Fillimi | Analiza | Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!

Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e që ishte e pamundur pushtetarët ta fusnin në kuletat e tyre pa i pa njeri. Fat për shqiptarinë e atjeshme që ajri nuk mundet të paketohet në thasë, e as qielli të ndahet në katrorë, se ke përshtypjen se të këtillë siç janë, këta pushtetarë do e kishin shitur edhe ajrin që thithin shqiptarët dhe do e kishin dhënë me koncesion atë pak qiell që mbulon Shqipërinë. Dhe duke parë me çfarë lehtësie shitet e privatizohet prona publike në Shqipëri, s’ke si t’u bësh bisht edhe mendimeve të përdala se ata mbase do e shisnin edhe gjuhën dhe flamurin tonë, se do i privatizonin edhe datat festive që kemi, se do nxirrni në ankand veshjen kombëtare, po të kishte kush t’i blinte ato. Pra pa dashje fillon të mendosh se këta që japin pjesë të detit shqiptar si të ishte pronë që e kanë trashëguar nga gjyshërit e tyre, po të mos u duheshin argatë që do të punonin e do të votonin për partitë e tyre, do e kishin privatizuar e shitur edhe një pjesë të popullit, e madje, ata që nuk votojnë për partinë e tyre, edhe do i kishin dëbuar nga vendi.

Edhe në Kosovë u shit e gjitha që u takonte kosovarëve. Ndërkohë u tha se KEK-u paska qenë korporatë e korrupsionit, ku vendor e të huaj, i paskan mbushur xhepat. Me çka doli se, së bashku me faturat për rrymën e harxhuar elektrike, nëpërmjet kësaj korporate, kosovarët ua paskan paguar “haraçin” e lirisë çlirimtarëve vendas e të huaj. Dhe kur e sheh sesa të pangishëm janë këta çlirimtarë, kur e sheh se nga dita në ditë vetëm e rrisin çmimin e lirisë, e që duhet ta paguajnë kosovarët, kur e sheh me çfarë lehtësie ata privatizojnë e shesin pronën e përbashkët, nuk mund t’i ikësh përshtypjes irracionale se po të kishte të interesuar dhe blerës seriozë, pushtetarët e atjeshëm do i privatizonin edhe përmendoret e dëshmorëve të rënë gjatë luftës së 1999-s. Apo se do e nxirrnin në shitje edhe lirinë që ia sollën Kosovës, po të mos ishte bashkëpronar i saj edhe NATO-ja.

Ngaqë askush nuk e lejon të shesë shtetëroren, ngaqë atë askush nuk e llogarit se është bashkëpronar dhe sundues i Maqedonisë, Ali Ahmeti ia shiti Gruevskit dhe e privatizoi të vetmen që kishte në dorë: dëgjueshmërinë dhe përkuljen e shqiptarëve. Dhe si i tillë, ai tani qëndron i mahnitur përpara përmendoreve madhështore që ka ngritur Gruevski anë e mbanë Maqedonisë dhe mbase paramendon sa e madhërishme do të duket shtatorja që një ditë atij do ia ngrenë shqiptarët e këtushëm. Pra, paramendon shtatoren që ia kanë borxh këta shqiptarë që sot llogarisin çmimin që paguan për ta nxjerrë Ali Ahmetin nga Dosjet e Hagës, këta shqiptarë që ende nuk e dinë edhe sa u kanë mbetur borxh “çlirimtarëve” të 2001-shit, e që më në fund edhe ata ta shijojnë lirinë si pushtetarët e BDI-së, si këta pushtetarë për të cilët ke bindjen se po qe se do ua lejonin “miqtë e tyre ndërkombëtarë”, ata do ua kishin shqyer gojën të gjithë shqiptarëve që thonë se Gruevski është antishqiptar. E madje ndoshta do i kishin “mbjellë nën tokë” të gjithë ata që pohojnë se të jesh partner qeveritar i Gruevskit, e të thuash se këtë e bënë për të mirën e popullit, është njësoj si të bëhesh pjesë e qeverisë së Serbisë, e të thuash se kjo ka të bëjë me sforcimin e shtetësisë së Kosovës.

Sa u përket shqiptarëve në luginën e Preshevës, atyre të Malit të Zi e të Çamërisë, ata nuk mund të shohin çka shitet e çka blihet në shtetet ku jetojnë, sepse janë zhytur në baltën e vetëgënjimit se zyrtarët e Prishtinës e Tirana mërzitet për ta, se burrështetasit e Shqipërisë e ata të Kosovës, të zënë me privatizimin dhe shitjen e çdo gjëje që mund të shitet, kanë kohë të merren edhe me hallet e shqiptarëve që jetojnë përtej kufijve të mëmëdheut Shqipëri dhe atdheut Kosovë.

Pra, në Shqipëri u shit thuajse e tëra që mund të shitej. Në Kosovë ndodhi e njëjta. Pushtetarët shqiptarë në Maqedoni nuk i pyeti njeri si do të shitet e si do të privatizohet prona shtetërore, andaj ata nxorën në shitje të vetmen pronë që kishin: dëgjueshmërinë dhe përkuljen e shqiptarëve të këtushëm. Dhe ngaqë për këtë mall nuk ishin të interesuar blerësit e huaj, Ali Ahmeti atë ia shiti Gruevskit. Pra në gjitha “Shqipëritë” tona ndodhi e njëjta, por vetëm e paketuar ndryshe. Dhe përderisa në to u shit e u privatizua çdo gjë, ndodhi edhe diçka më e keqe se kaq: institucionet shtetërore u bënë pronë e partive në pushtet. Kështu që edhe demokracia edhe liria, u bënë pronë e sunduesve tanë të sotëm. Andaj ne sot u paguajmë “haraç” atyre që na sollën lirinë dhe demokracinë. Dhe ata që e mbledhin këtë haraç, me qëllim kurrë nuk na e treguan shumën e borxhit që ua kemi, me çka ia dolën të na bindin se u jemi borxhlinj të përjetshëm. Dhe të mpirë nga kjo bindje, neve kurrë nuk na u kujtua të kërkonim të bëhet edhe privatizimi përfundimtar i lirisë dhe demokracisë, e që mbetën pronë e pushtetarëve tanë. Neve nuk na u kujtua t’i blinim ato, me çka më në fund të gjithë do të bëheshim pronarë legjitimë të tyre. Pra, neve nuk na u kujtua me kohë e vërteta se askush dhe kurrë nuk ta jep atë që s’dinë si ta marrësh, se atë që njëherë të është grabitur, mund ta kthesh prapë vetëm nëse ia del ta blesh, apo nëse të ka frikë grabitësi që ta ka vjedhur. Andaj, tani ne duhet të gjejmë mundësi t’i blejmë edhe institucionet e shtetit, që ato më në fund të na takojnë të gjithë neve njësoj, e jo vetëm partive në pushtet, që ato të bëhen pronë e gjithë qytetarëve, e jo të shërbejnë si mbulesë për nëntokën politike që sundon me “Shqipëritë” tona.

Kudo nëpër “Shqipëritë” tona u privatizua e u shit çdo gjë që mund të shitej. Dashtë Zoti e në këtë botë përplot me të arrira elektronike e ide të reja, dikujt nuk i kujtohet të kërkojë edhe legalizimin e shitblerjes së popujve, sepse me siguri, po të gjenin argat e votues më të lirë se ne, të tillë siç janë, këta pushtetarët tanë do të na kishin shitur e do të na kishin ndërruar me ndonjë popull tjetër. Dhashë Zoti e kurrë nuk do të jetë e mundur shitja e gjuhës, simboleve dhe vlerave etnike, ngaqë të atillë siç janë, këta pushtetarët tanë, edhe ato do i kishin privatizuar e shitur. Por nuk shkojnë punët vetëm me lutjet: “Zot mos u lejo të bëjnë të gjitha të këqijat që janë të gatshëm për t’i bërë”, por duhet ky popull të bëhet gati edhe për më të keqen. Pra, duhet të fillojë të grumbullojë para për çdo rast dhe, nëse dikush na nxjerr në shitje, të mund ta blejmë vetveten. Pra duhet të grumbullojmë para që në mos më shumë, ta blejmë demokracinë që na takon, lirinë që çlirimtarët e përvetësuan vetëm për vete dhe institucionet shtetërore që u bënë pronë e nëntokës politike. Duhet pra të sillemi si ata që e dinë se janë në duart e politikanëve të pangishëm, në duart e atyre që as e kanë ditur as do e kuptojnë ndonjëherë se majat ku të ngjit politika janë joshëse, se ato të ofrojnë pamje e begati të paimagjinueshme, por edhe shpejt shkrihen dhe, po nuk je i kujdesshëm, po je grykës i pangishëm, po nuk e kuptove se sunduesit vijnë e shkojnë e popujt dhe pasuria mbi tokë e nën të mbeten të përjetshme, përfundon në rrëzat e tyre i zhytur në baltë. Pra duhet të sillemi si popull që e ka kuptuar se ka rënë në duart e politikanëve që nuk e dinë se sa më gjatë sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten, se sa më shumë gllabëron të huajën aq më shumë të zgjerohet plënci, kështu që kur mbetesh pa pushtet mbi vetveten, përjetë të përcjell uria ndaj të huajës.

 

Marrë nga gazeta "Shqip", Tiranë


Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
5.00
Tjera nga Analiza
Previous
image
Të grumbullojmë para që të blejmë vetveten!
Në Shqipëri u privatizua dhe u shit çdo gjë që ishte pronë publike, u nxor në treg e tërë ajo që mund të shitej e ...
image
Poshtë sunduesi – rroftë vasali !
  Shqiptarët e Maqedonisë janë të durueshëm dhe popull mirënjohës. Ata edhe të mirën edhe të keqen e vuajnë në vetvete. Andaj edhe protestat e tyre ...
image
Frikën që jetuam dhe frika me të cilën jetojmë
Shkruan:Kim MEHMETI Në vitet e socializmit, kur në Kosovë zhvillohej diferencimi i egër, nëpërmjet të cilit Beogradi i ndante shqiptarët në “të ndershëm” dhe “destrukivë”, sa ...
image
Arkëza e rrëfimeve sekrete
Shkruan: Kim MEHMETI Në dhomën time të punës, në një nga raftet me libra, me vite qëndronte një arkëz ku ruaja “eksponatet” nga kohët e fëmijërisë ...
image
POPULLI I PARTISË
Apo, kush nuk u beson pohimeve të lartpërmendura, le të marrë listat e gjithë të zgjedhurve partiakë që kanë mbushur institucionet e pakta shqiptare dhe ato shtetërore, të atyre që janë bërë pjesëtarë të këshillave dhe vendosin për fatin kolektiv, e le të tregojë sipas cilit kriter është bërë zgjedhja e tyre....
image
Jo poste, por pozita
Kim Mehmeti   E kaluara ka dhënë shumë prova çka u ndodh popujve që kanë politikanë të paaftë, por askush nuk ia ka dalë të shpjegojë se ...
image
Ngjyrat etnike të botës
  Shkruan:Kim MEHMETI Sa u përket shqiptarëve, atyre duhet thënë se cilado parti e tyre t’i fitojë këto zgjedhje dhe pa marrë parasysh se me cilën parti ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan:Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte edhe Harun ...
image
Njeriu si numër i thjeshtë
Shkruan: Kim MEHMETI Kaloi një vit nga tragjedia e Radushës, fshat në afërsi të Shkupit, ku policia maqedonase ekzekutoi katër shqiptarë. Ndër të ekzekutuarit ishte ...
image
BDI-ja, mundësi e harxhuar
Nga Kim Mehmeti Në hapësirat shqiptare kryesisht dominojnë dy grupe politikanësh: ata të paktët që e kanë kuptuar se, po dite ta përdorësh, politika është shërbëtore ...
Next