Back

Ribotohet “Kështu ecën njeriu”

Anila DISHA

(Lajm )25.01.2008

Doli nga shtypi botimi i dytë i librit “Kështu ecë njeriu” nga autori Kim Mehmeti. Në këtë prozë eseistike të shkrimtarit tonë Kim Mehmeti do mund të lexoni diçka më shumë se sa jetëshkrimin për Ali Aliun. Ky libër është edhe rrëfim për fatin jetësorë të një gjenerate që mbrojti bërthamën atdhetare te shqiptarët që jetonin në ish Jugosllavi. Në këtë prozë të Mehmetit ndërthuren ngjarje që zbërthejnë kohën dhe rrethanat në të cilat veproi atdhetari dhe studiuesi letrar Ali Aliu. Ky libër i mundëson lexuesve të ecin gjurmëve të kohës që nga vitet e pasluftës e deri te ato të sotmet. Në këtë libër do gjeni atë që nuk e keni ditur për Ali Aliun, për njeriun që në heshtje kontribuonte për të ardhmen e popullit të vetë. Dhe së fundi në këtë libër do lexoni atë që do u ndihmojë më lehtë ta kuptoni të sotmen e shqiptarëve të Maqedonisë.
Kim Mehmeti lindi në vitin 1955 në fshatin Gërçec në afërsi të Shkupit, ku edhe jeton. Është shkrimtar bilingual, i cili pos në gjuhën amtare shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Shkruan prozë, tekste publicistike. Përmbledhja me tregime “Fati i Fatushës” në vitin 1994 u shpall si libri më i mire në prozë. Tregimi me titull “Peshku Ekstasis” u radhit ndër dhjetë prozat më të mira në Evropë në konkursin për prozë të shkurtër në Arnsberg-Gjermani. Romani “Fshati i fëmijëve të mallkuar” është botuar edhe në gjuhën gjermane. Tregime të këtij autori janë përkthyer dhe botuar në gjuhën franceze, gjermane, angleze, turke, polake, kroate, sllovene… dhe janë përfshi në më shumë antologji. Librin “Kështu ecë njeriu”e botoi Shtëpia Botuese “Logos BKA”.