Back

Shpata e “përgjakur” e Gruevskit

Shkruan : Kim Mehmeti

 
 
              Në një shtet ku më parë t’i venë prangat në duar, e pastaj ta shkruajnë aktakuzën, në atë shtet vlen vetëm ligji i më të fortit dhe vetëm budallenjtë falsin për zbatim ligjesh dhe rend e drejtësi. Në një shtet ku policia e prangos nënën para fëmijëve të mitur të vet edhe pse ajo zonjë as që ka patur ndërmend të ikë e të fshihet nga policia, në atë shtet qytetarët duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht se kush ua përcakton fatin dhe duhet të pyesin veten mos vallë janë në duart e ndonjë grupi sadistësh që duan të të përbuzin publikisht, që më parë ta përcaktojnë dënimin e pastaj kërkojnë provat e fajësisë. Në një shtet  ku pushtetmbajtësi shumë lehtë e nxjerrë shpatën për të prerë kokat e kundërshtarëve politik, në fakt pushtetmbajtësi e shfrytëzon vetëm një përparësi  – e sheh me kohë trungun ku një ditë do të rrokulliset edhe koka e tij e pretë politike.   Në një shtet ku nuk ka qytetarët e kanë humbur ndjesinë për drejtësi dhe përgjegjësi, në një shoqëri ku studentët protestojnë kundër bashkëmoshatarëve të tyre që dëshirojnë të shkollohen në gjuhen amtare (siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën, kur studentët maqedonas, të  udhëhequr edhe nga disa ministra dhe deputetë të sotëm, protestonin kundër kërkesës së moshatarëve të tyre shpotarë për t’u shkolluar në gjuhën amtare), në një shtet ku gazetarët vihen në anën e dhunuesit  politike që i pretë kokat e gazetarëve, në atë shtet duhet t’u tregohet hapur qytetarëve se vetëm një hap i ndan nga koha kur do fillojë edhe zhdukja e njerëzve dhe kur nuk do të kesh cilën të pyesësh se çka ka ndodhur me te zhdukurin.
              Autori i këtij teksti nuk ka asgjë kundër zgjedhjes së gazetarëve të etnitetit maqedonas që fytyrën e tyre profesionale ta mirëmbajnë me kremën e “pavloviçit”, ai nuk ka asgjë kundër vullnetit të shumicës politike te maqedonasve etnik që e përkrahin rrymën “llatasiane” në partinë VMRO-DMPNE, mirëpo ai që shkruan këto rreshta ndihet i fyer dhe i përbuzur kur partia që thirret në emrin e popullit shqiptarë, mendon se ne që nuk e përkrahim këtë lloj diktature, qenkemi kundër interesave të shqiptarëve të Maqedonisë e ata që i shërbejnë Gruevskit na qenkan atdhetarët e licencuar shqiptarë. E me çka shërbëtorët e Gruevskit dëshmojnë vetëm një gjë: se vasali mbetet vasal, se vasali nuk mund të del nga mendësia vasaliane e të  kuptojnë se problemi nuk është se cili është vasal më i mirë – ai  i Gruevskit apo i Brankos – por si të dalësh nga ajo pozitë poshtëruese, si të bëhesh i barabartë ne koaliconon qeveritar. 
              Ai që shkruan këto rreshta, këto ditë lexoj një konstatim shumë interesant në një gazetë ballkanase . E ajo është se ndoshta fatkeqësia e Ramkovskit qëndron në faktin se ai nuk është i pranuar as nga Maqedonasit e as nga Shqiptarët. Se në mes tij dhe biznesmenëve të tjerë në Maqedoni, nuk ka thuajse asnjë dallim, përpos atij se biznesmenët tjerë janë pjesë e dy etniteteve më të mëdha ne Maqedoni dhe kjo i bënë ata të dinë se kujt duhet ti paguajnë “haraç” për të mbijetuar. Mbase ky konstatim e ngërthen në vetvete të vërtetën pse mes të njëjtëve, kjo qeveria aq lehtë ia vë prangat Ramkovskit. Pra, mbase kjo pozitë e Ramkovskit – si i ndodhur në mes etniteteve më të mëdha në Maqedoni – i mundësoi kësaj qeverie t’i përgatisë qytetarët të jenë të pandjeshëm ndaj fatit te TV “A1”dhe pronarit të këtij televizioni, edhe atë duke e përshkruar para maqedonasve etnik si televizion “torbeshe” dhe “shiptarska”, kurse tek shqiptarët si medium që qenka kundër BDI-së. Gjë që ka për qëllim t’i bëjë qytetarët e maqedonasit të pandjeshëm ndaj fatit të këtij televizioni, gjë që e nxitë autorin e këtij teksti të pohojë publikisht se përpiqet, dhe do të përpiqet, që partitë shqiptare të dalin nga pozita vasale ndaj Gruevskit dhe Cervenkoskit. Pra, autori i këtij teksti është i gatshëm tu ofrojë shërbime profesionale falas të gjithë medieve që kjo qeveri e ka vendosur t’i shkatërroj. Domethënë, solidarizohet me kolegët e TV “A1”, “Vreme”, “Shpic” dhe “Koha e Re”, qëndron në të njëjtin tabor me gazetarët që kjo qeveri dëshiron ti frikësoj me kërcënimin se edhe ata janë bashkëpunëtor “ të grupit kriminal”, me çka dëshiron t’ua cenoj ekzistencën, vetëm me qëllim për ta shkatërruar TV A1. Shkurtë e qartë, autori i këtij teksti deklaron se nëse duhet bërë zgjidhje mes TV “Sitel” dhe “shtetendertuesit” Latas të cilin kjo qeveri e financon edhe me parat e taksapaguesve shqiptarë, atëherë ai vullnetarisht radhitet në anën “krimineleve”, që si të tillë ende nuk i ka shpallur asnjë gjykatë, por vetëm mediet proqeveriare.
              Mbase, mbijetesa e TV “A1”, “Vreme”, “Shpic” dhe “Koha e Re” , aspak nuk do të thotë shpëtim i Ramkovskit, por mbrojtje e demokracisë në Maqedoni. Shkatërrimi eventual i këtij grupacioni mediatik, do të pasqyrojë portretin e vërtetë të gazetarisë në këtë shtet, do të tregojë inferioritetin e elitave intelektuale dhe përfundimisht, do të dëshmojë sa naiv kemi qenë të gjithë ne që nuk kemi mundur të vërejmë me kohë se, prangat ne duart e Ramkovskit dhe drejtoreshës së TV A1, ishin litari i mëndafshtë ne fytin e të drejtave të njeriut dhe të mendimit të lirë. E atë litarë mbytës për mediet, Gruevski e përdorë ngaqë ambiciet e  tij për të prerë kokat e kundërshtarëve politik, u përputh me ato të Ali Ahmetit dhe partisë shqiptare në pushtet. Pra, si do që të jetë, shpata politike e “përgjakur” e Gruevskit, është shpatë e një sunduesi të trembur për fatin e vet, e një sunduesi të mjerë e të dështuar, por të cilin e mbështeti deri në fund dhe iu nënshtrua edhe një parti shqiptare, parti shqiptare e cila e bind popullin e vet se kështu demokratizohet shoqëria dhe se kjo është rruga më e ngutshme që Maqedoninë do e çojë në NATO dhe BE.