vend të rëndësishëm do zënë edhe shumë deklarata të Ali Ahmetit, të cilat dëshmojnë se, o ai nuk dinë ta thotë mirë atë që mendon, o ne jemi aq kokëtul, sa nuk kuptojmë ç’do të na shpjegojë lideri i BDI-së. Andaj, kur Ali Ahmeti thotë se fare nuk i kërcet sa përmendore do ndërtojë Gruevski, ne pyesim veten vallë është e mundur ai aspak të mos mërzitet si harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë, vallë Ali Ahmeti nuk e kupton se ne që kundërshtojmë ngritjen e këtyre përmendoreve, nuk jemi të nxitur nga zilia se maqedonasit do kenë më shumë përmendore se shqiptarët, por pse Gruevski ato i ndërton edhe me paratë tona.  Në Muzeun e dështimeve tona kolektive, do mbetet edhe thënia e Ali Ahmeti se ai nuk është tregtarë, si dhe habia jonë se mos pse kryetari i kësaj partie nuk na qenka tregtar dhe pse beson se politika është matematik ku dy dhe dy bëjnë katër, me pëlqimin e BDI-së, Gjorgjia u shpallë president i shqiptarëve edhe pse për të kishin votuar vetëm aq shqiptarë sa është numri i familjarëve të kryesuesve të kësaj partie. Apo, mos vallë, duke mos qenë tregtarë politik, ai beson se legjitimiteti i popullit është monedhë, të cilën mund t’ia huazosh kujt të duash. Dhe duke besuar se legjitimitetin që ke mund ta përdorësh si kredi-kartelë, kundër vullnetit të shqiptarëve që bojkotuan zgjedhjet presidenciale, ai atë ia huazoi Gjorgjisë, presidentit të vet dhe të maqedonasve etnik.

Në Muzeun e dështimeve tona politike, do mbeten edhe incizimet e fjalimeve plotë frymëzimi të Ali Ahmeti për angazhimin e BDI-së që Maqedonia të anëtarësohet sa më shpejtë në BE dhe NATO. E ato fjalime, si asgjë tjetër, tregojnë paaftësinë politike të kësaj partie të veprojë sipas parimit: mos u merr me punët e mëhallës ku nuk të pyet njeri, por mundohu ta rregullosh shtëpinë tënde. Apo, ato fjalime tregojnë se ai që nuk ka ndikim në rregullimin e shtëpisë së vet, fillon të merret me punët e mëhallës. Pra, ai i cili nuk ia del të zgjidhë problemet për të cilat e ka votuar populli – mbi të gjitha, ndarjen e drejtë të buxhetit shtetëror – merret me “ngrohjen globale” mbi të cilën me asgjë nuk ndikojnë oxhaqet e çajtoreve ku e kalojnë ditën të rinjtë e papunë shqiptarë. Aq më shumë, këto fjalime më së miri zbërthejnë se Ali Ahmeti, i fundit do e kuptojë se të arrish në Bruksel pa qenë bashkëdrejtues i Shkupit, është si të besosh se edhe gomari që shkon në Mekë, mund të bëhet haxhi. Apo se ne të tjerët nuk e dimë se ky Ballkan, herdo kurdo, do bëhet pjesë e BE-së dhe NATO-së, se kjo fare nuk varet nga BDI-ja, por nga ajo se kur do duan Brukseli dhe Uashingtoni. 

Në Muzeun e Dështimeve kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë, e të cilin, në mos liderët partiak shqiptarë, një ditë do e ndërtojë Gruevski, do ketë një “eksponat” i cili do i identifikojë të gjitha partitë shqiptare që deri tani kanë qenë në pushtet: portreti grupor i servilitetit dhe inferioritetit i liderëve shqiptarë, i cili i çonte ata të ndjehen shumë  mirënjohës ndaj mandatarëve që i kishin përfshirë në koalicionet qeveritare dhe mosmirënjohës ndaj popullit që i kishte votuar dhe i kishte bërë pushtetarë. Dhe duke u ndje inferior dhe duke qenë servil ndaj pushtetarëve maqedonas, ata bënë çmos që të jenë të pëlqyer nga mandatari, bënë çmos që t’i arsyetojnë e t’i përmbushin kërkesat e Gruevskit, pra bënë çmos që para partnerit maqedonas të mos lënë përshtypjen e dyfytyrëshit, por duke mos ia varur fare se çka mendon populli për punën e tyre qeveritare. Pra, duke qenë përfaqësuesit shqiptarë kaq mirënjohës ndaj Gruevskit që i përfshiu në qeveri, ata, e jo politikanët e etnitetit maqedonas, përbuzën votuesin shqiptarë dhe dëshmuan se lehtë heqin dorë nga premtimet që ia kanë dhënë popullit dhe kurrë nuk ia prishin qefin e nuk e shkelin besën që ia kanë dhënë mandatarit. Dhe, ky eksponat i mirënjohjes së liderëve partiak shqiptarë ndaj mandatarëve maqedonas, në Muzeun e dështimeve kolektive të shqiptarëve të Maqedonisë, do mbetet si më madhështori. Sepse ai është ngritur nga naiviteti kolektiv i shqiptarëve të këtushëm dhe nga e vërtete se pushtetarët shqiptarë, aty ku janë, më shumë i nënshtrohen vullnetit të Gruevski, se sa atij të popullit të vet.