Nuk ka njerëz më shpirtkëqij se ata që keqpërdorin personin me të meta mentale, duke e lëshuar atë në rrugë dhe duke e nxitur t‘i shajë, të bëjë dëme e t‘i ofendojë kalimtarët. S‘ka më të këqij se ata njerëz, të cilët të sëmurin mental e nxisin të bëjë veprime destruktive, veprime që do donin t‘i bënin ata vetë. Andaj, nëse i sëmuri mental e ka kallur pompën e karburanteve, nuk duhet izoluar vetëm ai, por duhet arrestuar si të rrezikshëm edhe ata që e kanë nxitur dhe e kanë bindur se ai është vendi më i përshtatshëm për ta kallur cigaren. Dhe nga ky këndvështrim duhet vlerësuar roli i kryeredaktorit të "Enciklopedisë" maqedonase, Bllazhe Ristovksi: jo çka ka bërë ai, por cilët janë ata që qëndrojnë pas tij, që e propozuan dhe ia besuan këtë detyrë, që ia mundësuan të shfrytëzojë rastin jetësor të shfryjë urrejtjen e vet patologjike ndaj shqiptarëve. Dhe ky është relacioni që nuk e kuptojnë disa shqiptarë të këtushëm, e veçanërisht pushtetarët shqiptarë. Me çka nuk e kuptojnë edhe porosinë që shqiptarëve ua përcolli kjo "Enciklopedi".
Pra, ata nuk e kuptojnë se Bllazhen e zgjodhën, e financuan dhe e përkrahën ata që e dinin se çfarë "Enciklopedie" ai mund të përpilojë. Bllazhen e përdori një Akademi e tërë dhe shumë qendra të tjera antishqiptare, të cilat e dinin se e vetmja vlerë e tij shkencore është urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve. Dhe m‘u pse e dinin këtë, ata e emëruan kryeredaktor të kësaj "Enciklopedie". Duke e ditur se cili është Bllazheja, ata e dinin edhe kush më së miri mundej t‘ua përcillte shqiptarëve porosinë e rëndësishme pas të cilit qëndron AMASH dhe një koncepti politik që gjallëron në Maqedoni: se janë okupues të shtëpive dhe tokave sllavo-maqedonase dhe si të tillë, as që është gjithaq me rëndësi se kur kanë ardhur në Ballkan, por kur do zhduken nga këto treva. Andaj, kësaj radhe, shqiptarët e këtushëm nuk duhet të kënaqen as me dorëheqjen e Bllazhes, as me korrigjimin e "Enciklopedisë", por vetëm nëse i vihet dryni këtij institucioni shtetëror dhe nëse ajo godinë shndërrohet në atë që me të vërtetë është: Muze i Shpirtligësisë Njerëzore. Shqiptarët e Maqedonisë, kësaj radhe, duhet të kërkojnë përgjigje të qartë nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas – duan, apo jo, shtet të përbashkët me gjithë ata që jetojnë në Maqedoni.
Kësaj radhe, shqiptarët e Maqedonisë duhet të tregojnë hapur se jo që nuk e dinë se Maqedonia nuk është as projekt maqedonas, as projekt shqiptar, por ata kanë flijuar shumëçka që të ndihmojnë realizimin e një projekti ndërkombëtar. Realizimin e një projekti të mbështetur mbi qëllimet e mira të qendrave të vendosjes ndërkombëtare, qendrave që duan në këtë "arë të askujt", të krijohen kushte të volitshme për mbjelljen e farës së konceptit "multi-kulti". Farës nga e cila do mbijë bima frytdhënëse e tolerancës dhe respektimit të dallimeve mes njerëzve, bimë e cila aq shumë do t‘i joshë ballkanasit tjerë, sa të gjithë do duan atë ta kultivojnë nëpër arat e tyre shtetërore. Pos kësaj, shqiptarët kësaj radhe duhet të thonë hapur se e dinë që Maqedonia është edhe "inkubator", ku lirshëm zhvillohet embrioni i një populli në formim, "inkubator" ku duhet një popull me prejardhje sllave ta tejkalojë krizën e identitetit, ta kompletojë portretin e vet etnik dhe me letërnjoftim të saktë, të vazhdojë tutje drejt integrimit në Ballkan e më gjerë në Europë. Edhe atë nën mbikëqyrjen e "mamive" të kujdesshme ndërkombëtare që bëjnë çmos "fëmija" të mos trembet nga gogoli i shpikur në laboratorët antishqiptare serbe – rreziku shqiptar.
Shqiptarët e Maqedonisë, kësaj radhe, duhet të dëshmojnë se e shohin qartë se edhe pas dy dekadave, ky shtet i ngjan godinës shtetërore, e cila nuk mund të qëndrojë në këmbë pa shtyllat mbështetëse të faktorit ndërkombëtar. Se në Maqedoni edhe sot rritet një "fëmijë" që do të të bezdisë, e s‘do ta ndëshkosh, që ka shumë frustracione, e nuk do ato t‘i tejkalojë, që të gjithë të moshuarit e tjerë të Ballkanit i urren dhe i mban për të rrezikshëm. Pastaj, shqiptarët e këtushëm, duhet ta thonë hapur se ata nuk e duan këtë Maqedoni, e cila u ndërtua ashtu siç nuk e priste askush: nga jashtë, sadopak t‘i ngjajë projektit "multi-kulti", e në brendi të jetë e thurur me mure të ngritur mbi themelet e shovinizmit dhe antishqiptarizmit maqedonas. Shqiptarët e Maqedonisë duhet të thonë hapur se nuk e duan shtetin që ka akademikë që mbjellin urrejtje dhe pushtetarë që financojnë dhe përkrahin projekte antishqiptare.
Por, që ta thonë këtë, shqiptarët e këtushëm paraprakisht do duhet t‘u dëshmojnë ndërkombëtarëve se një Maqedoni si kjo e sotmja, nuk është asgjë tjetër përpos se zhurmues, i cili e pengon komunikimin rajonal. Dhe deri sa do mbledhin argumente për këtë dëshmi, shqiptarët e këtushëm do duhet ngutazi të gjejnë ilaç kundër harresës së shpejtë. Kundër kësaj sëmundjeje, të cilën aq mjeshtërisht e keqpërdorin qarqet antishqiptare, si dhe pushtetarët shqiptarë.
Sa i përket harresës së shqiptarëve të këtushëm, ja disa shembuj më të "lehtë", duke i lënë anash tragjeditë e përmasave të Brodecit. Para ndonjë viti, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, bëri reduktimin e përdorimit të flamurit shqiptar në Maqedoni. Iniciativa për rishikimin e ligjit për përdorimin e simboleve doli nga radhët e VMRO-DPMNE-së, e cila asokohe ishte në pushtet. Ky vendim, me të drejtë, i hidhëroi shqiptarët dhe ata reaguan ashpër. Ashpër reaguan edhe pushtetarët e atëhershëm shqiptarë që ishin në koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, duke e vlerësuar këtë vendim me prapavijë politike. Dhe e gjitha përfundoi me dorëheqjen e gjyqtarëve shqiptarë nga kjo gjykatë. Dhe pastaj çdo gjë rrodhi ashtu siç e kishin planifikuar provokuesit: gjyqi mbeti pak kohë pa anëtarë shqiptarë, që më vonë të vijnë dy të tjerë. Kuptohet, vendimet e gjykatës mbetën të pandryshuar. E shqiptarët nuk i pyetën përfaqësuesit e vetë qeveritarë, se cili është roli i tyre në qeveri nëse ata nuk u kundërvihen projekteve politike antishqiptare.
Shkojmë tutje! Para një viti, ministrja e Kulturës themeloi Këshillin e Ministrisë së vetë pa asnjë anëtar shqiptar në të. Ministrja shpjegoi se anëtarët i kishte zgjedhur sipas vlerave madhore të tyre me çka, në mënyrë indirekte, shqiptarëve të këtushëm u tregoi se ata nuk kanë individë të denjë që të jenë anëtarë të këtij Këshilli. Shqiptarët prapë u hidhëruan dhe reaguan ashpër. Reaguan edhe pushtetarët e BDI-së, thuajse ishin anëtarë me korrespondencë në kabinetin e Gruevskit dhe vendimet qeveritare i merrnin nëpërmjet postës, me çka nuk kishin mundësi të reagonin në mbledhjet qeveritare. E ndërkohë, treni vazhdoi tutje, ministrja e heshti punën, e pushtetarët shqiptarë u kënaqën me heshtjen e shqiptarëve.
Shumë më herët se të themelohej Këshilli Nacional për Kulturë, Gruevski kishte vendosur të ndërtonte kishë mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës. Shqiptarët reaguan si gjithmonë, duke u betuar se këtë nuk do ta lejojnë. Andaj Gruevski bëri të mundshmen që shqiptarët t‘i vë në gjumë e të veten ta realizojë: tokën e shtëpisë së dikurshme të Nënë Terezës ia dhuroi Kishës Ortodokse Maqedonase. E ndërkohë, që ninulla të jetë sa më gjumëndjellëse për shqiptarët e këtushëm, aty ku dikur qëndronte Kisha Katolike ku ishte lutur në rini Nënë Tereza, ai ngriti një godinë monstër që duhet të nderojë shenjtoren tonë. Me çka ai arriti rezultat të trefishtë: i zhduki përgjithmonë gjurmët e një Kishe Katolike të shqiptarëve të Shkupit, dëshmoi sa e "nderon" shenjtoren "shkupjane" dhe i hoqi qafe ata që kërkonin rindërtimin e Burmali Xhamisë, duke mos u përgjigjur pse pronën ku dikur ka qëndruar kjo xhami nuk ia dhuroi Bashkësisë së këtushme Islame.
Para disa muajsh, në prezencë të policisë, huliganët maqedonas rrahën dhe dhunuan fëmijë dhe nëna shqiptare në lagjen "Nerez" të Shkupit. Shqiptarët e këtushëm rëndë i provokoi ky veprim. Të provokuar dukeshin edhe pushtetarët e BDI-së. Por, më në fund, çdo gjë doli ashtu që të plagosurit duhej t‘i shëronin plagët e marra, e dhunuesit të vazhdonin tutje të shkruanin nëpër muret e Shkupit "Smrt na shiptarite" ("Vdekje shqiptarëve").
Dhe kështu, ka edhe plot shembuj të tjerë të harresës së shqiptarëve të këtushëm, e që i paraprijnë "Enciklopedisë" që e çoi në këmbë tërë shqiptarinë. Që i çoi në këmbë edhe pushtetarët shqiptarë në qeverinë, e cila ka financuar këtë projekt. Me çka, në mes të këtij vaji të tanishëm mbarëshqiptar, ndodhi edhe diçka zbavitëse: vajtimi i pushtetarëve të këtushëm shqiptarë. Vaji i tyre të çon të qeshësh edhe në mes të kësaj dënesje, sepse i ngjante lotderdhjes së politikanëve naivë që nuk e dinë se një anije, për shembull, nuk fundoset pse atë e ka drejtuar ministri për Transport, por nëse ka viktima, për arsye morale, ministri i Transportit është i pari që ofron dorëheqje. Dhe pas largimit të tij, vazhdon të kërkohet përgjegjësia nga përgjegjësit direkt. Duke mos e ditur këtë, pushtetarët shqiptarë nuk kërkuan dorëheqje të menjëhershme nga ministrja e Kulturës, nuk kërkuan që AMASH t‘i vihet dryni, por i kthyen sytë nga tre akademikët shqiptarë. Nga akademikët që qysh para shumë vitesh u paralajmëruan politikanëve shqiptarë se çka është duke financuar qeveria ku ata bashkëqeverisnin shtetin.
Nuk ka dyshim se nuk ka njerëz më shpirtligë se ata që keqpërdorin njeriun mentalisht të sëmurë, duke e nxitur ai t‘i bëjë dëmet që ata i ëndërrojnë. Andaj, lirisht mund të thuhet se shqiptarëve të këtushëm nuk u vjen e keqja nga antishqiptarët e sëmurë, por nga ata që qëndrojnë pas tyre. Si edhe nga përfaqësuesit shqiptarë në pushtet dhe nëpër institucionet më të larta shtetërore, të cilët shtiren se këtë nuk e dinë. Dhe që kërkojnë nga populli i tyre që edhe ai të bëhet se nuk sheh asgjë.