Back

Ahmeti s’guxon t’i ndërrojë ministrat!

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) duket se është i kënaqur me punën e ministrave të vet, të cilët i ka në Qeverinë e Maqedonisë. Për këtë arsye, nga BDI kishin njoftuar se nuk do të ketë rikonstruim në afatet e paracaktuara. Fillimisht ishte planifikuar që rikonstruimi të ndodhë para Kongresit të Dytë zgjedhor, por kjo u shty për një moment tjetër. Edhe pas Kongresit paralajmërimet për rikonstruim u humbën nga arsye të pasqaruara deri më tani. Analistët e pavarur politik e shohin nga prizma të ndryshëm këtë vendim të partisë shqiptare në pushtet. Publicisti Kim Mehmeti duke e kuptuar logjikën e veprimit të Ali Ahmetit, thekson me ironi se ndoshta në BDI nuk ka persona më të mirë që mund të bëhen ministra. “Ali Ahmeti nuk bën ndryshim të ministrave, ndoshta për shkak se nuk mund të gjejë më të këqij se këta që i ka. Sigurisht ai është i kënaqur dhe për këtë arsye nuk i ndërron. Sigurisht ia plotësojnë kushtet që ua kërkon ai, ndaj përfaqësuesve të vet në qeveri edhe s’ka nevojë të bëjë ndryshime”, tha Mehmeti. Analisti Mehmeti thekson se ka dy arsye për të cilat nuk ndryshohen këta ministra. “Ose këta aktualët mirë e kryejnë punën, ose më të mirë se këta nuk ka. Me të tjerët do të ngelesh edhe më keq. Këta dinë të dalin në TV, ndoshta ata tjerët nuk dinë të vijnë as deri në Shkup”, tha Mehmeti.

(Gazeta Lajm)

 http://lajmpress.com/lajme/maqedoni/2972.html