Fillimi | Media-Lajme | Përtej anketave

Përtej anketave

Madhësia: Decrease font Enlarge font
image

Kim Mehmeti

M’u dha rasti të merrja pjesë në prezantimin e një ankete të bërë mes shqiptarëve të Maqedonisë. E sa u përket anketave, e vërteta dhe të dhënat e tyre, qëndrojnë përballë njëra-tjetrës si njeriu dhe hija e tij: në mëngjes ajo është më e gjatë, në mesditë thuajse nuk ekziston fare, e në orët e mbrëmjes, sërish zgjatet po aq sa ka qenë gjatë para ditës, por e kthyer nga ana e kundërt. Pra, rezultatet e hulumtimeve të këtilla janë në varshmëri nga koha kur ato bëhen, si dhe nga kushtet “klimatike”, ngaqë kur është koha e turbull e me mjegull, “hija” mbetet e paqartë dhe atë çdokush e përcakton sipas prirjeve të veta. E në Maqedoni, prej moti është shtresuar një mjegull e dendur politike, prandaj edhe ndodh që brenda një dite, të publikohen nga dy anketa, e që tregojnë popullaritetin e partive të këtushme.

Anketa e bërë nga Instituti “Liberta” në Shkup tregonte atë që rrëfejnë njerëzit të shndërruar në numra. Kështu për shembull, përqindja më e madhe e shqiptarëve të anketuar nga Maqedoni, ishin shprehur se nuk i besonin më Marrëveshjes së Ohrit, se janë për një marrëveshje të re shqiptaro-maqedonase, se janë të dëshpëruar nga partitë e tyre, se nuk e kanë ndje si kryeministër të vetin asnjë nga të parët e deritanishëm të qeverive maqedonase, se janë skajshmërisht të dëshpëruar nga sjellja e përfaqësuesve të tyre nëpër institucionet më të larta shtetërore, se në përqindje të madhe ata as që mendojnë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të shpallura për në qershor, se nuk duan më përfaqësues si këta të tanishmit të BDI-së, që e lejuan Gruevskin t’i përbuzë shqiptarët e këtushëm si të ishin një fis nomadësh që përkohësisht kanë ardhur të jetojnë në Maqedoni. Shkurt, të dhënat e dala nga kjo anketë, tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë janë më pranë bindjes se asgjë nuk do ndryshojë, se sa shpresës për një të ardhme më të mirë. Apo, ata janë afër bindjes se kanë mbetur pa ndërtues të denjë të së sotmes dhe së ardhmes së tyre, andaj edhe i janë dorëzuar pozitës së të pashpresit. Gjë e cila duhet t’i brengosë jo vetëm partitë e këtushme shqiptare, por edhe Tiranën e Prishtinën, të cilat do duhej njëherë e përgjithmonë të merrnin mbi vete pjesën e përgjegjësisë edhe për shqiptarinë që jetojnë jashtë kufijve të këtyre dy shteteve shqiptare. Kuptohet, jo si vëllezër të mëdhenj që në çdo gjë e kontrollojnë vëllain më të vogël, por si shtete që kanë institucione për të ndikuar te fqinji i tyre, për të ndërhyrë te partitë e këtushme, duke u thënë qartë kryesuesve të tyre se është e panatyrshme të bashkëpunosh me Gruesvkin që e përbuz tërë popullin tënd, e të mbash hasmëri me bashkëkombësit e tu të partisë tjetër. Pra, t’u thuhet “shokëve” të BDI-së, se ata mund edhe të jetojnë me bindjen se kanë liderë të rangut aq të lartë, sa ai të ndihet i nënçmuar, kur komunikon me kryetarët e partive të tjera shqiptare, por se është përbuzëse për shqiptarët e këtushëm kur po ai lider, gjunjëzohet përballë Gruevskit, edhe atë duke pasur pas vetes tetëmbëdhjetë deputetë shqiptarë. Pra, duke pasur pas vetes besimin e plotë të shqiptarëve të këtushëm, e që u tregua jo i mjaftueshëm që BDI-ja të dalë nga pozita e vasalit në qeverinë e Maqedonisë.

Në sallën ku bëhej prezantimi i kësaj ankete, kishte gazetarë maqedonas dhe shqiptarë. Ajo që binte në sy ishte prirja e prezantuesve shqiptarë që çdo pyetjeje gazetareske t’i përgjigjen në gjuhën në të cilën u është shtruar, si dhe rehatia e kolegëve maqedonas se prezantuesit e hulumtimit janë të obliguar ta përkthejnë vetveten edhe në gjuhën maqedonase. Kështu që, vetë kjo situatë që shqiptarin e detyron të flasë edhe maqedonisht, e maqedonasit i lejon të marrë pjesë në një ngjarje “shqiptare” pa e ditur gjuhën e bashkëqytetarëve të vet, tregon shumëçka që nuk e thotë asnjë anketë. Pra tregon se cila është formula nëpërmjet së cilës ndërtohet shteti shumetnik, shumëreligjioz e shumëgjuhësor i Maqedonisë. Realitet ku gjithë të tjerët duhet ta dinë gjuhën e popullit që vetveten e ka shpallur “pronar” të shtëpisë, edhe atë ndoshta vetëm pse këtë bindje ia ushqeu inferioriteti dhe injoranca politike e partive të këtushme shqiptare. Pra, mbase nga shkaku se gjithmonë kanë pasur punë me qeveritarë inferiorë shqiptarë, që vuajnë t’i pëlqejë pala maqedonase, e asgjë nuk bëjnë t’i dalin hakut popullit të vet, votuesve që ua dhanë mundësinë të bëhen pushtetarë edhe atyre që nuk do t’i merrte në punë asnjë drejtues i përgjegjshëm i cilësdo kooperative bujqësore.

Si do që të jetë, anketa e Institutit “Liberta”, tregon qartë se asnjë nga partitë shqiptare nuk ia doli t’i bëjë ballë nacionalizmit të Gruevskit, se liderët partiakë që morën pjesë në qeveritë e VMRO-DPMNE-së, u bënë shërbëtorë aq të dëgjueshëm e të nënshtruar, sa e vetëgënjyen Kryeministrin e tanishëm maqedonas se mund të ekzistojë një Maqedoni që do kujdeset vetëm për popullin që vetveten e quan maqedonas, se ky shtet do mund të mbahet në këmbë, duke i ushqyer të tjerët me mbeturinat e sofrës ku ka darkuar i “zoti i shtëpisë”. Ndërkohë, ajo që shkon përtej anketave, ka të bëjë me realitetin se, edhe pa i zbërthyer përqindjet e dala nga këto hulumtime, edhe duke marrë pjesë vetëm në prezantimin e tyre, e kupton se Maqedonia është shtet ku duket qartë vija që ndan popullin maqedonas nga gjithë të tjerët. Por, duket qartë se këtë vijë nuk e kanë vizatuar vetëm maqedonasit, por ajo është tërhequr edhe nga dora e shqiptarëve, se ajo zgjatet deri aty ku e kanë lejuar partitë e këtushme shqiptare. E kjo vijë, lëviz sa andej, sa këtej, varësisht nga ajo se cila parti shqiptare është pjesë e koalicionit qeverisës. Kjo vijë, sipas asaj që tregojnë të dhënat nga anketa e Institutit “Liberta”, kurrë nuk ka qenë kaq thellë e shtrirë edhe në “territorin” shqiptar, sa në kohën përderisa vasal të Gruevskit ishin partiakët e BDI-së.

Pas prezantimi të këtij hulumtimi, siç ndodh rëndom në raste të këtilla, të gjithë bëjnë komentet e veta. Dikush thotë se ai është i kurdisur, se atë e prezantojnë të shiturit e kësaj, apo asaj partie, se është “hije” e rrejshme e shtatit politik shqiptar, ngaqë është bërë në ditë të mjegullt e pa diell. Të gjitha këto i thonë të ulurit përballë dhjetëra përmendoreve të Gruevskit, të ndërtuara në qendër të Shkupit, e të cilat rrëfejnë shumëçka përtej asaj që mund ta shprehë cilido hulumtim apo cilado anketë. Pra, të gjitha këto “analiza” shtesë të kësaj ankete, i bëjnë njerëzit që për çdo ditë përballen me një të vërtetë që shpalos shumëçka edhe përtej përgjigjeve të shqiptarëve të këtushëm se çmendojnë ata për vetveten, se si i vlerësojnë partitë që kanë, sa e ndiejnë të vetin shtetin ku jetojnë. Këto analiza pra bëhen në një realitet, i cili e tregon atë që siç duket nuk e shohin vetëm shqiptarët që marrin pjesë në qeveritë maqedonase: se ky shtet ngutazi “maqedonizohet”, se Maqedonia ngutshëm e shlyen nga fytyra e vet shumëngjyrshmërinë etnike, religjioze dhe gjuhësore. Gjë që më së miri shihet në Shkupin që gjithmonë ka qenë shumëzërësh, e tani bart vetëm stolitë që atë e tregojnë si kryeqendër të shtetit që u takon vetëm maqedonasve. Kështu që, përderisa njeriu i shikon ato dhjetëra përmendore në qendër të Shkupit, deri sa sheh kishën e papërfunduar ortodokse mbi kalanë e kryeqendrës së këtij shteti, s’ka si të mos e pranojë se atë që e bëri Gruevski në Maqedoni, nuk kishin guxuar ta bënin aq hapur as komunistët e Titos, e kur shqiptarët e këtushëm nuk kishin thuajse asnjë përfaqësues të vetin në qeveri apo Parlament. Pra, nuk mund të mos e ndiesh thellë në vetvete se as Titoja nuk kishte guxuar aq hapur të mohojë shumetnitetin, shumëgjuhësinë dhe shumëreligjiozitetin e Maqedonisë. Njësoj siç nuk mund t’i ikësh bindjes se sikur të ishte më mirënjohës, Gruevski do duhej që në qendër të Shkupit t’u ngrinte nga një përmendore edhe liderëve partiakë që i ndihmuan të sillej me kaq përbuzje ndaj shqiptarëve të këtushëm.



Komente (0 dërguar):

Dërgoni komentin comment

Shkruani kodin e fotos:

  • email Email mikut
  • print Verzioni print
  • Plain text Tekst i thjeshtë
Tag
Ska asnjë tag
Votoni këtë tekst
3.50
Tjera nga Media-Lajme
Previous
image
Kim Mehmeti: Shqiptarët do ta "humbin" Maqedoninë kur të humbin Shkupin
Publicisti Kim Mehmeti ka postuar një koment të tijin sot në profilin e vet në Facebook. Ai shkruan se shqiptarët do ta "humbin" Maqedoninë në momentin ...
image
Kim Mehmeti “shkrimtari lakuriq”
Shkruan: Armando BORA...
image
Kim Mehmeti: Kërkesat e Selës legjitime, por Menduh Thaçi asnjëherë s'dorëhiqet
Analisti politik Kim Mehmeti kërkesat e Ziadën Selës për debat në kongresin e partisë i vlerëson si të drejta, dhe çështje të tyren brenda partiake. “Është ...
image
Kim Mehmeti: Gruevski mund t`i përfshijë të dy partitë shqiptare në Qeveri
Në zgjedhjet e parakohshme Parlamentare partitë politike në pushtet, si në kampin maqedonas poashtu edhe në atë shqiptar, shënuan fitore absolute. Analisti politik Kim Mehmeti, vlerëson ...
image
Kim Mehmeti: Rinia shqiptare, ambasadorët e mrekullueshëm të shqiptarisë
Shkrimtari i mirënjohur dhe shumë i vlerësuar nga kritikët e sotëm shqiptar dhe ndërkohmbëtarë, një nga publicistët më të guximshëm dhe më të drejtpërdrejtë në ...
image
"Shekulli i dytë i Pavarësisë dhe Çështja Çame"
Unioni Studendor Shqiptar (USSH) me rastin e Ditës së Pavarësisë, nesër 27.11.2013 (të mërkurën) në ora 14:00, te hotel "Arka" do të organizojë një tribunë ...
image
Kim Mehmeti: "Jugosllavie e re" projekt për të përçarë shqiptarët
Shkrimtari dhe mendimtari i njohur shqiptar, Kim Mehmeti, shprehet kundër nismës së Malit të Zi, për krijimin e Unionit Ballkanik me qendër në Serbi, duke ...
image
Kimi kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri
Sapo ka sjellë në treg librin e tij më të ri, “Ngjyrat e këtij dheu”, botim i shtëpisë “Koha”. Por, përtej gëzimit që sjellë çdo ...
image
BDI një darkë me Ramën, 100 me partnerët maqedonas!
E ç’vlerë ka kjo një darkë vëllazërore, përballë të shumtave që krerët e BDI-së, për çdo ditë, i hanë me shokët e tyre maqedonas të ...
image
Kim Mehmeti flet për "Vitet e urithit" me lexuesit e tij
"Libri që lexova..." është aktiviteti më freskues i të rinjve që ka filluar të zhvillohet në Shkup, i cili bëhet për qëllim siç tha edhe ...
image
BDI - PDSH, mes ulurimës dhe tinzarisë
Ka dallimi shumë të madh mes paraqitjeve publike të Menduh Thaçit dhe Ali Ahmetit. Kur flet publikisht Ahmeti, pa e dëgjuar e dine se çka ...
image
Kim Mehmeti: Ahmeti të tregojë se sa të rinj shkupjanë janë rrahur?
Analisti dhe shkrimtari i mirënjohur nga Shkupi, Kim Mehmeti ka nxjerr në pah një fenomen tejet shqetësues që është bërë tashmë përditshmëri nëpër rrugët e ...
image
Kim Mehmeti në "Fokus": Politikanët tanë i kemi lazdruar(VIDEO)
Në emsionin "Fokus" i cili transmetohet në televizionin "Art" me seli në Tetovë, që udhëhiqet nga Rean Saiti, i ftuari i kësaj jave ishte publicisti ...
image
Kush do mbaj përgjegjësi për vrasjen e Harun Aliut me shokë?!
Edhe pas tre vjetësh akoma nuk është zbardhur enigma e vrasjes së komandant Kushtrimit, Harun Aliut, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe ...
image
U promovua "Shkupi" i Kim Mehmetit, me Glauk Konjufcën (VIDEO)
Shkrimtari Kim Mehmeti, promovoi mbrëmjen e së shtunës librin e tij me titull ‘Shkupi’. Përmbatjen e këtij libri, ai është munduar ta shpjegojë përmes një ...
Next