Anila DISHA
Rrjeti kabllovik "Cabel tel" hoqi nga rrjeti televizionin "Top Channel" pak minuta para transmetimit të emisionit "Shqip", ku është debatuar për situatën në Maqedoni. Një ditë më vonë, "Cabel tel" kyçi në rrjet këtë televizion, por menjëherë sa ka nis ritransmetimi i emisionit "Shqip" me të ftuar ish kryeministrin e Maqedonisë, Vllado Buçkovski, ish kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko dhe analistin Kim Mehmeti, sërish e ka ndërprerë. Zyra e "Top Chaneel" në Shkup ka informata se heqja e këtij kanali nga rrjeti kabllovik është bërë me urdhër të pushtetarëve. "Është e çuditshme se si këta e ndërprenë ‘Topin’ në çastin kur duhet të emitohej emisioni ‘Shqip’ me mysafirë nga Maqedonia. Unë kam informata të pa konfirmuara se ajo është bërë me urdhër të pushtetarëve", tha për "Lajm" shefi i zyrës së televizionit "Top Channel" në Shkup, Kim Mehmeti. Fakti që "Topi" u nxor nga rrjeti në momentin e emetimit të emisionit "Shqip" i nxit shumë shikues që të drejtohen në zyrat e Shkupit për të pyetur për shkaqet e ndërprerjes. "Nuk e di komplet të vërtetën, e di se do të ketë arsyetime të llojllojshme, mirëpo fakt është që ‘Topi u nxor nga rrjeti kabllovik ditën kur u dha ky emision, që i nxit shumë shikues të na drejtohen e të na pyesin. Ne nuk kemi përgjigje konkrete, përgjigjen duhet ta japë kompania e cila paraprakisht e ka emituar atë dhe e ka ndërprerë", tha Mehmeti, duke shtuar se drejtuesit në Tiranë do ta zgjidhin shumë shpejt këtë çështje. Atë e gëzon fakti që "Top Channel" bëhet televizioni numër një për shqiptarët e Maqedonisë dhe beson se do të gjejnë një zgjidhje që të mos i dëshpërojnë shikuesit. Po ashtu edhe Lëvizja Qytetare "Zgjohu" kërkon që të rivendoset televizioni "Top Chaneel" tek ky operator, me qëllim të informimit të qytetarëve. "Në ‘Zgjohu’ janë paraqitur shumë qytetare të brengosur nga mungesa e këtij televizioni në rrjetin kabllovik dhe kërkojnë që ta ngremë zërin. Ne do t’i drejtohemi me kërkese të dyja palëve, që nëse kanë çështje të hapura ti zgjidhin sa më shpejt me qëllim të informimit të qytetarëve", tha kryetari i Lëvizjes Qytetare, Artan Grubi.
Ndërsa nga "Cabel tel" nuk japin asnjë sqarim për këtë ndërprerje, por vetëm justifikohen me atë se në ueb faqe kanë nxjerrë një njoftim për kodimin e kanaleve, njoftim ky që ka disa javë që gjendet në këtë ueb faqe dhe nuk asnjë lloj lidhjeje me rastin në fjalë. Kjo është hera e dytë që "Cabel tel" heq nga rrjeti televizionin "Top Channel".