Back

Si popull pa atdhe

Gjuha, kultura dhe tradita janë atdheu më i sigurt që ka një popull. Një popull nuk mbetet pa atdhe atëherë kur ia pushtojnë territorin që ka, sepse atë herëdo-kurdo mund ta çlirojë, por mbetet pa atdhe atëherë kur ia pamundësojnë të flasë në gjuhën amtare, kur ia degradojnë kulturën, kur ia deformojnë traditën, kur identitetin etnik ia shartojnë me filiza të llojit tjetër. Pra, një popull është i rrezikuar, atëherë kur e humb letërnjoftimin e tij kulturor, kur mbetet pa adresën e lagjes së vet gjuhësore, kulturore dhe asaj të traditës. Prandaj dhe nuk është e rastit pse çdo shoqëri që ka ambicie të mposhtë një popull me mjete "paqësore", të parën që bën ndaj atij populli, ia ndalon arsimimin në gjuhën amtare, të rinjtë e atij populli i bënë jeniçerë kulturorë, duke u imponuar vlerat e huaja kulturore, që çojnë drejt harresës së trungut kombëtar. Pra, ajo shoqëria, vepron si dikur ish-Jugosllavia, e cila popujve josllavë ua impononte gjuhën dhe kulturën e sllavëve të jugut dhe bënte çmos që shqiptarët e këtushëm të largoheshin sa më shumë nga Atdheu i përbashkët gjuhësor e kulturor me ata të Shqipërisë.

Prej se ekziston kjo Maqedoni, kaq e vogël dhe me një grusht populli "shtetformues" – atë me ngjyra të paqarta etnike, e që veten e quan popull maqedonas – nuk heq dorë nga mohimi i vlerave të shqiptarëve në këtë shtet. Gjatë gjithë kësaj periudhe 17-vjeçare sa ekziston ky shtet, kultura dhe identiteti etnik shqiptar kanë marrë vetëm një porosi: Se Maqedonia ekziston sa për të mbrojtur dhe afirmuar vlerat e etnitetit maqedonas, e jo edhe të popujve të tjerë që jetojnë në këtë shtet. Dhe jo se shqiptarët e Maqedonisë nuk e lexonin drejt këtë porosi, por ata shpresonin se do të vijë dita, kur elitat politike dhe kulturore të etnitetit maqedonas do e kuptojnë, se ambiciet e tyre çmendurake për të heshtur një kulturë dhe një traditë disashekullore shqiptare, është e njëjtë me atë të lusim që do të bëhet det.

E përderisa shqiptarët shpresonin se një ditë do shihej që përroska kulturore mbetet përroskë, se lumi gjuhësor mbetet lumë dhe se deti i një tradite të pasur nuk mund të dëmtohet me valëzimet që i shkakton miza që mbytet në të, elitat e këtushme politike dhe kulturore të etnitetit maqedonas, vazhdonin me mohimin dhe përbuzjen e vlerave kulturore të shqiptarëve të këtushëm. Këtë e arrinin edhe për shkak se partitë shqiptare, të zëna me garën se kush do të jetë "Zotëria 10%", harronin se pasanikët që nuk mbështeten edhe mbi pasurinë kulturore të popullit të vet, janë si thesari i fshehur nën tokë. E ky thesar nuk i vlen askujt. Dhe kështu, përderisa rritej numri i shqiptarëve që pasuroheshin duke shitur mirëqenien kolektive të shqiptarëve të këtushëm, vazhdonte dhe vazhdon akulturimi i paparë i shoqërisë së këtushme shqiptare, vazhdonte e vazhdon mohimi i vlerave kulturore shqiptare.

Që Maqedonia vazhdon të ecë rrugës së mohimit të vlerave kulturore të shqiptarëve të këtushëm, dëshmon edhe themelimi i Këshillit për Kulturë pranë Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë. Në këtë Këshill trembëdhjetë anëtarësh, ku u përfshi edhe një prift ortodoks – Këshill që e propozon ministresha e Kulturës – nuk u gjet vend për asnjë shqiptar. Pra, në këtë Këshill, i cili duhet të ndihmojë ministreshën në përcaktimin e strategjisë së politikës kulturore të shtetit, u emëruan njerëz të sferave të ndryshme kulturore, me sqarimin se kriter ka qenë vlera individuale e tyre, që do të thotë se në këtë shtet nuk paska asnjë vlerë shqiptare që do të kishte nderin të ulej përballë ministreshës së Kulturës. Në të vërtetë, të marrësh e t‘i shkrish gjysmën e anëtarëve të këtij Këshilli, nuk mundesh që nga lënda e shkrirë të bësh as edhe një personalitet të kalibrit të akademikut Ali Aliu, që kanë shqiptarët e këtushëm. Pra, të marrësh e të shkrish vlerat e përbashkëta të anëtarëve të këtij Këshilli, nuk të dalin as sa një përmbledhje poezish të një Lindita Ahmeti, që kanë shqiptarët e Maqedonisë.

Është më se e vërtetë se shqiptarët nuk duhet të merren me shkrirje nacional-romantike, e aq më pak me përbuzje të vlerave kulturore të popujve të tjerë, por ata duhet të bëjnë diçka tjetër: t‘u përgjigjen ashtu si duhet atyre që përbuzën kulturën e tyre, të thonë se nuk është ministri e tyre ajo që mohon vlerat shqiptare. Pasi të thonë zëshëm këtë, ata duhet të dalin përpara pasqyrës së aftësive të tyre, ku do të shohin se për shumëçka që u ndodh në sferën e kulturës, janë fajtorë ata vetë, do shohin se nuk mjafton për këtë situatë të akuzosh vetëm partitë shqiptare në pushtet, por duhet të vlerësohet drejt edhe sjellja e artistëve të këtushëm shqiptarë, të cilët aq lehtë pranuan të jenë shërbëtorë nëpër oborret partiake, e që mbetën pa bërthamën e pavarur të mendimit kritik kulturor.

Artisët dhe njerëzit e kulturës të shqiptarëve në Maqedoni, duhet përfundimisht të mos fshihen pas veprimeve partiake, duhet të matin potencën e tyre në sferën e kulturës, që të dëshmojnë se ata, e jo vetëm partitë politike, janë rojtarë të Atdheut kulturor shqiptar. Ata duhet të pranojnë hapur se sjellja e tillë mospërfillëse e ministreshës së Kulturës në Maqedoni, është e mundshme edhe për shkak se njerëzit e kulturës shqiptare në këtë shtet janë një kallaballëk i heshtur, një turmë që flet vetëm pasi dëgjon mendimin e kryesuesve të partisë së cilës i takon. E mendimi i kryesuesve partiakë kurrë nuk shkon më larg se i atij, të cilit më shumë i peshon prapanica e ulur në kolltuk, se sa koka e mbështetur mbi shuplakat e dorës.

Pushtetmbajtësit e etnitetit maqedonas kurrë nuk e kanë fshehur se qëllimi i tyre parësor është mbrojtja e qenies etnike maqedonase. Mbetet e pakuptimtë sjellja e elitave politike shqiptare, sjellje që dëshmon se ato thuajse janë dorëzuar para faktit se mund të jenë vetëm vasale të pushtetmbajtësit maqedonas, e jo edhe bashkëqeverisës të shtetit. E me këtë bënë një mëkat më të madh se ai i vasalitetit politik: edhe kulturën shqiptare e bënë vasale të kulturës së etnitetit maqedonas. Kështu që, Maqedonia sot i botoi thuajse të gjitha veprat më të njohura të krijuesve të etnitetit maqedonas, që nga "Hava e Ademi", e nuk ka botuar ende asnjë vepër të autorëve të këtushëm shqiptarë. Duke qenë vasalë të pushtetmbajtësve maqedonas, partitë e këtushme shqiptare nuk arritën të shohin se në këtë shtet investohen mjete të majme materiale për afirmimin e kulturës së etnitetit maqedonas, e thuajse asgjë nuk investohet për afirmimin e kulturës shqiptare. Ose investohet aq sa krerët partiakë shqiptarë të thonë: Ç‘kërkoni më shumë? Ua sollëm Skënderbeun në Shkup, do kremtojmë 100-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe. Thuajse kultura e shqiptarëve të këtushëm duhet të prehet nën shpatën e përmendores së Skënderbeut në Shkup dhe duhet të ushqehet vetëm me kujtimin për mbajtjen e Kongresit të Alfabetit në Manastir?!

Më në fund, ministresha e Kulturës nuk është e vetmja që emëron Këshill pa asnjë shqiptar në përbërjen e tij. Thuajse të gjitha ministritë e udhëhequra nga maqedonasit etnikë, kanë nga një armatë këshilltarësh, në mesin e të cilëve nuk ka asnjë shqiptar. Vetëm ministrat shqiptarë nuk kanë nevojë as për këshilla, as për këshilltarë. Sepse ata i dinë të gjitha. Vetëm partitë shqiptare funksionojnë pa këshilla e këshilltarë, sepse atyre u mjafton "babai" i partisë, i cili di çdo gjë e për çdo gjë vendos vetë. Mbase edhe për shkak të kësaj mençurie kaq të lartë partiake, shqiptarët e Maqedonisë ndodhen aty ku janë sot: në paradhomën e akulturimit të plotë dhe të mjerimit politik. Shqiptarët e Maqedonisë sot janë në tregun, ku partitë e tyre ua shesin kohën e së ardhmes shqiptare blerësve të gjindshëm partiakë të etnitetit maqedonas. E ata blerës kanë vetëm një aftësi: për ta zbritur çmimin e këtij malli, ndaj formojnë këshilla njëetnike, që të shpërqendrojnë shikimin e shqiptarëve të këtushëm nga shumëçka më e rëndësishme që vendoset pa pjesëmarrjen e tyre. Pra, përderisa nga muaji në muaj shqiptarët duhet të merren me korrigjimin e veprimeve antishqiptare të VMRO-DPMNE-së, ekspertët e etnitetit maqedonas vazhdojnë rrugën që i çon drejt mundësisë të mbeten Zot i vetëm i shtëpisë, me shqiptarët si vasalë të heshtur, e që duhet të kënaqen me mbledhjen e mbeturinave mbi tavolinën ku ka bërë aheng pronari i shtëpisë.