S’ka çmim për gazetari
I vetmi që dukej më i lumtur në ceremoninë e dhënies së shpërblimit vjetor “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari ishte shkrimtari shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, i cili u shpërblye me çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi. Ai kishte ardhur nga Maqedonia me shpresë se midis Prishtinës dhe Tiranës do të kishte mosmarrëveshje dhe kësisoj çmimi do t’i jepej një shkrimtari nga Maqedonia. Dhe kështu edhe ndodhi. Kjo ishte vetëm një shaka e shkrimtarit Mehmeti, por edhe pse ishte shaka në të fshihej një gjysmë e së vërtetës, që do të thotë se në Kosovë letërsia, por edhe gazetaria, ndodhën në një krizë. Letërsia ndodhet në krizë për shkak se nuk arriti asnjë autor nga Kosova ta fitonte këtë çmim, ndërsa gazetaria edhe më keq, pasi që nuk u dha fare shpërblimi për gazetari.
Ky shpërblim jepet nga kompania Koha, e cila është e themeluar nga i biri i Rexhai Surroit, Veton Surroi dhe kap vlerën prej katër mijë euro, ku tri mijë shkojnë për laureatin në letërsi dhe një mijë për atë të gazetarisë, i cili kësaj radhe nuk u dha fare, megjithëse kishin konkurruar një numër jo edhe aq i vogël i gazetarëve.
Për çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi kishin konkurruar 43 autorë me 50 tituj, ndërsa në gazetari kishin konkurruar 22 gazetarë me gjithsej 35 shkrime. Megjithatë, shkrimet e dërguara në kategorinë e gazetarisë, fatkeqësisht, nuk kishin arritur t’i plotësojnë kriteret dhe në këtë mënyrë, juria e kishte parë të arsyeshme mos ta japë fare këtë çmim.
Duke folur në emër të jurisë, e cila ishte e përbërë nga gazetarët Zenun Çelaj, Kelmend Hapçiu dhe Naser Miftari, kryetari i jurisë Zenun Çelaj tha se shkrimet që ishin dërguar nuk i përmbushnin kriteret për t’u shpërblyer.
“Shkrimet që i kishin dërguar autorët nuk e kishin shkallën e vlerave të botuara gjatë vitit në mediat e shkruara të Kosovës”, tha Çelaj, duke i propozuar organizatorit të konkursit që për vitin e ardhshëm ta kufizojë numrin e konkurruesve në dy shkrime, pasi që sivjet kishte pasur rast që vetëm një gazetar të konkurronte me dhjetë shkrime.
Në anën tjetër, për shpërblimin për letërsi juria, në përbërje të së cilës ishin Eqrem Basha, Sabri Hamiti dhe Bardh Rugova, kishte vendosur që çmimin ta dërgojë në një shtet tjetër. Ata ia dhanë këtë çmim shkrimtarit nga Maqedonia, Kim Mehmeti, i cili kishte konkurruar me romanin e tij “Vitet e urithit”, të botuar në vitin 2007 nga shtëpia botuese ‘Toena’ e Tiranës.
Gjatë kësaj ceremonie u dha edhe një dokumentar i bërë nga Antigona Qena-Kaqaniku, ndërsa po më këtë rast, i cili korrespondonte me njëzet vjetorin e vdekjes së Rexhai Surroit, u promovuan veprat e tij në pesë vëllime.
http://www.gazetaexpress.com/online/home.php?tempulli=11&category=72&id=2424