Shkruan:Kim MEHMETI
Thonë se nuk ka politikanë të këqij, por ka shtete ku çdokush mund të bëhet politikan dhe ka votues që janë të penguar, apo nuk dinë të zgjedhin. Mbase shqiptarët e Maqedonisë kanë disfatën të jetojnë në shtet, ku çdokush mund të bëhet politikan dhe ku thuajse asnjëherë nuk u është lejuar lirshëm të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Andaj edhe kanë ministër të Kulturës, që shpall tender për ndërtimin e kishave, por nuk financon shfaqe të mrekullueshme teatrore, si për shembull atë me titull "Daja Vanja", që i mrekulloi artdashësit shkupjan para disa ditëve. Pra, kanë përfaqësues të cilët janë shumë të sjellshëm ndaj elitave të etnitetit maqedonas, e tepër arrogant ndaj popullit të vet. Që harrojnë se aty ku janë, mbase edhe nuk kanë asnjë vlerë tjetër profesionale, përpos se janë shqiptarë dhe kanë mbështetjen partiake. Me çka, te shqiptarët e këtushëm, prej moti u zhvendosën të gjitha standardet vlerësuese profesionale dhe në vend të tyre u rrënjosën vlerat dhe shijet partiake. Vlera që mund të afirmohen vetëm në mjedise ku nuk është kuptuar se populli me politikanë të paaftë, është si anije pa vela, e elitat politike të dala nga mjediset që nuk dinë të zgjedhin, ndërtojnë udhëkryqe pa semaforë.
Mbase shqiptarët e Maqedonisë, edhe gjatë kohës do të lundrojnë në anijen politike pa vela dhe vonë do e kuptojnë se konceptet e tyre politike, ekonomike, kulturore, shkencore… kanë një mangësi që i lë jashtë kohës dhe realitetit në të cilin jetojnë: nuk janë të mbështetura mbi parimin të veprosh lokalisht, e të mendosh globalisht dhe mbarëshqiptarçe. Pra, t‘i përkushtohesh shtëpisë së përbashkët që e ndërton me të tjerët që jetojnë në Maqedoni, duke mos harruar se je pjesë e një tërësie kombëtare, e cila ka edhe ambicie dhe kërkesa specifike. Se ke atdhe Kosovën, e mëmëdhe Shqipërinë, kështu që nga pak i ngjajnë fëmijës që përjeton traumat e prindërve të ndarë. Fëmijës të cilit i duhet të gjejë mënyra mbijetuese, duke qenë i kujdesshëm sa ndaj shtëpisë ku jeton, po aq edhe ndaj prindërve që e kanë braktisur. Ashtu siç vepruan, për shembull, ata që vunë në skenë dramën e lartpërmendur, e ku nëpërmjet regjisë së shkëlqyer të një regjisori të etnitetit maqedonas (Sllobodan Unkovskit), shkëlqenin aktorët shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia (Bajrush Mjaku, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Eftiola Laçka, Musherefe Llozana, Adem Karaga dhe Blerta Syla). E me çka në të vërtetë iu shtua shkëlqimi tetarit shqiptar dhe u dha një shembull se si duhen mirëmbajtur përroskat "periferike" që derdhen në lumin e kulturës dhe vlerave mbarëkombëtare.
Parë nga ky këndvështrim dhe duke u nisur nga e drejta legjitime e shqiptarëve të Maqedonisë që të jenë pjesë përbërëse kulturore, shkencore, mediatike, ekonomike… e shtetit ku jetojnë, por edhe e trungut shqiptarë, ata do të duhet edhe politikisht t‘i përshtaten realitetit të popullit që ka mëmëdhe Shqipërinë dhe atdhe Kosovën, por jeton i ndarë nga "prindërit". Pra, do të duhet të kontribuojnë në ndërlidhjen dhe sforcimin e brinjëve politikë të trekëndëshit Tiranë-Prishtinë-Shkup, nga i cili bashkëveprim do varet edhe bashkëpunimi mbarëshqiptar në lëmit që e bëjnë një popull të jetë i integruar brenda vetvetes. Do duhet pra të dëshmojnë se e kanë kuptuar se politika është "buldozer" që e hap rrugën për bashkëveprim kombëtar në të gjitha fushat e tjera jetësore dhe se partitë politike duhet të jenë projektuesit e asaj rruge. Andaj edhe do duhet të bëjnë çmos që të mos jenë shoqëri, ku çdokush do mund të bëhet politikan, e as mjedis ku kandidati i zgjedh votuesit e vet, e jo votuesit përfaqësuesin e tyre.
Ambienti politik i shqiptarëve të Maqedonisë, gjithmonë dhe me shumëçka, është varur nga Tirana e Prishtina zyrtare. Në mos më shumë, atëherë shkaku se për shqiptarët e këtushëm gjithmonë ka qenë shumë e rëndësishme se cili nga liderët e tyre partiakë, me kënd fotografohet në Shqipëri apo Kosovë. Shqiptarët e këtushëm jo se nuk e kanë ditur se cilët udhëheqës të këtushëm partiakë kanë qenë të mikluarit e Tiranës apo Prishtinës, jo se nuk e kanë ditur se cilat miqësi ndërpartiake kanë pasur lidhje biznesi, e cilat ato ideologjike, por kjo edhe nuk u ka penguar gjithaq. Mbase kjo nuk u ka penguar shkaku se kanë besuar dhe besojnë, se nuk ka asgjë të keqe që Tirana e Prishtina zyrtare të kenë të preferuarit e tyre politikë në Maqedoni. Posaçërisht nëse këto miqësi ndërpartiake nuk u japin legjitimitet partive të këtushme, të cilat shkelin mbi votën e shqiptarëve të Maqedonisë. Pra, nëse janë miqësi që do ndihmohen mes tyre, por do respektojnë atë që duhet ta respektojë edhe Shkupi zyrtar – vullnetin politik të shumicës shqiptare në Maqedoni.
Andaj nuk është e çuditshme pse disa vëzhgues të rrjedhave politike mbarëshqiptare, mbajnë llogari edhe për atë se cili lider partiak nga Prishtina apo Tirana, me kë drekon kur e viziton Shkupin. Kështu që u ra në sy se Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e paska lënë pas dore kryesuesin e PDSH-së dhe u paska dhënë përparësi liderëve të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe atij të BDSH-së, Bardhyl Mahmutit. Pra, sipas tyre, Hashim Thaçi u dashka t‘i japë përparësi PDSH-së, partisë së këtushme shqiptare, që është pjesë e qeverisë aktuale, e jo partive opozitare. Edhe atë, duke harruar paraprakisht të japin shpjegim se vallë Tirana dhe Prishtina zyrtare duhet ta respektojnë vullnetin politik të shumicës shqiptare në Maqedoni, apo gjindshmërisë së partive që bëhen pjesë të qeverisë vetëm pse ashtu duan partitë më të mëdha të etnitetit maqedonas.
Sikur të ishin më të vëmendshëm dhe më objektivë, ata që kritikuan Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, do vërenin se ai vepron ashtu siç do duhej të silleshin edhe burrështetasit e tjerë shqiptarë, që e respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të këtushëm, që e dinë se BDI-ja, e jo PDSH-ja, i fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2006. Pra, do e shihnin se Kryeministri i Kosovës është i vetëdijshëm se nëse do vepronte ndryshe, ai do u përcillte sinjal negativ partive të këtushme të etnitetit maqedonas, do i çonte ato të mendojnë se Prishtina i jep legjitimitet cilësdo partie shqiptare që do bëhej pjesë e qeverisë së këtushme, pa marrë parasysh se ajo parti ka apo nuk e ka mbështetjen e popullit që përfaqëson. Pra, sikur të vepronte ndryshe, mbase ai do bënte veprim antikombëtar, i cili do u ndihmonte qarqeve të këtushme politike të etnitetit maqedonas të realizonin tendencat në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, tendenca që kanë për qëllim majorizimin etnik, që duan të shpërfillin votën e shqiptarëve të këtushëm.
Ata që merren me hamendësim më të thellë, se pse Hashim Thaçi ka marrëdhënie të ftohta me kryesuesin e PDSH-së, mbase do të mund të shtonin edhe arsyetimin se Kryeministri i Kosovës është politikan serioz, i cili i respekton miqtë e vërtetë të shtetit të tij dhe të shqiptarëve. Kështu që nuk do të përkrahë politikanë që janë në listën e zezë të administratës shtetërore të SHBA-së, ku është edhe emri i kryetarit të PDSH-së. Pra, do mund të shtonin se Hashim Thaçi mban llogari që të respektojë kriteret dhe vlerësimet e shtetit mik të shqiptarëve edhe atëherë kur ato vlerësime nuk janë aq të këndshme për ne shqiptarët, si për shembull, listat e zeza ku figurojnë edhe emrat e politikanëve tanë. Por, në rastin e relacionit konkret mes Prishtinës dhe Shkupit zyrtar, nuk nevojiten argumente plotësuese që të dëshmohet se Hashim Thaçi, për dallim nga disa analitikë të rrjedhave politike brenda shqiptare, e dinë se cila parti e këtushme shqiptare është përfaqësuese legjitime e popullit të vet. Dhe se atë legjitimitet të partive të këtushme shqiptare nuk ua përcakton as Prishtina, e as Tirana, e më së paku mandatari i qeverisë së Maqedonisë, por votuesit e këtushëm shqiptarë.
Sido që të jetë, shqiptarët e Maqedonisë edhe më tej do të përballen me një realitet politik e kulturor, ku standardet do i përcaktojnë edhe disa politikanë, të cilët dinë me kë të fotografohen në Tiranë e Prishtinë, por ende nuk e kanë kuptuar se sikur të vepronin në Shqipëri apo Kosovë, ata nuk do arrinin më larg se sa të bëhen shitës të mirë të byrekut. Pa dyshim se shqiptarët e këtushëm edhe më tej dhe gjithnjë e më dukshëm, do përballen edhe me rivalitetin mes politikanëve nga Tirana e Prishtina, që të kenë sa më shumë "miq" në mesin e udhëheqësve partiakë shqiptarë në Maqedoni. Ngandonjëherë, atyre do u pëlqejë ajo që tani u shkon për shtat elitave politike të etnitetit maqedonas: Që sa më i paaftë është miku partiak nga Tetova, aq më e fortë të jetë miqësia. Por, edhe kjo fazë do të tejkalohet. Pastaj do vijë koha kur organizimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë, do dallohet nëpërmjet dy krahëve të fortë partiakë: ai me orientim pro mëmëdheut dhe tjetri me kokë të kthyer nga atdhe Kosova. Do ketë dy krahë politikë, si ato të shqiponjës sonë kombëtare, e cila kur do valëvitet mbi kalanë e Shkupit, njërën kokë do e mbajë kthyer nga Tirana, e tjetrën nga Prishtina. Aty në mes të dy kokave të saja, si diademë e padukshme, do qëndrojë besimi i shqiptarëve të këtushëm, se tani e tutje, ata do e kenë më të lehtë se kurdo qoftë më parë. Në mos për hiç gjë tjetër, atëherë shkaku se tani do mund t‘i shfrytëzojnë edhe të mirat që i sjell fatkeqësia të jesh fëmijë i prindërve të ndarë: kur nuk të pëlqen përkëdhelja e mamasë, të shkosh tek ati. Dhe kështu do ndodhë që edhe në kulturë, arsim, shkencë, biznes… disa të ndihen më të afërt me Prishtinën, e të tjerët me Tiranën. E ata të vërtetët do mbeten aty ku janë edhe tani: edhe te mëmëdhe Shqipëri, edhe të atdhe Kosovë. Më në fund, çdo gjë do të varet nga ajo se si do ndërthuren grupet e interesit. Sepse jo më kot është thënë se vëllezërit janë vëllezër, por interesi, privilegjet dhe kuletat, nuk janë as kushërira, e lëre më motra.
(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)