Fillimi | Analiza | Procesverbali i të sotmes

Procesverbali i të sotmes

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

“Shqipëritë” tona shpeshherë ngjanë në shoqëri ku janë ngatërruar kohët dhe ku janë në grindje të pakompromisë ndërtuesit e të djeshmes dhe projektuesit e të ardhmes sonë. Duke qenë shoqëritë shqiptare arena kacafytjesh të pakuptimta politike, sot kemi një Kosovë ku ke përshtypjen se njëri ndreq, e tre të tjerë prishin.

Shkruan:Kim MEHMETI


Pa dyshim se nga te gjitha shkrimet, më mundimshëm shkruhen ato kur ke ndjenjën se je duke e përsëritur vetveten, se gjithmonë shkruan për të njëjtën gjë, kur gjithmonë duhet të merresh me të njëjtat “personazhe”. Apo, kur të duket se edhe shkrimet tua “publicitare”, vetëm sa e bëjnë më të lagshtë mjegullën politike, e cila i ka mbuluar të gjitha shoqëritë shqiptare. Mbase shkrimet e tilla edhe janë më të bezdisshmit për t’i lexuar. Por, ku ta dish, ndoshta edhe nuk mund të jetë ndryshe në kohë kur e sotmja dhe e djeshmja me asgjë nuk dallojnë mes veti dhe kur e dinë paraprakisht se e nesërmja do jetë njësoj si e tanishmja. Aq më shumë kur jetojmë në kohë në të cilat ngjarjet duken sa të thjeshta, po aq edhe absurde, kur shpesh ankohemi nga të tjerët, vetëm duke mos dashur të përballemi me vetveten.

Pra, ku ta dish, ndoshta shumë nga ne që rrëfejmë për të tjerët, në njëfarë mënyre mendojmë për vetveten, krahasohemi me heronjtë e ditëve tona, hamendemi se si do silleshim nëse do ndodheshim në situata e tyre jetësore, apo edhe fillojmë të mendojmë se ndoshta “të gjithë njerëzit janë vetëm një njeri”, por rrethanat e ndryshme jetësore, roli që ka në shoqëri, kalendari kur jeton, individin e bënë të ketë bërthamë të dallueshme njerëzore nga ajo e të tjerët. Dhe këto mendime rëndomë na vërshojnë atëherë kur na imponohet bindja se politikanët tanë ekzistojnë thuajse vetëm sa për të krijuar probleme, e jo për t’i zgjidhur ato. Apo, atëherë kur duam te dëshmojmë se nëse në të djeshmen socialiste njerëzit donin ta vrisnin Zotin që ta zinin vendin e tij , në të sotmen “demokratike” vritet njerëzorja në njeriun, edhe atë me qëllim që individi të mos mund ta kuptojë se nuk ndryshohet e kaluara, se ajo vetëm mund të ndërmendet, se e sotmja jetohet dhe e ardhmja ëndërrohet.

Pastaj, “shqipëritë” tona ende janë shoqëri ku e mira nuk krahasohet me më të mirën që mund të arrihet, por me të keqen që duhet shmangur. Andaj ke përshtypjen se në “shqipëritë“ tona çdokush dinë të shpjegojë se çka është duke ndodhur, se kush është shkaktarë i problemeve, por rrallëkush ofron dhe e din zgjidhjen. Pra, ke përshtypjen se dikush na e ka vjedhur projektin për të ardhmen tonë dhe ne, ndërtuesit e saj, tani nuk dimë nga t’ia fillojmë murimin e së sotmes dhe të nesërmes. Dhe duke qenë “shqipëritë” tona ara ku suksesshëm rritet bima e mosmarrëveshjeve, paqartësive dhe grindjeve të pafundme politike, sot ne kemi një Shqipëri ku ndërmjetësuesit e huaj duhet t’i “pajtojnë” politikanët grindavec të Tiranës. Pra, të huajt duhet t’i mësojnë kryesuesit e atjeshëm partiak si veprohet kur dy palë nuk arrijnë pajtueshmëri, gjë të cilën të parët tanë e kanë ditur shumë shekuj më parë. Gjë të cilën paraardhësit tan e kanë ditur qysh në kohët kur kanë jetuar sipas rregullave të Kanunit të Lekës, e kur grindjet dhe mosmarrëveshjet brenda familjes, janë pleqëruar nga më të urtit e fisit, me çka nuk është lejuar që ato të rrokulliset rrugëve të botës, por janë zgjidhur dhe mbyllur në “odën e burrave”. Kështu del se sot shqiptarëve, o ju mungon urtësi, o burrat e vërtetë. Apo ndoshta nuk u mungon as njëra as tjetra, por kanë një probleme më të madh se ky: të sotmen e ndërtojnë me tullat e të djeshmes.

“Shqipëritë” tona shpeshherë ngjanë në shoqëri ku janë ngatërruar kohët dhe ku janë në grindje të pakompromisë ndërtuesit e të djeshmes dhe projektuesit e të ardhmes sonë. Duke qenë shoqëritë shqiptare arena kacafytjesh të pakuptimta politike, sot kemi një Kosovë ku ke përshtypjen se njëri ndreq, e tre të tjerë prishin. Apo i ke shqiptarët e Maqedonisë me partitë e tyre, të cilat shumë lehtë “vëllazërohen” me ato maqedonase në pushtet, por assesi nuk ia dalin të gjejnë një qëllim dhe cakë të përbashkët që do i çojë të bashkëveprojnë. Pra, ke parti politike të cilat i dëgjojnë të huajt kur u thonë se duhet të bashkëpunojnë me partitë e etnitetit maqedonas, por nuk e dëgjojnë popullin e vet kur kërkon nga ato që të bashkëveprojnë kur janë në pyetje të drejtat kolektive të shqiptarëve të këtushëm, e të cilat nuk mund të kenë përkatësi partiake.

Andaj, nëse dikush do donte t’i ndërlidhte mes veti gjitha “shqipëritë” tona, ato kanë vetëm një emërues të përbashkët: grindjet e pafundme ndërpartiake. Grindje të cilat të çojnë të besosh se fjala e shkruar ka humbur kuptim, se dy dekada me radhë je duke shkruar dhe duke lexuar të njëjtin tekst. Grindje të cilat duan ta mbulojnë të vërtetën se politikanët e sotëm do jenë kapitalistët e ardhshëm tanë që do bashkëpunojnë mes veti, e ne që shkruajmë, jemi vetëm përpiluesit e “procesverbalit” të mosmarrëveshjeve të tyre të sotme. Dhe nëse është kështu, nëse e dimë se kjo grindje do merr fund ditën kur politika nuk do jetë “biznesi” më fitimprurës, atëherë le ta shkruajmë “proces verbalin” e të sotmes me gjakftohtësi, pa u rrëmbyer nga vrulli i atyre që shpalosin bëmat e tjerëve që me ato ta mbulojnë vetveten, pa mbajtur anë, ta shkruajmë ashtu që ai të jetë vetëm sy që shikon dhe vesh që dëgjon. Duke shkruar në atë mënyrë, ne do ia dalim të pikturojmë portretin gruporë të varrtarëve të ëndrrave të shumë gjeneratave të rinjsh që mezi presin të largohen nga “shqipëritë” tona dhe do shpalosim të vërtetën se kemi jetuar në kohë kur mungonin kopshtarë që e kishin kuptuar se rinia e një populli është parajsa e kësaj bote. Dhe duke mbetur piktorë të ndershëm të varrtarëve të së ardhmes sonë, si dhe të kopshtarëve të munguar, ne do ia dalim të bëjmë të mundshmen: të përballim bezdinë e të shkruarit për tema dhe personazhe të njëjtë, të bëjmë shkrime që do pasqyrojnë portretin tonë grupor. Me çka do tregojmë se nuk është që nuk e kemi ditur se çka i dallon mes veti politikanët: kur dështon politikani i mirë, nuk qanë si dashnori të cilin e ka braktisur e dashura, por i kthehet profesionit i cili e ka ngritur shkallëve të suksesit. E kur dështon politikani i keq, ai e fillon grindjen me gjithë të tjerët, ia nis të kërkojë fajtorin për dështimet veta.

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
5.00
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next