Back

Pusi s'zbrazet me një kovë por mbushet e thahet nga hedhurinat

Shkruan: Kim MEHMETI

       

      Rëndomë, kur kryeministri i një shteti laik ndërton kisha në vend të shkollave, spitaleve e fabrikave, atëherë ose bëhet fjalë për besimtar i cili e keqpërdor politikën për ta forcuar bashkësinë fetare të cilës i takon, ose është politikanë i cili e keqpërdorë religjionin për të fshehur paaftësitë e veta të një pushtetari. Por, Kryeministri i Maqedonisë, Gruevski nuk është as keqpërdorues i politikës, as manipulues me religjionin: ai është vetëm një avdall politik, i cili nuk e ka kuptuar se aftësitë e një kryeministri të një shteti laik, nuk maten nëpërmjet numrit të kishave që ka ndërtuara, as nëpërmjet rrugës nëpër të cilën i çon qytetarët e shtetit të vet në parajsë, por vetëm nëpërmjet asaj sa u ka siguruar atyre jetë të rehatshme në këtë botë. Pra, Gruevski është një Millosheviq i vonuar i llojit të vet, por shumë i vogël dhe i zbetë për t’u mbajtur mend, i cili i fundit do e kuptojë se kushdo që shkelë mbi fatin e popullit tjetër, ka mëkëmbë fatin e popullit të vet.

      Rëndomë, kur një politikan bëhet i pandjeshëm ndaj kritikave që i drejtohen, kur në vend të shpjegimeve, të jep vitamina për ta shtuar durimin dhe mirëkuptimin, i cili tërë kohën të mbanë lidhur në nyjën ku është ngatërruar e kaluare e rëndë me të sotmen e komplikuar, në ndërkohë duke mos treguar sa kohë do i duhet të gjejë skajin e atij lëmshi politik, atëherë ai është o misionar që e keqpërdorë politikën për të realizuar misionin e vet, o politikan që keqpërdorë misionin e fshehtë për të mbuluar paaftësitë e veta të politikëbërësit. Por, Ali Ahmeti nuk është as misionar që e keqpërdorë politikën, as politikëbërës që manipulon me misionin e vet të shenjtë: ai është vetëm një politikanë i pagjindshëm, i cili nuk e ka kuptuar se në shoqëri demokratike nuk veprohet sipas rregullave “leninisti” dhe në “treshe”,  të cilat te çdo kritikues dashamirëse, te çdo njëri që nuk pajtohet me ata, shohin spiunin potencialë të ndonjë qendre politike. Pra, Ali Ahmeti është politikan i cili mbase nuk e din se të hysh në politik me ngarkesën e “njeriut të armës”se duhet çdo ditë të dëshmosh se nuk je ai i keqi që të mendojnë, por i miri që nuk të njohin, do të thotë të bëhesh rob i së kaluarës sate dhe të harrosh se vjen dita kur populli nuk të mat me atë që ke bërë dikur, por me atë që je duke bërë tani, se ajo që bënë sot mund ta zbehë atë që ke ndërtuar në të kaluarën. Apo, se pezmi i popullit është më i madh ndaj atyre që kanë aurën e fitores kolektive, e të cilët në ndërkohë e kanë dëshpëruar, ndaj atyre që edhe janë flijuar për të mirën e popullit të vet, por që më vonë kanë vendosur atë flijim ta paguajnë me hyrjen e tyre në politikë.

      Në  shikim të parë, duket se nuk ka asnjë ngjashmëri mes Gruevskit dhe Ali Ahmetit, partitë e të cilëve përbëjnë koalicionin qeverisës dhe që do duhej së bashku të vendosnin për fatin e Maqedonisë. Por, prapëseprapë, ka diçka që këta dy i bënë të ngjashëm mes veti, që e lidhë në nyje fatin e tyre politik. Ajo që i bënë të afërt Gruevskin dhe Ali Ahmetin është paaftësia e tyre të përdorin drejtë legjitimitetin që ua kanë dhënë popujt që përfaqësojnë dhe forcën politike që kanë. 

      Që  nga viti 2006 e këtej, tërë forcën e vet politike, Gruevski e përdori për ta vazhduar pjesën e dytë të konfliktit të 2001, tërë fuqinë politike e përdori që shqiptarëve të këtushëm t’u revanshohet për atë që ndodhi atë vit. Nga ana tjetër, që nga viti 2006 e këtej, tërë energjinë e tij politike dhe tërë legjitimitetin që ia dhanë shqiptarët, Ali Ahmeti e harxhoi duke dashur të dëshmojë se edhe si politikan i ardhur nga “malet”, din të ndërtojë paqe njëjtë si ata të salloneve politike dhe se e donë Maqedoninë po aq, nëse jo edhe më shumë, sa kolegët e tij të etnitetit maqedonas.

      Pra, ajo që i bënë të ngjashëm Gruevskin dhe Ahmetin është se të dy janë peng i të kaluarës së tyre. Kjo e kaluar e çon Gruevskin të ëndërroj t’ua merr hakun shqiptarëve për konfliktin e 2110, e Ahmetin e shtynë të bëjë të pamundurën që t’i bind kolegët e vet të etnitetit maqedonas se në çantën e vet nuk mban armë, por platforma politike. Dhe kështu del se situata e sotme politike në Maqedoni është pasqyrë e komplekseve të njerëzve që luftojnë me të djeshmen e tyre, e në ndërkohë vendosin për të sotmen dhe të ardhmen e shtetit. Dhe si e tillë, Maqedonia bëhet shtet ku shqiptarët ndjehen gjithnjë e më të dëshpëruar, më të margjinalizuar dhe më të poshtëruar politikisht, e në ndërkohë Gruevski ndjehet gjithnjë e më komod në pyllëzimin e Maqedonisë me kisha dhe kryqe si dhe në ortodoksizimin dhe sllavizimin e shtetit. Gjë të cilën Ahmeti shtiret se thuajse nuk e  sheh fare.

      Por, atë që nuk e sheh Ahmeti, bëhet gjithnjë e më e dukshme për të rinjtë shqiptarë të Maqedonisë.  Pra të rinjtë e këtushëm shqiptarë gjithnjë e më qartë e shohin se Gruevski është në rrugë të mirë ta fitojë pjesën paqësore të konfliktit të 2001, e Ali Ahmeti t’i sjellë shqiptarët në pozitë të pyesin veten: ç’na duhej ajo luftë nëse Marrëveshja e Ohrit edhe pas nëntë viteve është thuajse një letër e parealizueshme. Apo të thonë: pse nuk iniciohet një marrëveshje e re maqedonaso-shqiptare pasi asaj të Ohrit prej moti i ka kaluar afati kohor i përdorimit.

      Shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më qartë shohin atë që siç duket është e padukshme për përfaqësuesit e tij politik: se Gruevski e gjeti çelësin se si t’i margjinalizojë forcat e këtushme politike shqiptare. Me çka i bindi shqiptarët e këtushëm se ata nuk kanë thuajse asnjë dobi nga partitë e tyre, me çka mbase padashje u ndihmoi të kuptojnë se duhet të shkojnë më tej parimit të demokracisë “badinteriane” nëse duan të jenë të mbrojtur nga majorizimi etnik. Dhe i çoi të mendojnë se ndoshta është më mirë që partitë e tyre fare të mos marrin pjesë në qeveritë e Maqedonisë.

      Kuptohet, shqiptarët e Maqedonisë sot ndodhem përpara shumë dilemave dhe pyetjeve. Ata pyesin veten edhe ç’është ajo që e çon Ali Ahmetin të ndjehet inferior ndaj partnerit të vet qeveritarë maqedonas, kur dihet se shumë lehtë mund t’i shfryjë muskujt e silikonit politik të Gruevskit. Kur dihet pra se mjafton atij t’i thotë:  merre në qeveri të preferuarin tënd Imer Selmanin, bëni me këtë shtet ç’të doni me të, e unë do ju pres në parlamentin tim matanë lumit Vardar dhe më thirrni kur të jeni gati, që të kremtojmë rezultatet që keni arritur. Por, siç duket, Ali Ahmeti është i penguar nga diçka që ta bëjë këtë hap. Mbase atë e mbanë optimist bindja se partia e tij, siç do thoshte ai, është pus që nuk mund të shteret me një kovë. Duke harruar se e vërteta se pusi nuk shteret me një kovë është baras me të vërtetën se, edhe pusi më i thellë, një ditë thahet e mbushet sa mos ta dish se ku ka qenë më parë, nëse lejon që çdokush të pështyjë dhe të hedhë gurë e mbeturina në të.

      (Marr nga “Koha Ditore”, Prishtinë)