Fillimi | Analiza | Shitësit e të ardhmes

Shitësit e të ardhmes

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Ka të atillë që thonë se nuk ka politikanë të këqij, por vetëm popuj që nuk dinë të zgjedhin të ardhmen e vet. Por ka edhe të atillë që insistojnë në pohimin se, si gjithë të tjerët, edhe politikanët ndahen në dy grupe: në të mirë dhe të këqij. Dhe se dallimi mes tyre është se të mirët popullin e qethin, e të këqijtë e rrjepin.

 Shkruan:Kim Mehmeti

Ka të atillë që thonë se nuk ka politikanë të këqij, por vetëm popuj që nuk dinë të zgjedhin të ardhmen e vet. Por ka edhe të atillë që insistojnë në pohimin se, si gjithë të tjerët, edhe politikanët ndahen në dy grupe: në të mirë dhe të këqij. Dhe se dallimi mes tyre është se të mirët popullin e qethin, e të këqijtë e rrjepin. Por, askush nuk e ka thënë se politikanë të suksesshëm janë vetëm ata që arrijnë ta bindin popullin se qethja e sotme e tij siguron çorape të ngrohta për pasardhësit që do vijnë nesër, e rrjepja mundëson ngritjen e punëtorive të lëkurave, ku të rrjepurit do sigurojë ekzistencën e familjeve të tyre. Andaj edhe ka diçka që i ndërlidh mes veti edhe politikanët e mirë edhe të këqijtë: vetëdija se popullin mund ta mbash në terrin e të sotmes, vetëm nëse arrin ta joshësh me ndriçimin verbues të së ardhmes. Dhe gjithsesi, vetëm nëse arrin ta mbrosh "kopenë" që mos ta trazojnë të papritur dhe nëse e mirëmban "livadhin" që aty ajo të ndjehet mirë dhe sadopak e bindur se "ogiçi" i di rrugët që çojnë drejt "kullosave" më të begata. E me çka ndërtohet harmonia mes "kopesë" së mirëmbajtur dhe jetës së begatë të "qethësve" dhe "rrjepësve" të lëkurave. Harmoni e cila për një kohë i mbanë të fshehura "gërshërët" e qethësve dhe "thikën" e rrjepësve.

Me sa duket, pushtetarët aktualë të Maqedonisë nuk bëjnë pjesë në asnjë nga dy grupet e lartpërmendura. Këta janë të një lloji të veçantë, që nuk mund t‘i matësh me asnjë peshore politike. Andaj edhe veprimet e tyre dalin jashtë shablloneve të logjikshme politike, ato i përcakton rastësia, apo ndonjë koncept i ri, të cilin nuk e njeh bota. Dhe duke qenë të tillë, dy vite të tëra, ata përpëliten në shtratin e ngushtë të paaftësisë së vet që të përballen me realitetin që i rrethon, të shohin se Maqedoninë e sotme e rëndojnë dy ëndrra diametralisht të kundërta etnike: ëndrra, tani për tani mbisunduese tek etniteti maqedonas, që të mbeten në përqafimin e vëllazërisë serbo-ruse, dhe ajo e shqiptarëve të këtushëm që sa më parë të bashkohen me popujt e tjerë të Evropës. Pra, nuk e shohin se udhëheqin një Maqedoni të dyzuar: atë që u frikohet proceseve integruese euroatlantike dhe atë të shqiptarëve, që ardhmërinë e shohin aty ku synojnë edhe dy pjesët e tjera të popullit të tyre. Nuk e shohin se Maqedonia e sotme ec drejt ardhmërisë si i burgosuri me topin e rëndë prej plumbi të lidhur për këmbe. Se ajo që ia pengon ecjen përpara këtij shteti, janë kryesisht dilemat etnike maqedonase dhe frika e elitave të këtushme se çka do ndodhë me popullin e tyre në Evropën pa kufij, ku gjuha, kultura, historia... e etniteti maqedonas do përballen me ato simotra të popujve fqinjë. Frikë që i verbëron dhe i bën të mos shohin se çka u sjell integrimi në NATO dhe BE, e ç‘ka prehri i ngrohtë i vëllazërisë serbo-ruse.

Duke mos pasur guxim politik të përballen me problemin e kohës, si për shembull me atë greko-maqedonas lidhur me emrin, duke mos mundur t‘u përgjigjen mohuesve të gjuhës, kishës dhe identitetit maqedonas, qeveritarët aktualë të Maqedonisë u shndërrua në një grup cirku politik dyetnik, në të cilin pushtetarëve shqiptarë u është nda roli të mbulojnë hutesën e kolegëve të tyre të etnitetit maqedonas. Andaj edhe ndodh që ministrat e PDSH-së, në mëngjes ta braktisin, e pasdite të kthehen në koalicionin qeveritar. Pra, kur e shohin se s‘kanë ku të hyjnë më thellë në tunelin pa dalje të manipulimeve me kërkesat e popullit të tyre, dalin nga qeveria, e pasdite, kur binden se askush nuk i pret jashtë tendës të cirkut, kthehen në qeveri. Duke ia mundësuar kështu Kryeministrit Gruevski ta zbavitë popullin me problemet që ka me shqiptarët, e jo me mosmarrëveshjet që ka ky shtet, shkaku i krizës së identitetit maqedonas. Apo edhe duke ia bërë të mundur Gruevskit që në çdo katër muaj të bëjë nga një marrëveshje të re me shqiptarët, thuajse Marrëveshja e Ohrit është një leckë që riarnohet e ridizajnohet ashtu siç i kujtohet rrobaqepësit të radhës qeveritare. Siç ndodhi para disa ditëve, kur pas marrëveshjes së majit të vitit të kaluar me Ali Ahmetin, Gruevski arriti edhe marrëveshjen e marsit me kryesuesit e PDSH-së. Për çka u paralajmërua formimi i grupeve punuese mes dy partive në pushtet, të cilat do duhet të merren vesh rreth kërkesave të shqiptarëve. Pra do bashkëbisedojnë në grupe punuese ndërpartiake, thuajse nuk janë parti që bashkëqeverisin, por si dy palë kundërshtare. E nga shihet se Gruevski me shokët e tij të PDSH-së ende nuk është bindur se shqiptarët e këtushëm prej moti e kanë kuptuar se të presësh të mira nga kjo qeveria, është njësoj sikur të shpresosh se do zësh peshq në gropë të mbushur me ujëra të zeza.

Veprimet e fundit politike të hyrje-daljeve të PDSH-së nga qeveria, si dhe marrëveshjet e reja të Gruevskit me udhëheqësit e këtushëm partiakë shqiptarë, e shpalosën gënjeshtrën shtatëmbëdhjetëvjeçare se Maqedonia ka probleme me shqiptarët. E shpalosën atë që disa e përsërisin vite me radhë: se Maqedonia nuk vuan nga dilemat e shqiptarëve si të bashkëjetojnë me të tjerët në këtë shtet, por nga bindja e etnitetit maqedonas se nuk është i mundur shteti i përbashkët me shqiptarët. Bindje e cila mbizotëron veçanërisht te partia më antishqiptare e këtushme - VMRO-DPMNE-ja - e Kryeministrit aktual të Maqedonisë. Andaj, Gruevskit mund t‘i mohohet shumëçka, por jo edhe qëndrueshmëria në bindjen se ky shtet o do bëhet pronë vetëm e maqedonasve etnikë, o nuk duhet të ekzistojë fare. Çka edhe e çoi të bëjë të vetmen që mund të bënte: të përqendrohej në orvatjet që shqiptarëve të këtushëm t‘ua harxhonte edhe dy vite të tëra duke i "zbavitur" me marrëveshje të përkohshme. Dhe ta shtyjë këtë shtet sa më pranë ndikimit serbo-rus.

Kryeministrit aktual të Maqedonisë nuk mund t‘i mohohet as ajo se është më i merituari për zhveshjen përfundimtare të Maqedonisë nga veshja e rrejshme se ky shtet përballet me mosmarrëveshje ndëretnike. Zhveshje që mundësoi të shihet më qartë se këtë shtet e mundojnë mosmarrëveshjet brenda etnike maqedonase, sëmundjet fëmijërore të një populli në formim e sipër, a i cili luhatet mes asaj që dëshiron dhe frikës se rrjedhat globale e çojnë drejt zhdukjes. Pra, u pa se Maqedonisë së sotme nuk i mungojnë gjithaq marrëveshje shqiptaro-maqedonase, sa ato maqedonaso-maqedonase mes rrymave të ndryshme të këtij etniteti, e të cilat shtetin e sollën përpara dilemave - në NATO apo në prehrin e Rusisë.

Një Maqedoni e sotme, e ngarkuar me peshën e rëndë të paqartësive dhe frikës së etnitetit maqedonas nga e ardhmja, është dhe do mbetet edhe gjatë kohë "zonë e errët" e kësaj pjese të Ballkanit. E shqiptarët në këtë shtet, edhe gjatë kohë do mbeten peng i kësaj frike të bashkëqytetarëve të tyre të etnitetit maqedonas. Kjo atmosferë politike edhe më tej do prodhojë politikanë të ngjashëm me Kryeministrin aktual të Maqedonisë, Gruevskin, i cili duke mos ditur ku ta çojë shtetin, manipulon me ndjenjat etnike të popullit të vet. Kjo atmosferë politike do prodhojë edhe politikanë shqiptarë, të cilët do duan sa më shumë të zvarritet realizimi i kërkesave shqiptare, sepse vetëm kështu do mund të mbijetojnë si mbrojtës të interesave të popullit të vet, e në të vërtetë të mbeten mbulesë për veprimet antishqiptare të elitave të këtushme politike të etnitetit maqedonas. E në ndërkohë, edhe më tej, populli do bëjë ndarjen e politikanëve në të mirë e të këqij, dhe do mundohet të përcaktojë se cilit grup i takojnë pushtetarët aktualë të Maqedonisë. Mbase një ditë, kur maqedonasit etnikë do e kuptojnë se cilat janë rrënjët e tyre të vërteta, e shqiptarët do e shohin më qartë se kanë mbetur peng të dilemave etnike të bashkëqytetarëve të tyre maqedonas, do dalë në sipërfaqe e vërteta se pushtetarët e sotëm të Maqedonisë nuk janë as politikanë të mirë e as të këqij. Se ata janë shitës të së ardhmes së Maqedonisë. Gjë që u ndodh të gjithë sunduesve pa vizion, si dhe politikanëve që nuk e dinë, se e ardhmja e një populli varet nga përzierja kimike e të kaluarës me të sotmen.

(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë)

 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next