Back

Njeriu si numër i thjeshtë

Shkruan:Kim MEHMETI

Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun Aliu, njëri nga simbolet e ish-Ushtrisë Çlirimtare, ai që aq shumë e donte të mirën e shqiptarisë, sa edhe gjatësinë e jetës së vet e maste nëpërmjet veprave që kishte bërë për mirëqenien e popullit që i takonte. Dhe sot, kur shqiptarët e Maqedonisë ndërmendin këtë ngjarje tragjike, ata gjithashtu do duhej ta rikujtonin një të vërtetë të dhembshme: se kalendari i tyre kolektiv, e ku janë shënuar dy dekadat e demokratizimit të shtetit ku jetojnë, është i mbushur me përplot ditë zie, e me shumë pak ditë festive. Pra, sot kur kalendari i shqiptarëve të Maqedonisë shënon njëvjetorin nga dita kur shteti ku ata jetojnë, ekzekutoi katër shqiptarë, pa e dëshmuar fajësinë e tyre, shqiptarët e këtushëm do duhej të shkonin më tej se sa të mbajnë akademi përkujtimore dhe do duhej t’i përgjigjeshin pyetjes: si është e mundur që në këtë Maqedoni, ku ka edhe pushtetarë shqiptarë, më të mbrojtur me ligj e drejtësi të jenë arushat e maleve, se sa shqiptarët e këtushëm.

Kur flitet për të shkuarën e Maqedonisë demokratike, dy dekadat e demokratizimit të saj, shqiptarët e këtushëm, i filluan duke shëtitur me kalë të bardhë nëpër lagjet e Tetovës. U nisën ashtu ngaqë ata i ngjanin të eturit që ndodhet pranë burimit të gjatë kërkuar, ngaqë ishin si të porsadalë nga tuneli i errët i njëmendësisë. Dhe duke qenë të atillë, ata as që vërejtën se kali i bardhë ishte me bajga, njësoj siç nuk ndërmendën me kohë se jo çdo kalë i bardhë simbolizon fitoren. Pra, u nisën rrugës së një veprimi ndryshe politik, filluan ta kompletojnë kalendarin e aspiratave të tyre politike, e që më në fund, në atë kalendar, të mbeten të shënuara ditët e përgjakura, në mesin e të cilave edhe ajo e ngjarjeve të Bit-pazarit, ku u vranë katër shqiptarë, ajo e Gostivarit, ku gjithashtu u vranë shqiptarë të pafajshëm dhe u keqtrajtuan me qindra të tjerë, edhe atë vetëm pse flisnin e mendonin shqip. Pra, dekadën e fundit të shekullit të njëzet, apo atë të parën të demokratizimit të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm e mbushën me data që ngërthenin në vetvete emrat e atyre që flijuan jetën në altarin e ambicieve për të qenë pronarë të shtëpisë së tyre. Dhe, gjatë tërë kësaj dekade, shqiptarët e këtushëm duhej t’i vajtonin viktimat e tyre në heshtje, sepse më shumë se dhembja e tyre, ata i mundonte plaga mbarëkombëtare e quajtur Kosovë. Gjë që e kishin të qartë pushtetmbajtësit maqedonas, andaj e dinin se shqiptarët e këtushëm ishin të gatshëm të paguanin aq sa do kërkohej prej tyre, vetëm të mos dëmtonin interesin mbarëshqiptar – mëvetësimin e Kosovës.

Pas konfliktit të 2001, shqiptarët e Maqedonisë shpresuan se për ta do fillonte të jetësohej kalendari i festave të tyre. Këto shpresa ata i mbështetën mbi vetëdijen se Kosova tani më nuk ishte plagë mbarëshqiptare, por ëndërr e bërë jetë, se Kosova ishte edhe Festa e tyre e madhe, se ishte fitore që i arsyetonte të gjitha ditët e zisë që ata i kishin regjistruar në dekadën e fundit të shekullit të njëzetë. Pra, shpresat për një të ardhme pa frikë nga plumbat e policisë maqedonase, shqiptarët e këtushëm i mbështesnin mbi bindjen se tani do kishin kohë t’i përkushtoheshin vetvetes, se gjatë konfliktit të 2001, u kishin dëshmuar pushtetarëve maqedonas se nuk kishin duruar përbuzjen ngaqë kishin pasur frikë, por kishin ulur kokën që të mos e pengonin ngritjen në këmbë të Kosovës. Kështu që, as që u shkonte ndërmend se edhe pas konfliktit të 2001, se edhe dekada e parë e shekullit të njëzetenjë, do ishte përplot me data që do shënonin ditët kur ishte derdhur gjaku i shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, as që kishin mundur ta paramendonin se pas konfliktit të 2001, ata do duhej të përjetonin Sopotin, Brodecin dhe rastin e Radushës, ku u vra Harun Aliu. Ata pra nuk kishin mundur ta besonin se edhe pas konfliktit të 2001, shteti do t’i ekzekutonte pa dëshmuar fajësinë e tyre, edhe atë duke pasur në qeveri edhe disa nga ish-kryesuesit e UÇK-së.

Shqiptarët e Maqedonisë e filluan demokratizimin e tyre të hipur mbi kalë të bardhë. Dhe gjatë dekadës së fundit të shekullit të njëzet, ata dhanë shumë “kurbanë” hir asaj që të mos dëmtonin interesin madhor mbarëshqiptar – ëndrrën për Kosovë të pavarur. Dhe nëse dekada e parë e demokratizimit të Maqedonisë kërkonte viktimizim të vetvetes, për një interes më të madh të shqiptarisë, dekada e parë e shekullit të njëzetenjë, mund të shpallet si periudhë kur shqiptarët e Maqedonisë e paguan me gjak vasalitetin e partive të tyre që bëheshin pjesë të qeverive maqedonase. Pra, dekada e parë e shekullit të njëzetenjë, shënon datat kur pushtetarët shqiptarë as që guxuan ta pyesnin sunduesin si ishte e mundur me aq lehtësi t’i ekzekutonte shqiptarët. Dhe nuk e pyetën, ngaqë e dinin se vasali duhet të jep “kurban” për t’ia dëshmuar sunduesit besnikërinë. Nuk e pyetën ngaqë nuk e shihnin se Gruevski u merrte hak shqiptarëve për 2001, edhe atë duke asgjësuar Marrëveshjen e Ohrit dhe duke vrarë shumë nga ata që ishin simbol i ish UÇK-së, simbol i rezistencës së shqiptarëve të këtushëm. Me çka, ia doli që shqiptarët e Maqedonisë t’i lërë pa simbolet e guximit të tyre dhe t’i çojë të pyesin vetveten: Pse luftuam!

Kalendari i shqiptarëve të Maqedonisë është përplot me data që shënojnë ngjarje tragjike. Kjo pjesë e shqiptarisë u tregua e denjë në vajtimin e atyre që ua ekzekutoi shteti, por kurrë nuk u dëshmua e aftë t’i mbrojë vlerat që ka. Duke qenë popull që dinë t’i vajtojë të vdekurit, por nuk tregon kujdesin e duhur ndaj vlerave të gjalla që ka, edhe sot ndodh që njëri nga simbolet e konfliktit të 2001 – Komandant Xheza – të bredhë maleve të shqiptarisë duke u ikur pushtetarëve maqedonas, ku bëjnë pjesë edhe ata të partisë shqiptare në pushtet, të BDI-së. Ku ta dish, mbase e tëra kjo u ndodh edhe nga shkaku se kanë atdhe Kosovën, të cilën nuk dihet se kush e sundon, dhe kanë mëmëdhe Shqipërinë, ku votat për kryetar të Tiranës numërohen një javë të tërë, thuajse bëhej fjalë për ndonjë kryeqendër afrikane. Ku ta dish, mbase shqiptarët e Maqedonisë edhe nuk mund të kenë fat më të mirë se ky që kanë, ngaqë mëmëdheu i tyre merret me maratona televizive që tregojnë turpin e atjeshëm zgjedhor, e ku analistët e pavarur, dëshmojnë paanësinë e vet, duke e ndarë popullin në “opozitar” e “pozitar”, duke e ngjyrosur Shqipërinë në “rozë” e “blu”, duke ia shlyer asaj të kuqen e të zezën me të cilën mburret shqiptaria. Pra duke ua shpjeguar shqiptarëve të atjeshëm atë që shqiptarët e Maqedonisë e kanë kuptuar qëmoti: asgjë nuk vlen jeta e individit aty ku njeriu është vetëm numër i thjeshtë, numër që ka vlerë vetëm kur ndodhet në kutinë e votimit.