Fillimi | Analiza | Lumi vërshues i mosbesimit ndëretnik

Lumi vërshues i mosbesimit ndëretnik

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Se Maqedonia e sotme rritë gjenerata të cilat kanë ideale kundërthënëse, edhe atë varësisht nga përkatësia e tyre etnike, flasin edhe mbishkrimet e shpeshta nëpër muret e shtëpive në vendbanimet e këtij shteti. Deri sa nëpër muret e vendbanimeve të atyre që veten e quajnë maqedonas nuk janë të rrallë mbishkrimet “Smërt za shiptarite” (“Vdekje për shqiptarët”) dhe “Makedonija na Makedoncite” (“Maqedonia e maqedonasve”), në vendbanimet shqiptare dominojnë ato që rrisin namin e njërës apo tjetrës parti shqiptare. Që do të thotë, përderisa disa të rinj maqedonas kanë hallin si të realizojnë ëndrrën e prindërve të tyre që të mbeten pronar të vetëm të shtetit, të rinjtë shqiptarë kanë brengën të përcaktojnë se cila parti do ua bëjë më të lehtë durimin gjatë udhëtimit drejtë cakut të dëshiruar.

Shkruan: Kim MEHMETI


      Maqedonia është shtet ku qartazi shihet se rrugë më e gjatë është ajo që nuk të çon askund, ajo që të çon të sillesh rreth e rrotull vetvetes. Pastaj Maqedonia është shtet ku më të rrezikuar janë gjyshërit dhe gjyshet e etnitetit maqedonas: në këtë shtet, nga dita në ditë, shtohet numri i atyre që rrëfejnë përrallën për prejardhjen antike të atyre që veten e quajnë maqedonas, e që i çon nipërit dhe mbesat gjithnjë e më pakë të kenë nevojë për gjyshër dhe gjyshe. Gjë që mund të ndikojë keq në edukimin e gjeneratave të ardhshme të këtij populli, të cilat gjenerata mund të rriten pa dëgjuar përrallën se dallimi mes njerëzve dhe botës tjetër shtazore nuk është pse kafshët nuk kanë ditë festive dhe nuk i kremtojnë fitoret e  veta, por pse njeriu ka vetëdije që ta paragjykojë rrugën nga është nisur dhe ta njeh cakun që donë ta arrijë.

      Maqedonia është shtet ku qartë shihet se më të ngadaltë janë udhëtarët që i ka hutuar udhëtimi drejtë cakut dhe shkaku i kësaj hutese, caku u duket gjithnjë e më i paarritshëm. Pastaj Maqedonia është shtet ku nuk janë të gjithë etnitetet njësoj të rrezikuar: nëse te maqedonasit etnik më të rrezikuar janë gjyshërit dhe gjyshet, pleqve shqiptarë gjithnjë e më shumë u rritet nami, sepse ata janë rrëfyes të përrallës që e kanë dëgjuar nga të parët e vet, përrallën që tregon për popullin që është ushqyer vetëm me durim, e që një ditë e ka arritur cakun e vet. Por edhe kjo përrallë mund të ketë ndikim të keq  në edukimin e gjeneratave të reja të shqiptarëve të këtushëm, të cilat gjenerata mund të rriten pa dëgjuar të vërtetën se këtë përrall e kanë shpikur ata që nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë për fatin e vet, apo ata që kurrë nuk kanë mundur të venë baraspeshë mes ambicieve të veta dhe potencialit që kanë për t’i realizuar ato ambicie.

      Duke qenë e tillë, duke qenë vend ku te një etnitet shtohet numri i përrallarrëfyesve - e çka dëshmon plakjen e shpejtë të tij, dhe te etniteti tjetër bëhen gjithnjë e më të rrallë pleqtë që me vite tregojnë të njëjtën përrallë - e që dëshmon se te ai etnitet dominon rinia, Maqedonia i ngjanë trenit që nga çdo anë ka nga një lokomotivë që atë e zvarrisin në kahe të kundërta: njëra e çon nga tunelet e errëta të së kaluarës, e tjetra donë ta shpie drejtë ardhmërisë.  Andaj edhe mund të ndodhë që vagonët e tij një ditë të ndahen mes veti dhe udhëtarët që kanë bindjen se udhëtojnë bashkë, të arrijnë në caqe të kundërta. Pra mund të ndodh që Maqedonia më në fund të arrijë aty ku mbase edhe është nisur:  maqedonasit etnik të mbeten thellë e më thellë në tunelet e së kaluarës, e shqiptarët të përballen me të vërtetën se janë nisur rrugës që nuk i çon askund. Apo të ndodh që disa të rinjve maqedonas t’u plotësohet dëshira për Maqedoni pa shqiptarët në të, e shqiptarët e rinj ta kuptojnë se s’ka rrugë më të lodhshme se ajo të cilës i paraprijnë edhe ata që nuk e dinë nga janë anët e botës.

      Se Maqedonia e sotme rritë gjenerata të cilat kanë ideale kundërthënëse, edhe atë varësisht nga përkatësia e tyre etnike, flasin edhe mbishkrimet e shpeshta nëpër muret e shtëpive në vendbanimet e këtij shteti. Deri sa nëpër muret e vendbanimeve të atyre që veten e quajnë maqedonas nuk janë të rrallë mbishkrimet “Smërt za shiptarite” (“Vdekje për shqiptarët”) dhe “Makedonija na Makedoncite” (“Maqedonia e maqedonasve”), në vendbanimet shqiptare dominojnë ato që rrisin namin e njërës apo tjetrës parti shqiptare. Që do të thotë, përderisa disa të rinj maqedonas kanë hallin si të realizojnë ëndrrën e prindërve të tyre që të mbeten pronar të vetëm të shtetit, të rinjtë shqiptarë kanë brengën të përcaktojnë se cila parti do ua bëjë më të lehtë durimin gjatë udhëtimit drejtë cakut të dëshiruar.

  Shqiptarët e rinj bëjnë mirë që nuk i njollosin muret e shtëpive të tyre me parulla të ngjashme me ato të moshatarëve të etnitetit maqedonas, bëjnë mirë që ruajnë pastërtinë e vet njerëzore. Ata gjithashtu bëjnë mirë që janë koncentruar në dëgjimin e përrallës së njëjtë që ka vënë në gjumë edhe prindërit e tyre, por nuk bëjnë mirë  pse aq verbërisht bëhen shërbëtorë të liderëve partiak, pse lejojnë që partitë të cilave aq ndershëm u shërbejnë, të bashkëpunojnë edhe me ata që thonë “Smërt za shiptarite”. Pra, të rinjtë shqiptarë gabojnë pse lejojnë që partitë e tyre të mbeten ura të vetme për ta kaluar lumin e ndasive etnike, pse lejojnë që liderët e tyre partiak të mbeten të vetmit ndërmjetësues që përcaktojnë bashkëpunimin me grupet politike maqedonase. Dhe të rinjtë shqiptarë gabojnë pse nuk i pyesin liderët e tyre partiak se ç’far të mire i solli popullit kalimi nëpër urën që ndërtojnë ata dhe çfarë dobie ka populli nga  ndërmjetësimi i tyre në dialogun e këtushëm ndëretnik, nga bashkëbisedimi që fillon e përfundon vetëm në rrethet e ngushta të elitave të këtushme partiake, duke i lënë kështu popujt të jetojnë të ndarë si shumë dekada më parë. Apo thënë edhe më qartë: të rinjtë shqiptarë gabojnë pse i japin legjitimitet veprimit partiak edhe kur ai nuk është në interes të popullit, edhe kur ai është kundër vullnetit të popullit, siç është rasti i bashkëpunimit të partive shqiptare me VMRO-DPMNE-në, e cila lindi nga mitra e antishqiptarisë dhe u rritë e jeton duke u ushqyer me ëndrrat antishqiptare. Mbase bashkëpunimi me kë të duan dhe si të duan, i çoi liderët partiak të besojnë se atyre u lejohet çdo gjë, se ata nuk duhet të mbajnë llogari me cilin partner maqedonas ndërtojnë të ardhmen më të mirë shqiptare dhe se ata kanë të drejtë të përcaktojnë edhe miqësitë individuale mes shqiptarëve dhe maqedonasve të këtushëm, por jo edhe të japin llogari me kënd ata hanë dreka dhe hartojnë plane për bashkëjetesën mes popujve të këtij shteti.

      Maqedonia është shtet i ngatërruar në përrallën për origjinën e atyre që veten e quajnë maqedonas dhe asaj që arsyeton durimin e shqiptarëve të këtushëm. Dhe nga kufomat e këtyre përrallave kundërthënëse, ngrihen dy brigjet mes të cilëve thellohet shtrati  i lumit të iluzioneve se rruga drejtë të kaluarës së etnitetit maqedonas do mund një ditë të bashkohet me atë të shtruar nga durimi i shqiptarëve të këtushëm, durim që i çon të besojnë se udhëtojnë drejtë cakut që do i bëjë më të afërt me vetveten. Duke qenë shtet i tillë, nuk është çudi pse Maqedonia ka të sotme të cilën me asgjë nuk e përcaktojnë as partitë maqedonase, as ato shqiptare, por vetëm kryeqendrat që vendosin kahen e rrjedhës së lumit global. Pra si i tillë, ky shtet do ketë ardhmëri vetëm nëse realizohet përralla të cilës gjithnjë e më pakë dikush i beson: të bëhet anëtare e BE-së dhe NATOS para se ta vërshojë lumi i tërbuar që rrjedh mes brigjeve të ngritura nga mosbesimit i ndërsjellë ndëretnik shqiptaro-maqedonas.

(Marrë nga gazeta “Koha Ditore”, Prishtinë)      

Komente (1 dërguar):

kujtim më 01 September, 2009 06:30:05
avatar
Një shtet nuk ndërtohet mbi përralla. Përrallat u takojnë fëmijve në kopësht.Ndërsa ata që kërkojnë vdekjen e shqiptarëve të kenë kujdes se mos shkojnë vetë në ferr.Përsa i përket liderëve politikë për çorbën e tyre të neveritshme vetë do ta hanë dhe do ta vjellin. Ndërsa shqiptarët duhet të durojnë sepse durimi sjellë qëndresën dhe qëndresa sjellë shpresën.Kurse ata maqedonas që kërkojnë vetëm vdekje dhe kobe e tmerre më vjen keq por ata janë të sëmurë psiqikisht. Dhe nga të sëmurët psiqik mund të presësh gjithçka vetëm formim shteti jo.

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next