Back

Aktorë të rinj në shfaqe të vjetër

Shkruan: Kim MEHMETI

Shqiptarët e Maqedonisë e përfunduan golgotën zgjedhore parlamentare. Tani janë duke i shëruar plagët, zbërthejnë atë që u ndodhi, shpjegojnë se kush ua mbolli farën e keqe në arën politike. Ndërkohë, përcjellin nëpër ekrane televizive parlamentarët e porsazgjedhur, të cilët mbase edhe fare nuk ngjajnë me kandidatët e paradokohshëm, që ishin aq të afërt e të përzemërt me popullin. Kandidatët e dikurshëm, e parlamentarë të sotëm, tani duken më seriozë, nuk e kanë nëpër fytyra përzemërsinë e mëparshme dhe sikur duan t‘ia bëjnë me dije popullit atë që atij i është dashur ta dijë qysh në ditën e votimit: populli dhe të zgjedhurit e tij janë bashkë vetëm aq sa zgjat fushata parazgjedhore. Pastaj, çdonjëri shkon rrugës së vet: populli drejt grazhdit shtetëror, që duhet ta mbushë me taksat që i paguan rregullisht dhe politikanët po drejt atij grazhdi, por për ta zbrazur atë. Kështu që grazhdi është ai që ndan dhe bashkon popullin me politikanët, është vendi ku populli ëndërron atë që e shijojnë dhe e jetojnë politikanët.

Përafërsisht, kështu ka qenë me shekuj, e kështu do jetë edhe në të ardhmen. Me të vetmin dallim se, asnjëherë dhe askund, politika nuk është kuptuar ashtu siç e kuptojnë disa të zgjedhur të popullit në Maqedoni: si mundësi që tridhjetë ditët plot me premtime të kota të të sigurojnë katër vite papërgjegjësi dhe përfitime personale.

Parlamenti i Maqedonisë e mbajti edhe seancën e parë konstituive, ku morën pjesë të gjithë ata që do thirren në emër të popullit, edhe atëherë kur do bëjnë veprime që do u sjellin dobi vetëm dashnoreve dhe të afërmve të tyre. Në këtë mbledhje të parë të përbërjes së re parlamentare në Shkup, nuk morën pjesë vetëm deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare. Ata e bojkotuan punën e Parlamentit të revoltuar nga "vjedhja e votave" që u ishte bërë. Ky veprim i la shqiptarët e këtushëm në mëdyshje: vallë bëhet fjalë për të njëjtën PDSH, për të cilën, të gjithë thanë se më 1 qershor i mbushte kutitë e votimit si të ishin shporta për mbeturina, apo për ndonjë parti tjetër, për të cilën ata kishin votuar, por pa e ditur se gabimisht rrethonin numrin rendor të kandidatëve të BDI-së…

Sido që të jetë, seanca e parë parlamentare përfundoi qetë dhe suksesshëm. Bile, mbledhja ishte aq qetë dhe aq e suksesshme, sa cicërima e kësaj qetësie, nga pak i shurdhoi shqiptarët e këtushëm. I shurdhoi për shkak se ata prisnin nga BDI-ja e Ali Ahmetit – e cila fitoi shumicën e votave shqiptare – që në mos më shumë, simbolikisht të kërkonte nga Gruevski që posti i kryetarit të Parlamentit t‘i ndahej ndonjë deputeti shqiptar. Me këtë do paralajmëronte se nuk është trishtuar gjithaq nga e vërteta se Gruevski ka aq shumë parlamentarë, sa mund të bëjë qeveri e të zgjedhë burrështetas pa kërkuar votën e shqiptarëve. Pra, shqiptarët prisnin nga partia e Ali Ahmetit t‘i dëshmonte Gruevskit se ai mund të ketë parlamentarë aq sa ka ulëse Parlamenti republikan, por pa shqiptarët në të, ai mund të arrijë vetëm një gjë: të mbetet pa shtet.

Në seancën e parë parlamentare, u zgjodh edhe kryetari i Parlamentit republikan. Edhe atë si gjithmonë deri tani, nga radhët e partisë më të madhe të etnitetit maqedonas – VMRO-DPMNE-së. Pa dyshim, së shpejti do bëhet emërim edhe i dy zëvendësve të kryeparlamentarit, nga të cilët njëri gjithsesi do jetë shqiptar. Dhe do e zëvendësojë kryeparlamentarin sa herë që ai të shkojë në tualet ose kur nuk do jetë i disponuar për t‘i udhëhequr seancat parlamentare.

Së shpejti, do verifikohet edhe përbërja e re qeveritare, me në krye Gruevskin, gjithashtu me përkatësi etnike maqedonase. Njësoj siç është edhe kryetari i shtetit, sepse në Maqedoninë shumetnike, për shqiptarët janë parashikuar pozitat më të ulëta shtetërore: ato të zëvendëskryeministrit dhe të ministrive më të parëndësishme, pozita që mund t‘u jepen atyre që ua tregon bravën e derës së shtëpisë, por nuk guxon t‘ua japësh çelësin që e hap atë. Pra, Maqedonia do mbetet me kryetar të etnitetit maqedonas, me kryeparlamentar të po këtij etniteti, si edhe me Kryeministrin Gruevski, i cili jo vetëm që është maqedonas i devotshëm, por prej moti është dëshmuar edhe si antishqiptar i diplomuar. Pra, antishqiptar me diplomë, që deri tani ia mbulonin shokët e tij të PDSH-së, e mbase në të ardhmen, këtë do e bëjnë qeveritarët e rinj të BDI-së. Kuptohet, vetëm nëse Gruevski e respekton vullnetin politik të shqiptarëve të Maqedonisë, dhe BDI-në e përfshin në koalicionin qeveritar, e PDSH-në e lë aty ku e ka vendin – në opozitë. Me këtë, qeveritarët e BDI-së do jenë ata që do duhet ta prezantojnë Gruevskin si Kryeministër të vyeshëm dhe të interesuar për të mirën e gjithë qytetarëve të Maqedonisë, e nga ana tjetër, parlamentarët e PDSH-së, mbase atë do e shpalosin si antishqiptar të përbetuar, me të cilin është tradhti të bësh koalicion qeveritar.

Pa dyshim, Gruevski ka aftësi që nuk mund t‘ia mohojë askush. Ai ka edhe bindje nga të cilat nuk heq dorë, pavarësisht se cilën parti shqiptare ka në koalicionin qeveritar. Njëra nga ato bindje është ajo se, popullariteti i tij te maqedonasit etnikë është proporcional me antishqiptarin që arrin ta praktikojë gjatë qeverisjes së vet. Andaj, me aq përkushtim ai bëri çmos që shqiptarët të kishin zgjedhje të përgjakura parlamentare, andaj aq shumë investoi që shqiptarët të mbeteshin sa më larg qendrave të vendosjes. Ai bëri çmos ta arrijë këtë që ka sot: mbi gjysmën e përbërjes së re parlamentare, e që sot i mundëson të vetëgënjehet se mjafton kaq për ta kushtëzuar pjesëmarrjen e partive shqiptare në qeveri. E se mjafton kaq t‘i kushtëzojë partitë shqiptare të përkrahin idenë e tij për referendum, lidhur me ndryshimin eventual të emrit të shtetit, referendum që Maqedoninë e bën gropë edhe më të thellë nga sa është tani. Dhe po ashtu, e bën gropë, nga e cila shqiptarët nuk arrijnë të dalin vetëm për shkak se kanë politikanët që ende nuk e kanë kuptuar se popullin e tyre e bënë peng të dilemave etnike të popullit maqedonas.

Seanca e parë parlamentare paralajmëroi se shqiptarët e Maqedonisë edhe më tej do mbeten popull që ka pushtetarë, por jo edhe shtet, se të zgjedhurit shqiptarë do e kenë vështirë të dalin nga pozita e "ndihmësve" që kryejnë detyra e obligime, për të cilat i autorizon "punëdhënësi". Seanca e parë parlamentare paralajmëroi se shqiptarëve të Maqedonisë do u duhet edhe shumë kohë të arrijnë të ngjiten në rrafshin e popullit që sundon edhe me shtetin, e jo vetëm me vetveten. E derisa të vijë ajo kohë, shqiptarëve të këtushëm nuk u mbetet gjë tjetër, përpos të ngushëllohen se kësaj radhe, Gruevski do e respektojë vullnetin e tyre politik në shumicë. Dhe se ai vullnet, tani është i vendosur në vend të sigurt: në çantën e anëtarit të kryesisë së BDI-së, Musa Xhaferit. E sa i përket çantës së tij, disa thonë se në të janë listat e të gjithë ministrave dhe zëvendësministrave të ardhshëm, si edhe ato të drejtorëve e zëvendësdrejtorëve. Qëllimkëqijtë shtojnë se në atë çantë nuk mungojnë as listat e atyre që duhet mbajtur sa më larg partisë dhe qendrave ku vendoset për "interesat" më të larta të popullit.

Pa marrë parasysh se sa ka të vërtetë në këto pohime, dhe ç‘fshehin në vetvete çantat e kryesuesve të partive të këtushme shqiptare, mbetet e vërteta se disa politikanë të këtushëm dhe më tej, popullin e kujtojnë vetëm gjatë fushatës parazgjedhore. E pastaj, me mandatin e popullit në xhep dhe të joshur nga privilegjet e përfitimet që u ofrohen, u ngjiten lartësive të pushtetit. Duke u ngjitur majave të kësaj piramide, ata nuk arrijnë të kuptojnë se pse Gruevski aq lirshëm u kanoset partive shqiptare se, nëse nuk bëhen më të sjellshme, ai do formojë qeveri edhe pa i përfshirë shqiptarët në radhët e saj. Pra, nuk arrijnë të shohin se forca e Gruevskit nuk buron nga më shumë se gjashtëdhjetë parlamentarët, sa ka partia e tij në Kuvendin republikan, por nga verbëria e politikanëve shqiptarë, të cilët me çdo kusht duan të jenë sa më pranë grazhdit të pushtetit.