Fillimi | Analiza | Shteti i spiunëve

Shteti i spiunëve

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Sa u përket dosjeve për kinse spiunët policorë nga radhët e BDI-së, është naive të mendosh se ato pasqyrojnë vetëm betejën e ndërsjellë deri në shfarosje politike mes PDSH-së dhe BDI-së. Pra, është naive të mos e shohësh se këto dosje pasqyrojnë të vërtetën për një Maqedoni, e cila gjithnjë e më shumë bëhet një Kazablankë e Ballkanit, se ato shpalosin të vërtetën se ky shtet ishte dhe mbeti një “stacion policor” i shërbimeve sekrete policore serbe.



Vlerësuar sipas deklaratës së një ish-shefi të Shërbimeve për Siguri Shtetërore të Jugosllavisë së dikurshme, të dhënë për një TV vendor, se spiuni që fshihet pas pseudonimit “Ibar” është një “super-intelektual”, rritet besimi se kjo dosje është e fabrikuar, se ajo nuk ka të bëjë me ndonjë udhëheqës të tanishëm partiak shqiptar, ngaqë shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë asnjë kryetar partie që do e meritonte një vlerësim të tillë. Në të vërtetë, deri para disa viteve ata kishin një intelektual të përmasave superiore, por pasi u pasurua, ai u kthye në Prishtinë, ku tani është i regjistruar në dosjen e politikanëve të pensionuar. Dhe i njëjti, shqiptarëve të këtushëm u la në trashëgimi një parti të quajtur PDSH, kryesuesit e së cilës bartin në vetvete aq të keqe, sa ajo do mjaftonte për ta helmuar tërë shqiptarinë, e jo më një grusht shqiptarësh të Maqedonisë. Kur jemi te kjo parti, duhet rikujtuar se themelimin e saj e shënoi zbulimin i “spiunëve” në radhët e PPD-së së dikurshme, zbulim që asokohe e bëri ATSH-ja e Tiranës, e që pastaj PDSH-ja të vazhdonte aktivitetin e vet të begatë në “pastrimin” e shoqërisë së këtushme shqiptare nga gjithë “tradhtarët” që guxonin t’u thoshin kryesuesve të saj se nuk janë gjë tjetër përpos “maunokrat”.

Sa u përket dosjeve për kinse spiunët policorë nga radhët e BDI-së, është naive të mendosh se ato pasqyrojnë vetëm betejën e ndërsjellë deri në shfarosje politike mes PDSH-së dhe BDI-së. Pra, është naive të mos e shohësh se këto dosje pasqyrojnë të vërtetën për një Maqedoni, e cila gjithnjë e më shumë bëhet një Kazablankë e Ballkanit, se ato shpalosin të vërtetën se ky shtet ishte dhe mbeti një “stacion policor” i shërbimeve sekrete policore serbe. Që do të thotë, me këto dosje Serbia i përcjell porosi të qartë Shkupit, porosi e cila ka vetëm një domethënie: se kur të dojë, Beogradi mund ta diskreditojë çdo person publik në Maqedoni, me çka mund të deligjitimojë edhe cilëndo qeveri të këtij shteti. Pra, këto dosje tregojnë se Beogradi është vendi ku ruhet e kaluara kolektive dhe individuale e qytetarëve të Maqedonisë nga kohët e socializmit jugosllav, me çka e sotmja e tyre varet nga rojtarët e bunkerëve të ish UDB-së jugosllave.

Andaj, publikimi i të ashtuquajturave dosje për “kodoshët” shqiptarë mbase edhe nuk kanë për qëllim zbulimin, por mbulimin e spiunëve të vërtetë. Ato nuk kanë për qëllim të pastrojnë qiellin politik të Maqedonisë nga mjegulla e errët e së kaluarës, por duan të tregojnë se çka ndodh me një shtet si ky, shtet të cilin partitë maqedonase në pushtet e ndjejnë si pronë të vetën. Pra, duan të tregojnë se sa lehtë rrënohen të gjitha institucionet e një shteti, kur ato institucione nuk janë në shërbim të qytetarëve, por janë bërë degë partiake të VMRO-DPMNE-së dhe janë vënë në shërbim të forcimit të kësaj partie, si dhe në shërbim të degradimit të plotë të shqiptarëve të Maqedonisë. Këto dosje pra tregojnë se çka ndodh me shqiptarët e këtushëm kur BDI-ja të drejtat e tyre i realizon në shoqëri me Gruevskin, kur udhëheqësit e dikurshëm të UÇK-së pranojnë t’i shërbejnë si mbulesë VMRO-së antishqiptare, një partie e cila udhëheqës shpirtëror ka “Latasët e Milenkot”, njerëz që i mban gjallë urrejtja ndaj shqiptarëve. Gjë që të çon të pyesësh veten: Vallë ky do jetë morali i disa politikanëve shqiptarë? Vallë udhëheqësit e BDI-së nuk e kuptojnë se duke bashkëpunuar me paçavuret që deri në ditën e fundit i shërbyen Millosheviçit, ata me dorën e vet e kanë nënshkruar mundësinë që dikush t’i njollosë, që dikush t’ua baltosë shqiptarëve të këtushëm atë më të vlefshmen që kanë, atë që ua riktheu dinjitetin dhe krenarinë – UÇK-në e dikurshme?

Por, sido që të jetë, nga këtë dosje që dëmtojnë shqiptarët e këtushëm, dikush do ketë dobi të madhe. E ai është Kryeministri aktual i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nga institucionet e të cilit Ali Ahmeti tani kërkon ndihmë të dëshmojë pastërtinë e vet. E që i del njësoj sikur të kërkosh të të shpërlajë ai i cili mbase edhe ta ka hedhur baltën mbi trup. Pra, me këto dosje, Gruevski u hapi edhe një temë shqiptarëve të këtushëm që të merren me vetveten, e që ndërkohë ai pa pengesa ta kompletojë koleksionin e përmendoreve në qendër të Shkupit. Me këto dosje, ai i gjeti punë shtesë Ali Ametit, e çoi kryesuesin e BDI-së të mos merret me punë që nuk i takojnë, siç është anëtarësimi i shtetit në BE dhe NATO, por të shtrëngohet të dëshmojë “pastërtinë” e vet të padiskutueshme patriotike. Dhe këtë, Gruevski e arriti ngaqë e di se tani, sikur edhe vetë Perëndia të dëshmojë se dosjet janë të rrejshme, BDI dhe PDSH do paguajnë çmim të madh për ngritjen e temperaturës politike mes shqiptarëve të këtushëm, posaçërisht kur kësaj grindjeje iu bashkëngjitën edhe personalitete të njohura politike kosovare. Kur jemi te përfshirja e politikanëve kosovarë në këtë grindje ndërpartiake mes BDI-së dhe PDSH-së, nëse ata do ishin politikisht largpamës, do duhej të hiqnin dorë nga të dy këto parti. Edhe atë nëse jo për hiçgjë tjetër, atëherë shkaku se rasti i dosjeve më së miri shpalos të vërtetën se këto parti nuk janë të afta të mbrojnë as vetveten nga manipulimet policore, e le më popullin. Pra, ata do duhej më në fund të shihnin se shqiptarët e këtushëm kanë mbetur peng të dy partive të cilat qëmoti janë shkëputur nga populli, se njëra nga ato – PDSH-ja, bart sasi të madhe të destruktiviteti politik në vetvete, e tjetra – BDI-ja, është aq e përgjumur dhe e dehur nga të qenit pranë grazhdit të shtetit, sa ka harruar se ka marrë votat e shqiptarëve të këtushëm për t’i mbrojtur ata nga projektet antishqiptare të Gruevskit, e jo të mundohet ta vërë në gjumë popullin e vet me ninullat e Ali Ahmetit se çdo gjë është koordinuar me “miqtë perëndimorë të shqiptarëve dhe të Maqedonisë”.

Kur jemi te dy partitë e këtushme shqiptare, duhet thënë se BDI-ja ka vetëm një të mirë: nuk është më e keqe se PDSH-ja. Andaj, pa hamendje mund të thuhet se, sikur BDI-së t’ia heqësh qafe PDSH-në, nga partia e Ali Ahmetit, e këtillë siç është tani, nuk do mbetej asgjë që do e bënte të pranueshme për shqiptarët e këtushëm. Nga ana tjerët, mos ishin këto dy parti të atilla siç janë, pra të interesuara për pushtet pa pasur në dorë shtetin, Gruevski kurrë nuk do ia dilte të realizonte dy pikat më të rëndësishme të programit të tij antishqiptar: ngritjen e përmendoreve dhe kishave anë e mbanë Maqedonisë dhe defaktorizimin politik të shqiptarëve të këtushëm. Që do të thotë se e keqja e PDSH-së e ushqen BDI-në anemike, e të dyja së bashku ia mbulojnë Gruevskit një antishqiptari perfide, mbulojnë veprimet e Kryeministrit aktual të Maqedonisë, i cili ia doli që shqiptarëve të këtushëm t’ua marrë hakun për konfliktin e 2001-shit, duke asgjësuar thuajse të gjitha fitoret e shënuara në Marrëveshjen e Ohrit.

Do ishte mëkat nëse Gruevski do shpallej fajtor i vetëm për këtë që u ndodh sot partive dhe shqiptarëve të Maqedonisë. Fajin më të madh për këtë e kanë vetë partitë shqiptare, e strategjinë e të cilave drejt e lexoi Kryeministri i tanishëm i shtetit, me çka e kuptoi se ato kanë vetëm një qëllim: pjesëmarrja e tyre në qeveri me çdo kusht dhe pa kushtëzuar me asgjë partnerin maqedonas në koalicionin qeveritar. Në të vërtet, Gruevski e kuptoi se partitë shqiptare kot që thirren në emër të popullit, se ato qëmoti kanë mbetur pa popull dhe kanë vetëm partizanë partiakë që u mbushin kutitë e votimit. Gjë që më së miri u pa gjatë zgjedhjeve presidenciale, kur simpatizantët e BDI-së votonin në vend të popullit të tyre, për të përmbushur censusin e duhur, për të zgjedhur Presidentin e shtetit që dëshironte Gruevski, e të cilin Ali Ahmeti duhej ta përkrahte vetëm sa mos ta humbiste pozitën e vasalit të besuar nga Kryeministri.

Ja, e tillë është Maqedonia e sotme, në të cilën shqiptarët merren me dosje policore, e maqedonasit e ngushëllojnë veten duke krahasuar thënien e tyre se “mes tre maqedonasve, dy janë spiunë”, me atë se “mes shtatë shqiptarëve, pesë janë kodoshë të vetvetes”. Me çka, do del puna se “populli” shumicë që jeton në Maqedoni, është ai i spiunëve policorë, e që do të thotë se çdo shtet i ka spiunët e vet, por vetëm spiunët e Maqedonisë kanë shtetin e tyre. Pra, me çka do dëshmohet se një shtet i tillë, edhe burrështetasit i ka të telekomanduar nga larg. Do dëshmohet se një shtet të tillë mund ta drejtojë edhe një parti antishqiptare, por e mbuluar nga vasalët shqiptarë, se mund atë ta drejtojë një parti si VMRO-DPMNE-ja e Gruevskit, e cila veprimtarinë e vet politike e filloi me mitingjet ku kërkoheshin “Dhoma gazi për shqiptarët”, e mbase do e përmbyllë me ngufatjen përfundimtare të funksionimit politik të shqiptarëve të këtushëm.

Komente (1 dërguar):

më 11 November, 2010 07:37:01
avatar
E gjithe kjo qe po shkruani eshte mese OK, por kam nje pytje per ju i nderuar dhe shpresoj se do te me pergjigjeni:
CKA MENDONI PRE PREGADITJEN PROFESIONALE, NGRITJEN E TYRE MORALE, AFTESINE MENAXHUESE, GJENDJEN SHPIRTERORE PATRIOTIKE(PER MUA PATRIOT ESHTE TA DUSH POPULLIN TEND, PRA TE PUNOJSH DHE TE SAKRIFIKOHESH PER TE)TE ABULHAQIM-it, TALAT-it, MUSA XHAFER-it DHE TE TJEREVE PERVEC TEUTES(KAM NJEFAR RESPEKTI).
RESPEKTE I NDERUAR

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
4.75
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next