Fillimi | Analiza | Dy portretet e zonjës së plakur

Dy portretet e zonjës së plakur

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Evropa Perëndimore i rrënoi kufijtë mes veti duke dashur të dëshmojë se e ka harruar kohën kur ato mure u ngritën nga gjaku i rinisë së saj, e në ndërkohë, nga rrënojat e tyre, ajo ngriti murin e lartë të Shengenit, i cili kontinentin e ndau në pjesën ku jetonin të "mirët" dhe atë ku banonin të "këqijtë" e Evropës, në ata që e jetonin të sotmen e kontinentit dhe ata që mbeten në baltën e së kaluarës së tyre. Me çka u krijua një gropë ndarëse mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, një humnerë e cila ua pamundësonte ballkanasve të shohin se edhe shekulli i njëzetenjë i këtij kontinenti, shenjë njohëse do të ketë kufijtë që të tregojnë nga cila anë e murit e ke vendin.

Shkruan: Kim MEHMETI

Shtetet e Unionit Evropian dhe Ballkani janë dy portretet e të njëjtës zonjë të plakur. Shtetet perëndimore të Evropës dhe ato të Ballkanit janë si fytyra e grimuar dhe ajo e natyrshmja e të njëjtës zonjë, e cila nuk arrin ta fshehë të kaluarën e vet jo të moralshme dhe nuk ia del të përballet as me të sotmen e ndërtuar duke përdorur standarde të dyfishta. Duke qenë e tillë - dyfytyrëshe, Evropa Perëndimore i rrënoi kufijtë mes veti duke dashur të dëshmojë se e ka harruar kohën kur ato mure u ngritën nga gjaku i rinisë së saj, e në ndërkohë, nga rrënojat e tyre, ajo ngriti murin e lartë të Shengenit, i cili kontinentin e ndau në pjesën ku jetonin të "mirët" dhe atë ku banonin të "këqijtë" e Evropës, në ata që e jetonin të sotmen e kontinentit dhe ata që mbeten në baltën e së kaluarës së tyre. Me çka u krijua një gropë ndarëse mes Evropës Perëndimore dhe Ballkanit, një humnerë e cila ua pamundësonte ballkanasve të shohin se edhe shekulli i njëzetenjë i këtij kontinenti, shenjë njohëse do të ketë kufijtë që të tregojnë nga cila anë e murit e ke vendin. Pra, përderisa evroperëndimorët rrënonin muret e tyre ndërshtetërore që të kenë material të bollshëm për të ngritur sa më lartë murin e Shengenit – i cili më shumë se asgjë tjetër në këtë kontinent do stimulojë kontrabandimin me njerëzit që doemos donin të braktisin vendin ku jetojnë si dhe do nxisë shitblerjen e vizave – ballkanasit merreshin me pastrimin e plehut historikë që këtu ua kishin lënë ata që sot i mësojnë se nuk jetohet nga e kaluara, mësuesit që shtiren se nuk e shohin se sikur mos ekzistonte muri i Shengenit mbase edhe ballkanasit më lehtë do ndaheshin nga e kaluara e tyre. Apo më lehtë do e kuptonin se njeriu edhe kur i ka gjitha të mirat materiale, nuk mund të ketë të sotme e të ardhme të lumtur aty ku nuk ka të kaluarën e vet, aty ku nuk e lidh asnjë kujtim për atë që ke qenë dikur.

Edhe sot kur Evropa propozon liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, në të vërtet ajo vetëm e stolisë njërën nga fytyrat e saj dhe në njëfarë mënyre vazhdon ta njollos portretin e vet të dytë të pikturuar nga ngjyrat e natyrshme ballkanike. Sepse ky vendim i BE-së, më bindshëm se çka do qoftë tjetër dëshmon se në Evropën Perëndimore dhe humane shumëçka ndryshon dhe korrigjohet, përpos mendësisë që prodhon standarde të dyfishta, mendësisë e cila mbase edhe solli deri te ajo që shekulli i njëzet i këtij kontinenti të ketë të njëjtat shenja njohëse si në fillim ashtu edhe në përfundimin e tij: të fillojë me beteja të përgjakura dhe të përfundojë me varreza masive që i la pas vetes ushtria serbe e Milosheviqi. Fillim dhe fund që dallojnë vetëm në një gjë: përderisa gjatë luftërave të fillimshekullit të njëzet, Evropa qartë kishte përcaktuar kufirin që ndante viktimën nga xhelati, ato të fundshekullit që përgjakën Ballkanin, ajo i shpalli si çmenduri kolektive. Me çka barazoi të pamundshmen – viktimën dhe keqbërësin. Dhe si shumë herë më parë morri për sipër të shkruante historinë e re të ballkanasve, e të cilën mbase do e lë të ngatërruar njësoj si gjitha historitë e deritanishme të popujve që jetojnë këtu, e që te disa popuj të këtushëm do ushqej edhe më tej bindjen e kultivuar me shekuj – se e keqja është jashtë tyre.

Se a do arrihet ndonjëherë të zbulohen të gjithë ata që hapën varreza masive ku groposën pafajësinë e Bosnjës dhe Kosovë, mbetet ende e paqartë. Por ajo që dihet që tani është e vërteta se Evropa para syve të së cilës ushtarakët serb ndanin të rinjtë dhe baballarët boshnjak e shqiptarë nga nënat dhe gratë e tyre që t’i pushkatonin, sot del me propozimin që vizat të hiqen për qytetarët serb, e të mbeten për boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Pra, kjo Evropa e sotme që mban epitetin humane dhe progresive, tregohet e kujdesshme ndaj qytetarëve të Serbisë – ndaj atyre në emër të të cilëve Millosheviqi përgjaku Ballkanin – dhe vendosi t’i mbajë dyert e mbyllur për qytetarët e Bosnjës, Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajë matanë murit të Shengenit ata të cilët, duke dashur të shpëtojnë nga shfarosja fizike, u shpërndanë anë e mbanë botës.

Mbase Evropa perëndimore u tregua humane edhe ndaj shtetit që i nxiti gjakderdhjet në Ballkan duke u nisur nga parimi se nuk kanë faj qytetarët për atë që bëjnë pushtetarët. Me çka tregoi se ka harruar të përgjigjet se ç’faj kanë viktimat pse qytetarët serb disa herë me radhë zgjodhën për udhëheqës "xhelatin e Ballkanit". Harresë që nuk e lejon atë të sheh të vërtetën se duke përdorur standarde dhe moral të dyfishtë, Evropa perëndimore ushqen ndjenjën e padrejtësisë te boshnjakët dhe shqiptarët. Me heqjen e vizave vetëm për disa shtete të Ballkanit, Evropa në njëfarë mënyre do i mundësojë edhe ndonjë kriminel serb të vizitojë viktimat e veta të shpërndara nëpër tërë botën, por do ua ndalojë viktimave të vizitojnë të afërmit e tyre të degdisur nëpër vendbanimet evropian.

Pa dyshim se shtetet e Bashkimit Evropian nuk kanë asnjë faj pse ballkanasit nuk ia arritën të dalin nga varfëria, pse atyre u pëlqen të mbeten peng i urrejtjeve historike, pse duan ta rijetojnë nga disa herë me radhë të kaluarën e vet. Por gjithashtu, nuk ka dyshim se Evropa Perëndimore nuk paguan në Ballkan vetëm çmimin e marrëzisë ballkanase, por edhe çmimin e tendencave të disa qarqeve të saj që ballkanasit përgjithmonë të mbeten "sharrëxhinjtë" e Evropës perëndimore. Dhe duke pasur edhe qëllime të tilla, ajo ngandonjëherë ka ditur të shtiret se nuk ka mundur të dallojë mirë se cili ë është "xhelat" e cili viktimë. Gjë që aq dukshëm u pa gjatë luftërat të fundit ballkanase që i nxiti Millosheviqi, e gjatë të cilave, sikur mos ndërhynte Amerika, do mbusheshin edhe më shumë varre masive me boshnjak e shqiptarë të pafajshëm.

Si do që të jetë, mbase nga viti i ardhshëm qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe lë Malit të Zi do shëtisin pa viza nëpër Evropën e civilizuar dhe humane. Gjë që në Ballkan do kontribuoj të ketë shqiptarë, serb e mysliman të kategorive të ndryshme: ata që jetojnë në shtetet që do u lejohet shëtitje pa viza nëpër Evropë dhe ata që banojnë në shtete të lëna matanë murit të Shengenit. Me çka Evropa perëndimore do dëshmojë se jo njëherë gjer më tani nuk ka ditur të vërejë ku qëndron kufiri që ndan të mirën dhe të keqen për ballkanasit. Pra edhe ky vendim i Evropës Perëndimore për heqjen e vizave vetëm për disa shtete të Ballkanit do dëshmojë se Evropa dinë të bëjë edhe të papriturën: viktimën ta mbajë të mbyllur pranë varrezave masive e atij që ka hapur ato varreza t’i lejojë të ikë sa më larg vendit të krimit.

(marrë nga gazeta "Koha Ditore" , Prishtinë)

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next