Fillimi | Analiza | Si hartë e shkarravitur

Si hartë e shkarravitur

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Në këtë botë, prej se ajo ekziston, gjithmonë ndodh e njëjta: dikush humb, e dikush fiton. Pra, prej se ekziston kjo botë, dikush e vajton humbjen, e dikush e feston fitoren. Ata që kanë të drejtë ta shijojnë humbjen, e thuajse kurrë nuk marrin pjesë në kremtet fitimtare, quhen popuj.

Shkruan: Kim MEHMETI 

Në këtë botë, prej se ajo ekziston, gjithmonë ndodh e njëjta: dikush humb, e dikush fiton. Pra, prej se ekziston kjo botë, dikush e vajton humbjen, e dikush e feston fitoren. Ata që kanë të drejtë ta shijojnë humbjen, e thuajse kurrë nuk marrin pjesë në kremtet fitimtare, quhen popuj. Pra, edhe pse popujt kanë qenë ata që kanë përcaktuar fituesin dhe humbësin, shpeshherë u ka ndodhur ajo që u ndodh sot shqiptarëve të Maqedonisë: vonë ta kuptojnë, se fitorja politike, ngandonjëherë, nuk do të thotë asgjë më shumë, përpos mundësi që edhe injorantit të bartë kollare të shtrenjta. Apo të përballen me të vërtetën se humbëse politik, gjithmonë e barazon të menduarit me atë të popullit, e vëmendja e fitimtarit përqendrohet në lartësitë e vetëkënaqësive për një grup të ngushtë njerëzish. Pra, shqiptarët e këtushëm ende e jetojnë stinën politike gjatë të cilës mbinë dhe rritet e vërteta se, përderisa ishte në qeveri PDSH-ja, BDI-ja opozitare mendonte e fliste me gjuhën e tyre, e tani kur ajo erdhi në pushtet, populli mendon thuajse si kryesuesit e PDSH-së. Dhe vazhdon çdo gjë të rrotullohet rreth boshtit të pamundësisë të dilet nga ky mjerim politik nga i cili përfiton vetëm partneri qeveritar i etnitetit maqedonas.


Mbase shkaku i kësaj ndenje se është e pamundur të dilet nga kjo spirale e pafundmë e pritjes diçka të ndryshojë, shqiptarët e Maqedonisë kanë filluar të mos u besojnë as partive opozitare as asaj në pushtet. E ky mosbesim, është i rrezikshëm, sepse popullin fillon ta bëjë të pandjeshëm ndaj fatit të vet. Ky mosbesim e çon popullin drejtë një verbërie që ia pamundëson të sheh, se nuk ka asgjë më keq, se sa kur fatin e tij e përcaktojnë edhe politikanë që të mirën e partisë së vet, e barazojnë me atë të popullit. Me çka edhe krijohen kushte popullin ta përfaqësojnë jo politikanë me portret të qartë politik, por individ që fytyrë e vlerë kanë vetëm emblemën partiake.

Shqiptarët e Maqedonisë mbase qartë e kanë përcaktuar dallimin mes dy partive më të mëdha të tyre. Ata tani e kanë të qartë se PDSH-ja funksionon sipas parimit: Bënë si thotë kryetari, nëse donë ta shpëtosh kokën, e BDI-ja sipas rregullit: Thuaj se e ke pyetur kryetarin, e vepro si ta do qejfi. Pra, shqiptarët e këtushëm tani më e dinë se PDSH-ja është “kompani” private e kryesuesve të saj, ndërsa BDI-ja i ngjanë një “shoqate aksionarësh”, që takohen mes veti vetëm kur vijnë zgjedhjet parlamentare, apo ato vendore. Gjë që e bënë BDI-në të funksionon sipas parimit: Aliu e donë Musën, andaj Musa nuk ia fut askujt në parti, e “komandantët lokal” kanë të besuarit e vet, të cilët në mos më shumë, i bëjnë anëtarë të ndonjë këshilli. Por, të gjithë së bashku, ministra e deputet, anëtarë të këshillave e drejtorë firmash, flasin dhe arsyetohen djathtas e majtas, se ata kurrë nuk do pranonin pozitën e vasalit në qeverinë e Gruevskit, por Ali Ameti është ai që i ka pru në këtë pozitë. Dhe si do që ta rrotullosh, vjen te diçka që i bënë të ngjashme PDSH-në dhe BDI-në: veprat e mira partiake kanë shumë autorë, e ato të këqijat vetëm kryetarët e partive.

Shikuar nga jashtë, PDSH-ja edhe BDI-ja kanë edhe një ngjashmëri tjetër: u ngjajnë “Shoqatave të Vejushave të Fshatit”, të cilat “vejusha” jo që duhen mes veti dhe i besojnë njëra tjetrës, jo se nuk flasin zi e ma zi për njëra tjetrën, por mbahen mes veti sepse s’kanë me këndë të “martohen”. Andaj edhe mund të ndodhin çudira si ajo e para ca ditëve, kur deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi publikisht akuzoi dy ministra të partisë së tij, se pozitën e vet e kanë kuptuar si vënie rregull mes “Zotërive 10%”. Pakënaqësinë e deputetit të vet, Ali Ahmeti e shpjegoi si hidhërim të përkohshëm të Xhevat Ademit, ndërsa nënkryetarja Teuta Arifi, këto akuza publike i shpalli si element të demokracisë së brendshme partiake. A në të vërtetë, kjo nuk ka të bëjë as me gjaknxehtësinë e çastit të një deputetit, as me demokracinë e brendshme partiake, por shpjegon diçka shumë më të rëndësishme: ministrat e kësaj partie e dinë se fati i tyre nuk varet nga vota e deputetëve, por nga “shefi” lokal që i ka caktuar të jenë ministra.

Siç duket, BDI-ja e sotme ka shumë pak të përbashkëta me atë të dikurshmen të viteve 2002-2006, kur ishte në qeveri. BDI-ja e atëhershme ishte ajo e cila promovoi diçka të gjatëpritur nga shqiptarët e këtushëm: i hapi dyert e saja për ata që kishin aftësi profesionale të ndihmonin në realizimin e ambicieve kolektive shqiptare. BDI-ja e sotme është krejt diçka tjetër. Kjo e sotmja vlerë më të lartë ka arsyetimin se PDSH-ja është ajo që e uli çmimin politik të shqiptarëve të këtushëm, se PDSH-ja pret pas derës së kabinetit të Gruevskit që të bëhet pjesë e qeverisë, e duke mos shpjeguar në ndërkohë pse ajo nuk e ngre çmimin e faktorit politik shqiptarë dhe vallë duhet të mbetesh në koalicionin qeveritarë edhe atëherë kur partneri nuk të përfillë, kur Gruevski pandërprerë të jep dëshmi se nuk është i gatshëm për bashkëqeverisje me shqiptarët!? BDI-ja e sotme gjithnjë e më shumë ka filluar t’i ngjajë PDSH-së, andaj edhe mund të thuhet se rruga nga është katandisur kjo parti edhe nuk është e keqe: ajo rrugë do e çojë BDI-në deri te udhëkryqi ku do takohet me PDSH-në, ku dy partitë më të mëdha shqiptare, do e shohin se kot që kanë dy lokomotiva, se ecin përpara nëpër binarë e njëjtë politikë, e që nuk të çojnë më larg se të bëhesh vasal politik. Pra, mund të thuhet se ai që nuk ia do të mirën BDI-së, nuk ka nevojë të lodhet e ta kritikojë, e as t’ia nxjerrë të palarat në sipërfaqe, por mjafton ta lutë Zotin që ajo të vazhdojë rrugës nga është katandisur.

Si do që të jetë, harta e organizimit partiak të shqiptarëve të Maqedonisë, bëhet gjithnjë e më e paqartë. Dhe nëse në atë hartë shumëçka është e palexueshme dhe e shkarravitur, ka diçka që saktë e portreton mjerimin politik të shqiptarëve të këtushëm: partnerët e etnitetit maqedonas në koalicionin qeveritarë, mirë e kanë kuptuar se partitë shqiptare nuk janë bosht rreth të cilit mblidhen njerëz me bindje të njëjta politike, por janë si tren që ka lokomotivë, por jo edhe shina politike për të ecë përpara. Duke e kuptuar këtë, qeveritarët maqedonas i lejojnë vetes edhe veprime, si për shembull, ai i Ministreshës për Kulturës, e cila formon këshillë pa asnjë shqiptarë në të. Dhe kur organizatat kulturore shqiptare reagojnë, e thonë se me këtë është thyer edhe ligji që parasheh përfaqësimin adekuat të bashkësive etnike, ministresha ngutazi e fton si anëtarë të Këshillit Nënkryetarin e Qeverisë. I cili pranon, pa e ditur se me këtë u bëhet krah i atyre që përbuzin kulturën dhe qenien shqiptare në Maqedoni. Pa e ditur se me këtë shpalos një të vërtetë të madhe: se edhe sekretaresha e Gruevskit - e lere më Ministresh e Kulturës - ka ndikim më të mëdha në qeverinë maqedonase, se sa cilido ministër shqiptarë. Sikur mos ishte kështu, Ministresha e Kulturës, nuk do guxonte ta themelojë asnjë Këshill, pa pëlqimin e Zëvendës Kryeministrit të BDI-së, të ngarkuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Nuk ka dyshim se prej se ekziston kjo botë, gjithmonë ndodh e njëjta: dikush humb, e dikush fiton. Gjithashtu, prej se ekziston kjo botë, shpesh ka ndodhë që fitorja të mos varet nga shkathtësia dhe forca e kundërshtarit, por nga pagjindshmëria dhe injoranca e humbësit. Prej se ekziston kjo botë, shpeshherë janë dhënë dëshmi, se më lehtë është të mposhtësh një ushtri të armikut, se sa dobësitë personale. Këtë duhet gjithmonë ta ndërmendin shqiptarët e Maqedonisë, që ta kenë më lehtë të vlerësojnë drejtë veprimin e partive të tyre, qofshin ato në qeveri apo në opozitë.

Komente (9 dërguar):

Ardian më 16 November, 2008 09:06:35
avatar
pershendetje
Shenimet,komenet dhe analizat e juaja i lexoj rregullisht.Me te vertet jeni nder analistet me te mire, njeri me guxim i cili keni guximin te thuani gjerat ashtu si jane pa mar parasysh se partia a eshte pozite apo opozite.
Per shkrimin nuk do koment, i mrekullueshem, i shhkelqyer.
Vazhdoni keshtu megjithese se ndoshta keni presion nga partite politike por keni perkrahjen e popullit.
pershendetje
Agron më 22 November, 2008 02:21:35
avatar
Kto partitë tona shumë dëshirë kanë te luajnë pozitën e inferioritetit me palën Maqedone, ku kjo vërehet në logjikën e funksionimit institucional dhe në të gjitha sferat tjera politike ku nga kjo nënkuptojmë dy pika : skan profesionalizëm politik dhe ikja nga përgjegjësia politike.
Arijan më 27 November, 2008 01:18:55
avatar
Me pelqen nje analize e kesaj kategorie ku i shty dy miza ne nje shishe dhe ua tregon se sa e kane hapsiren.

Kimi kjo vertet eshte nje kolumn qe i`a vlen te lexohet, me pare i lexoja por me vritnin se ishin shume te njeanshme, tani e ke ndryshuar timonin ke filluar te vozitesh drejt.
dora e zeze më 27 November, 2008 02:22:53
avatar
nuk kam koment cdo gje qe dua ta them eshte ne fjalet tua z. Kim, ne shqiptarve na mungon ajo pjesa te fillojm ti festojm humbjet si serbet, se me humbje ja kemi kalu edhe atyre po sja kemi zanat as per ket :)
Ellvir më 28 November, 2008 03:14:48
avatar
OK, te them te drejten kam pas nji urejtje ndaj teje i nderuari Kim, kur ne pushtet ishte pdsh gjate vitit 2006-2008 ne cdo shkrim tendin nuk thonit tjeter veq akuza ndaj pushtetit e sidomos atyre shqiptare por cdo her me nji doze te perkrahjes se partis e cila sot perfaqson shqiptaret ne pushtet, sot e shoh nji realitet tjeter tuajin analitik, e them kete se kam kriju nji bindje se kohes fundite jeni zhgenjyer nga ata qe i kishit favorite dhe se duhet vepruar drejte dhe analizuar ceshtjet ashtu sic jan ok jam i knaqur me shkrimt tuaja posaqerishte keta qe ben muajve fundite duke mos mare anen e askujte po veteem me fole ka del shpirti, me te mira......
Gjergj Arvaniti më 02 December, 2008 10:48:35
avatar
Atdheu nuk ka nevojë që vetëm të thuash; që e don !
Por Atdheu ka nevojë të ia shërosh plagët´ kur ai rënkon!
***
Atdheu nuk ka nevojë që ti të mburresh me emrin e ti !
Por atdheu ka nevojë që ti ta nderosh me punë e ndershmëri !
***
Atdheu nuk ka nevojë për emrin tënd plot lavdi…
Por ka nevojë që të mos lëndohet` kur përmendesh ti !
***
Nuk ka nevojë Atdheu për paratë e tua, as për tënden pasuri !
Por ka nevojë për njerëz të vërtetë,
me plot kuptimin dhe vlerën, që ka fjala: Njeri !
Gjergj Arvaniti më 02 December, 2008 10:50:40
avatar
Ska pse te urehet nje njeri i cili ka shkruar gjithmone realitetin te cilet politikanet tane po bejn gjat mandatit te tyre qoft Pdsh apo Bdi.KIM vazhdo dhe suksese
rruga02 më 02 December, 2008 10:59:53
avatar
Me pengon shume mosmbajta e principeve nga ana e partnerëve shqiptar ne koalicion. Deri sa janë ne opozite kanë qendrime tërësisht të kundërta nga ato kur kalojnë në qeveri. Por sikur të mos mjaftonte kjo, po luhet edhe në një leter shumë të rezikshme, cdo gjë trajtohet si normale. Cdo gjë paraqitet te populli si krejtësisht e kuptueshme. Askush nuk reagon. Edhe ata “analist” që deri dje ishin shumë të zëshëm dhe shpalleshin si njerëzit më të kthjellur në R.M. nuk reagojn më. Personalisht nuk kam asgjë kundër analistëve të politizuar, sepse është krejtësisht normale të mbrosh krahun e partive politike, por jam kundër thyerjeve të principeve. Në rast se BDI-ja bënë të njejtat gabime, sic ka bërë edhe PDSH-ja të kritikohet me të njejtin intezitet sic kritikoheshte edhe PDSH-ja. Nëse PDSH-ja kritikoheshte për ndëgjueshmërin e saj ndaj Gruevskit, për të njejtën punë të kritikohet edhe BDI-ja. Kjo është puna më e mire që keta analist munden ta bëjnë. Të ndihmojn shoqërin shqiptare, që të kuptohet realiteti politik dhe pozita e tyre në këtë shtet. Ata që ishin më të zeshmit gjatë qëndrimit BDi-se në opozitë, sot jan heshtur të gjithë. Disa edhe mundohet të shkruajn ca kritika, por ato dallojnë edhe për nga kuantiteti edhe për nga kualitet i tyre nga ato që shkruanin kur nuk ishte BDI-ja në pushtet. Kjo mendoj që është puna që më se shumti duhet ti brengos shqiptarët, ngase askush nuk ndihmon që ata ta gjejn rrugën ka duhet të shkohet.

Cka pret prej një shoqërie kur të gjithë heshtin, për deri sa një subjekt politik amneston Branko Cërvin për ngjarjet në Gostivar. Shpresoj që të hapen rrugë të reja për shqiptarët e Maqedonisë. Asnjeherë deri më sot nuk kemi qenë ne pozite më të keqe. Aksioni i Alfa-ve ishte i ngjajshëm me atë të Brodecit, por tash opinioni hesht. Turp se si u bastisën të gjitha ato shtëpi. Problemi më i madh është se partia (shqiptare) në pushtet, duke mos reaguar i jep legjitimitet këtyre akcioneve. Heshtja dmth. pajtim. E kur kanë legjitimitet ti nuk ke të drejt të ankohesh askund, sepse të gjithë (faktori ndërkombëtar) mendojn se këtu gjithcka po ecen mirë. Sepse partneri shqiptar është pajtuar me këto veprime të ALFISTAVE.

Me shume respekt,pjestar i rrugeve te Shkupi 02.
Kureshtari më 16 December, 2008 09:07:53
avatar
Nderime

E lexova tekstin dhe mu duk real.

Më pëlqeu pjesa hyrëse e tekstit ku fillonte me humbje dhe fitore.
Ma shtoj kureshtjen tu parashtroj një pyetje.
Mundësisht mendimin tuaj për Fitoren apo humbjen, e Nevzat Rekulit apo Rufi çajles.

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.67
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next