Fillimi | Analiza | Kalendari i vetëmashtrimit

Kalendari i vetëmashtrimit

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Kalendari thuajse dydekadësh i demokratizimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, është përplot me data që shënojnë lindje-shuarjet e partive shqiptare. Nga dy, sa kishin në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, ata tani kanë me dhjetëra, kanë aq shumë sa rrallë kush i kujton emrat a tyre, e jomë të liderëve që i themeluan dhe u harruan së bashku me to.

 

 Shkruan: Kim Mehmeti

Kalendari thuajse dydekadësh i demokratizimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, është përplot me data që shënojnë lindje-shuarjet e partive shqiptare. Nga dy, sa kishin në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar, ata tani kanë me dhjetëra, kanë aq shumë sa rrallë kush i kujton emrat a tyre, e jomë të liderëve që i themeluan dhe u harruan së bashku me to. Dhe  shqiptarëve të këtushëm u shtohet thuajse nga një parti në vit, jo pse nuk e dinë se qëndrueshmëria e koncepteve politike matet edhe me jetëgjatësinë e partive, por ngaqë ka shumë nga ata që jetojnë me bindjen se populli ua ka borxh përkrahjen partiak, edhe atë o pse kanë ngritur diku flamurin, o pse kanë gdhendur shtizat ku ai flamur është valëvitur. Andaj, posa fillon dobësimi i njërës parti, lindin dy-tri të reja. Pra, vazhdon jetësimi i politikës “kufomngrënëse”, ardhja e liderëve të ri, që themelojnë parti mbi kufomën e partisë paraprake. Me çka, te shqiptarët e këtushëm u rrënjos iluzioni se atyre nuk u mungojnë koncepte të qarta dhe afatgjate politike, por parti të reja jetëshkurtra dhe prijës të rinj politik.  

 

Ky proces i palogjikshëm që e shton numrin e partive të këtushme shqiptare dhe e dobëson potencën e tyre politike, si asgjë tjetër shpjegon inferioritetin e tyre përballë subjekteve politike maqedonase. Si edhe vrapimin e tyre pas koncepteve politike që ua imponon pala maqedonase, ngaqë ato vetë nuk kanë platforma të qarta dhe afatgjate për ardhmërinë e popullit që përfaqësojnë dhe shtetit ku veprojnë. Ky proces shpjegon edhe atë se partitë e këtushme shqiptare asnjëherë nuk e kuptuan se janë në fushëbetejë politike ku duhet të mbajnë në duar nga dy shtiza përnjëherë: atë të voglën për të luftuar kundërshtarin e tyre politik shqiptar e të cilën duhet ta përdorin sa më rrallë dhe, atë të madhen për ta luftuar bllokun politik të etnitetit maqedonas. Dhe duke mos ditur ta përdorin shtizën e madhe, ato bënë atë që tanimë dihet: dëshmuan se shtizën e vogël e përdorin me shkathtësi të pashoq. Mbase pse ajo është  më e padukshme, më e lehtë, pse e përdorin kundër vetvetes, pse më lehtë mund ta fshehësh nën krahët e shqiponjës dykrerëshe.

 

 Pas zgjedhjeve presidencial dhe vendore të këtij viti, u bë edhe më qartë se kalendari i demokratizimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni edhe më tej do vazhdojë të pasurohet me datat e themelimit të partive të reja dhe dobësimin e atyre ekzistuese. Por jo vetëm kaq. Mbase  lindje-vdekjet e partive shqiptare në Maqedoni tani i afrohen fazës së fundit kur do të realizohet qëllimi i disa qarqeve politike maqedonase që çdo kasaba shqiptare të ketë “vasalin” dhe  partinë e vet politike. Me çka do shihet edhe më qartë se themelimi i partive të reja shqiptare nuk është rrjedhojë e kërkimit të koncepteve më efikase politike dhe veprimit më produktiv politik, por është e nxitur nga bindja se vrapuesi i mëparshëm pas koncepteve politike maqedonase është lodhur dhe atë duhet zëvendësuar me ndonjë të ri. Pra, edhe më tej do vazhdojë veprimi politikë sezonal i cili i thjeshtësuar do të thotë: dëshpërim i shpejt i shqiptarëve të këtushëm edhe nga ata të cilëve u ka kënduar këngë nëpër odat e burrave. Dëshpërim që është i paevitueshëm pasi partitë e reja nuk e mbështesin ardhmërinë e vet në ofertën konkrete politike, por vetëm në fotografi e re të prijësit të saj  Dëshpërim pra që është i pashmangshëm sepse partitë e reja janë pjellë e vetëpëlqimit, e inatit dhe e xhelozisë së atyre që mendojnë se koncept dhe program politikë mund të jetë vetëm emri i kryetarit të partisë.

 

Pas themelimit të BDI-së, shqiptarët e këtushëm filluan të besonin se në të ardhmen do kenë dy parti të forta të ngjashme me ato që i kishin bashkëqytetarët e tyre maqedonas: partinë e majtë të Ali Ahmetit dhe një parti të etabluar djathtiste. Por shpejtë u pa se as BDI-ja udhëton majtas, e as u etablua ndonjë parti djathtiste, por të gjitha sa janë, shkojnë andej nga i ndjellë mandatari që formon qeverinë e radhës. Dhe duke ecur asaj rruge, ato mbanin llogari të jenë sa më të pëlqyera nga pushtetmbajtësit maqedonas, por jo edhe nga ata të cilëve u kishin premtuar fitore të reja politike. Andaj edhe populli gjithnjë e më shumë bindej se partitë e tij politike dallojnë mes veti aq sa veza e pulës së bardhë nga ajo që ka bërë pula e zezë. Pra populli kuptoi shumëçka por jo edhe atë se duke përkrahur herë njërin e herë tjetrin hero partiak, ai vetëm e dendëson mjegullën e vetëmashtrimit. Me çka edhe vazhdon të vetëgënjehet e të mos e kuptojë se të ndërrosh një politikanë të paaftë me një të ri që s’ka asnjë ofertë përpos emrit, është njësoj sikur të besosh se gota e përcakton cilësinë e ujit që rrjedh nga çezma.  

 

Ata që mendojnë se procesi i copëzimit të faktorit politik shqiptarë në Maqedoni nuk do përfundojë me shumë “sulltan” parti vendore, më parë duhet të japin shpjegim se nga ajo nevojë e shqiptarëve të këtushëm të kenë aq shumë parti thuajse numerikisht janë poaq sa edhe kinezët. Si dhe, pse liderët e rinj politik nuk angazhohen të sforcojnë partitë ekzistuese shqiptare, por vrapojnë të themelojnë partitë e tyre të reja. Dhe pasi t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve, mbase do vijnë në përfundim se partitë ekzistuese janë bërë pronë e “vasalëve” demokratik që qëndrojnë në krye të tyre dhe nuk lejojnë askush t’u përzihet në pronën që kanë. Përgjigjet e pyetjeve të shtruara më lartë do japin edhe shpjegimin se prijësit e rinj partiak duan të realizojnë po atë që shtiren se duan ta luftojnë: të kenë “sulltan” partin e tyre pa mbajtur llogari se, kur shumëpartizmi bastardohet deri në ato përmasa sa çdo mëhalle të ketë partinë e vet, atëherë nuk mund të flitet për demokraci, por për “bajraktarokraci”. E për zhvillimin e “bajraktarokracisë” në shoqërinë e shqiptarëve të Maqedonisë, merita të veçanta kanë edhe partitë e mëdha në Tiranë e Prishtinë. Të cilave, sa herë që u dështonte “biznes platforma” vëllazërore me ndonjë nga partitë e këtushme, nxitonin ta dobësojnë “partnerin e padëgjueshëm” e të përkrahnin të dëgjueshmin e radhës. Me çka kontribuuan që shqiptarët e këtushëm të mos ia dalin të shohin qartë se problemi nuk qëndron gjithaq në atë sa janë të këqij politikanët që e udhëheqin, por sa populli ata i duron dhe di t’i vlerësojë si të tillë para se ta bëjnë dëmin.

 

 

Kolumnat e publikuara në këtë faqe janë botime ekskluzive të gazetës "Koha Ditore", Prishtinë

Komente (1 dërguar):

TONI më 05 May, 2009 01:54:58
avatar
I nderuari z.Kim !
Per ca gjera edhe pajtohem me ju (si prezenca e bajraktarizmit nder shqiptare, pastaj formimi i shpeshte i partive politike dhe dobesimi i potences politike te shqiptarev ne RM, etj.) por vertet ka ca gjera me te cilet edhe nuk mund te pajtohem.
Se pari nuk e dij valle vertet mendoni se eshte e tepert dhe e pajustifikueshme prezantimi i (ndo)nje opcioni te ri politik, ku duam apo s'duam dot kete edhe lider te saj politik dhe se dyti ne konstatimin tuaj se partite tona vetem sa vrapojne pas kolltuqeve qe u ofron "patroni" maqedonas, valle vertet mendoni se partite egzistuese (BDI e PDSH) kan kredibilitet moral e poltik qe te mund te ndermarin e te ndryshojn diqka ne ndonje te ardhme te afert ?!
Une mendoj se keto strukrura partiake (lexo: BDI e PDSH) ku pjesa dermuese e tyre jane te koruptuara, te kompremetuara, po pse jo edhe te deshtuara (pa mos perjashtuar edhe lideret e tyre), vertet nuk ka mundesi qe te permiresojn diqka ne veprimin e tyre politik! Prandaj mendoj se dalja ne skene e ndonje opcioni te ri politik dhe e nje garniture te re politike gati eshte e pashmangshme, pamvaresisht se nuk d.m.th.se suksesin e kan te garantuar dhe mund te kete poashtu infiltrim te personave qe mund edhe te mos realizojn parashikime e premtime te ofruara.
Shpresoj te mos keni nndonje suete te tepruar apo ndonje mosdurim personal me ndonje personalitet te ri ne skenen politike shqiptare, por ajo qe ndoshta mund te jet shprese e fundit nder shqiptaret ne RM, eshte padyshim nevoja per nje opcion te ri politik, qe dot shmang margjinalizimin dhe indiferencen politike shqiptare, dhe dot beje artikulimin real, praktik e pragmatik te interesave shqiptare ne RM!
Me respekt!
"Mbajme te drejten e mospublikimit te komenteve qe bien ndesh me normat etike, komenti do te publikohet pas aprovimit nga administratori".

Dërgoni komentin comment

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Votoni këtë tekst
4.00