Fillimi | Analiza | Dikush e bën ndryshe

Dikush e bën ndryshe

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Ditët e nëntorit në Oslo janë të ftohta. Ato me asgjë nuk u ngjajnë atyre të këtij dimri të vonuar në Shkup, ku rritet i nxehti politikë veçmas pas ndërhyrjes policore në hapësirat e TV A1 antiqeveritare, pas së cilës ndërhyrje Maqedonia përfundimisht është e ndarë në dysh – në atë proqeveritare dhe opozitare maqedonase. Mungon vetëm Maqedonia shqiptare

Kim MEHMETI

 Dita e Flamurit në Oslo ishte ditë e ftohtë, nga ato që karakterizojnë këto hapësira ku njerëzit kanë arritur të kuptojnë se ditët me diell dhe ato të ftohtat, qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si të gjitha kundërshtitë e kësaj bote, e që mundësojnë t’i bëjmë krahasimet e duhura. Mbase këtë e kanë kuptuar edhe mërgimtarët shqiptarë në Norvegji, të cilët mallit të tyre për vendlindjen, ia kanë kundërvënë dëshirën për të siguruar jetë më të mirë për pasardhësit e vet, por duke bërë çmos që degët të mos harrojnë trungun kombëtar. Andaj asgjë nuk i pengon ta shënojnë Ditën e Flamurit, ta kremtojnë këtë festë nga të rrallat mbarëshqiptare. Pra, asgjë nuk mund t’i pengojë të mos vijnë në sallën e madhe ku do mund të shohin sa u ka hije fëmijëve të tyre veshja kombëtare dhe shqiptaria, të shohin si fëmijët e tyre, nëpërmjet valleve dhe këngëve, do të ndërthurin mallin e prindërve të vet për vendlindjen me vetëdijen e tyre fëmijërore për rrënjët shqiptare. Dhe përderisa i shikoj prindërit krenarë si ua rregullojnë veshjet kombëtare valltarëve të vegjël, nuk mund të mos pyetem në vetvete se vallë pse këta njerëz ne i kujtojmë vetëm kur duhet ta mbledhim nga ata “haraçin” e shqiptarisë, pse institucionet e “Shqipërive” tona i harrojnë këto degë të rëndësishme të dala nga trungu ynë kombëtar, e pa të cilat shumëçka do ishte më ndryshe, pa të cilat shqiptaria shumë më rëndë do ta përballte fundshekullin e njëzet kur rënkonte Kosova e kur Shqipëria mëmë përballej me varfëri të skajshme.

              Më në fund hapet perdja dhe fillon programi festiv në skenën e zbukuruar me simbole dhe ngjyra kombëtare, por ku dominon ngjyra e mallit për vendlindjen dhe shenja e vetëdijes kombëtare. Këngët dhe vallet e vogëlushëve që me vështirësi e flasin shqipen, nuk tregojnë vetëm për lavdinë e kalendarit të së kaluarës sonë, por rrëfejnë edhe për mangësitë e kalendarit që e jetojmë, e kur “Shqipëritë” tona nuk bëjnë thuajse asgjë për mirëmbajtjen e degëve të trungut tonë kombëtar që rriten larg vendlindjes, për ata vogëlushë që vallëzojnë e këndojnë, duke lëvduar Ditën e Flamurit, por të cilëve askush nuk u çon as abetare, as flamuj, as përmbledhje këngësh e rrëfimesh që do t’u mundësonin të ndërlidhnin  përditshmërinë e tyre që i bën të jenë “norvegjez” të vegjël, por me sensibilitetin shqiptar, të cilit i mungojnë rrëfimet e gjyshërve që i kanë larg.  

Ka diçka të magjishme dhe madhështore në vallëzimin krahëhapur të fëmijëve, të cilët i bashkojnë copëzat e trojeve shqiptare në një të vetme. Ka shumëçka domethënëse edhe në lotët e të rriturve të cilët mbase i rrëqeth recitimi plot ndjesi i aktorit tonë Mirush Kabashi. Mbi të gjitha, ka diçka shumë tronditëse kur e sheh sa kopshtarë të mirë e të kujdesshëm janë ata që kanë organizuar këtë kremte të Ditës së Flamurit, ata të cilët mbase pa dashje, “Shqipërive” tona ua përcjellin një porosi të vetme, por shumë të dhembshme për ne që jetojmë nëpër trojet shqiptare: Ne na ka mbajtur gjallë ndërmendja se jemi shqiptarë, e ju do të vuani mëkatin e harresës së asaj që ne kemi bërë për shqiptarinë. 

              Pjesa solemne e shënimit të Ditës së Flamurit merr fund. Dhe njeriu ndihet mirë kur e rrethojnë “kopshtarë” që e kanë kuptuar se fëmijët dhe rinia e tyre, janë ajo parajsa shqiptare e kësaj bote që duhet mirëmbajtur, “kopshtarë” që e kanë kuptuar si duhet kultivuar kjo parajsë, andaj edhe kanë bërë diçka krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim nëpër kremtime të këtilla: në vend që të organizojnë koncert të shtrenjtë, ata kanë zgjedhur formën më frytdhënëse për ta shënuar këtë ditë të shenjtë të kalendarit tonë kombëtar – që atë kremte ta madhërojnë fëmijët e tyre, që ajo ditë të vuloset në vetëdijen fëmijërore si shenjë që do t’ua ndërmend se kush janë dhe nga kanë ardhur. Pra, ata e kanë kuptuar se flamurin nuk e lartëson shtiza dhe nuk e valëvit era, por vetëdija e atyre që kujdesen për të. Numri i prindërve shqiptarë në Oslo që e dinë se çka e lartëson një flamur kombëtar, është i madh. Një prind i tillë është hoxha-atdhetar, Refiku që kishte bërë koreografinë e valleve dhe regjinë e tërë programit solemnë, të tillë janë Isa, Hamdiu ..., si dhe të rinjtë tani të integruar në shoqërinë norvegjeze si Mensuri, Kumria, Fatmiri.... Të rinj të arsimuar e të mençur, të cilët aq shumë u mungojnë vendlindjeve të tyre. 

              Si çdo e kremte, edhe ajo e Ditës së Flamurit në Oslo kishte fundin e saj. Dhe pas kremtes vazhdon jeta që zhvillohet mes klimës së ftohtë të Norvegjisë dhe flakës së nxehtë të mallit për vendlindjen. Por për çudi, mërgimtarët e atjeshëm nuk ankohen për asgjë. Ata jetojnë si njerëz të cilët kanë paguar hakun e atdhetarisë, andaj janë në paqe me vetveten dhe shoqërinë ku janë integruar dhe ndihen mirë. Ata nuk duan të flasin as për partitë e këtushme politike. Mbase shkaku se e kanë kuptuar se tani u ka mbetur vetëm një parti dhe një “atdhe”, që nuk i harron kurrë, ngaqë e kanë kuptuar se atdheun i vetëm që u ka mbetur është ai i gjuhës, kulturës dhe vetëdijes shqiptare. Dhe duke e kuptuar këtë, ata bëjnë çmos që vetëdija për këtë atdhe të rrënjoset edhe te fëmijët e tyre dhe kjo vetëdije të bëhet fole e ngrohtë ku do të bëjë gjumë ndërmendja e tyre se nga kanë ardhur dhe cilët janë.

              Ditët e nëntorit në Oslo janë të ftohta. Ato me asgjë nuk u ngjajnë atyre të këtij dimri të vonuar në Shkup, ku rritet i nxehti politikë veçmas pas ndërhyrjes policore në hapësirat e TV A1 antiqeveritare, pas së cilës ndërhyrje Maqedonia përfundimisht është e ndarë në dysh – në atë  proqeveritare dhe opozitare maqedonase. Mungon vetëm Maqedonia shqiptare. Ajo mungon mbase shkaku se pushtetarët shqiptarë të BDI-së - duke mos qenë të aftë të definojnë interesin e shqiptarëve të Maqedonisë, merren me atë se cilët shqiptarë janë më patriotë – ata që përkrahin qeverinë e Gruevskit, apo kundërshtarët e saj. Me çka dëshmojnë se nuk e kanë kuptuar që nuk bëhet fjalë se cilët janë vasalë më të mirë shqiptarë - ata të Gruevskit apo të Crvenkovskit, por si të rregullohet “Shqipëria” e Maqedonisë. Pra, BDI-ja e Ali Ahmetit merret me pastrimin e oborrit të saj nga të “padëgjueshmit”, u ka shpallur luftë të gjithë shqiptarëve që dënojnë ndërhyrjen policore në TV A1 antiqeveritare, por pa treguar se ku qëndron e mira e televizioneve proqeveritare të ngjashme me TV "Sitelin" e Xingos, e cila gjatë këtyre dy dekadave, shumë herë ka ndryshuar ngjyrat partiake, por kurrë nuk hoqi dorë nga fryma antishqiptare dhe i mbeti besnike Milosheviqit deri në ditën e fundit. Ku ta dish, mbase edhe BDI-ja është nisur rrugës të cilën e eci pararendësja e saj PDSH-ja, e cila po kështu ndershëm i shërbeu Gruevskit, me çka edhe arriti që kryetari i saj të merrte licencën e “vojvodës” dhe mbrojtës të vetëm të kësaj partie të mbeten “pavloviqët” e TV Sitelit. Dhe nuk ka dyshim se kjo domosdo u ndodh atyre që nuk e kanë frikë dhe nuk i nënshtrohen punëdhënësit të vetëm që kanë – popullit që i ka votuar, por që i përkulen dhe i janë vënë në shërbim mandatarit të qeverisë. 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
3.67
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next