Fillimi | Analiza | Peng i historisë së tyre

Peng i historisë së tyre

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Popujt e vegjël kanë histori të ngatërruar, sepse o atë e kanë përplot glorifikime të pamatura, e të arnuar nga tërësi që përputhen me historitë e popujve tjerë, o e kanë të diskutueshme shkaku se zaptuesit e mëdhenj, pa i pyetur, kanë përvetësuar edhe pjesë nga e kaluara e tyre. Kjo veçanërisht vlen për popujt e Ballkanit, ku historitë shkruhet sipas parimit: të gjithë heronjtë e vlefshëm janë me përkatësinë tonë etnike, e personalitetet negative nuk kanë gjakun e popullit tonë.

Shkruan: Kim Mehmeti

Popujt e vegjël kanë histori të ngatërruar, sepse o atë e kanë përplot glorifikime të pamatura, e të arnuar nga tërësi që përputhen me historitë e popujve tjerë, o e kanë të diskutueshme shkaku se zaptuesit e mëdhenj, pa i pyetur, kanë përvetësuar edhe pjesë nga  e kaluara e tyre. Kjo veçanërisht vlen për popujt e Ballkanit, ku historitë shkruhet sipas parimit: të gjithë heronjtë e vlefshëm janë me përkatësinë tonë etnike,  e personalitetet negative nuk kanë gjakun e popullit tonë. Andaj edhe ballkanasit nuk janë në grindje vetëm shkaku i të sotmes, por edhe për arsye se të kaluarën e kanë po aq të ngatërruar sa edhe ëndrrën për ardhmërinë. E që shpeshherë i bënë të duken si kopshtarë të cilët, nga kopshti ku kanë mbjell thera, presin të vjelin qershi.

Si shoqëri me tipare më të dukshme ballkanase, dhe e ndodhur në vetë kërthizën e këtij gadishulli, Maqedonia ishte dhe mbeti e ngatërruar në historinë e popullit shumicë që jeton në këtë shtet – në atë të etnitetit maqedonas. Ajo pra mbeti pa fizionomi të qartë, shkaku se edhe vetë populli shumicë në këtë shtet, ka portret me tipare të papërcaktuara dhe ka histori ndaj të cilës shumëkush sillet si ndaj xhepit të vjedhësit, ku mund të gjesh shumëçka të vlefshme, por të vjedhur nga thesari historikë i popujve fqinjë. Andaj edhe ky shtet tani paguan çmimin e popullit që të lë përshtypjen e fëmijës që e dinë lagjen ku ka lindur, por nuk e dinë se cilët i ka prind.   Me çka edhe shteti mbeti peng i ambicieve të etnitetit maqedonas, e për të cilin thuhet sa ka huazuar emrin që u takon grekëve, ka përvetësuar gjuhën bullgare duke e  bastarduar atë me sërbizma, ka arnuar historinë me mbeturina të mbledhura nga popujt fqinjë, kështu që tani ndodhet aty ku është sot – jeton me ëndrrat e ngatërruara për të ardhmen dhe me ndjenjën se të gjithë nuk e duan shkaku i së kaluarës së famshme. Dhe i pru qytetarët jomaqedonas të këtij shteti,  të ndjehen peng i historisë së tyre.

Mbase të gjithë ballkanasit, përfshi këtu edhe ata që veten e quajnë maqedonas etnik, kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe ti mbeten besnik ëndrrës së tyre etnike . Por,  vetëm nëse ambiciet e tyre nuk bëhen pengesë për realizimin e ëndrrave të popujve tjerë që bashkëjetojnë me ta në të njëjtin shtet. Apo, nëse ëndrra nuk i largon nga realiteti aq sa të mos shohin se shteti i quajtur Maqedoni, nuk është fole ku do çel vetëm e ardhmja e një populli, por e të gjithë atyre që jetojnë në të. Se ky shtet ndoshta ekziston më shumë shkaku i shqiptarëve, se sa i etnitetit maqedonas. Dhe si i tillë, ka për obligim të kujdeset edhe për ruajtjen e vlerave etnike të jomaqedonasve, se emri, si edhe çdo gjë që ka të bëjë me këtë shtet shumetnik, shumëreligjioz e shumëkulturorë, nuk mund të jetë pronë e vetëm një etniteti, por e të gjithë atyre që jetojnë në të.


Tani, kur Maqedonia përfundimisht do duhet të bëjë ndryshimin e emrit të vetë kushtetues, shihet më qartë se kush si e ndjen këtë shtet. Shihet pra se maqedonasit etnik e mendojnë si fole ku do mëkohet, apo të do zhbëhet identiteti i tyre kombëtarë, e të tjerët e ndjejnë si kreaturë të përkohshme, e cila mbase ende nuk i ka bë gjitha ndryshimet e duhura, dhe një ditë, do pësojë edhe shfytyrime tjera më të thella se emri. Ky përfundim edhe mund të jetë i gabuar, por gjithsesi është i vetmi që ka logjikë, nëse vlerësohet sjellja e etniteteve që jetojnë në këtë shtet. E posaçërisht sjellja e shqiptarëve të këtushëm, të cilët mbetën indiferentë edhe në vitet kur Maqedonia ndryshoi kushtetutën dhe flamurin shkaku i kërkesave greke, edhe sot kur vendoset për emrin e shtetit ku ata bashkëjetojnë me të tjerët. Sjellje e cila mundë të ketë vetëm dy domethënie: ose askush nuk i pyet për asgjë, ose asgjë nuk u intereson sa i përket të ardhmes së këtij shteti, dhe mendojnë se, “renovimi” i plot i shtëpisë do bëhet pasi të kalojë shtrëngata që ka kapluar Ballkanin. Pasi elitat politike të etnitetit maqedonas ta kuptojnë se qëndrueshmëria e shtetit nuk varet nga emri dhe flamuri që ka, por nga gatishmëria e qytetarët ta lartësojnë, apo ta përbaltin, emrin dhe flamurin shtetërorë.   

Sa do që në shikim të parë duket ndryshe, shumë nga problemet e Maqedonisë me fqinjët, nuk kanë gjithaq ndikim në pozitën e sajë ndërkombëtare, sa  në mosmarrëveshjet  e brendshme ndëretnike. Mbase duke e ditur këtë, dhe duke u nisur nga e vërteta se e ardhmja e Maqedonisë do mundë të jetë “jugosllavizimi” i sajë i ngadaltë,  disa nga fqinjët e Maqedonisë, duan që ky proces të fillojë sa më shpejtë. Sepse në mos më shumë,  e dinë cili do jetë efekti i këmbënguljes së etnitetit maqedonas  që çdo gjë mbi këtë tokë, e nën të, të  ketë vetëm shenjën e tyre etnike. Pra,  e ndjejnë se etnitetin maqedonas nga pakë është duke e kapluar sëmundja e vonuar e “mitologjisë serbe”, e që i çon të këmbëngulin se emri i Maqedonisë, e jo ata si popull, është mbrojtës i identitetit etnik maqedonas. Këmbëngulje e cila doemos do i çojë jomaqedonasit e këtushëm të pyesin veten,  pse u dashka  ata të mbeten pengë i historisë së padefinuar të bashkëqytetarëve të tyre dhe pse shkaku i kësaj paqartësie të tyre etnike, ata të rrezikojnë të ardhmen e tyre si pjesëtar të institucioneve euroatlantike?  Pra, pse të paguajnë çmim shkaku i krizës së identitetit etnik maqedonas, e nga ana tjetër, institucionet e shtetit të kenë sjellje mohuese ndaj identitetit etnik të jomaqedonasve. Këto hamendësi janë ato që i çojnë edhe shqiptarët të pyesin veten pse të mbrojnë emrin e një shteti, i cili emër identifikohet vetëm si vlerë dhe emblemë e një etnitetit që përbën këtë shoqëri. Dhe nëse është ashtu siç thonë maqedonasit etnik, se me ndërrimin e emrit rrezikohet identiteti i tyre kombëtarë, atëherë vallë u përshtatet ky emër i shtetit atyre që nuk identifikohen si maqedonas etnik? Dhe vallë emërtimi i çdo gjëje në këtë shtet me parashtesën  “maqedonase” nuk është përjashtim i gjitha vlerave tjera që nuk kanë emblemë njohëse përkatësinë etnike maqedonase?


Andaj edhe mund të parashikohet se problemi greko-maqedonas lidhur me emrin e Maqedonisë, do iniciojë shumë probleme të brendshme ndëretnike të lëna deri tani pas dore. Dhe mbase ky është qëllimi parësorë i Athinës zyrtare, e cila këmbëngulë në diçka që në pamje të parë flet për relacionet e Maqedonisë me fqinjët, a në të vërtetë ka të bëjë më përbërjen e saj të brendshme etnike. Pra, Athina zyrtare e dinë se me ndryshimin e emri të shtetit, jomaqedonasve do u rikujtohet se radhën e kanë ndryshimet e rendit të brendshëm shoqërorë,  i cili nuk ka të ardhme nëse shenjë njohëse ka vetëm emblemën e maqedonasve etnik. Andaj edhe mund të thuhet se Athina zyrtare arriti të shpalos një të vërtetë që nuk ia dolën politikisht ta demaskonin  shqiptarët e këtushëm: se Maqedonia i ngjanë kalasë së muruar nga të gjithë popujt  që përbëjnë atë, por të mbuluar me suvanë e paqartësive etnike të maqedonasve të këtushëm.  Dhe si i tillë, ky shtet më shumë i ngjanë një tampon zone ku përplasen  e kaluara dhe e sotmja e Ballkanit, se sa një shoqërie me të ardhme të qartë. 

Si do që të jetë, mbetet e vërteta se sa më i vogël është populli, aq më të komplikuar e ka historinë. Në veçanti kjo vlen për popujt e vonuar, siç janë ata që veten sot e quajnë maqedonas etnik, e nesër ndoshta do të kenë ndonjë emërtim tjetër. Të cilëve u kontestohet përkatësia etnike, emri, kisha, gjuha dhe në tërë këtë fatkeqësi, nuk u mbetet asnjë ngushëllim tjetër përpos atij se nuk është e gabuar ëndrra e tyre, por shekulli kur duan ëndrrën ta bëjnë jetë.  Si dhe rrjedhat globale që janë si lumë vërshues, i cili bartë me vete çdo gjë që nuk ka rrënjë të forta dhe qëndrueshmëri.  I bartë bile edhe popujt që duan të ndërtojnë shtet të përbashkët me të tjerët, e duke mos e respektuar parimin se një shoqëri e tillë mund të bëhet o nënë e fëmijëve të barabartë, o njerkë e fatkeqësisë së përbashkët. Mbase elitat politike të maqedonasve etnik, të verbëruar nga shpirtngushtësia etnik, edhe nuk e shohin se   Maqedonia, edhe pse vishet si nënë, nuk arrin ta fshehë  se është njerkë për jomaqedonasit që jetojnë në këtë shtet.     


(Botuar në gazetat: Lajm; Shkup-Maqedoni, Shqip; Tiranë-Shqipëri, Zëri; Prishtinë-Kosovë) 

Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
0
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next