Fillimi | Analiza | Matanë kufirit në një kufi tjetër

Matanë kufirit në një kufi tjetër

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Se matanë çdo kufiri shtetëror ka edhe një kufi tjetër që do donte ta legalizonte thuajse çdo populli i këtij planeti, më së miri mund të vërehet në Ballkan, ku si askund tjetër, popujt e këtushëm nuk jetojnë brenda kufijve të shënuar në hartat gjeografike të shteteve të tyre, por brenda kufijve që i kanë të vulosur në imagjinatë si troje të tyre etnike. Andaj, sikur në hartat e Ballkanit të shënoheshin edhe kufijtë e shteteve të "nacionalromantikëve" të popujve të këtushëm, kjo hapësirë do mbulohej me vija shumëngjyrëshe ku do gërshetohej e kaluar me të sotmen dhe ku nuk do mbetej vend për ta vendosur të ardhmen

Shkuan: Kim Mehmeti


        Sikur kafshët të kishin vetëdijen e njeriut dhe të fillonin ta ndanin botën në shtetet që do u takonin llojeve të tyre, atëherë me siguri se planeti ynë do dukej krejt ndryshe dhe mbase njerëzit më në fund do e kuptonin se toka ka pronar vetëm vetveten, se të gjitha gjallesat që shkelin mbi të janë vetëm shëtitës të përkohshëm. Por përderisa është kështu siç është, pra përderisa njeriu dëshiron të ketë kufij të qartë që do e ndajnë nga të tjerët, e kafshët do duan t'u takojë e tëra deri ku mund t'i çojë instinkti i tyre, kjo botë do jetë e ndarë me vija të qarta shtetërore. Dhe meqenëse kufijtë shtetëror janë shpikje e vetëdijes njerëzore, ato nuk ndajnë mes veti vetëm popujt, por dhe urrejtjet e tyre të ndërsjella, ato janë mure që mbajnë larg mes veti mosdurimet, keqkuptimet, kufijtë ndërshtetëror janë edhe shenjë e gabimeve që kanë bërë fuqitë e mëdha botërore kur kanë vizatuar hartat, janë simbol i tregtisë së bërë mes aleatëve të ndryshëm pas përfundimit të luftërave. Por, edhe pas vizatimit të hartave ndërshtetërore, thuajse gjithmonë ka mbetur edhe një kufi matanë kufirit, edhe një vijë e pashënuar në harta, por e vulosur thellë në imagjinatën kolektive të një populli, e që simbolizon të vërtetën se thuajse çdo kufi shtetërorë është nën pretendimet e një populli, se çdo etnitet mendon se kufiri i shtetit të tij do duhej të ishte më tej vijës së shënuar në hartat ndërkombëtare.

      Se matanë çdo kufiri shtetëror ka edhe një kufi tjetër që do donte ta legalizonte thuajse çdo populli i këtij planeti, më së miri mund të vërehet në Ballkan, ku si askund tjetër, popujt e këtushëm nuk jetojnë brenda kufijve të shënuar në hartat gjeografike të shteteve të tyre, por brenda kufijve që i kanë të vulosur në imagjinatë si troje të tyre etnike. Andaj, sikur në hartat e Ballkanit të shënoheshin edhe kufijtë e shteteve të "nacionalromantikëve" të popujve të këtushëm, kjo hapësirë do mbulohej me vija shumëngjyrëshe ku do gërshetohej e kaluar me të sotmen dhe ku nuk do mbetej vend për ta vendosur të ardhmen. Dhe më në fund, do dilte se këtu nuk jetojnë popuj që kanë kuptuar se shtetet janë bashkësi që ofrojnë zgjidhje të mundshme për realizimin e aspiratave individuale, por fise të cilat assesi ta zbërthejnë se toka nuk sillet rreth diellit pse kështu kanë vendosur njerëzit, por që të mund të sigurojë dritë për të gjithë gjallesat që jetojnë mbi të.

      Jo njëherë dhe jo shumë thellë në të kaluarën, Ballkani kaq qenë hapësirë që është copëtuar dhe arnuar jo sipas parimit të së drejtës për pronësi, por sipas rendit që e ka imponuar më i forti. Andaj edhe propozimet e herë pas hershme për korrigjimin e hartave të shteteve të Ballkanit, duhet shikuar nga këndi i  nxjerrjes në ankand publikë të së kaluarës së këtyre popujve. Si dhe nga këndi i ringjalljes së ambicieve që përfundimisht çdonjërit t’i jepet ajo që i takon. E në ndërkohë, thuajse të gjitha propozimet janë luhatur mes asaj se vallë hartat shtetërore duhet korrigjuar sipas "tapive” që kanë lënë pas vetes të vdekurit, apo vetëm nëpërmjet vatrave të të gjallëve që shkelin mbi tokë. Dhe mbase gjithmonë këtu kanë filluar mosmarrëveshjet, mbase grindjet kanë nisur atëherë kur zhurma e të vdekurve është përzier me britmat e të gjallëve, me çka është bërë e pamundur të dëgjohet zëri i gjeneratave që do vijnë, zëri i atyre që kjo tokë u takon njësoj sa të sotmëve që vendosin për fatin e saj dhe kufijtë ndërshtetërorë.

      Diskutimet më të fundit rreth idesë që Kosova të shkëmbejë territore me Serbinë, në thelb janë shumë jonjerëzore dhe johumane. Nëse për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se të gjallët edhe mund t’i marrin plaçkat me veti dhe të ndërtojnë kasolle në ndonjë hapësirë tjetër matanë vijave të sotme kufitare ndërshtetërore, por ka diçka që ata nuk do mund ta marrin kurrë me vete, ka diçka që do mbetet prapa tyre e që do i nxitë grindjet e mëvonshme, që vetëm do thellojë urrejtjet dhe mosmarrëveshjet: ata nuk do mund ta mbështjellin në bohçe të kaluarën e vet, e as varrezat e të parëve, varreza që do mbeten aty ku do vijnë të jetojnë e vdesin ata me të cilët do bëjnë shkëmbimin e vatrave të tyre jetësore. Andaj sa herë që flitet për shkëmbim territoresh, njeriu nuk mu t’i ikë ndjesisë se një veprim i tillë nënkupton kolona njerëzish të cilët kudo që të shkojnë, nuk do arrijnë më larg se te vendi ku do i djegë malli për vendlindjen, nuk do arrijnë më tej se vendi ku do ëndërrojnë të kaluarën e tyre dhe ku do ushqejnë dëshirën e papërmbajtur të kthehen nga kanë ardhur. Pra, ata nuk do arrijnë më larg se tek mallkimi i të parëve të vet dhe përbuzja e gjeneratave që do vijnë.

      Dhe sa herë që deri më tani janë ngjallur propozime për korrigjim kufijsh në emër të paqes së qëndrueshme në Ballkan, shqiptarët i ka përcjell fati i njëjtë: atyre u është propozuar të japin një pjesë të territorit të vet nga kjo anë e kufirit për të marr të veten që u ka mbetur matanë kufirit. Pra, në njëfarë mënyre, trojet shqiptare kanë shërbyer për t'ua barazuar kufijtë ekzistues me ato të që i kanë imagjinuar popujve fqinjë. E bile edhe për të themeluar shtete të imagjinuar, si për shembull Maqedoninë. Dhe duke bërë këmbim të llojit të japësh një pjesë tënden për të marrë pjesën tjetër që ke matanë kufirit , shqiptarëve edhe u ka ndodhur që çdo përcaktim të ri të kufijve në Ballkan ta paguajnë me rrudhjen e territoreve të tyre. Apo u ka ndodhur që të mbetem në më shumë shtete, thuajse vetëm sa të ketë me çka të bëhet tregtia e territoreve kur për këtë të vijë koha e duhur.

      Andaj kur sot flitet për ndërrimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve nuk u  propozohet asgjë më shumë se sa të vendosin se nga cila pjesë e territorit të vet do heqin dorë. E në ndërkohë të gjithë harrojnë se mbase ka ardhur dita kur shqiptarëve duhet pranuar se ndoshta janë populli i vetëm në Ballkan që ka hequr dorë nga "kufiri" matanë kufirit vetëm që të kontribuojë të jetojë në harmoni me të tjerët. Dhe duke hequr dorë nga kufiri matanë kufirit, shqiptarët pranuan të flijojnë pjesë të territorit dhe popullit të vet për të mbijetuar edhe tre shtete tjera në këtë Ballkan, mes të cilëve edhe Maqedonia, të cilës po se ia heq trojet shqiptare dhe shqiptarët në të, nga ajo nuk do mbetet as shkronja "m" e saj, e le me pretendimet e maqedonasve të këtushëm se na qenkan pasardhës të Aleksandërit të Madh.  

      Mbase nuk ka kufij shtetërorë që do i kënaqte pretendimet e një populli. Por ka popuj që e kanë kuptuar se vijat kufitare janë gjurmë të marrëveshjeve nga e kaluara dhe e sotmja mes të gjallëve për të ndërtuar të ardhmen. Andaj ata që mendojnë se këmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do ishte zgjidhje që do çonte drejtë stabilizimit të Ballkanit, paraprakisht do duhej të shpjegonin se vallë ndërrimi do bëhet sipas "tapive" që kanë lënë pas vete të vdekurit, apo sipas vatrave ku sot jetojnë të gjallët. Dhe kur të jepnin këtë shpjegim, ata do e shoshin qartë se sipas cilit do parim të bëhej korrigjimi i  kufijve të shteteve të këtushëm, shqiptarët kanë në çka të mbështesin besimin se kufiri i tyre është matanë kufijve që sot përcaktojnë Kosovën e Shqipërinë. Pra, propozuesit e këmbimeve të territoreve do shihnin se shqiptarët thuajse nga të gjitha anët kufizohen me vetveten, andaj edhe do del se ata nuk japin për të marrë diçka, por japin për të mbet pa asgjë. Japin pjesë të veten për të heq dorë jo vetëm nga ëndrra e tyre për kufirin matanë kufirit, por edhe nga realiteti se edhe kur jetojnë të ndarë në më shumë shtete, atyre u mbetet ngushëllimi se kufizohen me vetveten.

(Marr nga gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë) 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next