Fillimi | Analiza | Xhepat e shkoqur multietnik të Maqedonisë

Xhepat e shkoqur multietnik të Maqedonisë

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Dhe përderisa shqiptarët e Nerezit shëronin plagët e marra dhe pyesnin publikisht se pse policia nuk i mbrojti nga huliganët maqedonas, deputetët e kësaj zonë – i zgjedhuri i PDSH-së e tani "aktivist" i Gruevskit, Imer Selmani dhe ai i BDI-së - bënin çmos që ta qetësonin situatën dhe ajo të mos dilte nga kontrolli. Në ndërkohë, atyre nuk u erdhi në ndihmë asnjë nga politikanët maqedonas. Me çka deputetët shqiptarë të krijonin përshtypjen se janë shumë naiv, se nuk e kishin kuptuar se situata është nënë kontrollin e atyre që hartojnë koncepte si duhet pastruar "pjesa maqedonase" e Shkupit nga shqiptarët. Pra, ata të linin përshtypje se nuk e kanë kuptuar se "Komitët" e përkëdhelur nga VMRO-DPMNE-së në pushtet, hyjnë lirshëm nëpër vendbanimet shqiptare jo pse janë trima, por pse janë të mbrojtur nga disa struktura shtetërore të Maqedonisë.

Shkruan: Kim MEHMETI

Ka një të keqe që është më e madhe se gjitha të këqijat që mund të të ndodhin: e ajo është kur mësohesh të jetosh me të keqen pranë vetes, kur e ke fqinj atë që mezi pret të ta kallë shtëpinë dhe të ta shkatërrojë familjen, kur vetëm pse nuk mund të përballesh me shkaktarin e të keqes tënde bëhesh kinse atë nuk e sheh. Dhe nga ky këndvështrim duhet vlerësuar ngjarjet e para disa ditëve kur qindra huliganë maqedonas hynë nëpër oborret dhe shtëpitë e shqiptarëve të lagjes Nerez të Shkupit dhe rrahën fëmijë dhe gra të pambrojtura shqiptare. Edhe atë para syve të policisë dhe duke i paralajmëruar maqedonasit e kësaj lagjeje t’i largonin veturat e tyre nga rrugët, duke u thënë se aty do ketë tollovi. Pra, duke mos e fshehur se ngjarja ka qenë mirë e organizuar dhe ka pas qëllim të caktuar. Qëllim që edhe nuk është gjithaq i vështirë të zbulohet: që banorët e kësaj lagjeje të vetme multietnike në Komunën Karposh të Shkupit, t’i braktisin vatrat e tyre. E që do të thotë se kjo ngjarje mbase është pjesë e një projekti më të madh: që "xhepat" shumetnik të Shkupit të pastrohen nga shqiptarët. Gjë që mund të përfundojë shumë tragjikisht për tërë Maqedoninë dhe që dëshmon se ky shtet i ka xhepat e shkoqur për të ruajtur në to baraspeshën e përbërjes së saj shumetnike.

Dhe përderisa shqiptarët e Nerezit shëronin plagët e marra dhe pyesnin publikisht se pse policia nuk i mbrojti nga huliganët maqedonas, deputetët e kësaj zonë – i zgjedhuri i PDSH-së e tani "aktivist" i Gruevskit, Imer Selmani dhe ai i BDI-së - bënin çmos që ta qetësonin situatën dhe ajo të mos dilte nga kontrolli. Në ndërkohë, atyre nuk u erdhi në ndihmë asnjë nga politikanët maqedonas. Me çka deputetët shqiptarë të krijonin përshtypjen se janë shumë naiv, se nuk e kishin kuptuar se situata është nënë kontrollin e atyre që hartojnë koncepte si duhet pastruar "pjesa maqedonase" e Shkupit nga shqiptarët. Pra, ata të linin përshtypje se nuk e kanë kuptuar se "Komitët" e përkëdhelur nga VMRO-DPMNE-së në pushtet, hyjnë lirshëm nëpër vendbanimet shqiptare jo pse janë trima, por pse janë të mbrojtur nga disa struktura shtetërore të Maqedonisë.

Pra, politikanët shqiptarë i qetësonin bashkëkombësit e tyre nga Nerezi duke i bindur të ruajnë gjakftohtësinë edhe në çastet kur ata shihnin se si nënave të tyre u rrjedhë gjak nëpër trup. Por, në ndërkohë, po ata politikan, nuk u treguan nerezalinjve pse nuk i mbrojti policia që është e paguar të mbrojë jetën dhe pasurinë e tyre. Nuk u shpjeguan si është e mundur të mbetesh gjakftohtë dhe i qetë kur sheh qartë se dikush pandërprerë të provokon, kur e sheh ashiqare se dikush ndjehet i qetë vetëm atëherë kur nuk ka fqinj shqiptarë. Andaj, jo vetëm për nerezalinjtë, por për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, mbeti e paqartë pse politikanët e tyre kërkojnë përmbajtje nga populli i vet, e nuk i sigurojnë mbrojtje nga ata që sa herë u kujtohet, të vijnë te pragu i shtëpisë e të tregojnë sa të urrejnë, sa u pengon prezenca jote fizike. Nga ata që edhe kur përcjellin ndeshje të futbollit, e ku nuk merr pjesë asnjë ekip shqiptarë, brohorisin "Smërt na shiptarite" ("Vdekje shqiptarëve").

Nuk ka dyshim se në këtë shtet dikush e luan rolin e të verbrit, se dikush bëhet se nuk e sheh as atë që shihet po aq qartë sa edhe kryqi i madh mbi majën e malit Vodno, nga ana jugore e Shkupit. Njësoj siç nuk ka dyshim se shqiptarët e Maqedonisë paguajnë çmim edhe për shkak se partitë e tyre ndryshe e vlerësojnë situatën ndëretnike në Maqedoni. Kështu që, përderisa për PDSH-në, pozita e shqiptarëve të këtushëm është tragjike, BDI-ja atë e vlerësonin si të mirë. Pra, përderisa kryesuesit e PDSH-së kërkojnë ndihmë nga Tirana e Prishtina, Ali Ahmeti thotë se çdo gjë është duke shkuar mirë dhe se Tirana zyrtare duhet të vazhdojë ta përkrahë Maqedoninë në ecjen e saj drejtë NATO-së dhe Brukselit. E shqiptarët u mbetet pritja, u mbetet të durojnë dajakun e "Komitëve" që të arrijë dita kur do shohin se kush vuan nga verbëria: ata që thonë se është keq e më keq, apo ata që vlerësojnë se kësaj rruge arrihet deri te e mira Ajo që është e qartë që tani, ka të bëjë me atë se shqiptarët e këtushëm nuk u besojnë kryesuesve të PDSH-së as atëherë kur ata thonë se namazi i xhumasë falet të premten. E lidhur me deklaratat e Ali Ahmetit se çdo gjë është në rregull, shqiptarët e Maqedonisë gjithnjë e më shpesh e pyesin veten: vallë ai sheh diçka që është a padukshme për ne, apo dinë diçka që e fsheh nga ne.

Kur jemi të PDSH-ja, deputet e kësaj partie këto ditë e braktisën parlamentin republikan. Dhe kjo parti - si edhe gjitha të tjerat - këtë veprim demokratik e ka përdorur sa herë që ka qenë në opozitë. Mbase shkaku se ajo ka koncept veprimi vetëm për të qeverisur, apo ngaqë larg grazhdit të pushtetit asaj i ringjallet nervi kombëtarë. Si do që të jetë, mbetet e çuditshme pse kryesuesve të saj nuk u është kujtuar edhe veprimi i vetëm që u ka mbetur i paprovuar për të dëshmuar se janë partia më shqiptare në Maqedoni: në shenjë revolte për padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve të këtushëm, ta braktisin shtetin dhe të veprojnë ilegalisht nga Tirana e Prishtina. Me çka do e kishin më pranë kryetarin e tyre shpirtëror, e shqiptarët e këtushëm ndoshta do i merrte malli për këtë parti, e cila, si gjitha partitë tjera shqiptare, kur është në pushtet, Maqedoninë e sheh si parajsë për shqiptarët, e posa mbetet në opozitë, shtetin e përjeton si ferr e kryeministrin Gruevski - dikur të ngritur në qiell nga Arbër Xhaferi - e ndjenë njësoj siç e ndjejnë çeçenët Putinin.

Sa u përket thirrjeve të shqiptarëve të këtushëm drejtuar Tiranës zyrtare, që ajo të bëjë të mundshmen që ta lehtësojë betejën e tyre me institucionet shtetërore, të cilat në pjesë të madhe janë edhe antishqiptare, kjo thirrje i ngjanë trokitjes në derën e të shurdhrit. Më në fund, krerët e Shqipërisë nuk janë si ata të Bullgarisë, të cilët për një shtetase të tyre të burgosur, e çuan në këmbë tërë Maqedoninë. Mbase presidenti Topi me flokët e lyera me xhel, as që e dinë sa të burgosur politik shqiptarë ka në Maqedoni e Serbi, e jo më të reagojë si kolegu i tij Bullgarë, i cili e detyroi presidentin e maqedonasve Gjorgjinë që ngutshëm të mendojë për lirimin e bullgares së burgosur. Apo thënë ndryshe, politikanët e Tiranës janë aq "properëndimorë e aq paqedashës", sa nuk duan që topi i tyre të njolloset nga lojërat politike ballkanase. Ata kanë drejtuar shikimin drejtë së ardhmes së ndritshme, andaj ai u është mjegulluar nga shkëlqimi i saj dhe i pengon të shohin se çka është duke ndodhur sot me shqiptarët jashtë kufijve të Kosovës e Shqipërisë. Kështu që, kotë e ke të thërrasësh Tiranën zyrtare në ndihmë: ajo ende e jeton shurdhërinë e shkaktuar nga inferioriteti politikë përballë fqinjëve të vet. Kështu që nuk është e çuditshme pse huliganët maqedonas aq lirshëm hyjnë nëpër shtëpitë dhe oborret e shqiptarëve për t’i rrahur fëmijët e gratë e tyre. Ata mbase e kanë kuptuar se sa do që ata t’i rrahësh, do vijë ndonjëri që do i qetësoj e do i bindë se duhet ruajtur gjakftohtësia, të kërkojë nga ata të ofrojnë dëshmi se janë popull paqedashës, se deri ne vdekje do kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë. T’i bindë se e ardhmja do jetë shumë më e mirë, duke mos u shpjeguar si ta mbijetojnë të sotmen, si t’ia dalin sot kur përballen me ata që hapur të dëshmojnë se mezi presin çast të volitshëm të ta djegin shtëpinë dhe të ta shfarosin familjen.

Komente (2 dërguar):

shefket latifi më 26 August, 2009 09:32:59
avatar
armiku me i madh per ne shqiptaret jane vet shqiptaret!
sepse maqedonasit gjithmon na kan rrahur dhe na kan vrar ne bashkpunim me politikanet shqiptar(ata te cillet jan politikan sepse vet ne populli ua japim voten dhe i bejme politikan)
Kujtim Stojku më 03 September, 2009 07:40:19
avatar
Shteti Maqedonas një shtet banditësh.
Këto fakte janë të tmerrshme dhe e akuzojnë rëndë shtetin maqedonas. Me këto fakte që sillni ju në këtë shkrim unë nuk mund ti vë asnjë emër këtij shteti përveç se një shtet ku pushtetin e kanë në dorë banditët. As në komunitetin primitiv nuk ka ndodhur kështu sepse ata kishin strukturën e tyre mbrojtëse për fisin.Sa për politikanët shqiptar me të vërtetë më vjen keq. Ata nuk kanë qenë në gjendje që as të kontrollonin vizitën presidentit maqedonas që e kreu tek një shqiptar pervers i konvertuar në maqedonas dhe bën be e rrufe se po i shkelen të drejtat minoriteti maqedona në shqipëri që deri dje as e njihnim dhe as e kishim dëgjuar.Dhe politika shqiptare heshti. Por kombi shqiptar kudo që është në trojet e tij etnike unë kam besimin se do të dijë ta përballojë edhe këtë situatë të vështirë jo duke u mbështetur tek politikanët që shiten për dy pare spec por duke u mbështetur tek ata intelektualë të ndershëm e patriotë që nuk janë zhytur në këtë politikë gjirizesh, dhe tek burra të urtë e të mençur për ti nxjerrë jasht loje këto politikanë të shitur.

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.43
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next