Back

Akademiikët maqesonas,sërb të vonuar

Shkruan: Kim Mehmeti

Shqiptarët e Maqedonisë, më në fund, kanë një dëshmi të paluhatshme se janë mazohistë të llojit të veçantë: financojnë edhe projekte ku ata fyhen e njollosen si barbarë. Kjo dëshmi u erdhi para do kohe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ku u promovua Enciklopedia dypjesëshe e Maqedonisë, e financuar nga Ministria e Kulturës, nga qeveria ku ka edhe pushtetarë shqiptarë, e ku në këtë enciklopedi, shqiptarët përshkruhen ashtu siç i përshkruanin "çubrilloviçët" e ndryshëm serbë të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Shqiptarët duhet, gjithsesi, ta lexojnë këtë enciklopedi, sepse ajo është monument i pozitës së tyre mjerane në këtë shtet, ajo është pasqyrë ku shihet qartë një urrejtje patologjike e qarqeve të këtushme shkencore e politike ndaj një populli; ajo është portet i shkurtpamësisë të përfaqësuesve tanë politikë, kulturorë e shkencorë nëpër institucionet e këtushme, institucione që janë vënë në shërbim të serbëve të vonuar të llojit të Nikolla Gruevskit dhe Bllazhe Ristovskit. Këtë enciklopedi shqiptarët e këtushëm duhet ta lexojnë kujdesshëm, që ta kapin domethënien e saj se ata vetë kanë lejuar që historinë dhe të kaluarën t‘ua përbuzin ata që nuk e njohin vetveten, ata të kompleksuarit që arnojnë historinë e tyre me mbeturinat e popujve të tjerë të Ballkanit.

Këtë enciklopedi duhet ta lexojnë kujdesshëm edhe historianët në Tiranë e Prishtinë, si dhe politikanët e atjeshëm "paqedashës dhe proeuropian", që më në fund ta kuptojnë se si përdoret toleranca e tyre dhe cili është kontributi i tyre për mirëkuptim dhe bashkëpunim me këtë shtet fqinj. Mbase, pasi ta lexojnë kujdesshëm këtë enciklopedi, akademikët dhe politikanët e Prishtinës e Tiranës do i dëgjojnë më qartë ankesat e shqiptarëve të këtushëm, se nuk vuajmë vetëm nga shkaku i urrejtjes patologjike të "ristevskave" të ndryshëm, por mbi të gjitha pse kanë mbetur në duart e shkencëtarëve dhe politikanëve shqiptarë që për një kolltuk të butë e shesin edhe nënën e tyre, e le më të kaluarën e popullit. Pra, këtë enciklopedi duhet ta lexojnë kujdesshëm politikanët dhe shkencëtarët e mëmëdheut e të Kosovës, që të shohin më qartë portretin e atyre me të cilët bashkëjeton një pjesë e popullit shqiptar. Mbase, pasi ta lexojnë këtë enciklopedi, ata do e vërejnë se ajo, nga pak, shpjegon edhe inferioritetin mbarëshqiptar, një inferioritet të turpshëm që neve, këtu në Maqedoni, na bën të ndjehemi si të lënë në duart e atyre që shërojnë komplekset e veta, duke zhvlerësuar të kaluarën dhe të ardhmen tonë.

Në këtë Enciklopedi të Maqedonisë, shqiptarët janë dhënë si të ardhur nga askund, si të sapozbritur nga malet, ku fshehurazi janë zbarkuar prej ndonjë planeti tjetër, sa t‘i pushtojnë trojet e sllavo-maqedonasve. Ata, në këtë enciklopedi, përshkruhen ashtu siç i paraqisnin enciklopedistët serbë gjatë shekujve të mëparshëm, kur donin të shlyenin çdo shenjë shqiptare në këtë Ballkan. Dhe të njëjtët kapituj të enciklopedive të dikurshme serbe për shqiptarët, tani e përbëjnë këtë të sotmen të Maqedonisë. E përbëjnë këtë enciklopedi të financuar edhe nga taksapaguesit shqiptarë, pra të lejuar nga pushtetarë shqiptarë, që thonë se ky shtet garanton dhe mbron veçoritë etnike të popullit që e përfaqëson.

Mbase kësaj radhe shqiptarëve të Maqedonisë nuk u ka mbetur rrugë tjetër, përpos ta padisin shtetin ku jetojnë për keqpërdorim të mjeteve të tyre dhe për fyerje të dinjitetit të tyre kolektiv. Shqiptarët e këtushëm duhet, gjithsesi, t‘i çojnë në gjyq të gjithë ata që kanë hartuar këtë enciklopedi dhe ata që kanë lejuar botimin e saj. Dhe nëse të gjitha këto nuk i zgjidh asnjë institucion i këtushëm, nëse nuk ndalohet shpërndarja e kësaj enciklopedie, atëherë shqiptarët e këtushëm nuk kanë asnjë arsye pse të vetëgënjehen se është e mundur bashkëjetesa me sllavo-maqedonasit, të cilët, duke mos njohur të kaluarën e tyre, përbuzin atë të shqiptarëve.

Shqiptarëve të Maqedonisë këto ditë u erdhi në duar një projekt antishqiptar, të cilin e kanë financuar me paratë e tyre. Pra, kanë në duar një projekt të udhëhequr nga një antishqiptar i përbetuar, siç është Bllazhe Ristevski, projekt i cili që në nismë u pa se në thelb kërkonte të dëshmonte atë që prej moti e ka në qendër të vëmendjes Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe VMRO-DPMNE-ja: se si ardhacakë, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë ç‘të kërkojnë nga ky shtet. Shqiptarët e Maqedonisë kanë në duar një dëshmi kulminante, që shpjegon shumë për ata, që shpalos pozitën tyre në këtë shtet, që tregon se si, edhe me paratë e tyre, ata dikush i shan dhe i përbuz. Ata kanë në duar enciklopedinë që e madhëroi Kryeministri Gruevski, i përkrahur nga BDI-ja shqiptare, kanë në duar një projekt nga i cili u larguan shqiptarët që e kuptuan qëllimin e tij qysh në nismë, e që më vonë u zëvendësuan me tre "shkencëtarë" të tjerë shqiptarë, emrat e të cilëve mburrshëm qëndrojnë në ballinat e kësaj enciklopedie. Shqiptarët e Maqedonisë kanë në duar një dëshmi se sa tragjike është të jetosh me ata që patologjikisht të urrejnë, që nuk e njohin të kaluarën e tyre, ndaj marrin dhe shkruajnë për të kaluarën shqiptare.